ATV

Author: G.O.

  • Mësuesit në Bullgari thonë se po kërcënohen pasi kundërshtuan ligjin kundër “propagandës LGBT” në shkolla

    Mësuesit në Bullgari thonë se po kërcënohen pasi kundërshtuan ligjin kundër “propagandës LGBT” në shkolla

    Mësimdhënësit në Bullgari thonë se po përballen me kërcënime, pasi e nënshkruan një peticion kundër një ligji të miratuar së voni, i cili e ndalon “propagandën LGBT” në shkolla.

    Ata e fajësojnë partinë e ekstremit të djathtë, Ringjallja, e cila ishte iniciatore e ligjit kontrovers që është kritikuar shumë.

    Lideri i Partisë Ringjallja, Kostadin Kostadinov, tha më 22 gusht se do dorëzojë një raport në zyrën e prokurorit për mësimdhënësit që e kanë kundërshtuar ligjin.

    Ligji, i miratuar më 7 gusht në Parlament me mbështetjen edhe të partive proevropiane, nxiti protesta në Sofje dhe në pjesët e tjera të Bullgarisë.

    Amendamenti në ligjin për kodin e arsimit në Bullgari e ndalon “propagandimin, promovimin apo nxitjen e ideve dhe qëndrimeve” të LGBT-së në shkolla. Ai nuk jep shpjegime të tjerë.

    Koalicioni properëndimor reformist Ne e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike (PP-DB) ende shpreson se do të sigurojë mbështetje në Asamblenë Kombëtare për ta shfuqizuar këtë ligj.

    Kritikët thonë se ky ligj është pothuajse identik me ligjin rus kundër LGBT-së, i cili u miratua më 2012 dhe me ligjin hungarez kundër LGBT-së, i miratuar më 2021. Këto ligje në Rusi dhe Hungari janë cilësuar si në kundërshtim me standardet botërore dhe evropiane nga organizata dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare.

    Bullgaria është njëri prej vendeve të pakta të Bashkimit Evropian që nuk u jep të drejta të barabarta shoqërore njerëzve homoseksualë dhe heteroseksualë. Vitin e kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e detyroi Bullgarinë ta krijojë një kornizë ligjore për njohjen e marrëdhënieve të gjinisë së njëjtë. Sofja ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim.

    Komuniteti LGBT dhe mbështetësit e tyre në Bullgari shpesh përballen me kërcënime dhe sulme verbale dhe fizike.

    Rreth 460 mësimdhënës dhe specialistë të tjerë të fushës së arsimit nënshkruan një peticion për të kërkuar shfuqizimin e ligjit të ndryshuar. Rreth 20 mësimdhënës nga resorti Varna në Detin e Zi thanë se ishin shënjestruar nga dega lokale e partisë Rilindja, përfshirë edhe në Facebook.

    Martin Stoyanov, një psikolog shkolle në Varna, tha se një mësues në qytetin e Detit të Zi e kishte kontaktuar në Viber një natë së voni, duke shprehur frikën për kërcënimet e fundit.

    “Ne po bëhemi një vend ku është e rrezikshme të shprehësh mendimin tënd,” i tha Stojanov Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë.

    Postimi në Facebook më 21 gusht në llogarinë e lidhur me degën e partisë Rilindja në Varnë, përfshinte një “listë të zezë” të arsimtarëve vendës që kishin nënshkruar peticionin – duke përfshirë Stojanovin – kundër ligjit të sapondryshuar, duke iu referuar atyre si “parazitë”.

    Një ditë më vonë, Kostadinov, një figurë e kamotshme kontroverse dhe përhapës i dezinformatave pro Kremlinit, tha se do t’ia dorëzojë prokurorisë emrat e rreth 800 mësimdhënësve që ai pretendonte se ishin “kriminelë” që “duan të shtyjnë përpara propagandën homoseksuale”.

    Mësimdhënësit e kërcënuar në Varnë kanë marrë shumë mbështetje.

    Kryetari i komunës së Varnës, Blagomir Kotsev, ka shprehur mbështetjen e tij në një postim në Facebook më 22 gusht, duke u kërkuar atyre që të jenë të guximshëm dhe ta kontaktojnë personalisht nëse kërcënohen.

