ATV

Author: G.O.

  • Thirrja e PE-së ndaj Kosovës: Përshpejtoni reformat – normalizoni raportet me Serbinë

    Thirrja e PE-së ndaj Kosovës: Përshpejtoni reformat – normalizoni raportet me Serbinë

    Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të përshpejtojë reformat e nevojshme për afrimin me Bashkimin Evropian dhe të angazhohet më shumë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    PE përmes një shkrimi në platformën X ka vlerësuar se funksionimi i institucioneve është thelbësor për përparimin e Kosovës në agjendën evropiane.

    “Kosova duhet të përshpejtojë reformat dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Parlamenti bën thirrje për një legjislaturë dhe qeveri funksionale për të çuar përpara reformat që lidhen me BE-në dhe për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së si një vend kandidat potencial”, thuhet në postim.

  • 18-vjeçari i lënduar rëndë nga vinçi mbetet në Mjekimin Intensiv, gjendja e tij është stabile

    18-vjeçari i lënduar rëndë nga vinçi mbetet në Mjekimin Intensiv, gjendja e tij është stabile

    Gjendja shëndetësore e 18-vjeçarit që u lëndua të martën në një vendpunishte në Prishtinë, si pasojë e rrëzimit të një vinçi, është stabile.

    Drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, ka deklaruar për KosovaPress se i riu është pranuar në Njësinë e Mjekimit Intensiv pas konsultimeve dhe ekzaminimeve mjekësore, për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.

    “Pacienti është sjellë dje në Qendrën Emergjente, pasi ka pësuar lëndime në vendin e punës. Pas kryerjes së të gjitha ekzaminimeve të nevojshme, ai është transferuar në Njësinë e Mjekimit Intensiv, ku po vazhdon të marrë trajtim mjekësor.Lëndimet janë kryesisht në tri sisteme të mëdha të organeve: në gjoks, bark dhe kocka. Fatmirësisht, parametrat vitalë të pacientit janë stabilë. Ai vazhdon të marrë trajtim mjekësor dhe të monitorohet nga ekipet mjekësore”, tha Uka.

    18-vjeçari u lëndua të martën në një vendpunishte në Prishtinë, pasi mbi të ra një vinç, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

    Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një 20-vjeçar. /kp/

  • Haxhiu: Gjetja e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut, hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

    Haxhiu: Gjetja e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut, hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur konfirmimin e gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky është një zhvillim me rëndësi në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.

    “Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar angazhimin e institucioneve që po punojnë në këtë rast, duke përmendur Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorinë dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë.

    “Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi”, ka theksuar ajo.

    Haxhiu ka bërë të ditur se ky proces do ta ketë mbështetjen e saj të plotë, nga vlerësimi i lokacionit deri te identifikimi i viktimave.

    “Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka përfunduar Haxhiu. /Telegrafi/

  • Grimeri me origjinë shqiptare Kevin Kodra i propozon partnerit të tij në Sicili

    Grimeri me origjinë shqiptare Kevin Kodra i propozon partnerit të tij në Sicili

    Grimeri i njohur me origjinë shqiptare, Kevin Kodra, ka ndarë me ndjekësit e tij një nga momentet më të veçanta të jetës private.

    Ai i ka propozuar për fejesë partnerit të tij, Christian Schiavone, gjatë një momenti romantik në Sicili.

    Propozimi është realizuar në një atmosferë të veçantë, ndërsa Kevin ka publikuar pamje nga ky çast i paharrueshëm në rrjetet sociale, duke shprehur dashurinë dhe emocionet për të.

    Krahas fotografive, grimeri ka shkruar një dedikim prekës për Christian: “Përgjithmonë në krahët e tu, përgjithmonë në ëndrrat e mia. Faleminderit që plotësove çdo ëndërr që as nuk e dija se e kisha. Të dua, bubba”.

    Postimi i Kevin mori shumë urime dhe reagime nga ndjekësit, të cilët e përgëzuan çiftin për këtë kapitull të ri në marrëdhënien e tyre.

     

  • IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

    IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.

    Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Instituti thotë se edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, në disa raste ministria nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare për përfituesit ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me ato që kanë vendosur gjykatat.

    IKD-ja thekson se ka raste kur, edhe pse e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mos marrin përfitimet që u janë njohur me vendim të formës së prerë.

    Po ashtu, sipas institutit, kur gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ministria në disa raste nxjerr sërish vendime refuzuese me të njëjtin arsyetim, pa respektuar udhëzimet dhe qëndrimin juridik të gjykatës.

