ATV

Author: G.O.

  • Reagimet pasi Supremja liroi të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

    Reagimet pasi Supremja liroi të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

    Naser Pajazitaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, është liruar nga akuza për vrasje me vendim të Gjykatës Supreme.

    “Kolegji penal i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, tha zëdhënësja në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

    Me vendimin nuk po pajtohen familjarët e Donjetës, të cilët edhe hedhin akuza drejt Supremes.

    Pas vendimit për lirimin, reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    “Sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza. Ja pse reformat që kemi nisur si Ministri e Drejtësisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha Haxhiu.

    Në fakt, Naser Pajazitaj si i dyshuari i vetëm, krejt në fillim të gjykimit, ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Pejës për shkak të mungesës së provave.

    Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Pas këtij procesi, Pajazitaj u dënua prapë me burgim të përjetshëm, por rasti u kthye sërish në rigjykim.

    Pastaj nga gjykata e Pejës rasti kaloi në atë të Ferizajt, e cila po ashtu në maj të vitit 2021, e shpalli fajtor dhe e dënoi sërish me burgim të përjetshëm.
    Rasti, për herë të katërt u kthye në rigjykim, por vendimi ishte i njëjtë, në qershor të 2022-tës, Pajazitaj u dënua me burg të përjetshëm sërish.

    Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vrarë me dy plumba, në Strellc të Deçanit, në nëntor të 2015-s, pas disa javësh që ishte shpallur e zhdukur. /atvlive.tv/