ATV

Author: G.O.

  • ​Nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare, automjetet ushtarake “Made in Albania” do të eksportohen në 30 shtete

    ​Nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare, automjetet ushtarake “Made in Albania” do të eksportohen në 30 shtete

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se vendi ka prodhuar automjetet e para ushtarake “Made in Albania”, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s.

    Rama në një postim në Facebook shkruan se kompania TIMAK DEFENCE e cila do të plotësojë të gjitha nevojat e ushtrisë shqiptare brenda 30 muajsh, ka lidhur marrëveshje me 30 vende për eksportin e automjeteve.

    “Mirëmëngjesi… dhe me krenarinë e prodhimit të parë MADE IN ALBANIA të automjeteve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, ndërkohë që kompania TIMAK DEFENCE e cila do të plotësojë të gjitha nevojat e ushtrisë shqiptare brenda 30 muajsh, ka lidhur marrëveshje me 30 vende për eksportin e tyre, ju uroj fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

    Ndryshe, një ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur 31 korrikun ditë historike për ‘rilindjen’ e industrisë ushtarake, gjersa njoftoi prodhimin e 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s. /Telegrafi/

     

  • 41 të vdekur nga kalimi masiv i emigrantëve nga Maroku në Ceutë

    41 të vdekur nga kalimi masiv i emigrantëve nga Maroku në Ceutë

    Të paktën 41 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur në enklavën spanjolle të Ceutës, pasi rreth 50 mijë emigrantë hynë në territor nga Maroku brenda pak orësh, duke shkaktuar një krizë humanitare dhe politike në Spanjë.

    Shumica e emigrantëve mbërritën duke notuar nga Maroku ose duke kaluar gardhin kufitar, duke e zënë në befasi qytetin me rreth 85 mijë banorë.

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili vizitoi Ceutën të premten, e cilësoi situatën si “një shkelje të integritetit territorial të Spanjës” dhe deklaroi se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në territor.

    Sanchez ia atribuoi fluksin masiv “mafias së trafikimit të qenieve njerëzore”, duke thënë se ato kanë përfituar nga një vendim i fundit i Gjykatës Supreme të Spanjës lidhur me trajtimin e emigrantëve të ndaluar në det.

    Ai njoftoi gjithashtu krijimin e një qendre të përkohshme pritjeje për dokumentimin, regjistrimin, triazhin dhe dëbimin e përshpejtuar të personave që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në Spanjë.

    Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, rreth 25 mijë persona janë kthyer vullnetarisht në Marok gjatë së premtes.

    Ngjarja tejkalon kalimin masiv të majit 2021, kur rreth 10 mijë persona hynë në Ceuta brenda dy ditësh. Kriza e atëhershme lidhej me tensionet diplomatike mes Spanjës dhe Marokut për çështjen e Saharasë Perëndimore.

  • Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë

    Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë

    Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi i vunë zjarrin hamulloreve në dy raste të ndara në territorin e Klinës, raporton Sinjali.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur më 30 korrik 2026, rreth orës 11:00, kur Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informacion për një zjarrvënie në fshatin Caravik.

    “Me datën 30.07.2026 rreth orës 11:00, Stacioni Policor Klinë, ka pranuar informacion lidhur me një zjarrvënie në fshatin Caravik-Klinë. Njësitet relevante menjëherë kanë dalë nё vendin e ngjarjes, ku prezent ishte edhe njësia e zjarrfikëseve – Klinë, tё cilët kishin intervenuar në rast. Kundërvajtësi (njëkohësisht pronari i tokës), ka pranuar se i kishte djegur hamulloret, pas korrjes sё grurit. Lidhur me këtё rast është njoftuar prokurori i Shtetit dhe me udhëzim tё prokurorit shkresat e lëndës të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundёrvajtёsit ёshtё shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit nё fuqi”, thuhet në njoftim.

    Rasti i dytë është raportuar po atë ditë, rreth orës 15:25, kur Policia në Klinë ka pranuar informatë për një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc.