    IKD-ja ka vlerësuar se kjo praktikë cenon sigurinë juridike, autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e “res judicata”, duke i detyruar qytetarët të ndjekin vazhdimisht procedura të reja administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje.

    “Neni 394 i Kodit Penal e konsideron vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin e një vendimi të plotfuqishëm gjyqësor, për të cilin dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim. Në rrethana të caktuara mund të ngrihen dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim.

    IKD-ja kërkon nga MPFVLÇ që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalë nxjerrjen e vendimeve që bien në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.

    Njëkohësisht, IKD-ja i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet për shkak të dyshimeve për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

  • Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

    Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

    Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku një 20-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër punëtor mbeti i lënduar pas rrëzimit të një vinçi.

    Në reagimin e tij, Inspektorati ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka bërë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet.

    “Inspektorati Qendror i Punës, edhe njëherë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së punëtorit që humbi jetën në aksidentin e ndodhur dje në një kantier ndërtimi në Prishtinë dhe i uron shërim sa më të shpejtë punëtorit të lënduar”, thuhet në njoftim.

    Sipas Inspektoratit, për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet tjera kompetente.

    “Ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe Inspektorati Qendror i Punës është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive”, thuhet në reagim.

    Inspektorati ka sqaruar se kompetencë e tij është mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, sa i përket punëmarrësve, kontraktorëve, nënkontraktorëve dhe personave të tjerë të autorizuar që kanë qasje në kantier.

    “Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, për sigurinë e palëve të treta dhe parandalimin e dëmeve jashtë kantierit, Inspektorati ka bërë të ditur se përgjegjësia bie mbi inspektoratet komunale të ndërtimit.

    “Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse”, thuhet në reagim.

    Inspektorati ka theksuar se në këtë fazë nuk mund të nxirren përfundime përfundimtare për shkakun e aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme.

    “Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka deklaruar Inspektorati.

    Tre persona ndalohen pas aksidentit tragjik në vendpunishte në Prishtinë, Prokuroria nis hetimet

    Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se nëse gjatë hetimeve konstatohen shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, do të ndërmerren masat ligjore brenda kompetencave të tij.

    Në fund, Inspektorati ka kërkuar forcim të koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për lejet ndërtimore dhe mbikëqyrjen e kantiereve, duke bërë të ditur se aktualisht nuk njoftohet në mënyrë sistematike nga komunat për fillimin e punimeve të reja.

    “Për pasojë, planifikimi i mbikëqyrjes inspektuese bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të territorit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit, e jo në një mekanizëm ndërinstitucional të shkëmbimit të të dhënave”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

  • Akuzat për kurdisje, reagon për herë të parë menaxheri i Kristian Prengës

    Akuzat për kurdisje, reagon për herë të parë menaxheri i Kristian Prengës

    Menaxheri i Kristian Prengës, Keith Sullivan, ka reaguar ndaj teorive të përhapura pas humbjes së boksierit shqiptar ndaj Anthony Joshuas, duke mohuar çdo mundësi për ndikim të jashtëm apo marrëveshje të dyshimtë.

    Prenga befasoi shumë tifozë në rundin e parë të duelit në Jeddah, ku e rrëzoi dy herë Joshuan, por më pas britaniku u rikthye fuqishëm dhe fitoi me nokaut teknik në rundin e dytë.

    Pas ndryshimit të madh të paraqitjes së Prengës nga raundi i parë në të dytin, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin teori se diçka nuk kishte shkuar siç duhej.

    Megjithatë, Sullivan i hodhi poshtë këto pretendime.

    “Mund t’i sqarojmë shumë lehtë me një fjalë: e pamundur. Nuk kishte asnjë ndikim të jashtëm”, tha ai për talkSPORT.

    Menaxheri mohoi edhe pretendimin se persona nga organizatorët apo kompanitë e përfshira në event kishin ndërhyrë në këndin e Prengës gjatë meçit.

    “Turki Alalshikh nuk ishte fare në Jeddah. Edhe ideja se dikush nga Sela kishte ardhur në këndin tonë dhe kishte folur me ne, nuk është e vërtetë. Shikoni pamjet, nuk ka ndodhur”.

    Megjithatë, Sullivan zbuloi një detaj të panjohur më parë: Kristian Prenga kishte kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore para përballjes me Joshuan.

    “Kristiani ishte sëmurë rëndë para luftës. Nuk bëri sparing dhe nuk u stërvit për dy javë para se të shkonte në Jeddah. Kishte temperaturë 102 gradë celcius dhe qëndroi tetë ditë në shtrat”.

