ATV

Author: G.O.

  • Në Kosovë vetëm gjatë javës së fundit u raportuan mbi 320 zjarre

    Në Kosovë vetëm gjatë javës së fundit u raportuan mbi 320 zjarre

    Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve që kanë përfshirë tërë territorin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste zjarresh, ndërkohë që si pasojë janë shënuar dy viktima: një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga komuna e Klinës.

    Lajmi u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për media të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave dhe Policisë së Kosovës.

    Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Genc Metaj, tha se zjarret janë të përhapura në tërë vendin dhe paralajmëroi për rreziqe serioze nëse nuk merren masa dhe nuk rritet vetëdijesimi qytetar.

    “Vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë, ku janë paraqitur zjarre në tërë vendin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve: zjarre malore, fushore, por edhe në objekte. Vlen të ceket se për të gjitha këto raste kemi intervenuar me sukses. Aktualisht kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen. Ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga njësia profesionale e zjarrfikësve nga Gjakova dhe gjithashtu ka humbur jetën edhe një qytetar nga komuna e Klinës. Kemi të lënduar edhe dy zjarrfikës. Sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve”, tha Metaj.

    Për angazhimin e Policisë së Kosovës në parandalimin e zjarrvënieve foli drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, i cili theksoi se janë ndërmarrë një varg aktivitetesh për ta menaxhuar situatën dhe për t’i ndjekur penalisht zjarrvënësit.

    “Edhe Policia është duke punuar që sadopak të ndikojë në uljen e zjarreve dhe rreziqeve. Policia ka marrë një varg aktivitetesh për parandalimin dhe përhapjen e zjarreve. Ne përmes ndihmës fizike jemi duke u marrë edhe me hetime dhe ndjekje të veprave penale. Numri i përgjithshëm i zjarreve të raportuara nga fillimi deri tash është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është 9, numri i rasteve të iniciuara në polici është 65”, tha Hoxha.

  • Presidentja Osmani mban konferencë për media

    Presidentja Osmani mban konferencë për media

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mban konferencë për media sot nga ora 16:00.

    Në njoftim nuk është bërë e ditur arsyeja.

    “Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mban konferencë për media. Vendi: Kabineti i Presidentes”, thuhet në njoftim.

  • Rohde viziton trupat gjermane në KFOR: U ndjeva pak si të isha kthyer në shtëpi

    Rohde viziton trupat gjermane në KFOR: U ndjeva pak si të isha kthyer në shtëpi

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde bashkë me zëvendësin e tij, Christian Böttcher kanë vizituar trupat gjermane të KFOR-it në Kampin Bondsteel, ku morën një informim të detajuar mbi misionet aktuale, aftësitë operacionale dhe pajisjet teknike që përdoren gjatë patrullimeve dhe vëzhgimeve të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “U ndjeva pak si të isha kthyer në shtëpi”, tha Ambasadori Rohde, duke kujtuar kohën e tij në Strandmeisterkompanie të Gjermanisë në vitet 1980.

    “Një vizitë e mbushur me kujtime dhe përshtypje të thella: Së bashku me zëvendësin tim, eksploruam pajisjet teknike dhe fuqinë operacionale të trupave tona të KFOR-it në Kampin Bondsteel.

    Ende ndihem krenar që pashë “Ahlmann-in” në veprim, tashmë pak më modern se në ditët e mia në Marinë. Falënderime ekipit për punën e shkëlqyer”, shkroi Rohde në BlueSky.

  • Bildt: Bllokada politike në Kosovë ka dëmtuar besueshmërinë e shtetit

    Bildt: Bllokada politike në Kosovë ka dëmtuar besueshmërinë e shtetit

    Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, në një reagim në profilin e tij në “X”, ka shkruar për bllokadën politike në Kosovë, duke pyetur se a do të mund të krijojë vendi ndonjëherë një qeveri të re.

    Bildt ka thënë se pamundësia për të ecur përpara e ka dëmtuar kredibilitetin e shtetit të Kosovës dhe se kjo është gjë e keqe për të gjithë.

    “ A do të ketë ndonjëherë Kosova një qeveri të re? Pamundësia për të ecur përpara dëmtoi besueshmërinë e vendit. Dhe kjo është keq për të gjithë”, ka shkruar ai.

