ATV

Author: K.B.

  • Cakolli: Zgjedhjet opsioni më i keq në këtë fazë

    Cakolli: Zgjedhjet opsioni më i keq në këtë fazë

    Në situatën aktuale kushtetuese, Eugen Cakolli, hulumtues në KDI thekson se Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë shpejt dhe të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme lidhur me dekretin e presidentes, në mënyrë që të shmanget një krizë edhe më e thellë institucionale.

    Sipas tij, ndonëse sipas parimit të ligjshmërisë dekretet konsiderohen të vlefshme deri sa të vërtetohet e kundërta nga gjykata, paqartësitë kushtetuese në këtë rast kërkojnë reagim të menjëhershëm.

    “Edhe pse sipas parimit të ligjshmërisë dekretet janë të ligjshme derisa të vërtetohet e kundërta në gjykatë, për shkak të paqartësisë kushtetuese që kemi në këtë situatë është tejet e rëndësishme që gjykata ta trajtojë me prioritet lëndën dhe potencialisht të vendosë edhe masë të përkohshme mbi bazë ex officio, nëse një kërkesë e tillë nuk është paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.

    Cakolli paralajmëron se nëse nuk ndërmerren hapa të tillë, vendi mund të përballet me një cikël të kontestuar institucional, duke kujtuar edhe një rast të mëhershëm të vendimmarrjes kushtetuese.

    “Çfarëdo situate ku mund të hyjmë në një cikël të kontestuar do të rrezikonte që vendi të përsërisë skenarin që e kemi pasur me rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve, kur gjykata konstatoi se procedura nuk kishte qenë kushtetuese, por ndërkohë Kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje pas një procedure që në esencë ishte jokushtetuese”, ka theksuar ai.

    Sipas tij, praktika e deritanishme tregon se Gjykata Kushtetuese ka vepruar shpeshherë me prioritet në raste të ndjeshme.

    “Gjykata në të kaluarën ka treguar se ka trajtuar me prioritet raste të tilla dhe ka vendosur edhe masa të përkohshme pa iu kërkuar fare nga palët, prandaj pres që brenda kësaj jave, nëse jo brenda ditëve aktuale, të vendoset për një masë të përkohshme si mënyra e vetme për të parandaluar një shkelje edhe më të rëndë dhe cenimin e interesit publik”, ka shtuar ai.

    Ai gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhjet në këtë moment do të ishin opsioni më i pafavorshëm për vendin.

    “Pas krizave të njëpasnjëshme kushtetuese që kanë derivuar nga situata politike, zgjedhjet janë opsioni më i keq i mundshëm në këtë fazë, sidomos në raport me proceset reformuese dhe funksionin ligjvënës e mbikëqyrës të institucioneve”, ka thënë ai.

    Sipas tij, vendi tashmë po hyn drejt vitit të dytë me institucione jo plotësisht funksionale, gjë që mund të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

    “Një situatë e tillë e minon besimin e publikut në institucione dhe mund të ndikojë edhe në pjesëmarrjen në zgjedhje, për shkak të lodhjes së qytetarëve nga ciklet e shpeshta zgjedhore”, ka deklaruar ai.

    Ai paralajmëron se krizat e vazhdueshme institucionale mund të kenë ndikim edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

    “Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe në proceset e integrimit dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, duke e dëmtuar kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, pasi në sytë e partnerëve ndërkombëtarë mund të paraqitemi si një vend që nuk arrin të tejkalojë as krizat më të zakonshme politike”, ka theksuar ai.

    Sa i përket rolit të presidentes, ai ka thënë se nga aspekti ligjor nuk ka pengesa që ajo ta caktojë datën e zgjedhjeve, por se mund të presë edhe për një kohë të shkurtër.

    “Meqenëse presidentja është njoftuar nga gjykata se rasti është pranuar për shqyrtim, nuk ka ndonjë ndalesë ligjore që ajo ta caktojë datën e zgjedhjeve. Megjithatë, duke marrë parasysh situatën aktuale, ajo mund të presë edhe pak, ndonëse kjo mund ta prekë afatin 45-ditor dhe kohën në dispozicion të KQZ-së”, ka thënë ai.

    Megjithatë, ai shton se nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos shpejt, presidentja do të jetë e obliguar të veprojë.

