ATV

Author: G.O.

  • ​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

    ​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

    Në muajt e fundit ka filluar të zbritet çmimi i derivateve në Kosovë, mirëpo çmimi i biletave të transportit publik në vend nuk është ulur, por ka mbetur i njëjtë. Biletat e udhëtimit në tërë vendin një vit më parë kishin shënuar ngritje, në kohën kur ishte shtrenjtuar nafta deri 1.90 euro, si rrjedhojë e invazionit rus në Ukrainë.

    Udhëtarët nga rajone të ndryshme në Kosovë, thonë se pas uljes së çmimit të naftës duhet të ulet edhe çmimi i biletave, gjersa shtojnë se për udhëtarët studentë, është i papërballueshëm.

    Edhe drejtues të shoqatës së naftëtarëve kanë konfirmuar rënie të çmimit të derivateve, dhe kanë kërkuar nga të gjitha bizneset dhe operatorët ekonomik që të reflektojnë në uljen e çmimeve.

    Udhëtari nga Juniku, Florent Kuqi, thotë se çmimi i biletës së autobusit nga Juniku në Prishtinë është 5 euro, gjersa thekson se ky çmim është i papërballueshëm për studentët.

    “Biletat duhet të ulen, pasi që është ulur edhe çmimi i naftës, për arsye që Kosova është pak vend i vogël dhe ka shumë pak të punësuar… Nga Juniku deri në Prishtinë, bileta është 5 euro. Për disa qytetarë është e papërballueshme, sepse ka shumë studentë që shkojnë nga Juniku në Prishtinë, Pejë dhe varët nga relacioni që është”, u shpreh ai.

    Xhevdet Spahia, thotë se biletat më shumë nga 5 euro, janë të papërballueshme për prindërit që i financojnë fëmijët gjatë studimeve të tyre në vende me distancë të largët.

    “Çmimet e biletave, të autobusëve është dashur të lirohen, për arsye se nafta është liruar, benzina është liruar dhe meqenëse është shtrenjtuar atëherë kur është shtrenjtuar dhe nafta, tash le t’i lirojnë dhe këto… Për studentë, 5 euro bileta, nga Peja, Gjakova, të vijnë deri në Prishtinë është shtrenjtë dhe prindi që duhet ta financojë atë fëmijë e ka problem. Ndoshta i ka dy tre fëmijë, në të njëjtën kohë në studime, është e papërballueshme”, theksoi ai.

    Sheref Tepeku, gjersa ankohet për çmimin e lartë të biletave, konsideron se puna e çmimeve nga linjat e autobusëve ngjason me biznes.

    “Kanë thënë që pasi është ngritur çmimi i naftës, janë ngritur dhe biletat dhe tashmë meqë është zvogëluar çmimi i naftës duhet të zvogëlohet edhe çmimi i biletave”, tha ai.

    Mendim të njëjtë nuk ka edhe Bajram Seferi, nga linja e autobusëve Pejë-Prishtinë. Ai thotë se ulja e çmimit të biletave për udhëtarë, nuk është në favorin e tyre, gjersa shton se përveç naftës ata detyrohen të paguajnë edhe shpenzimet e tjera që i posedon autobusi.

    “Jo assesi. Më së paku na konvenon neve si transportues t’i ulim çmimet e biletave, në përjashtim edhe kur ngritën çmimet e derivateve, neve transportuesit e linjave Pejë-Prishtinë, nuk është në pyetje vetëm çmimi i biletave. Ne edhe para shtrenjtimit të naftës e kemi pasur çmimin prej 4 euro për studentë dhe 5 euro për udhëtarë, andaj edhe sot janë çmimet e njëjta. Edhe pse çmimi i derivateve ka pak zbritje, çmimet e tjera janë zakonisht të larta, si p.sh çmimi për mëditjen e shoferit, mëditjen e kondukterit, çmimi për pjesët amortizuese të autobusit në fjalë, atëherë tek ne më së paku ka llogari për ta ulur çmimin e biletave… Sipas nesh çmimi nuk është i papërballueshëm. Ne i bëjmë 100 kilometra në një drejtim, dhe 100 kilometra 4 euro, nuk është një çmim aq i madh sa të mos munden ta përballojnë”, potencoi ai.

    I të njëjti mendim ishte edhe Qerim Xhaferi, nga linja e autobusëve Ferizaj-Prishtinë. Meqenëse bileta e kësaj linje është 1 euro, sipas tij nuk është e nevojshme të ulet çmimi.

    “Çmimi i biletave nuk na konvenon të ulet sepse uljen e kemi mjaftueshëm, çmimi i biletës është një euro, nuk ka çfarë të zbritet më shumë. Ne e kemi biletën më të lirë, Ferizaj-Prishtinë”, u shpreh ai.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Naftarëve Fadil Berjani, thotë se brenda afatit kohorë ka rënie të derivateve për 0,65 centë dhe thekson se pas uljes së çmimit të derivateve duhet të ulet edhe çmimi i biletave të autobusëve.

