ATV

Author: G.O.

  • KQZ-ja publikon raportet e shpenzimeve për tre mujoret prill – qershor 2025

    KQZ-ja publikon raportet e shpenzimeve për tre mujoret prill – qershor 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e shpenzimeve të partive politike për periudhën prill – qershor 2025.

    Sipas këtij raporti, Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar rreth 500 mijë euro, ku rreth 238 mijë janë shpenzuar për paga, 65 mijë për qira dhe rreth 50 mijë euro për dreka zyrtare.

    Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë këtij tremujorshi ka shpenzuar rreth 230 mijë euro, përfshirë rreth 110 mijë euro për paga dhe rreth 49 mijë euro për informim publik.

  • Ekstradohet nga Austria në Kosovë një person i kërkuar për vjedhje të rëndë

    Ekstradohet nga Austria në Kosovë një person i kërkuar për vjedhje të rëndë

    Një person i kërkuar me dy urdhëresa aktive nga gjykata për veprën penale “Vjedhje e rëndë” është ekstraduar sot nga Austria në Kosovë.

    Pritja e tij është bërë në orët e para të mëngjesit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës.

    Ekstradimi i tij u realizua rreth orës 01:00 të mëngjesit, si rezultat i një bashkëpunimi të suksesshëm mes autoriteteve austriake dhe atyre vendore të sigurisë.

    Personi në fjalë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij ishin lëshuar dy urdhërarreste nga gjykatat vendore.

    Menjëherë pas përfundimit të procedurave standarde, personi i ekstraduar është dërguar për vuajtjen e dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj.

  • E ndaloi në rrugë dhe e kërcënoi me armë, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

    E ndaloi në rrugë dhe e kërcënoi me armë, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

    Një incident është raportuar dje në rrugën “Lumni Surdulli” në Vushtrri, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me armë një qytetar, për motive ende të paqarta.

    Viktima, një burrë 44-vjeçar, ka raportuar në polici se një person që po kalonte me veturë, e kishte ndalur papritur dhe e kishte kërcënuar verbalisht, duke i drejtuar armën.

    Policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin me inicialet H.S., rreth 55-vjeçar, dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një armë zjarri, një karikator dhe 9 fishekë.

    Pas kontrolleve në banesën e tij, po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë të tjerë dhe gjashtë fishekë.

    I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • U shfaqen me armë zjarri në video-incizime, Policia identifikon pesë të dyshuar, përfshirë dy të mitur

    U shfaqen me armë zjarri në video-incizime, Policia identifikon pesë të dyshuar, përfshirë dy të mitur

    Në Gjakovë, Policia ka identifikuar pesë persona, përfshirë dy të mitur, për mbajtje të paautorizuar të armëve.

    Rasti u zbulua dje, pasi hetuesit siguruan video-incizime ku të dyshuarit shfaqeshin duke pozuar me armë zjarri.

    Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar një armë e gjatë dhe dy pistoleta me gaz. Po ashtu, janë konfiskuar edhe disa karikatorë dhe fishekë, të cilat ishin në posedim tek të dy prej të dyshuarve.

    Pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa në koordinim me Prokurorin Kujdestar, është hapur rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Arrestohet në Prishtinë personi i shpallur në kërkim, dënimi me gjobë për narkotikë i ishte kthyer në burg

    Arrestohet në Prishtinë personi i shpallur në kërkim, dënimi me gjobë për narkotikë i ishte kthyer në burg

    Një person është arrestuar dje në kryeqytet, pas realizimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga gjykata për veprën penale “Posedim të paautorizuar të narkotikëve”.

    I dyshuari me inicialet K.A., rreth 44-vjeç, kishte marrë një dënim me gjobë prej 300 euro, por për shkak të mosshlyerjes së saj, ajo iu shndërrua në 15 ditë burgim efektiv.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali për vuajtje të dënimit, ndërsa rasti është mbyllur me realizim të plotë të urdhëresës gjyqësore.

  • Pas një mosmarrëveshjeje, shtiu me kallashnikov drejt dy personave në Pejë – i dyshuari arrestohet pas një dite në arrati

    Pas një mosmarrëveshjeje, shtiu me kallashnikov drejt dy personave në Pejë – i dyshuari arrestohet pas një dite në arrati

    Një incident i armatosur ka ndodhur të mërkurën në fshatin Qyshk të Pejës, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka shtënë me armë automatike drejt dy personave pas një mosmarrëveshje.

    Burime nga Prokuroria konfirmojnë se i dyshuari, me inicialet Sh.G., ka shtënë me kallashnikov AK-47 në drejtim të dy viktimave, njëri rreth 66 vjeç dhe tjetri rreth 25 vjeç.

    Pas më shumë se 24 orësh në arrati, ai është arrestuar nga Policia mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:30.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar  për 48 orë, ndërsa arma dhe një karikator janë sekuestruar.

  • Shtyhet seanca për rastin “Banjska”, mungon dëshmitari që ishte paraparë të dëshmojë gjatë tërë ditës

    Shtyhet seanca për rastin “Banjska”, mungon dëshmitari që ishte paraparë të dëshmojë gjatë tërë ditës

    Seanca gjyqësore lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndërprerë për shkak të mungesës së dëshmitarit të thirrur nga Prokuroria.

    Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, konfirmoi se seanca do të vazhdojë të hënën, pasi dëshmitari ”A2” ishte paraparë të dëgjohej gjatë tërë ditës.

    Ndërkohë, në këtë seancë, janë sjellë para trupit gjykues tre të akuzuarit kryesorë: Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, të cilët ndodhen në paraburgim, ndërsa 42 të tjerë, përfshirë Millan Radojiçiqin, janë në arrati.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, grupi i armatosur ishte udhëhequr nga i dyshuari Millan Radojiçiq dhe kishte për qëllim kryerjen e veprës terroriste, me synimin për shkëputjen e veriut të Kosovës.

  • Netanyahu konfirmon arritjen e armëpushimit në Siri: Kemi krijuar një politikë të qartë

    Netanyahu konfirmon arritjen e armëpushimit në Siri: Kemi krijuar një politikë të qartë

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu njoftoi sot se është arritur një marrëveshje për armëpushim në Siri.

    Sipas deklaratës së tij, është vendosur një politikë e qartë: çmilitarizimi i zonave në jug të Damaskut dhe mbrojtja e “vëllezërve tanë” druzi.

    “Ne kemi krijuar një politikë të qartë: demilitarizimin e zonës në jug të Damaskut dhe mbrojtjen e vëllezërve tanë, Druzëve. Unë i dhashë udhëzime IDF-së të veprojë me forcë, sepse regjimi i Damaskut dërgoi ushtrinë e tij në jug të kryeqytetit dhe masakroi druzët. Si rezultat i veprimeve tona të intensifikuara, është vendosur një armëpushim dhe forcat siriane janë tërhequr përsëri në Damask”, tha ai.

    Më herët, ai kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të vepronte fuqishëm pasi “regjimi” në Damask kishte dërguar ushtrinë e vet dhe kishte “masakruar” druzët, një grup fetar arab që i përmbahen besimit druz.
    Ai beson se sulmi izraelit çoi në vendosjen e armëpushimit dhe tërheqjen e ushtrisë siriane drejt Damaskut, sipas Jerusalempost.
    Më herët gjatë ditës, qeveria e presidentit sirian Ahmed al-Sharaaa kishte njoftuar tërheqjen e ushtrisë nga zonat ku jetojnë druzët.

    Agjencia Reuters ka raportuar gjithashtu se udhëheqësi fetar i druzëve, sheiku Yousef Jarbou, kishte deklaruar se druzët sirianë kishin arritur një marrëveshje me qeverinë siriane, e cila do të hynte në fuqi menjëherë.

  • Merz: Evropa ka bërë shumë pak për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e saj

    Merz: Evropa ka bërë shumë pak për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e saj

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar akuzat e SHBA-së se Evropa po bënte shumë pak për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e saj, por tani beson se janë në të njëjtën linjë.

    “E dimë që duhet të bëjmë më shumë vetë dhe në të kaluarën kemi bërë shaka,” i tha ai programit Today të BBC-së, “ata po na kërkojnë të bëjmë më shumë dhe ne po bëjmë më shumë.”

    Merz ishte në Mbretërinë e Bashkuar për të forcuar lidhjet e mbrojtjes me Gjermaninë, si pjesë e një traktati historik miqësie që synon gjithashtu të trajtojë migracionin e parregullt dhe të promovojë shkëmbimet e të rinjve.

    Lufta e Rusisë me Ukrainën ka qenë një element që ka ndikuar në javët e para të mandatit të tij si kancelar, ashtu si edhe kërcënimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur tarifa importi prej 30% mbi eksportet e Bashkimit Evropian nga 1 gushti.

    Merz i tha Nick Robinson, në intervistën e tij të parë televizive në Mbretërinë e Bashkuar si kancelar, se ai e kishte takuar Trumpin tre herë dhe se ata kishin marrëdhënie të mira bisede: “Mendoj se Presidenti Trump është në të njëjtën linjë; ne po përpiqemi ta çojmë këtë luftë drejt fundit.”

    “Jemi në telefon një herë në javë; po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare.”

    Merz ishte një mbështetës i zëshëm i Ukrainës gjatë fushatës zgjedhore dhe vizitoi Kievin muaj përpara se t’i çonte Kristian Demokratët e qendrës së djathtë të Gjermanisë drejt fitores në zgjedhjet e shkurtit.

    Katër ditë pasi u betua në fillim të majit, ai ishte në një tren për në Kiev në një shfaqje solidariteti me kryeministrin Sir Keir Starmer dhe presidentin Emmanuel Macron të Francës.

    “Po shohim një kërcënim të madh dhe kërcënimi është Rusia. Dhe ky kërcënim nuk është vetëm për Ukrainën. Është për paqen tonë, për lirinë tonë, për rendin politik të Evropës”, paralajmëroi ai.

  • Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, seanca e radhës mbahet më 22 korrik

    Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, seanca e radhës mbahet më 22 korrik

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është mbajtur seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore u caktua më 22 korrik 2025.

    Në këtë seancë pritet të diskutohet për ecurinë e çështjes në këtë rast, pasi mbrojtësi i viktimave ka përfunduar me dëgjimin e dëshmitarëve që kishte thirrur.

    Trupi gjykues, i kryesuar nga Charles Smith III tha se në këtë konferencë do të flitet për hapat procedural që të jetë gjithçka gati për konferencën e mbrojtjes që do të mbahet pas pushimit të verës.