    “Nëse kjo nuk ndodh brenda ditëve në vijim, atëherë presidentja, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, është e obliguar ta caktojë datën e zgjedhjeve, për të ruajtur sigurinë juridike në vend”, ka përfunduar Cakolli për Ekonomia Online.

  • Keqpërdorimi i ujit të pijes mund të sjellë gjobë dhe ndërprerje furnizimi, paralajmëron KRU Mitrovica

    Keqpërdorimi i ujit të pijes mund të sjellë gjobë dhe ndërprerje furnizimi, paralajmëron KRU Mitrovica

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Mitrovicë ka bërë thirrje ndaj qytetarëve për përdorim të racionuar dhe të dedikuar të ujit të pijes, duke theksuar se shfrytëzimi i tij jashtë qëllimeve bazike familjare konsiderohet keqpërdorim.

    Sipas njoftimit, uji i pijes është i dedikuar ekskluzivisht për: pije dhe përgatitje të ushqimit, higjienë personale dhe familjare, si dhe nevoja themelore shtëpiake. Ndërkohë, përdorimi për ujitjen e kopshteve dhe livadheve, larjen e automjeteve, oborreve dhe trotuareve, mbushjen e pishinave apo për qëllime komerciale dhe ndërtimore pa autorizim, konsiderohet i papranueshëm.

    “Konsumatori që evidentohet duke keqpërdorur ujin e pijes do të përballet me masa ndëshkuese, duke përfshirë gjobë, ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë dhe masa të tjera administrative e ligjore”, thuhet në njoftim.

    KRU Mitrovica apelon që çdo konsumator të respektojë rregulloret dhe të përdorë ujin e pijes në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë që furnizimi i qëndrueshëm dhe i rregullt të sigurohet për të gjithë qytetarët.

    “Apelojmë për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të ujit të pijes, në interes të përgjithshëm dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët”, thekson kompania.

  • Malisheva dhe Prishtina kërkojnë të rikthehen te fitorja, formacionet zyrtare

    Malisheva dhe Prishtina kërkojnë të rikthehen te fitorja, formacionet zyrtare

    Malisheva është nikoqire e Prishtinës në kuadër të xhiros së 23-të në elitën e futbollit kosovar, Albi Mall Superligë.

    Dy skuadrat nuk dinë për fitore në dy sfidat e fundit dhe synojnë të rikthehen te suksesi.

    Si Malisheva ashtu edhe Prishtina kanë marrë vetëm nga një pikë, derisa kërkojnë fitore në këtë përballje.

    Aktualisht Malisheva është e katërta në tabelë me 34 pikë, tre më pak se Prishtina që është e treta.

    Formacionet zyrtare:

    Malisheva: Avdyli, Pira, Xhaka, Opeh, Zogaj, Veliu, Ndjigi II, Brruti, Xhylani, Diatta, Zeka.

    Prishtina: Gjokaj, Bytyqi, Mokono, Vitija, Limani, Karic, Bllaca, Krasniqi, Muja, Ilievski, Veliu.

  • Delegacioni i SPAK-ut vizitë në Kosovë, riafirmohet angazhimi i përbashkët institucional

    Delegacioni i SPAK-ut vizitë në Kosovë, riafirmohet angazhimi i përbashkët institucional

    Një delegacion nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nga Shqipëria po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Delegacioni shqiptar i kryesuar nga drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho u prit sot në takim nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

    Sipas një komunikate për media, Qalaj njoftoi delegacionin nga Tirana për funksionimin e sistemit prokurorial, e në veçanti për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, për strukturën organizative, për kompetencat e prokurorive, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit për sundim të ligjit.

    Në njoftimin zyrtar theksohet se gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet.

    “Palët u dakorduan se forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

  • QKMK: Është bllokuar qarkullimi i automjeteve në dalje të pikëkalimit kufitar me Serbinë në Jarinjë

    QKMK: Është bllokuar qarkullimi i automjeteve në dalje të pikëkalimit kufitar me Serbinë në Jarinjë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës njoftoi se është bllokuar qarkullimi i automjeteve në dalje të pikëkalimit kufitar me Serbinë në Jarinjë.

