ATV

Author: G.O.

  • Çmimet e librave s’e tejkalojnë shumën e subvencionimit të MASHT-it

    Çmimet e librave s’e tejkalojnë shumën e subvencionimit të MASHT-it

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Libraritë tashmë janë furnizuar me shumicën e teksteve shkollore.

    Edhe prindërit kanë filluar blerjen e tyre dhe çmimet, sipas librashitësve, nuk po kalojnë shumën e subvencionimit nga Ministria e Arsimit.

    Madje, mundësi për keqpërdorime nuk ka ngase çmimet e të gjithë librave figurojnë në kopertinën e tyre.

    Megjithatë, disa tekste shkollore ende mungojnë. E shqetësime ka edhe për faktin që disa komuna të Kosovës nuk kanë librari.

    Qeveria ka subvencionuar blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore nga 80 euro për nxënësit nga klasa e 1 deri në të 6-tën, ndërkaq nga klasa 6 deri 9 me nga 110 euro.

    Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të MASHTI-t mbi 150 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionim dhe tashmë janë ekzekutuar mbi 81 mijë pagesa.

    Ndërkohë, ditë më parë edhe Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se është duke monitoruar me kujdes të veçantë zhvillimet në procesin e shpërndarjes së librave shkollor për t’i evituar shkeljet e mundshme./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Përfundon afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë, për të gjithë ata që s’respektuan vendimin parashihen gjoba

    Përfundon afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë, për të gjithë ata që s’respektuan vendimin parashihen gjoba

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Deri të premten në orën 16, rreth 6 mijë e 400 qytetarë kanë konvertuar patentë-shoferët e lëshuar nga strukturat ilegale serbe, në patentë-shoferë të republikës.

    Procesi i konvertimit, i cili filloi më 10 maj, përfundoi të premten e 23 gushtit.
    Për qindra qytetarë të tjerë, të cilët refuzuan t’i konvertojnë patentë-shoferët gjatë fundjavës parashihet t’u shqiptohen vërejtje nga ana e policisë, ndërkaq nga e hëna do të ketë gjoba, duke mos e përjashtuar mundësinë e konfiskimit të veturës.

    Ndërkaq, kërkesë për shtyrje të afatit nuk ka.

    Në anën tjetër, zëvendëskryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicën e Veriut, thotë se në këtë formë edhe katër komunat veriore po fillojnë të funksionojnë sikurse të tjerat në Kosovë.

    Ndërkaq, edhe qytetarët e veriut nuk kanë asgjë kundër konvertimit të patentë-shoferëve.

    Nga katër komunat veriore, Leposaviqi prin me numrin më të madh të qytetarëve që konvertuan patentë-shoferët me afro 2 mijë.

    Më 8 gusht, Ministria e Punëve të Brendshme vendosi ta shtyjë afatin për konvertimin e patentë-shoferëve deri më 23 gusht./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rritet për 14% skema për pensionet e FSK-së

    Rritet për 14% skema për pensionet e FSK-së

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin korrik 2024, ku theksohet se është rritur skema për pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në muajin korrik 2024, krahasuar me korrik 2023.

    Sipas ASK-së, në muajin korrik 2024, nga pensionet e Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë përfituar 848 përfitues, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku kanë qenë 741 përfitues, vërehet një rritje prej 14,4%.

    “Në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin korrik 2023, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës (-19,6%); skema për pensionet invalidore (-18,0%); skema e ndihmës sociale (-9,0%); skema për pensionet familjare (-5,7%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-0,9%): skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (0,9%): skema e kompensimeve për personat e verbër (0,8%). Në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin korrik 2023 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (11,6%); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara(10,3); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,6%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,7%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (1,6%); skema e pensioneve bazike të moshës (1,3%); skema për veteranët e luftës (0,2%)”, thuhet në njoftim.

  • Një muaj paraburgim për shtetasin e Maqedonisë që u kap me 6 kilogramë heroinë

    Një muaj paraburgim për shtetasin e Maqedonisë që u kap me 6 kilogramë heroinë

    Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer në bashkëkryerje veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

    Në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21 gusht 2024 në bashkëkryerje pa autorizim kanë transportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, substancë narkotike të dyshuar si heroinë.

    “…Në atë mënyrë që me veturën e markës ‘Audi’ të pandehurit U.B. dhe M.Sh., lëndën narkotike të dyshuar si heroinë me peshë të përgjithshme 6.137.06 gram (gjashtë kilogramë e njëqind e tridhjetë e shtatë gram), e kanë transportuar përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ndërsa i pandehuri I.M. me veturën e tij të markës ‘Golf’ i kishte pritur në parkingun e një ndërmarrje tregtare në Han të Elezit, së bashku me agjentin e policisë i cili ishte duke realizuar masat e veçanta hetimore shitje dhe blerje e simuluar e artikujve, shërbimeve apo sendeve…

    Kështu të pandehurit U.B. dhe M.Sh., e kishin sjell lëndën narkotike me veturën ‘Audi’ afër veturës ‘Golf’, me ç’rast i pandehuri I.M., merr lëndën narkotike nga vetura ‘Audi’ dhe kthehet tek vetura e tij, me qëllim që ta dorëzoj tek Agjenti i policisë si blerës i simuluar, mirëpo intervenojnë Njësitë mbështetëse të Policisë të cilat e arrestojnë të pandehurin I.M. si dhe sekuestrojnë veturën ‘Golf’ dhe lëndën narkotike. Ndërsa, të pandehurit U.B. dhe M.Sh. janë arratisur”, thuhet në njoftim.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

  • ATV edhe këtë vit do të jetë sponsori medial i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest 2024

    ATV edhe këtë vit do të jetë sponsori medial i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest 2024

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit – PriFest 2024, i cili tashmë është gati për të nisur edicionin e 16-të do të mbahet nga data 10-15 shtator 2024.