    “Aktualisht çmimi i naftës është 1.29, ndërsa i benzinës, 1.30. Brenda afatit kohor kemi rënie të derivateve në Kosovë për 0,65 cent…Çmimet e derivateve për qytetarët tanë, janë të larta në krahasim me çfarë standardi kanë. Të gjithë duhet të reflektojnë në uljen e çmimeve, ngase të gjitha produktet dhe biletat janë rritur si pasojë e rritjes së derivateve. Tashmë çmimi i derivateve ka rënë, janë ulur çmimet, andaj biletat dhe të gjitha produktet ushqimore duhet të ulën, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë më të mirë dhe më të lirë”, theksoi ai.

    Kujtojmë se para 6 muajsh, një litër naftë shkonte rreth 1.90 euro-cent. Ndërkaq, çmimet e derivateve janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

  • Bie ashensori në një ndërtesë në lagjen “Emshir”, lëndohen tre persona

    Bie ashensori në një ndërtesë në lagjen “Emshir”, lëndohen tre persona

    Tre persona janë lënduar nga rënia e ashensorit në një ndërtesë në rrugën “Hysni Gashi” në lagjen “Emshir” të Prishtinës, gjatë ditës së djeshme.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

    Ajo tha se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:00, dhe se në ashensor ishin nëntë persona.

    “Dje rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën për një incident (rënie e ashensorit) në lagjen “Emshir” në Prishtinë, saktësisht në një ndërtesë në rrugën “Hysni Gashi” ku janë lënduar 3 nga 9-të personat të cilët ishin në një ashensor”, ka bërë të ditur Ahmeti./BetimipërDrejtësi

  • Kjo është komuna më e varfër në Kosovë

    Kjo është komuna më e varfër në Kosovë

    Numri i përgjithshëm familjeve nën asistencë sociale në vend është 22 mijë e 376, kurse numri i përgjithshëm i anëtarëve të këtyre familjeve është 88 mijë e 453.

    Komuna e Mitrovicës ka më së shumti familje me asistencë sociale. Kjo komunë ka 2 mijë e 131 familje përfituese nga skema sociale apo 8 mijë e 672 qytetarë.

    Komuna e dytë me më së shumti familje nën asistencë sociale radhitet ajo e Vushtrrisë me 1 mijë e 291 familje ose 5 mijë e 609 qytetarë.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Lipjani është Komuna e tretë me numër më të madh të familjeve nën asistencë sociale, me 1 mijë e 163 familje apo 4 mijë e 979 qytetarë.

    Pas kësaj komune radhitet Prishtina me 1 mijë e 152 familje ose 4 mijë e 370 qytetarë.

    Gjakova ka nën asistencë sociale 1 mijë e 94 familje apo 4 mijë e 392 qytetarë.

    “Numri i përgjithshëm i familjeve nën asistencë sociale është 22 mijë e 376, kurse numri i përgjithshëm I qytetarëve 88 mijë e 453”, thuhet në raportin e ASK-së për muajin shkurt të këtij viti.

  • Orteku në Alpet Franceze lë të vdekur gjashtë persona

    Orteku në Alpet Franceze lë të vdekur gjashtë persona

    Numri i të vdekurve nga orteku i së dielës në Alpet Franceze u rrit në gjashtë, përfshirë dy udhërrëfyes malorë, thanë autoritetet lokale të hënën.

    Zyra e prokurorit në Bonneville, në rajonin Haute-Savoie, tha se trupi i një personi të gjashtë është gjetur pasi kërkimet rifilluan të hënën në mëngjes.

    Prefektura e Haute-Savoie tha se një person u dërgua në spital me lëndime të lehta.

    Tetë persona të tjerë u gjetën të padëmtuar.

    Nuk janë dhënë detaje për identitetin e viktimave.

    Orteku të dielën u rrëzua nga akullnaja Armancette në Contamines-Montjoie, në rajonin Haute-Savoie, rreth 30 kilometra në jugperëndim të Chamonix.

    Alpet janë një vend kryesor pushimesh gjatë fundjavës së gjatë të Pashkëve të Francës.

    Stacioni lokal i radios France-Bleu e vuri në dukje madhësinë e ortekut në 1000 metra të gjatë dhe 100 metra të gjerë.

    Agjencia kombëtare e motit Meteo France nuk kishte lëshuar një paralajmërim specifik për ortekët për të dielën, duke e vlerësuar rrezikun si “të kufizuar”./REL/

  • Haradinaj bën homazhe në Bllacë: Eksodi i 1999-ës do të mbahet mend gjatë

    Haradinaj bën homazhe në Bllacë: Eksodi i 1999-ës do të mbahet mend gjatë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99” me rastin e 24-vjetorit të eksodit masiv të popullatës shqiptare.

    Nga aty, Haradinaj tha se eksodi i vitit 1999, do të mbahet mend gjatë në memorien e tyre.