    Pavel Popov, nënkryetari i komunës së Varnës, i cili është gjithashtu përgjegjës për çështjet arsimore, i tha Radios Evropa e Lirë se Partia Ringjallja po bën thirrje për “veprime shtypëse kundër mësimdhënësve bullgarë”./REL/

  • Shpërndau faturat pa i futur në zarfe, AIP gjobit Ujësjellësin “Prishtina”

    Shpërndau faturat pa i futur në zarfe, AIP gjobit Ujësjellësin “Prishtina”

    Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjobitur Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pas ankesave të qytetarëve se ka bërë shpërndarjen e faturave mujore për shpenzimin e ujit duke i ekspozuar të dhënat personale të konsumatorëve.

    Në njoftimin e AIP nuk tregohet vlera e gjobës së shqiptuar.

    “Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bën thirrje të gjithë kontrolluesve (publik dhe privat), që përpunimin e të dhënave personale të bëjnë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura për mos-respektim të dispozitave të parapara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftim.

    AIP para disa muajsh i kishte obliguar ndërmarrjet publike që faturat t’i shpërndajnë nëpër zarfe, për të mbrojtur të dhënat personale të konusmatorëve.

  • Kurti mirëpret qytetarët ukrainas në Qeveri me rastin e Pavarësisë së Ukrainës: Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta

    Kurti mirëpret qytetarët ukrainas në Qeveri me rastin e Pavarësisë së Ukrainës: Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në “Ballkonin e Hapur”, ka pritur sot mysafirë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë, për nder të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

    Kurti tha se shprehu vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese, pasi sipas tij sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike.

    Tutje, Kurti tha se Kosova do të vijojë të jetë “mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas”.

    Njoftimi i plotë:

    Në Ballkonin e Hapur, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, mysafirë patëm qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.

    Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane.

    Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre.

    Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj!

  • Premiera botërore e filmit ‘Lejlek’ nga Isa Qosja hap edicionin e 16-të të PriFest

    Premiera botërore e filmit ‘Lejlek’ nga Isa Qosja hap edicionin e 16-të të PriFest

    Kanë mbetur shumë pak ditë deri në fillimin e edicionit të 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit – PriFest, një edicion i jashtëzakonshëm që premton shumë.

    Kinemaja regjionale dhe njëkohësisht gara kryesore e PriFest, filmat e metrazhit të gjatë Ballkanik, premton një program shumë tërheqës dhe atraktiv.

    Filmi i parë i kësaj kategorie dhe njëherësh edhe filmi i cili do të hap këtë edicion është filmi LEJLEK (STORK) nga regjisori i mirënjohur Isa Qosja, film i cili vjen si premierë botërore në PriFest. Ky film është bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën.

    Filmi ‘Lejlek’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

    Filmi flet për një fshat të përgjumur në Malin e Zi, ku shumica e vendasve kanë emigruar në SHBA. Ky fshat është mjedisi i një historie të hidhur të tre grave. Suta i reziston presionit për t’u martuar me binjakun autik të burrit të saj të ndjerë, Vezirja dhe Dranja duhet të mësojnë të bashkëjetojnë pasi burri i tyre i përbashkët planifikon të largohet, Fizja përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Por, me ardhjen e një lejleku shqetësohen të gjithë fshatarët supersticioz.

    Për 97 minuta, publiku do shikojë performancën e mrekullueshme të aktorëve: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi, Besa Tusha.

    Producentë janë Ivan Gjuroviq, Bajrush Kajtazi dhe Snezhana Nikçeviq. Xhirues është Gokhan Tiryaki ndërsa montazher Vanço Mirakovski.

    Drejtori i PriFest-it, Fatos Berisha me këtë rast tha: “Jemi shumë të lumtur që po e hapim edicionin e 16-të me premierë boterore, për me shumë me një film bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën. Filmi i regjisorit të mirënjohur Isa Qosja me një kast të mrekullueshëm të aktorëve nga Kosova e Shqipëria do të hap festën e filmit dhe do të jetë në konkurencën zyrtare të kategorisë kryesore të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik.”

    PriFest zgjat nga 10-15 shtator 2024 në Kino Armata në Prishtinë.

  • Scholz për sulmin me thikë: Autori të kapet sa më shpejt dhe të ndëshkohet në masën më të plotë të ligjit

    Scholz për sulmin me thikë: Autori të kapet sa më shpejt dhe të ndëshkohet në masën më të plotë të ligjit

    Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të shtunën se autori i sulmit duhet të kapet shpejt dhe të ndëshkohet në masën më të plotë të ligjit.

