ATV

Author: G.O.

  • Në Kosovë çdo vit 5% më shumë raste me kancer

    Në Kosovë çdo vit 5% më shumë raste me kancer

    Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.

    Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.

    Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer.

    Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.

    Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

    Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:

    • “Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.
    • Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.
    • Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).

    Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.

    Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.

    Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.

    Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.

    Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.

    Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.

    Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.

    Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se ky trajtim ofrohet shpesh edhe në salla të improvizuara.

    Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.

    Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.

    Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

    Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm./rel

  • A hani çokollatë çdo ditë? Ja si mund të ndikojë në trupin dhe shëndetin tuaj

    A hani çokollatë çdo ditë? Ja si mund të ndikojë në trupin dhe shëndetin tuaj

    Çokollata është një ëmbëlsirë e preferuar për shumë njerëz, por me konsum të rregullt, shpesh bëhet pyetja nëse është e mirë apo e keqe për shëndetin. Përgjigja nuk është e qartë sepse efekti i çokollatës në trup varet nga lloji, sasia dhe frekuenca e konsumit, shkruan Eating Well. Çokollata e zezë, me qumësht dhe e bardhë ndryshojnë në përbërje, dhe për këtë arsye në vlerat ushqyese.

    Dallimi midis llojeve të çokollatës

    Çokollata me qumësht dhe e zezë përmbajnë pluhur kakaoje (i njohur edhe si lëndë të ngurta kakaoje), ndërsa çokollata e bardhë përmban vetëm gjalpë kakaoje. Hulumtimi shkencor përqendrohet kryesisht në çokollatën me qumësht dhe të zezë sepse është pluhuri i kakaos që përmban përbërës të lidhur me përfitimet shëndetësore – veçanërisht flavonoidet.

    Përfitimet e mundshme të konsumit të rregullt të çokollatës së zezë

    Mbështet shëndetin e zemrës

    Flavonoidet, antioksidantë natyralë nga bima e kakaos, gjenden në sasi më të larta në çokollatën e zezë sesa në çokollatën me qumësht. Ato mund të kenë një efekt pozitiv në shëndetin e zemrës. Studimet kanë treguar se konsumi i rregullt i çokollatës së zezë mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të hipertensionit me 27 përqind dhe rrezikun e tromboembolizmit venoz me 31 përqind.

    Lehtëson dhimbjet menstruale

    Çokollata e zezë është e pasur me magnez – 50 gramë ofrojnë rreth 27 përqind të marrjes së rekomanduar ditore, ndërsa e njëjta sasi çokollate me qumësht ofron vetëm rreth shtatë përqind. Meqenëse magnezi relakson muskujt, mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve menstruale.

    Mbani nivele të shëndetshme të hekurit

    Çokollata e zezë është gjithashtu një burim i mirë hekuri, me vetëm 50 gramë që ofrojnë një të tretën e kërkesës ditore. Nutricionistja Diana Mesa thotë: “Çokollata e zezë mund të jetë një mënyrë e shijshme për të rritur marrjen e hekurit, veçanërisht për ata që janë në rrezik të anemisë. Për përthithje më të mirë, kombinojeni atë me ushqime të pasura me vitaminë C, siç është kivi.”

    Në të kundërt, çokollata me qumësht përmban vetëm rreth një miligram hekur për 50 gramë, shkruan Eating Well.

    Përmirëson funksionin njohës dhe humorin

    Flavonoidet në çokollatën e zezë përmirësojnë rrjedhën e gjakut në tru, gjë që mund të kontribuojë në përqendrim dhe kujtesë më të mirë. Ato gjithashtu zvogëlojnë stresin oksidativ, i cili shoqërohet me rënien njohëse. Në një studim, konsumimi i 85% çokollatës së zezë për tre javë uli ndjeshëm humorin negativ tek subjektet, ndërsa çokollata me 70% kakao nuk tregoi të njëjtin efekt, shkruan Index.hr.

    Rreziqet e mundshme të konsumit të përditshëm të çokollatës

    Rritje e konsumit të yndyrnave të ngopura dhe sheqerit

    Të gjitha llojet e çokollatës, veçanërisht e bardha dhe e qumështit, përmbajnë sasi të larta të yndyrnave të ngopura dhe sheqernave të shtuara. Konsumi i tepërt i këtyre përbërësve mund të rrisë nivelet e kolesterolit dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

    Prania e metaleve të rënda në çokollatën e zezë

    Një raport zbuloi se shumë marka të njohura të çokollatës së zezë përmbajnë sasi shqetësuese të plumbit dhe kadmiumit. Nga 28 produktet e testuara, 23 përmbanin nivele që mund të jenë të dëmshme nëse konsumohen çdo ditë. Konsumi i tepërt i këtyre metaleve është i lidhur me dëmtimin e veshkave, dëmtimin e sistemit imunitar dhe problemet e zhvillimit tek fëmijët dhe të rriturit.

  • Rasti “Thaçi dhe të tjerë”, sot mbahet seancë në Hagë

    Rasti “Thaçi dhe të tjerë”, sot mbahet seancë në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot pritet të mbahet seanca e radhës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme korrikut do të diskutohet për ecurinë e çështjes në këtë rast, pasi mbrojtësi i viktimave ka përfunduar me dëgjimin e dëshmitarëve që kishte thirrur.

    Në seancën e 16 korrikut, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar plotësisht mocionin e mbrojtjes që kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Mocioni kishte për qëllim të sfidonte përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, sqaroi se incidentet e përmendura nga mbrojtja nuk konsiderohen si akuza të veçanta, por si pjesë përbërëse e akuzave ekzistuese.