    Edhe këtë vit, ATV do të jetë sponsori kryesor medial i “PriFest”, ndërsa kjo u konfirmua me marrëveshjen e arritur në mes Drejtorit të ATV-së, Zija Rexhepi dhe Drejtorit të “PriFest”, Fatos Berisha.

    Ndryshe, “PriFest”  edhe këtë vit do të mbahet nën sloganin ‘FOR HER’ (PËR TË) duke ia dedikuar edicionin e ri të festivalit drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha.

    Festivali, i cili do ta ketë moton “Vjosa. Forever. PriFest”, zgjatë 6 ditë, ndërsa mësohet se në programin e sivjetmë do të ketë edhe premiera botërore të filmave pjesëmarrës.

    Në natën finale do të ndahen edhe çmimet, në kategori të ndryshme të Festivalit.

  • Parandalohet kontrabanda me mallra ushqimore në vlerë rreth 2 mijë euro, po vinin nga Serbia

    Parandalohet kontrabanda me mallra ushqimore në vlerë rreth 2 mijë euro, po vinin nga Serbia

    Dogana e Kosovës ka parandaluar sot një tentim kontrabande me mallra ushqimore me vlerë rreth 2000 euro.

    Kjo u bë e ditur nga vetë Dogana, teksa kanë njoftuar se një shtetas kosovar po drejtonte një automjet transportues me targa vendore, e që i cili po vinte ilegalisht nga Serbia.

    “Prishtinë më 22 Gusht 2024 Njësia e TASK FORC-ës -Lindje ( e përberë nga Dogana dhe Policia Kosovës) në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në zonën kufitare SRB-RKS. Në brezin kufitar që lidh fsh.Breznice-SRB me fsh. Karaqeve e poshtme -RKS nga njësitet e lartcekura është identifikuar automjeti transportues me targa vendore i cili vinte ilegalisht nga Serbia. Pas përcjelljes nga njesitet e lartcekur është arritur të ndalet, gjatë kontrollit tē automjeti i cili drejtohej nga shetas kosovar, është vërejtur se kishte të ngarkuar mallra të ndryshme ushqimore me vlerë rreth 2000 euro”, thuhet në postimin e Doganës së Kosovës.

    Njëherit, thuhet se mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor, Dheu i Bardhë.

  • Mbi 2 orë pritjet për të dalë nga Kosova

    Mbi 2 orë pritjet për të dalë nga Kosova

    Pritjet për të dalë nga Kosova përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, janë zgjatur për dallim me përditësimin paraprak të publikuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Ato tashmë po arrijnë deri në 2 orë e 20 minuta, ndërsa kolonat e automjetëve shkojnë deri në 1000- metra.

    Në Jarinje dhe Merdarë pritjet arrijnë deri 20 minuta, ndërsa pikat tjera kufitare pritjet janë jo më shumë se 5 minuta.

  • Kurti pas takimit me shefin e CIA-s: Dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve

    Kurti pas takimit me shefin e CIA-s: Dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve

    Qeveria Kurti ka dalë me një njoftim lidhur me takimin e kryeministrit Albin Kurti me Drejtorin e CIA-s William Burns, sot në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA.

    Ndër të tjera, thuhet se vizita e shefit të CIA-s është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve.

    Sipas Qeverisë, Kurti ndër të tjera e ka njoftuar Burnsin edhe për rritjen ekonomike.

    Njoftimi i plotë:

  • Fundjava sjellë xhiron e tretë në Superligë

    Fundjava sjellë xhiron e tretë në Superligë

    Në këtë fundjavë do të luhet xhiroja e tretë e Superligës së Kosovës në futboll.

    Dy ndeshje pritet të zhvillohen të shtunën dhe dy tjera të dielën, teksa një tjetër është shtyrë.

    Aktualisht, ndeshjes do t’i prijnë katër skuadra me nga katër pikë.

    Ballkani do të përballet me Feronikelin, kurse Llapi do të jetë mikpritës i Malishevës.

    Dukagjini do të pret Gjilanin, kurse, Prishtina me shumë ndryshime në këtë edicion do ta vizitojë të rikthyerin në Superligë, Ferizajn.

    Me kërkesë të Dritës, ndeshja e saj me Suharekën është shtyrë.

  • Pas takimit me Kurtin, shefi i CIA-s përmbyll vizitën në Kosovë

    Pas takimit me Kurtin, shefi i CIA-s përmbyll vizitën në Kosovë

    Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.

    Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.

    Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

    Ai ende nuk është deklaruar rreth takimit me zyrtarin më të lartë amerikan të inteligjencës.

    Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

    Presidentja Osmani, më 23 gusht, konfirmoi takimin me kreun e CIA-s, William Burns.

    “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses”, shkroi ajo në Facebook.

    Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

    Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

    Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.

    Gjatë vizitës, sipas zytarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

    Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

    Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

    SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

    Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

    Ndryshe, mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën “VIP” të aeroportit.

    Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqe për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan futuroi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.

    Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

    Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021./REL