    “Me datën 30.07.2026, rreth orës 15:25, Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informatë lidhur me një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc-Klinë. Njësitë policore kanё dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka vërejtur se ishin duke u djegur hamulloret në një sipërfaqe prej rreth 2-3 hektarësh. Në atë pjesë të tokës janë hasur edhe 3 (tre) traktorë duke bёrё lavër. Zjarri kishte përfshirë një pjesë të arës, sipërfaqe e cila paraprakisht ishte lëvruar. Zjarri është lokalizuar dhe fikur në tërësi. Nё vendin e ngjarjes njё qytetar nga fshati Gllarevë Klinë, i cili ka pranuar se është pronar i tokës dhe se ai ia ka vënë zjarrin hamulloreve me qëllim të pastrimit të pronës së tij. Lidhur me këto që u thanë më lart është njoftuar prokurorja kujdestare e Shtetit dhe me udhëzim tё prokurorit shkresat e lëndës do të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundёrvajtёsit ёshtё shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit nё fuqi”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre që, në çfarëdo forme, rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve.

    Njëkohësisht, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të rajonit të Pejës që të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarr, përfshirë përdorimin e shkrepëseve, cigareve, grilave apo ndezjen e zjarreve në natyrë.

  • Fushë-Kosova hap rrugën për ndërtimin e stadiumit modern të Atletikës

    Fushë-Kosova hap rrugën për ndërtimin e stadiumit modern të Atletikës

    Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka miratuar propozimin për ndarjen e parcelës kadastrale ku do të ndërtohet Stadiumi i ri i Atletikës, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Kosovë.

    Stadiumi modern do të ndërtohet në fshatin Miradi e Poshtme dhe pritet të krijojë kushte bashkëkohore për stërvitje dhe gara, duke u bërë shtëpia e re e atletëve kosovarë dhe një qendër për zhvillimin e talenteve të rinj.

    Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Fushë Kosovës, Ylber Kelmendi, e ka cilësuar këtë si një lajm shumë të rëndësishëm për atletikën dhe sportin në përgjithësi.

    “Sot, në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, u votua me sukses propozimi për ndarjen e parcelës kadastrale për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës. Ky projekt madhor do të shërbejë si një qendër moderne dhe shtëpi e re për atletët tanë, duke krijuar kushte për zhvillimin e talentit dhe arritjen e sukseseve të reja në arenën kombëtare e ndërkombëtare”, ka deklaruar Kelmendi.

    Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij hapi të rëndësishëm.

    “Shprehim një falënderim të veçantë për Kryetarin e Komunës, Valon Prebreza, dhe Kryetarin e Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, për angazhimin e tyre të pandalshëm dhe insistimin që ky investim strategjik të realizohet pikërisht në komunën tonë. Faleminderit edhe të gjithë asamblistëve që votuan pro”, ka përfunduar ai.

  • ShBA dhe Irani ulen në tryezë dhe i’u kthehen negociatave, Trump: Bisedime të mira

    ShBA dhe Irani ulen në tryezë dhe i’u kthehen negociatave, Trump: Bisedime të mira

    Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime konstruktive me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje për uljen e tensioneve. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, sulmet ajrore amerikane do të rifillojnë.

    Sipas Tramp, kërkesa e Teheranit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve është rezultat i presionit të ushtruar nga sulmet e fundit amerikane.

    Ndërkohë, Uashingtoni ndërpreu të shtunën fushatën dyjavore të sulmeve ajrore ndaj Iranit, një vendim që shënon një tjetër ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e administratës amerikane gjatë konfliktit që ka zgjatur pesë muaj.

    Autoritetet saudite njoftuan se mbrojtja ajrore rrëzoi disa dronë që kishin në shënjestër objektet e naftës. Sipas Riadit, ata ishin lëshuar nga territori i Irakut nga një milici e mbështetur nga Irani. Arabia Saudite deklaroi se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve, shkruan Abcnews.al.

    Pezullimi i operacioneve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u prit pozitivisht nga tregjet financiare. Çmimi i naftës bruto ra me më shumë se 6 %, duke zbritur nën nivelin e 90 dollarëve për fuçi.