    Smith tha se “ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara” që sipas tij përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzës.

    Sipas Smith, rregulla 130 nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte materiale, nëse këto nuk përbëjnë akuza të pavarura.

    Ai theksoi se interpretimi i kësaj rregulle kërkon një shqyrtim të plotë të secilës pikë të aktakuzës, e jo të çdo fakti individual që kontribuon në ndërtimin e saj.

  • Temperatura të larta në Kosovë, MSh-ja apelon për mbrojtje të punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme

    Temperatura të larta në Kosovë, MSh-ja apelon për mbrojtje të punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme

    Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, u ka bërë thirrje institucioneve publike dhe private që të zbatojnë masa mbrojtëse për punëtorët nga temperaturat e larta gjatë periudhës 22 – 25 korrik 2025.

    “Temperaturat ekstreme përbëjnë rrezik për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët në ambiente të hapura”.

    “Institucionet ftohen të respektojnë këto masa për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme të popullatës”.

  • 15 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës

    15 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës

    Sot bëhen 15 vjet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

    Me vota pro, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

    Vendimi ishte lexuar nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.

    Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

  • KFOR vendos tabela përgjatë kufirit Kosovë–Serbi: Do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale

    KFOR vendos tabela përgjatë kufirit Kosovë–Serbi: Do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale

    KFOR-i përmes një njoftimi për media bën të ditur se ka vendosur shenja të reja paralajmëruese dhe ka rinovuar disa nga ato më të vjetra për të përmirësuar dukshmërinë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

    KFOR-i ka njoftuar se qëllimi është të zvogëlohet rreziku i kalimeve të paqëllimshme.

    “Po vendosen shenja për të paralajmëruar njerëzit se po i afrohen ABL-së (Vija kufitare). Për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit, këto tabela po vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale. Vendosja e këtyre tabelave do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme. Një aktivitet i tillë pasqyron angazhimin e paanshëm të KFOR-it për një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Mot shumë i nxehtë, IHMK-ja bën thirrje për kujdes të shtuar nga indeksi i lartë i rrezeve ultravjollcë

    Mot shumë i nxehtë, IHMK-ja bën thirrje për kujdes të shtuar nga indeksi i lartë i rrezeve ultravjollcë

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se në Kosovë ditët e para të kësaj jave do të jenë të nxehta dhe me diell.

    IHK njofton se nga mesi i javës pritet një rënie graduale e temperaturave dhe paraqitje e reshjeve të përkohshme.

    Indeksi UV do ë jetë lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohemi nga rrezet direkte të diellit, moshat e shtyra në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuar.

    Maksimalja sot parashihet të shkojë deri në 36°C.

  • Sot vazhdon seanca gjyqësore në rastin Banjska, dje gjykimi ishte i mbyllur

    Sot vazhdon seanca gjyqësore në rastin Banjska, dje gjykimi ishte i mbyllur

    Sot vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

    Dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për rastin Banjska ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, vazhdoi i mbyllur.

    Prokurori Naim Abazi kërkoi mbylljen e kësaj seance për publikun, gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim.

    Abazi tha se ky dëshmitar gëzon mbrojtje të integritetit dhe se çdo prezantim lidhur me identitetin e tij përbën rrezik për të dhe mund të ketë ndikim në këtë proces gjyqësor.

    Seancat përveç sot, mbahen edhe më 24 korrik në gjykim të këtij rasti.

  • Gjendja në pikëkalimet kufitare për të hyrë në Kosovë, kolonat më të gjata te ‘Dheu i Bardhë’

    Gjendja në pikëkalimet kufitare për të hyrë në Kosovë, kolonat më të gjata te ‘Dheu i Bardhë’

    Me nisjen e ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë, është shtuar ndjeshëm fluksi në pikat kufitare, veçanërisht në ato me Serbinë.

    Gjendja më e rënduar është te pika kufitare në Dheu i Bardhë, ku pritjet për të hyrë në Kosovë zgjasin deri në tre orë.

    Sipas të dhënave më të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat në këtë pikë arrijnë deri në 500 metra.

    Kolona janë krijuar edhe në vendkalimin kufitar Muçibabë, ndërsa pikat tjera kufitare raportohet se janë më të qarkullueshme.

    Qytetarët mund të informohen në kohë reale për gjendjen në kufi duke klikuar [këtu].

  • Gjashtë të lënduar nga përleshja në Lipjan, dy prej tyre dërgohen në QKUK

    Gjashtë të lënduar nga përleshja në Lipjan, dy prej tyre dërgohen në QKUK

    Gjashtë persona janë lënduar si pasojë e një rrahje që ka ndodhur në një lokal në Lipjan të shtunën, më 19 korrik 2025.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se rreth orës 11:30 kanë marrë informatën për rrahjen dhe Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Gjashtë të lënduarve iu është ofruar trajtimi mjekësor, ndërsa dy prej tyre janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Sot rreth orës 11:30 është pranuar informata për një rrahje në një lokal në Lipjan. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes gjashtë persona janë lënduar dhe të njëjtëve menjëherë u është ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Dy nga personat e lënduar nën përcjellje të policisë janë duke u trajtuar në QKUK, ndërkohë që katër të tjerë pas trajtimit mjekësor, janë shoqëruar në polici për intervistim”, tha Ahmeti.