    “Sulmi në Solingen është një ngjarje e tmerrshme që më ka tronditur shumë. Një sulmues ka vrarë brutalisht disa persona. Sapo fola me kryetarin e bashkisë së Solingenit, Tim Kurzbach. Ne vajtojmë viktimat dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre”, thuhet në deklaratën e tij në X.

    “Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Autori duhet të kapet shpejt dhe të ndëshkohet në masën e plotë të ligjit”, shkroi ai.

  • Mbi 2 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 2 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Dy mijë e 575 gjoba trafiku janë shqiptuar më 24 orët e fundit në Kosovë.

    Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 25 aksidente me të lënduar dhe 47 me dëme materiale.

    Në 24 orëshin e fundit, janë arrestuar 22 persona dhe 12 janë dërguar në mbajtje.

  • Aksident mes veturës dhe kamionit në Komoran, humb jetën një person

    Aksident mes veturës dhe kamionit në Komoran, humb jetën një person

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën nacionale Pejë – Prishtinë.

    Policia ka bërë të ditur se si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën.

    “Rreth orës 00:30, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë (fshati Komoran). Në aksident janë përfshirë dy automjete (një veturë dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thekson policia.

    Njësitet relevante policore janë marrë me aksidentin.

  • ASK: Dy mijë qytetarë rrezikojnë të gjobiten se refuzuan regjistrimin, po vazhdon procesi për diasporën

    ASK: Dy mijë qytetarë rrezikojnë të gjobiten se refuzuan regjistrimin, po vazhdon procesi për diasporën

    Ylli Shala, menaxher i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë për Ekonomia Online se rreth dy mijë qytetarë mund të gjobiten si shkak i refuzimit për t’u regjistruar.

    Ai ka bërë të ditur se gjobat, sipas ligjit, varijojnë nga 50 deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte ato shkojnë deri në 20 mijë euro.

    Shala ka thënë se ASK-ja është në procesin e verifikimit – personat jashtë vendit për arsye shëndetësore apo studimore nuk do të gjobiten.

    Tutje, ai ka theksuar se procesin e regjistrimit, mbulueshmëria ka qenë deri në 98-99 për qind. Më sfidues e ka cilësuar veriun e vendit, ndërsa, për regjistrimin e diasporës, ai ka thënë se do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.

    “Regjistrimi për diasporën është duke vazhduar. Afati i fundit është 31 gusht i këtij viti, për momentin e kemi shtyrë deri në këtë kohë sepse e kemi planifikuar që dikush nga mërgimtarët që nuk ka mundur të regjistrohet sa ka qenë atje, ta shfrytëzojë mundësinë dhe të regjistrohet këtu. Në disa prej qyteteve më të mëdha, apo në shtatë qendrat e Kosovës, kemi dërguar nga një person nëpër komuna, ku në momentin që ka shkuar dikush në komunë e ka parë edhe zyrtarin tonë edhe është regjistruar. Nuk është shumë numri i madh që janë paraqitur për t’u regjistruar tash sepse shumica këtë proces e kanë kryer në formatin online që ka qenë jashtëzakonisht i lehtë edhe për 5 minuta deri 10 e ka kryer një ekonomi familjare pa kurrfarë problemi. Për momentin numri i të regjistruarve është mbi 500 mijë. Si statistikë pasi që të përfundojë ky proces, do t’i marrim të dhënat dhe do t’i shikojmë”, ka thënë ai.

    Shala ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht procesit të regjistrimit dhe se konsiderojnë se mbulueshmëria ka qenë sipas rekomandimeve ndërkombëtare.

    “Popullsia gjatë këtij procesi të regjistrimit ju ka përgjigjur pozitivisht, ne e konsiderojmë se mbulueshmërinë e kemi sipas rekomandimeve ndërkombëtare, ku në bazë të rekomandimeve është se nëse mbulueshmëria është mbi 95 për qind atëherë konsiderohet regjistrimi i suksesshëm. Ne e mendojmë se jemi diku rreth 98-99 për qind mbëlueshmëri të regjistrimit, që e konsiderojmë regjistrim mjaftë të suksesshëm edhe në kohë”, ka thënë ai.

    Menaxheri i regjistrimit të popullsisë ka thënë se gjatë këtij procesi ka pasur rreth dy mijë qytetarë që kanë refuzuar regjistrimin dhe se ASK është në proces të verifikimit për arsyet e refuzimit nga ta dhe pas këtij procesi do të filloj faza e gjobitjes.

