ATV

Author: G.O.

  • Të shtëna me armë në Klinë, policia identifikon dhe arreston të dyshuarin

    Të shtëna me armë në Klinë, policia identifikon dhe arreston të dyshuarin

    Një incident me armë zjarri është raportuar në orët e para të së premtes në fshatin Sferkë të Klinës, ku dy persona të panjohur dyshohet se kanë thyer xhamin e një lokali dhe kanë shtënë disa herë në ajër.

    Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur gjashtë gëzhoja.

    Hetimet e zhvilluara kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari.

    Gjatë bastisjes tek i dyshuari, Policia ka konfiskuar një pistoletë dhe një karikator pa fishekë.

    Pas intervistimit të tij, me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

  • Osmani kujton Epopenë e Rahovecit: Zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë

    Osmani kujton Epopenë e Rahovecit: Zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë

    Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar Epopenë e Rahovecit, ku nga 17 e deri më 26 korrik 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë e ekzekutuan rreth 100 gra, fëmijë e pleq, shumica të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe rrethinë, duke u përulur me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve.

    Ajo ka thënë se Rahoveci është plagë, dhimbje, dhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi.

    “Kujtimi për viktimat është i përjetshëm, teksa zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë, derisa ajo të ngadhënjejë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë”, ka thënë ajo.

  • Zgjedhjet lokale, KQZ: Deri më tani 851 qytetarë kanë ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës

    Zgjedhjet lokale, KQZ: Deri më tani 851 qytetarë kanë ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon periudha për verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

    Kjo periudhë ka nisur më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025.

    Sipas KQZ-së, deri më 18 korrik, janë gjithsej 851 qytetarë që kanë ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit brenda komunës ku janë të regjistruar.

    Ndërkohë, KQZ bën të ditur se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejt nga ky institucion.

    Ky ndryshim është i lidhur me deklarimin zyrtar të adresës së banimit nga qytetari.

  • Gjykata e Apelit aprovon ankesën e komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”, lënda kthehet në rishqyrtim

    Gjykata e Apelit aprovon ankesën e komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”, lënda kthehet në rishqyrtim

    Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Komunës së Prishtinës në lidhje me vendimin për shndërrimin e rrugës “Xhorxh Bush” në shesh për këmbësorë, duke anuluar kështu vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka theksuar se ky vendim përforcon qëndrimin e Komunës se veprimet e ndërmarra janë bërë në përputhje me interesin publik dhe ligjin.

    “Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin. E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Ai theksoi se ky transformim është pjesë e një strategjie afatgjatë për zhvillimin urban, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

    “Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës: Reduktimi i ndotjes së ajrit nga PM10 dhe NO2 nuk është çështje komoditeti – është çështje shëndeti publik. Hapja e qytetit për këmbësorët nuk është çështje estetike – është çështje sigurie dhe barazie sociale. Zhvillimi i një hapësire publike për këmbësor në vend të një korridori trafiku nuk është eksperiment – është standardi i domosdoshëm i qyteteve që duan të ecin përpara”, theksoi ai.

    Kryetari i kryeqytetit tha se ky projekt është i përputhshëm me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdojë pa u ndalur në këtë drejtim.

    “Do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik. Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojnë se koha e BLLOKADAVE të jashtëligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon”, shkroi ai.

  • Dështon edhe tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit

    Ka dështuar edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, i cili do të mundësonte zgjedhjen e kryetares së Kuvendit dhe të nënkryetarëve.

    Subjektet politike nuk ofruan propozim, duke sjellë kështu një tjetër dështim në procesin e konstituimit të Kuvendit.

    Ndryshe, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka paralajmëruar se sot mund të ketë takim ndërmjet liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.

    “Ne presim që sot të zhvillohet takimi, jemi në afatin e fundit kushtetues. Unë pres sinjal pozitiv nga takimi që besoj sot do të ndodhë. Pres sinjal pozitiv, guxim nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, duke e parë që jemi në afatin e fundit kushtetues. Ky është realiteti politik, Limaj e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, presim nga lideri i LVV-së që të ketë vullnet dhe ta përkthejë në veprim të shpejt politik”, theksoi ajo.

    Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 47 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

    Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

  • Haradinaj: Kurti e ka ndarë mendjen t’i bëjë keq Kosovës

    Haradinaj: Kurti e ka ndarë mendjen t’i bëjë keq Kosovës

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e quajtur “mashtrues” dhe duke e akuzuar se po e bllokon me qëllim konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Haradinaj thotë se qëndrimi i Kurtit në raport me seancat e Kuvendit është i qëllimshëm dhe ka pasoja të rënda për vendin.

