ATV

Author: G.O.

  • Plagoset një i mitur në Istog, arrestohet një i dyshuar

    Plagoset një i mitur në Istog, arrestohet një i dyshuar

    Një i mitur është plagosur ditën e së enjtes në Istog.

    Policia pas marrjes së kësaj nformate, kanë dalë në vendin e ngjarjes, përkatësisht në një poligon të armëve, ku kanë arrestuar një të dyshuar.

    “Stacioni Policor nё Istog, me datё 22.08.2024, rreth orёs 16:00, ёshtё njoftuar nga QKMF-Istog, se ёshtё paraqitur njё person (i mitur), i cili ishte plagosur me armё zjarri. Njësitet relevante kanё dalё ne vendin e ngjarjes, ne njё Poligon tё Armёve nё qytetin e Istogut, ёshtё arrestuar i dyshuari nga i cili ёshtё sekuestruar arma, dhe pas intervistimit me urdhёr tё Prokurorit tё shtetit ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё”, thuhet në kumtesën e policisë.

  • Edona Maloku-Bërdyna, ambasadore e re e Kosovës në Portugali

    Edona Maloku-Bërdyna, ambasadore e re e Kosovës në Portugali

    Edona Maloku-Bërdyna është emëruar ambasadore e re e Kosovës në Portugali.

    Për këtë ka njoftuar ministrja e Jashme Donika Gërvalla.

    “Edona Maloku Bërdyna është një figurë e shquar në shkencat sociale, me një karrierë që bashkon hulumtimin akademik, praktikën e aplikuar dhe zhvillimin e politikave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo ka doktoraturë në Psikologji/Shkenca Sociale nga Universiteti Leiden në Holandë, ku edhe ka përfunduar Masterin e Shkencave me vlerësimin më të lartë të dhënë në universitetet holandeze (Cum Laude)”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

    Ajo ka thënë se puna e Maloku-Bërdynës është njohur dhe vlerësuar në shkallë globale, “duke përfshirë çmimin prestigjioz Otto Klineberg dhe disa njohje ndërkombëtare për ndikimin e saj në ndryshimin social dhe drejtësinë shoqërore”.

    “Me këtë përvojë të pasur dhe vizion të qartë, jemi të bindur se nën drejtimin e saj, marrëdhëniet e Kosovës me Portugalinë do të arrijnë nivele të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit. Në arsim, kulturë, ekonomi dhe fusha të tjera kyçe, Maloku Bërdyna do të sjellë një perspektivë të freskët dhe energji të reja për të fuqizuar këto lidhje”, ka shkrua ajo.

    Gërvalla ka falënderuar ambasadorin e deritashëm për punën. “Një falënderim për Ambasadorin e deritanishëm, Ylber Kryeziu, për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë këtij shërbimi jashtë vendit”, ka shkruar Gërvalla.

  • Gruaja që e vrau kunatin në Prishtinë thotë se ishte e kërcënuar vazhdimisht nga ai dhe burri i saj

    Gruaja që e vrau kunatin në Prishtinë thotë se ishte e kërcënuar vazhdimisht nga ai dhe burri i saj

    Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarës N.M, 56-vjeçare për vrasjen e kunatit të saj XH.M, të ndodhur mbrëmjen e 20 gushtit në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

    Ajo dyshohet për vrasje të rendë dhe armëmbajtje pa leje, ku thuhet se në korridorin e shtëpisë së saj ka shtënë 10 herë ndaj viktimës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e ka arsyetuar mbi arsyet ligjore pasi ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

    Prokuroria, në seancën dëgjimore të mbajtur me 21 gusht 2024, ka thënë se këtë dyshim e mbështetë në prova siç janë raporti i Policisë, deklaratat e dëshmitareve e palës së dëmtuar.

    Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku se nëse e pandehura lihet në liri do ta pengojnë zhvillimin e suksesshëm të hetimeve, duke ndikuar në dëshmitaret të cilët kjo prokurori ende nuk i ka dëgjuar. Po ashtu, Prokuroria ka arsyetuar se duke u nisur nga pesha e veprës penale dhe mënyra e kryerjes, raportet-problemet familjarë ekziston rreziku se e njëjta mund të përsërisë veprën penale.

    Andaj, sipas prokurorisë është e nevojshme që t’i caktohet masa e paraburgimit pasi me asnjë mase alternative nuk do të arrihet të sigurohet prania e saj në këtë çështje penale.