    “Gjatë këtij procesi kemi pasur edhe persona të cilët kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre ne regjistrim, e cila me ligj ka qenë e ndaluar, por sigurisht që ASK-ja do të ndërmarrë masa ndaj atyre personave. Janë diku rreth 2 mijë persona, por ne duhet ta shqyrtojmë arsyen pse nuk është regjistruar, në rastet kur një person e ka vizituar regjistruesin tri herë që e ka pasur obligim me shku tri herë dhe prapë e ka refuzuar edhe në të tretën herë, nuk është regjistruar dhe sigurisht që ai person edhe e meriton të gjobitet. Në rastet e tjera, ku te një person ka shkuar regjistruesi tri herë edhe nuk ka mundur ta regjistrojë atë person, ka qenë jashtë për çështje shëndetësore ose për çështje studentore jashtë vendit, apo diçka tjetër, atëherë ai është rast tjetër që nuk trajtohet si rast për gjobitje. Shifrat janë të parapara edhe me ligj, fillon prej 50 euro deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte është deri në 20 mijë euro”, ka thënë ai.

    Shala ka thënë se pjesëmarrja e komuniteteve ne pjesën jugore të Kosovës në këtë proces ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por që janë sfiduar në komunat veriore pasi një numër i qytetarëve në atë pjesë nuk është regjistruar.

    Ai ka thënë se të dhënat finale në të cilat janë duke punuar pritet që të bëhen publike nga mesi i dhjetorit të këtij viti me një raport me mbi 100 faqe.

    “Ne si statistikë, ju kemi kushtuar kujdes shumë të veçantë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e mirë, sidomos në pjesën jugore të Kosovës, të gjitha komunitetet që jetojnë ju kanë përgjigjur pozitivisht thirrjes për regjistrimin e popullsisë. Kemi pasur disa sfida, probleme të vogla në komunat e veriut, për të cilat fillimisht kanë qenë problem regjistruesit deri sa i kemi siguruar disa herë regjistruesit. Por, edhe atje e kemi regjistruar një numër të mjaftueshëm të komuniteteve. Zakonisht të gjitha komunitet e tjera janë regjistruar përpos komunitetit serb që ka hezituar.  Por, atje mund të them që ai është më shumë problem politik edhe ka qenë një frikë te qytetarët që mos t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit. Edhe pse disa prej tyre e kanë bërë dhe ne si staistikë do t’i bëjmë vlerësimet që janë me rekomandime ndërkombëtare. lejohet që të bëhet për një pjesë vlerësimi. Përafërsisht, numrin e popullsisë që jetojnë në atë pjesë ne veç e dimë në bazë të azhurnimeve që i bëjmë të rregullta, të zonave regjistruese. Në publikimin e të dhënave finale sigurisht se do të përfshihet edhe numri i asaj pjese”, ka thënë ai për EO.

  • Osmani uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: Kosova ka qëndruar pranë jush dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë

    Osmani uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: Kosova ka qëndruar pranë jush dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë

    Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar sot qytetarët dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

    Ajo theksoi se ukrainasit, në luftën me Rusinë, i treguan botës forcë të jashtëzakonshme dhe vendosmëri të palëkundur.

    Osmani tha se Kosova ka qëndruar pranë Ukrainës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë duke e mbrojtur kombin e saj dhe duke u përpjekur për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

    “Urimet tona më të ngrohta për Presidentin Zelenskiy dhe popullin e Ukrainës në Ditën e Pavarësisë. Përballë luftës së paprovokuar, ukrainasit i kanë treguar botës një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, forcë dhe vendosmëri të palëkundur. Kosova ka qëndruar pranë jush dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë ndërsa mbroni kombi juaj dhe përpiquni për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme “Lavdi Ukrainës” ka shkruar ajo në rrjetin social “X”.

  • Gjuajti me armë në një aheng familjar, Policia arreston një burrë në Mitrovicë

    Gjuajti me armë në një aheng familjar, Policia arreston një burrë në Mitrovicë

    Policia e ka arrestuar një burrë në Mitrovicë, meqë i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng familjar.

    Tutje, Policia njoftoi se nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë dhe 2 fishekë.

    “PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM – Rr. Vëllezërit Dragaj, Mitrovicë 23.08.2024 – 05:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë dhe 2 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.