  • Aksidentohet familja nga Kosova në rrugën Shëngjin-Velipojë, shoferi humb drejtimin dhe përplaset në një dyqan

    Aksidentohet familja nga Kosova në rrugën Shëngjin-Velipojë, shoferi humb drejtimin dhe përplaset në një dyqan

    Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor “Shëngjin-Velipojë”.

    Shqiptari i Kosovës ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur më pas me një dyqan.

    Të lënduar kanë mbetur ai së bashku me tre familjarët.

    “Rreth orës 07:10, në aksin rrugor “Shëngjin-Velipojë”, në fshatin Rrjoll, shtetasi kosovar J. B., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një dyqan.

    Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi J. B., dhe 3 pasagjerë (familjarë të tij), të cilët janë dërguar për mjekim, në spital, dhe janë jashtë rrezikut për jetën”.

    Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, raporton Top Channel.

  • Pse duhet të hani më shumë hudhra gjatë verës?

    Pse duhet të hani më shumë hudhra gjatë verës?

    Hudhra është një nga produktet që mund ta gjejmë në tregjet e fruta perimeve gjatë gjithë vitit. Megjithatë, si çdo produkt tjetër, edhe hudhra ka stinën e sezonin e saj.

    Por pse duhet të rrisni konsumin e hudhrës gjatë stinës së verës për të mirën e shëndetit?

    Arsyet i gjeni më poshtë:

    Hudhra ndihmon në mirëmbajtjen e funksionit dhe shëndetit të zemrës. Ajo pakëson gjasat e shfaqjes së tumoreve dhe lufton infeksionet.

    Vlerat më të mira, hudhra i ofron nëse konsumohet e gjallë, sepse gatimi tjetërson të gjithë përbërësit mirëbërës të kësaj barishteje. Ekspertët rekomandojnë ngrënien e të paktën 2 thelpinjve në ditë që të merrni përfitime të mëdha.

    Pak kalori

    Hudhra mund të përmirësojë shijen e shumë ushqimeve të verës dhe ofron pak kalori. Mjafton një ose dy thelpinj hudhër, jo vetëm për të gatuar diçka të shijshme por edhe për të marrë vlerat e nevojshme.

    Hollon gjakun

    Gjaku i njeriut mund të trashet më shumë gjatë verës kur trupi humbet ujë nëpërmjet djersitjes dhe njerëzit duhet të pinë më shumë ujë që të hidratohen. Hudhra njihet si një ndër perimet më të mira për hollimin e gjakut, madje shmang trombozën.

    Vitamina C

    Gjatë verës, njeriu duhet ta ketë prioritet marrjen e vitaminës C si nëpërmjet ushqimeve ashtu edhe nëpërmjet suplementëve. Lëkura ka më shumë nevojë për këtë vitaminë sepse është gjatë gjithë kohës e ekspozuar ndaj rrezeve të dëmshme ultravjollcë. Një racion prej 28 gramë hudhër ofron dhe plotëson 15% të dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine të rëndësishme.

    Antioksidantët

    Hudhra është shumë e pasur me antioksidantë të cilët luftojnë dëmin që shkaktojnë radikalet e lira në organizëm. Antioksidantët tek hudhra mbështesin mekanizmat mbrojtës së trupit kundër dëmeve të shkaktuara prej këtyre substancave.

    Përpos tyre, hudhra mund të ulë kolesterolin dhe tensionin e gjakut dhe e mbron trurin nga sëmundjet që i kanosen si pasojë e moshës apo stilit të jetesës.

  • Gjykata e Apelit kalon në orar të reduktuar për shkak të temperaturave të larta

    Gjykata e Apelit kalon në orar të reduktuar për shkak të temperaturave të larta

    Gjykata e Apelit e Kosovës ka njoftuar se, do të zbatojë një orar të reduktuar pune duke filluar nga sot.

    Kjo vie si rezultat i vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (Nr. 261/2025, datë 27 qershor 2025), dhe për shkak të paralajmërimeve nga institucionet kompetente lidhur me temperaturat ekstreme që pritet të godasin vendin në ditët në vijim.

    Kjo masë është ndërmarrë si pjesë e kujdesit për mirëqenien e stafit dhe palëve që kanë qasje në shërbimet e gjykatës, si dhe për të garantuar funksionimin efikas të institucionit në kushte të motit të papërshtatshëm.