  • PDK konfirmon se do të mbetet në opozitë, Çitaku: Nuk ka bashkëqeverisje me LVV-në

    PDK konfirmon se do të mbetet në opozitë, Çitaku: Nuk ka bashkëqeverisje me LVV-në

    Pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përfaqësuesja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku deklaroi se kjo parti do të mbetet në opozitë, duke përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

    Duke folur për zgjedhjen e presidentit, ajo tha se kjo çështje nuk duhet parë si një “vend pune”, por si një proces që ndikon drejtpërdrejt në vazhdimësinë e qeverisjes.

    “Siç e dini, sot është mbajtur njw takim për seancë konstituive, Partia Demokratike e Kosovës ka pozicion të qartë politik: ne do të jemi në opozitë, mirëpo po ashtu jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen në mënyrë që të fillojnë të adresojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës. Kaq. Sot jam për të folur vetëm për seancën konstituive. PDK-ja do të jetë në opozitë. Jemi vite larg me Lwvizjen Vetëvendosjes, përveç nëse nuk përqendrohemi te kjo e qartë. Kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë për sa i përket konstituimit të institucioneve dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por jo në bashkwqeverisje. Ndërkohë që opozita ka arritur për këtë kohë, ne ende duke diskutuar për të qenë në opozitë. Çështja e presidentit nuk është një vend pune. Zgjedhja e presidentit mundëson a i mundëson qeverisje kësaj qeverie. Për ne po ashtu është i rëndësishëm presidenti, është raporti me Shtetet e Bashkuara, gazsjellësi amerikan, sektori privat, liria e medias, sundimi i ligjit e edukata, ka shumë çështje rreth të cilave ne kemi dallime të thella. Dhe zgjedhja e presidentit i mundëson Lëvizjes Vetëvendosje edhe një qeverisje katër vite”, tha ajo.

  • Fillon procesi gjyqësor për të dyshuarit për masakrën e Reçakut, lexohet aktakuza me të akuzuarit në mungesë

    Fillon procesi gjyqësor për të dyshuarit për masakrën e Reçakut, lexohet aktakuza me të akuzuarit në mungesë

    Ka filluar gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për kryerjen e masakrës së Reçakut, ku u vranë 42 civilë shqiptarë më 15 janar 1999.

    Sipas aktakuzës për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, akuzohen: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

    Prokurori special, Ilir Morina tha se në këtë rast janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj të akuzuarve, raporton kp.

    “Parashihen kushtet ligjore të cilat duhet të plotësohen para se të ngritet aktakuza në mungesë dhe ato kushte janë thirrja, urdhërarresti, kërkimi i adresës së të pandehurve në territorin e Kosovës dhe fletrreshtim kombëtar dhe ndërkombëtar. Në rastin konkret prokurori i ka plotësuar këto kushte për ngritje të aktakuzës në mungesë. Në këtë drejtim ne kemi dërguar gjatë vitit 2021 përmes ndihmës juridike ndërkombëtare mbi bazën e një ligji i cili në atë kohë ka qenë por nuk kemi pranuar as një përgjigje, Në bazë të kësaj, gjyqtari i procedurës parapake ka lëshuar urdhërarrest për të pandehurit. Kushti i tretë, kërkimi i adresës dhe nga raporti i policisë – rrjedh që asnjëri nga të pandehurit nuk gjenden në adresat e kohës së paraluftës ku kanë jetuar dhe në territorin e Kosovës…”, tha ai.

    Edhe kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra, tha se Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve, përfshirë publikimin e njoftimeve dhe thirrjeve në ueb-faqen e gjykatës, të Prokurorisë së Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare, si dhe kërkimin e adresave përmes komunave dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Ajo bëri të ditur se, meqë nuk është arritur të sigurohet prania e tyre dhe gjykata është bindur se janë bërë përpjekje të mjaftueshme, andaj është marrë aktvendim qe gjykimi për krime lufte të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi janë përmbushur kushtet ligjore.

    “Nuk prezantojnë të pandehurit e lartcekur për të cilët gjykata themelore në Prishtinë me qëllim të përmbushjes ka ndërmarrë veprime si në vijim: në uebin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me datë 20.05.2026, në ueb faqen e prokurorisë së shtetit dhe në gazetës zyrtare të Kosovës me datën e njëjtë u publikua njoftimi për mbajtjen e kësaj seance si dhe ftesa për këtë seancë, aktakuza si dhe thirrja për të gjithë personat që mund të kenë informata për vendosjen e të pandehurve që të njoftojnë policinë e Kosovës”, tha ajo.