    “Këtë pyetje dueht t’ia bëni Kurtit, apo ndryshe nga mashtruesit. Ai e ka në dorë zgjidhjen. Po vërehet se ai e ka ndarë mendjen për ta bërë keq e më keq Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

    Ai ka përmendur edhe situatën e vështirë në sektorin e energjisë dhe ka lënë të kuptohet se krizat aktuale po përdoren për të mbuluar çështje të tjera.

    “Ju e dini si është gjendja me energjinë elektrike, sa do të jetë çmimi në dimër dhe lulëzimin me tregtinë e energjisë. Krejt këto (çka po ndodhin në Kuvend) janë me fsheh hajninë, me fsheh ndjekjen nga gjyqësori”, është shprehur ai.

  • Nait Hasani: S’kam votë për Limajn si kryekuvendar

    Nait Hasani: S’kam votë për Limajn si kryekuvendar

    Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se ai si deputet s’ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit.

    Hasani para hyrjes në Kuvend ku do të mbahet seanca e 49 për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se arsyeja për këtë qëndrim është ndryshimi i fjalëve të Limajt për Kurtin, gjatë fushatës dhe pas fushatës.

    “Këto ndërrimet e qëndrimeve s’më pëlqejnë dhe s’i mbështes. Kështu që votën time nuk e ka”, ka thënë Hasani.

  • Siria shpall armëpushim të menjëhershëm në Sweida pas marrëveshjes ndërmjet ShBA-ve dhe Izraelit

    Siria shpall armëpushim të menjëhershëm në Sweida pas marrëveshjes ndërmjet ShBA-ve dhe Izraelit

    Zyra e Presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, ka njoftuar vendosjen e një “armëpushimi të menjëhershëm” në provincën jugore të Sweidës, pas ndërhyrjes diplomatike të SHBA-së dhe Izraelit.

    Ky zhvillim erdhi pasi forcat e Ministrisë së Brendshme të Sirisë u vendosën në këtë zonë me shumicë druze, veprim që shkaktoi tensione dhe u pasua nga bombardime izraelite, me qëllim të detyrimit të tërheqjes së këtyre forcave.

    Në deklaratën e Presidencës siriane u bë thirrje që “të gjitha palët të respektojnë plotësisht” armëpushimin.

    Të premten, ambasadori i SHBA-ve në Turqi, Tom Barrack, konfirmoi se një marrëveshje për armëpushim ishte arritur mes Izraelit dhe Sirisë.

    Në një postim në platformën X, ai deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti Sharaa “kanë rënë dakord për një armëpushim” që ka marrë përkrahje edhe nga vendet fqinje të Sirisë, përfshirë Turqinë dhe Jordaninë.

    “Ne u bëjmë thirrje druzëve, beduinëve dhe sunitëve të ulin armët dhe së bashku me pakicat e tjera të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian në paqe dhe prosperitet me fqinjët e tyre”, tha ambasadori Barrack.

  • Kongresi amerikan miraton me shumicë të madhe ndihmën ushtarake për Ukrainën

    Kongresi amerikan miraton me shumicë të madhe ndihmën ushtarake për Ukrainën

    Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara miratoi një vendim të rëndësishëm për zgjatjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke treguar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA për mbështetje në përballjen me agresionin rus. Vendimi u miratua me shumicë të madhe, 353 vota pro dhe 76 kundër.

    Paketa e ndihmës përfshin armë, municion, sisteme mbrojtëse, ndihmë logjistike dhe trajnime për ushtrinë ukrainase. Ky hap është parë si një sinjal i fortë se SHBA mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e demokracisë dhe sovranitetit të Ukrainës.

    Zyrtarët ukrainas e kanë mirëpritur këtë vendim, duke e vlerësuar si thelbësore për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe forcës mbrojtëse të vendit.

  • Dhunohet seksualisht një grua në Gjilan, arrestohet i dyshuari

    Dhunohet seksualisht një grua në Gjilan, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Gjilan, një grua kosovare ka raportuar se është viktimë e një akti dhune seksuale.

    Sipas njoftimit zyrtar, viktima ka deklaruar se i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

    Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 11 korrik të këtij viti, derisa rasti u raportua në Polici gjatë ditës së djeshme.

    “Gjilan 11.07.2025 – 14:00. Më 18.07.2025 viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.