    Sipas njoftimit, kjo po ndodh për shkak të pastrimit të rrugës “në anën e Serbisë”.

    “Më datë, 09.03.2026, prej orës 10:10, është bllokuar qarkullimi i automjeteve ne dalje të PKK Jarinje, për shkak se në anën e Serbisë, janë duke e pastruar rrugën me bager dhe kamionë, kështu që asnjë automjet nuk mund të levizë”, thuhet në njoftim.

    “Për çdo informatë shtesë kontaktoni QKMK në numrat 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”.

  • Kurti s’dëshiron të deklarohet për fjalët e Rashiqit: Ka folur zëdhënësi, e ka sqaruar edhe ministri

    Kurti s’dëshiron të deklarohet për fjalët e Rashiqit: Ka folur zëdhënësi, e ka sqaruar edhe ministri

    Kryeministri i vendit refuzoi të ndalet për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me një deklaratë të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se për shkak të tij, Albin Kurti kishte vendosur t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

    Kurti nuk deshi të sqaronte më shumë, duke përmendur reagimin e zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhukës dhe vetë ministrit.

    “Ka folur tashmë zëdhënësi ynë, Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe ministri”, tha ai.

    Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.

    “Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq në një intervistë të fundit për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevci.

    Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.

  • Deputeti i LDK-së fton Prokurorinë dhe AKI-në të merren me deklaratat e Rashiqit

    Deputeti i LDK-së fton Prokurorinë dhe AKI-në të merren me deklaratat e Rashiqit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku i ka bërë thirrje prokurorisë dhe AKI-së të merren me deklaratat e Rashiqit.

    Teksa ka thënë se Kosova nuk ka tokë për të falur, Sadiku shpreson që deklarata e Rashiqit të mos jetë e vërtetë.

    “Prokuroria dhe AKI duhet të merren seriozisht me deklaratat e Rashiqit. Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë dhe që ai ta ketë thënë vetëm për të fituar popullaritet tek votuesit serbë.Megjithatë, gjithmonë kam pasur dyshime për burimin e kësaj marrëdhënieje kaq të mirë mes Rashiqit dhe Kurtit. Kosova nuk ka tokë për të falur”, ka shkruar Sadiku.

    Deputeti serb, Nenad Rashiq në një media serbe deklaroi se “Kurti ia fali tokën e Manastirit të Deçanit serbëve për hatër timin”. Për të njëjtën ai i tha sot Insajderit se e ka ngatërruar me diçka krejt tjetër.

  • Parashikimi i Nostradamusit për 2026: Lufta SHBA-Iran ndez frikën

    Parashikimi i Nostradamusit për 2026: Lufta SHBA-Iran ndez frikën

    Parashikimet shekullore të Nostradamusit po rikthehen në vëmendje ndërsa ndjekësit e astrologut misterioz thonë se disa nga profecitë e tij po duket se po realizohen në vitin 2026.

    I lindur Michel de Nostredame, astrologu i shekullit të 16-të besohet nga disa se ka parashikuar ngjarje të mëdha botërore, përfshirë sulmet e 11 shtatorit dhe vdekjen e Princeshës Diana, në librin e tij të vitit 1555 “Les Propheties”.

    Shkrimet nuk japin data të sakta, por besimtarët thonë se disa prej pasazheve të tij enigmatike mund të lidhen me ngjarje që po ndodhin këtë vit, nga konfliktet globale në përshkallëzim te trazirat politike.

    Një pasazh, i etiketuari Quatrain I:26, thotë: “Mbretëria e madhe e bletëve do të ngrihet… natën pritë…”, që disa e kanë interpretuar si përdorimin e dronëve luftarakë nga SHBA dhe Irani.

    Një parashikim tjetër paralajmëron për një konflikt të gjatë: “Shtatë muaj luftë e madhe, njerëz të vdekur nga e keqja / Rouen, Evreux, Mbreti nuk do të dështon.” Besimtarët e lidhin këtë me një paralajmërim për kohëzgjatjen e mundshme të konflikteve në Lindjen e Mesme.

    Një parashikim tjetër thotë: “Kur Marsi sundon rrugën e tij mes yjeve, gjaku i njerëzve do të spërkasë shenjtëroren. Tre zjarre ngrihen nga lindja, ndërsa Perëndimi humb dritën në heshtje.”