    Më pas, prokurori special Morina lexoi aktakuzën, sipas së cilës 21 të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe forcave policore serbe, akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në Reçak të Shtimes.

    Fillimisht ai i përmendi njësitë ku ata bënin pjesë.

    “Në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje dhe individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘243 të Mekanizuar’, Armatës së III-të e quajtur ‘Korpusi i Prishtinës’, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si ‘PJP’, Njësitë Speciale Antiterroriste të njohura si ‘SAJ’, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si ‘RDB’, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si ‘RJB’ dhe Njësitë Rezervë”, tha ai.

    Prokurori lexoi emrat dhe funksionet e të gjithë 21 të akuzuarve, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të MUP-it, komandantë të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe pjesëtarë të njësive speciale dhe rezervë.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të pasurisë civile gjatë operacionit në Reçak më 15 janar 1999.

    “Kanë shkelur rëndë të drejtat elementare duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë në atë mënyrë që në një vrasje me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak. Rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht garantuan nga distanca prej vendeve të njohura si ‘Pishat’, ‘Gështenjat’, ‘Çesta’ dhe ‘Guri i Shpum’, pastaj me automjete të blinduara hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi.

    Me këtë rast, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin, të cilit pastaj ia presin kokën, kurse në vendin e quajtur ‘Vrella’, i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin. Në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij, Hajriz Jakupin. E në afërsi të shtëpisë së Zyk Mustafës, i vrasin Skender Halilin dhe Hanumshahe Mujotën. Vazhduan në drejtim të lagjes ‘Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie në drejtim të tyre, duke vrarë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur: Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri. Në vazhdim të operacionit policor e ushtarak, të akuzuarit hynë në lagjen ‘Emini’, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe vranë vëllanë e tij, Ajet Eminin, që të dy civilë. Më pas, në vendin e quajtur ‘Çeshma’ i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli”, tha ai.

    Pas leximit të aktakuzës, gjyqtarja Namani-Hajra tha se, për shkak se të akuzuarit gjykohen në mungesë, deklarimet për fajësinë nuk mund të merren në këtë fazë të procedurës. /kp/

  • Shtrenjtohet nafta, këto janë çmimet e reja të derivateve

    Shtrenjtohet nafta, këto janë çmimet e reja të derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.74 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me ditën e djeshme.

    Benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.51 euro për litër, ndërsa çmimi i gazit është përcaktuar në 0.60 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Takimi Kurti–Abdixhiku pritet të mbahet së shpejti

    Takimi Kurti–Abdixhiku pritet të mbahet së shpejti

    Shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se janë dakorduar që seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të mbahet më 6 gusht.

    Pas takimit të kryetares së Kuvendit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, Nagavci tha se LVV është e gatshme që të përfundojë procesi i konstituimit të institucioneve dhe të nisë puna me kompetenca të plota.

    Duke komentuar zhvillimet pas Kuvendit të LDK-së dhe gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, Nagavci tha se ky vendim është i mirëpritur.

    Ajo deklaroi se pritet që diskutimet mes Kurtit dhe Abdixhikut të vazhdojnë në afatin më të shkurtër të mundshëm, por mohoi se tashmë ekziston një marrëveshje mes dy partive.

    “Nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në. Deri tani nuk ka asnjë dakordim për pozita të caktuara”, tha Nagavci.

    Sipas saj, prioriteti është që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale dhe të vazhdojë puna në interes të qytetarëve.

  • 58 të vdekur nga aksidentet në trafik në periudhën janar-korrik, policia bën thirrje për kujdes

    58 të vdekur nga aksidentet në trafik në periudhën janar-korrik, policia bën thirrje për kujdes

    Policia e Kosovës ka publikuar një grafikë përmes së cilës tregon për numrin e të vdekurve në aksidente rrugore përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti.

    Policia tha se 58 persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve.

    Në këtë grafikë, policia bën thirrje për kujdes e për respektim të rregullave në komunikacion.