    Mbrojtësi i të dyshuarës, avokati Hysen Berisha, ka kërkuar masë me të butë, siç është paraqitja në stacion policor, apo masa e arrestit shtëpiak duke thënë që e pandehura nuk ka mundësi që të ndikojë në dëshmitarë dhe as në prova materiale sepse të gjitha këto janë në dispozicion të organit të Policisë dhe të Prokurorisë.

    E dyshuara, N.M para gjykatës është deklaruar se është me terapi për shërimin e sëmundjes dhe se ka probleme pasi është e traumatizuar

    Ajo gjithashtu kishte deklaruar se nuk kishte fjetur gjithë natën prej kanosjes dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga burri dhe kunati saj, kjo pasi që burri i saj kishte qenë i ndikuar nga kunati, ku edhe e kanë sharë dhe ofenduar vazhdimisht.

    Ajo kishte shtuar se ka pasur ankth dhe depresion, për çka edhe ishte trajtuar dhe ka të gjitha dokumentet mjekësore.

    Gjykatësja e procedurës paraprake, Fatime Dërmaku caktimin e masës së paraburgimit e ka arsyetuar duke thënë se propozimi i Prokurorisë i bazuar, bindës dhe mjaftueshëm i argumentuar për këtë fazë. Kurse, mbrojtësi i të pandehurës nuk ka bindur gjykatën për masa alternative.

    Gjykata ka vlerësuar se përmbushet kushti kryesor se në këtë stad të procedurës ka dyshim të bazuar se pandehura N.M ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet.

    Për caktimin e paraburgimit, sipas vendimit të gjykatës ka arsye të besueshme se e dyshuara do të pengojë rrjedhën e procedurës penale dhe ekziston rreziku i ndikimit tek dëshmitaret, ngase i ka familjar dhe do mundohet t’i manipulojë që të dëshmojnë në favor të saj. Gjithashtu, edhe provat e tjera materiale ka mundësi që do t’i asgjësonte apo t’i fshehë, që t’i ikë përgjegjësisë penale.

    Gjykata vlerëson se janë përmbushur edhe kriteret tjera e që janë rrethanat e kryerjes së veprës penale.

    “E dyshuara e ka pasur kunat, vëlla të burrit të saj, si dhe karakteristikat e saj personale, që në vazhdimësi gjatë seancës dëgjimore në mënyrë shumë profesionale tenton gjykatën ta vë në lajthim lidhur me gjendjen e saj shëndetësore për t’i ikur përgjegjësisë së rëndë penale”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

    Sipas vendimit për caktimin e paraburgimit, e pandehura dyshohet se në korridorin e shtëpisë së tyre, për shkak të problemeve familjare, e pandehura me dashje që ta privojë nga jeta kunatin e saj, tani të ndjerin Xh.M ka shtënë në drejtim të tij dhjetë herë me armën e tipit “Girson Compakt MC” ku si pasojë e plagëve të marra i dëmtuari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    E pandehura, kishte deklaruar se ka aplikuar për marrjen e lejes së armës, e që në kohën e kryerjes së veprës penale ende nuk e kishte poseduar.

    “…Fakt që përcakton edhe karakterin e të pandehurës lidhur me posedimin dhe kontrollimin e armës në shtëpinë e saj, të familjarët e saj, pasi e njëjta nuk kishte pasur ndonjë pozitë të lartë shtetërore, apo të ishte afariste e njohur, apo që do të ishte person i rrezikuar të posedonte armë”, thuhet tutje në arsyetim.

    Andaj, sipas gjykatës këto janë rrethana të arsyeshme për caktimin e masës së paraburgimit./BetimipërDrejtësi

  • Supremja e RMV-së shfuqizon vendimin për ekstradimin e Blerim Ramadanit

    Supremja e RMV-së shfuqizon vendimin për ekstradimin e Blerim Ramadanit

    Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka shfuqizuar vendimin e Penales lidhur me lëndën për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit.

    Sipas njoftimit, veprimi dhe marrja e vendimit të tillë në gjykatën e shkallës së parë, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme është e paqartë dhe e pakuptueshme, pa arsye relevante nga të cilat këshilli është bazuar gjatë marrjes së vendimit, raporton AlsatM.

    “Këshilli Penal pranë sektorit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të Gjykatës Penale-Shkup, gjatë marrjes së vendimit, me të cilin ka konstatuar se nuk janë përmbushur parakushtet ligjore për ekstradim, nuk ka dhënë arsyetim se në cilat shkaqe është bazuar kur ka pranuar që vendimi i filluar në pajtim me nenin 75 alineja 1 nga Ligji i bashkëpunimit Ndërkombëtar në materialin penal, si procedurë e shkurtuar të udhëhiqet si procedurë e rregullt në pajtim me nenin 68 lidhur me nenin 51 nga ligji i njëjtë”, theksohet në arsyetimin e Supremes.