    Duke qenë se Marsi ishte perëndia romake e luftës, disa interpretime e lidhin këtë pasazh me mundësinë e një viti të shënuar nga konflikte globale të dhunshme. Ndërsa studiuesit shpesh argumentojnë se pasazhi i referohet luftërave mesjetare ose figurave simbolike, interpretime moderne e lidhin atë me rojën e dronëve dhe sulmet e koordinuara të tyre gjatë natës.

    Lufta me dronë është bërë një nga tiparet kryesore të konflikteve moderne, sidomos në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Si Irani ashtu edhe SHBA-ja kanë investuar shumë në teknologjinë e dronëve, të cilët sot mund të kryejnë mbikëqyrje, sulme të synuara dhe sulme të koordinuara masive.

    Disa ndjekës të Nostradamusit thonë se imazhi i “bletëve” që dalin natën mund të përshkruajë metaforikisht zërin dhe pamjen e dronëve që lëvizin drejt objektivave. Të tjerë fokusohen tek paralajmërimi i “luftës së madhe shtatë-mujore”, që mund të tregojë për një konflikt rajonal të zgjatur, jo një fushatë të shkurtër ushtarake.

    Edhe pse historianët paralajmërojnë se kuatratët e Nostradamusit janë të qëllimisht të pasakta dhe të hapura për interpretim, shkrimet e tij rikthehen shpesh në kohë krize globale.

    Astrologu, i cili vdiq në 1566, shkroi gati 1,000 poezi profetike në “Les Propheties”, shumica e të cilave përshkruajnë katastrofa, luftëra dhe trazira politike. Për shkak se vargjet janë enigmatike, duke përzier frëngjisht, latinisht dhe gjuhë simbolike, ato mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.

    Si rezultat, ngjarjet e mëdha botërore shpesh nxisin interes të ri për shkrimet e tij. Nga luftërat dhe krizët ekonomike te pandemitë dhe trazirat politike, besimtarët vazhdimisht kërkojnë mesazhe në vargjet shekullore të Nostradamusit për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë më pas.

    Dhe ndërsa tensionet midis SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen, disa entuziastë të profecive besojnë se paralajmërimet e errëta të astrologut të shekullit të 16-të po realizohen përsëri në kohë reale.

  • Rritet siguria e profilit në eKosova

    Rritet siguria e profilit në eKosova

    Platforma eKosova përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është rritur siguria e profilit të qytetarëve në pamundësi të thyerjes së saj nga persona të tjerë.

    Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në kuadër të avancimit dhe rritjes së sigurisë në Platformën eKosova, ju rekomandojnë aktivizimin e Autentifikimit me Dy Faktorë (2FA) gjatë dy javëve të ardhshme.

    Sipas njoftimit thuhet se ky mekanizëm ofron një nivel shtesë mbrojtjeje për profilin tuaj, duke bërë të mundur që, përveç fjalëkalimit, gjatë hyrjes në llogari të kërkohet edhe një kod unik verifikimi që dërgohet në numrin e telefonit apo email adresën tuaj.

    “ Në këtë mënyrë, edhe në rast se fjalëkalimi juaj mund të merret apo të zbulohet nga persona të paautorizuar, qasja në llogarinë tuaj mbetet e mbrojtur përmes hapit të dytë të verifikimit. 2FA konsiderohet sot si një nga standardet më të sigurta për mbrojtjen e identitetit digjital dhe të të dhënave personale, veçanërisht në platformat që ofrojnë shërbime publike”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim duke pasur parasysh rëndësinë e të dhënave që administrohen përmes profilit tuaj në eKosova, aktivizimi i këtij funksionaliteti paraqet një masë parandaluese efektive për rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë gjatë përdorimit të shërbimeve elektronike.

  • Apeli i Posaçëm lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut

    Apeli i Posaçëm lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut

    Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

    Avokati i Ballukut ka kërkuar pushim të çështjes, me pretendimin se objekti ka rënë.

    Përfaqësuesit e SPAK-ut kanë pranuar faktin se Balluku nuk është më në detyrë, por kanë kërkuar formalisht lënin në fuqi të masës “detyrim për paraqitje”.