    Sipas tij, Prenga kishte bërë kontrolle mjekësore dhe ishte menduar se bëhej fjalë për një grip apo lodhje të madhe, por koha e rikuperimit ndikoi në përgatitjet e tij.

    “Në rundin e parë doli dhe e harxhoi gjithë energjinë. Kur nisi raundi i dytë, ai më tha se ndihej sikur ishte kthyer sërish në atë shtrat ku kishte qenë tetë ditë, pa energji dhe duke luftuar për frymë”.

    Në fund, Sullivan theksoi se nuk po kërkon justifikime për humbjen.

    “Nuk po bëj justifikime. Mendoj se ishin pesë minuta e gjysmë nga momentet më emocionuese të boksit që kam parë prej shumë kohësh”.

  • Arrestohet një i mitur në Istog pas videos me armë në rrjetet sociale

    Arrestohet një i mitur në Istog pas videos me armë në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara në komunën e Istogut, që kanë të bëjnë me posedim të paautorizuar të armës dhe posedim të substancave të dyshuara narkotike.

    Në rastin e parë, që lidhet me datën 19 korrik 2026, policia ka bërë të ditur se pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një i mitur shihej duke mbajtur një armë në dorë, njësitet policore kanë zhvilluar hetime dhe kanë arritur ta identifikojnë e arrestojnë të dyshuarin.

    I mituri është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa policia ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore nuk është gjetur asnjë armë. Rasti vazhdon të hetohet.

    Ndërkaq, në një rast tjetër, të hënën rreth orës 20:35, është arrestuar një person tjetër në Istog, pasi gjatë kontrollit në çantën e tij policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, lloji dhe pesha e së cilës nuk janë bërë të ditura.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • Vdekjet misterioze të elefantëve, nxisin hetim urgjent në Kenia

    Vdekjet misterioze të elefantëve, nxisin hetim urgjent në Kenia

    Në Kenia ka nisur një hetim urgjent lidhur me vdekjet misterioze të 15 elefantëve, pranë Parkut Kombëtar Amboseli.

    Shërbimi i Kafshëve të Egra të Kenisë (KWS) i tha BBC-së se ekspertët po shqyrtonin kufomat dhe se mostra të indeve ishin dërguar në laboratorë për të përcaktuar nëse vdekjet ishin shkaktuar nga ndonjë sëmundje, helmim apo faktor tjetër, shkruan BBC.

    Parku dhe zonat përreth tij njihen si ekosistemi Amboseli, një zonë e gjerë që shtrihet përgjatë kufirit me Tanzaninë dhe që shquhet për botën e saj të egër.

    Autoritetet thonë se kjo është hera e parë në dekada që regjistrohen vdekje të elefantëve në këto përmasa në rajonin ku është luftuar me sukses gjuetia e paligjshme.

  • Temperaturat e larta shtojnë rastet me infarkte, mjekja: Mbi 50 vjeç grupmosha më e prekur

    Temperaturat e larta shtojnë rastet me infarkte, mjekja: Mbi 50 vjeç grupmosha më e prekur

    Goditjet në zemër dhe ato në tru kanë pësuar rritje në këtë periudhë të nxehtë në Gjirokastër.

    Shefja e urgjencës Jona Leka thotë se shifrat në të dyja rastet kanë qenë pothuajse të njëjta dhe pacientet kanë marrë trajtim të menjëhershëm, shkruan rtsh.al.

    Sigurisht që temperaturat e larta kanë pasur ndikim të madh, por Leka vendos theksin te kujdesi i vazhdueshëm që duhet treguar për shëndetin kryesisht nga ata që kanë hasur më parë problematika me zemren dhe trurin.

    “Grupmosha më e shpeshtë, e cila vërehet se preket nga këto lloj sëmundjesh, është ajo mbi 50 vjeç. Natyrisht, faktorët e riskut janë të shumtë, por të lidhur kryesisht me stilin e jetesës, trashëgiminë, temperaturat e larta të ambientit dhe me kontrollet shëndetësore, specifikisht kontrollet rutinë, të cilat nuk janë të realizuara në kohë”, tha mjekja.

    Gjatë muajve qershor dhe korrik në spitalin rajonal “Omer Nishani” janë konfirmuar 20 raste infarkti dhe goditje në tru, ndërsa të tjerë po nga Gjirokastra madje në shifra më të larta janë konfirmuar dhe trajtuar në spitale terciare.