    “Gjatë veprimit të serishëm, gjykata e shkallës së parë është e obliguar që t’i marrë parasysh vërejtjet e theksuara, si dhe përcaktimet e Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në materialin penal dhe Konventën Evropiane për Ekstradim me Protokollin e parë dhe të dytë shtesë lidhur me Ligjin për ratifikimin e protokollit të tretë shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradim, dhe në bazë të tyre me zbatim të duhur të dispozitave të marrë vendim të drejtë dhe ligjor”.

  • Osmani pas takimit me shefin e CIA-s: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses

    Osmani pas takimit me shefin e CIA-s: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit të djeshëm që pati me Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shpërndarë disa fotografi dhe ka shkruar shkurt se aleanca me SHBA-në është garancë për siguri.

    “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns.” – ka shkruar Osmani.

    Shefi i CIA-s është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm.

    Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.

  • Vdes në spital një 18-vjeçar në Shqipëri, u aksidentua dje me veturë

    Vdes në spital një 18-vjeçar në Shqipëri, u aksidentua dje me veturë

    Një 18 vjeçar ka ndërruar jetë sot në spital pas një aksidenti që ka ndodhur të enjten në autostradën Tiranë-Durrës.

    Policia në Shqipëri njofton se 18-vjeçari duke drejtuar veturën e tipit “Volkswagen” ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në kanal.

    “Më datë 22.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi A. T., 18 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Drejtuesi i mjetit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë më pas”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Shpërthen për të gjashtën herë vullkani në Islandë

    Shpërthen për të gjashtën herë vullkani në Islandë

    Një vullkan në Islandën jugperëndimore shpërtheu të enjten në mbrëmje për të gjashtën herë që nga dhjetori, duke nxjerrë lavë të kuqe përmes një çarjeje të re në Gadishullin Reykjanes.

    Shpërthimi filloi pak pas orës 21:00.pas një serie tërmetesh të forta dhe brenda një ore një çarje prej 4 kilometrash preu kraterin Sundhnukur, raporton AP.

    Autoritetet e Islandës thonë se efektet e shpërthimit mbeten të lokalizuara me mbylljen e rrugëve, por nuk kërcënojnë popullsinë.

  • Shefi i CIA-s shkon në Qeveri për takim me Kurtin

    Shefi i CIA-s shkon në Qeveri për takim me Kurtin

    Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

    Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

    Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.

    Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë.

    Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

    Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

    SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

  • Arrestohen katër persona për lëndim të rëndë trupor në Ferizaj

    Arrestohen katër persona për lëndim të rëndë trupor në Ferizaj

    Katër persona janë dërguar në mbajtje në Ferizaj, për arsyen se janë përleshur mes vete duke shkaktuar kështu lëndime trupore.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një kumtese për media.

    “Me datën 22.08.2024 rreth orës 19:10 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë se në fshatin Rakaj të Ferizajt disa persona ishin përfshirë në një përleshje fizike. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë së rendit dhe hetuesit policorë, të cilët kanë identifikuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë gjashtë persona. Nga hetimet e para është mësuar se pas një zënke mes tyre, lëndime trupore kanë pësuar pesë persona, të cilët për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Të dyshuarit pasi janë intervistuar nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit, katër persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy të tjerë janë liruar për procedurë të mëtejme hetimore”, thuhet në komunikatë.

    Të arrestuarit janë: B.R ( M/K), 42-vjeçar, Z.L ( M/K), 39-vjeçar, R.L ( M/K), 37-vjeçar, D.L ( M/K) , 22-vjeçar.

  • Gjashtë persona, përfshirë 4 fëmijë, vdesin nga zjarri në Novi Sad

    Gjashtë persona, përfshirë 4 fëmijë, vdesin nga zjarri në Novi Sad

    Gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë, humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në lagjen Salajka në Novi Sad të Serbisë, natën e shkuar, ka deklaruar Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

    “Supozohet se ata ishin anëtarë të familjes që jetonte në atë adresë”, tha Daçiq, duke shtuar se fëmijët që vdiqën, ishin nga dy deri në shtatë vjeç.

    Pjesëtarët e Administratës për Situata Emergjente të Serbisë dhe zjarrfikësit shuan zjarrin, ndërsa policia dhe prokurori publik nisën hetimet në vendin e ngjarjes.

    Siç tha Daçiq, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një skuter që ishte i lidhur me rrjetin elektrik.

    “Trupat e viktimave janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa pjesëtarët e MPB-së po punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike”, tha Daçiq./REL