    Gjykata bën të ditur se orari i reduktuar do të rishikohet në vazhdimësi, në varësi të kushteve klimatike dhe vlerësimit të menaxhmentit të gjykatës, në përputhje me rrethanat teknike.

    Për informata shtesë, qytetarët ftohen të ndjekin njoftimet zyrtare të Gjykatës së Apelit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

  • Si ndikojnë patatet në tensionin e lartë të gjakut dhe shëndetin e zemrës?

    Si ndikojnë patatet në tensionin e lartë të gjakut dhe shëndetin e zemrës?

    Patatet mund të mos kenë reputacionin më të mirë kur bëhet fjalë për shëndetin – zakonisht i shoqërojmë me patate të skuqura, yndyrë dhe ushqim të shpejtë. Por shkenca thotë: patatet e thjeshta, të ziera ose të pjekura në furrë mund të na ndihmojnë në luftën kundër hipertensionit.

    Tensioni i lartë i gjakut (i njohur edhe si hipertension) prek pothuajse gjysmën e të rriturve në SHBA, dhe situata nuk është më e mirë në Evropë. Një nga fajtorët kryesorë? Kripa. Ose më saktë – shumë kripë.

    Limiti i rekomanduar ditor është rreth 2,300 mg natrium (rreth një lugë çaji kripë), por amerikani mesatar konsumon mbi 3,400 mg në ditë. As ne nuk jemi shumë më mirë. Pra, ka kuptim që ekspertët vazhdojnë të na thonë: “ulni konsumin e kripës”. Por hulumtimet e reja tregojnë se nuk ka të bëjë vetëm me reduktimin – mund të ketë të bëjë edhe me ekuilibrin, shkruan Index.hr.

    Patatet si një aleat kundër mbajtjes së natriumit?

    Në një studim të botuar në revistën Nutrients, shkencëtarët testuan efektin e patateve në mbajtjen e natriumit dhe presionin e gjakut. Ata krahasuan marrjen e kaliumit nga suplementet me atë nga ushqimet e plota – konkretisht, patatet e zakonshme.

    Rezultati?

    Në një grup prej 30 të rriturish me presion të lartë të gjakut ose në kufirin e tij, ngrënia e patateve të pjekura ose të ziera (pa yndyrë të shtuar) uli mbajtjen e natriumit në trup dhe përmirësoi presionin sistolik të gjakut më shumë sesa një dietë kontrolli. Është e rëndësishme të theksohet se patatet e pjekura nuk patën efekt pozitiv, por çuditërisht, ato nuk patën as efekt negativ. Me fjalë të tjera, ato mund të mos jenë të shëndetshme, por nuk janë fajtore për gjithçka.

    Patatet nuk janë armiku, nëse nuk i skuqni

    Edhe pse shpesh injorohen padrejtësisht për shkak të imazhit të tyre “të pashëndetshëm”, patatet e zakonshme përmbajnë:

    kaliumi – i rëndësishëm për shëndetin e zemrës
    fibra – i dobishëm për tretjen dhe ndjesinë e ngopjes
    vitamina C dhe B5
    antioksidantë si flavonoidet dhe karotenoidet.

    Shkurt: patatet nuk janë problemi, por mënyra se si përgatiten është. Të skuqura në vaj të bollshëm? Zgjedhje e keqe. Të ziera apo të pjekura, pa yndyrë? Një mundësi e shkëlqyer.

    Nëse po e monitoroni tensionin e gjakut dhe shëndetin tuaj të përgjithshëm, mund të jetë koha të ndryshoni qëndrimin tuaj ndaj kësaj perimeje të thjeshtë. Patatet, kur përgatiten në mënyrë të shëndetshme, mund të jenë shumë të dobishme.

  • Në Kosovë çdo vit 5% më shumë raste me kancer

    Në Kosovë çdo vit 5% më shumë raste me kancer

    Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.

    Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.

    Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer.

    Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.

    Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

    Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:

    • “Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.
    • Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.
    • Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).

    Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.

    Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.

    Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.

    Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.

    Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.

    Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.

    Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.

    Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se ky trajtim ofrohet shpesh edhe në salla të improvizuara.

    Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.

    Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.

    Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

    Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm./rel

  • A hani çokollatë çdo ditë? Ja si mund të ndikojë në trupin dhe shëndetin tuaj

    A hani çokollatë çdo ditë? Ja si mund të ndikojë në trupin dhe shëndetin tuaj

    Çokollata është një ëmbëlsirë e preferuar për shumë njerëz, por me konsum të rregullt, shpesh bëhet pyetja nëse është e mirë apo e keqe për shëndetin. Përgjigja nuk është e qartë sepse efekti i çokollatës në trup varet nga lloji, sasia dhe frekuenca e konsumit, shkruan Eating Well. Çokollata e zezë, me qumësht dhe e bardhë ndryshojnë në përbërje, dhe për këtë arsye në vlerat ushqyese.

    Dallimi midis llojeve të çokollatës

    Çokollata me qumësht dhe e zezë përmbajnë pluhur kakaoje (i njohur edhe si lëndë të ngurta kakaoje), ndërsa çokollata e bardhë përmban vetëm gjalpë kakaoje. Hulumtimi shkencor përqendrohet kryesisht në çokollatën me qumësht dhe të zezë sepse është pluhuri i kakaos që përmban përbërës të lidhur me përfitimet shëndetësore – veçanërisht flavonoidet.

    Përfitimet e mundshme të konsumit të rregullt të çokollatës së zezë

    Mbështet shëndetin e zemrës

    Flavonoidet, antioksidantë natyralë nga bima e kakaos, gjenden në sasi më të larta në çokollatën e zezë sesa në çokollatën me qumësht. Ato mund të kenë një efekt pozitiv në shëndetin e zemrës. Studimet kanë treguar se konsumi i rregullt i çokollatës së zezë mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të hipertensionit me 27 përqind dhe rrezikun e tromboembolizmit venoz me 31 përqind.

    Lehtëson dhimbjet menstruale

    Çokollata e zezë është e pasur me magnez – 50 gramë ofrojnë rreth 27 përqind të marrjes së rekomanduar ditore, ndërsa e njëjta sasi çokollate me qumësht ofron vetëm rreth shtatë përqind. Meqenëse magnezi relakson muskujt, mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve menstruale.

    Mbani nivele të shëndetshme të hekurit

    Çokollata e zezë është gjithashtu një burim i mirë hekuri, me vetëm 50 gramë që ofrojnë një të tretën e kërkesës ditore. Nutricionistja Diana Mesa thotë: “Çokollata e zezë mund të jetë një mënyrë e shijshme për të rritur marrjen e hekurit, veçanërisht për ata që janë në rrezik të anemisë. Për përthithje më të mirë, kombinojeni atë me ushqime të pasura me vitaminë C, siç është kivi.”

    Në të kundërt, çokollata me qumësht përmban vetëm rreth një miligram hekur për 50 gramë, shkruan Eating Well.

    Përmirëson funksionin njohës dhe humorin

    Flavonoidet në çokollatën e zezë përmirësojnë rrjedhën e gjakut në tru, gjë që mund të kontribuojë në përqendrim dhe kujtesë më të mirë. Ato gjithashtu zvogëlojnë stresin oksidativ, i cili shoqërohet me rënien njohëse. Në një studim, konsumimi i 85% çokollatës së zezë për tre javë uli ndjeshëm humorin negativ tek subjektet, ndërsa çokollata me 70% kakao nuk tregoi të njëjtin efekt, shkruan Index.hr.

    Rreziqet e mundshme të konsumit të përditshëm të çokollatës

    Rritje e konsumit të yndyrnave të ngopura dhe sheqerit

    Të gjitha llojet e çokollatës, veçanërisht e bardha dhe e qumështit, përmbajnë sasi të larta të yndyrnave të ngopura dhe sheqernave të shtuara. Konsumi i tepërt i këtyre përbërësve mund të rrisë nivelet e kolesterolit dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

    Prania e metaleve të rënda në çokollatën e zezë

    Një raport zbuloi se shumë marka të njohura të çokollatës së zezë përmbajnë sasi shqetësuese të plumbit dhe kadmiumit. Nga 28 produktet e testuara, 23 përmbanin nivele që mund të jenë të dëmshme nëse konsumohen çdo ditë. Konsumi i tepërt i këtyre metaleve është i lidhur me dëmtimin e veshkave, dëmtimin e sistemit imunitar dhe problemet e zhvillimit tek fëmijët dhe të rriturit.