    “Jemi këtu për t’i përkujtuar shqiptarët e Kosovës, të civilëve të zhvendosur me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe pa pas mundësi me marrë asgjë me vete por vetëm me shpëtua jetën. Kjo zhvendosje nuk ka qenë aq e thjeshtë, këtu janë mbajtë me javë të tëra pra burra, gra e fëmijë e pleqtë dhe siç e dimë numri i tyre është mbi një milion e gjysmë”, deklaroi Haradinaj.

    Llogaritet se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës, raporton Ekonomia Online.

    “Liria e Kosovës ka në themelet e veta edhe ata që dhunshëm u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Ata u bënë imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet”.

    “Falënderim përjetë për gjithë shqiptarët që hapen dyert për motrat dhe vëllezërit e tyre, që ofruan bukën, strehën por edhe shpresën!”.

    “Falënderues përjetë botës së qytetëruar, udhëheqësve të asaj kohe; Bill Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair!”, shkroi në Facebook Haradinaj.

     

  • “The Guardian”: Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do ta rishkruajë historinë

    “The Guardian”: Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do ta rishkruajë historinë

    Mediumi prestigjioz britanik “The Guardian”, ka publikuar sot një artikull për gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

    Në këtë artikull është thënë se gjyqi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve do ta rishkruajë historinë e luftës.

    Ndër të tjera, Thaçi është vlerësuar si politikani më i shquar i Kosovës.

    Në artikull është treguar kronologjia e gjykimit të katërshes që nga arrestimi i tyre para më shumë se dy vjetëve, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte.

    Më tej është thënë se ky gjyq pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet.

    “Gjyqi, i cili u hap dy vjet pasi burrat u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do ta rishkruajë historinë e konfliktit”, thuhet në artikull.

     

  • Prizren: Ushtroi dhunë në vazhdimësi ndaj babit të tij, arrestohet i dyshuari

    Prizren: Ushtroi dhunë në vazhdimësi ndaj babit të tij, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar dje në Prizren pasi dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj babait të tij.

    Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar 0.9 gramë marihuanë.

    “Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij i dyshuari mashkull kosovar, në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë ndaj tij. Gjatë kontrollit në trup të dyshuarit i është gjetur dhe konfiskuar 0.9 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.”, ka informuar Policia.

  • Gjenden dy trupa pas shembjes së ndërtesës nga shpërthimi në Francë

    Gjenden dy trupa pas shembjes së ndërtesës nga shpërthimi në Francë

    Dy trupa u gjetën pas një shpërthimi që rrafshoi një ndërtesë katërkatëshe të dielën në qytetin jugor francez të Marsejës.

    Autoritetet lokale thanë se gjashtë persona mbetën të pagjetur dhe se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë.

    Shpërthimi ndodhi në lagjen La Plaine.

    Pesë persona nga ndërtesat fqinje pësuan lëndime të lehta në shpërthim dhe rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. Dy blloqe aty pranë u shembën pjesërisht disa orë më vonë pa shkaktuar lëndime shtesë.

    Shkaku mbetet i paqartë, por hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një rrjedhjeje gazi.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në Twitter se ai “po mendonte për të prekurit dhe të dashurit e tyre” dhe falënderoi punonjësit e urgjencës për përpjekjet e tyre, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

    Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan tha se ekipet e shpëtimit mbetën “të vendosur” për të gjetur njerëz të gjallë. “Shpresa duhet të na mbajë”, tha ai.

    Ndërtesa besohet të ketë pasur nga një apartament në çdo kat, dhe zyrtarët e qytetit thanë më herët se njerëzit e zhdukur përfshinin një çift të ri.

  • Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Policia ka informuar dje se dy persona janë shoqëruar në stacione policore, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri dhe një thikë në rajonin e Prishtinës.

    Siç ka informuar Policia, sekuestrimi i armëve është kryer në dy raste dhe lokacione të ndryshme.

    Njëri rast ka ndodhur në lagjen “Sofalia”, ndërsa tjetri në rrugën “Ilir Konushevci”.

    “Në rastin e parë në lagjen Sofalia, në Prishtinë, pas raportimit për të shtëna me armë, menjëherë kanë reaguar njësi të stacionit Qendra, të cilët kanë shoqëruar një person dhe sekuestruar, një armë zjarri. I dyshuari, mashkull, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje, dhe përdorim të armës. Ndërsa rasti i dytë i sekuestrimit të një arme zjarri dhe një thike, është realizuar nga njësite të stacionot Veriu, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ku për veprën sulm dhe armëmbajtje pa leje është shoqëruar i dyshuari: F.C, mashkull, 25 vjeç, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, ka bërë të ditur PK.

  • Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në përditësimin e fundit lidhur me COVID-19, ka njoftuar se kanë realizuar 41 testime, prej të cilave katër raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

    Sipas institutit, nuk janë konfirmuar raste të vdekjes, derisa janë shëruar 12 persona.

    20 persona janë të hospitalizuar. Kurse, gjithsej rastet aktive në vendin tonë janë 84.