ATV

Author: G.O.

  • Nis operacioni për zhvarrosjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok

    Nis operacioni për zhvarrosjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok

    Institucionet e Kosovës kanë nisur veprimet për zhvarrosjen, autopsinë dhe identifikimin e mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta ka konfirmuar se operacioni po zhvillohet në kuadër të një urdhri gjyqësor, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

    Sipas saj, institucionet relevante janë duke zbatuar procedurat për ekshumim, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore, ndërsa deri më tani nuk janë dhënë detaje lidhur me identitetin e mundshëm të personave apo rrethanat që lidhen me rastin.

    Autoritetet pritet të japin më shumë informacione pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe procedurave mjeko-ligjore.

  • Përgatitjet për konstituimin e Kuvendit, partitë politike takohen të premten

    Përgatitjet për konstituimin e Kuvendit, partitë politike takohen të premten

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thirrur në takim liderët e subjekteve politike për të diskutuar përgatitjet për konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit.

    Takimi është caktuar të mbahet të premten, më 31 korrik, në sallën C-301 të Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 11:00.

    Sipas njoftimit, në fokus të diskutimit do të jetë organizimi dhe hapat e nevojshëm para mbajtjes së Seancës Konstituive të Kuvendit të ri.

     

     

  • Eksperti i ADN-së dëshmon në rastin “Ibër-Lepenc”: Analizat u kryen në Prishtinë, rezultatet u dërguan në Itali për interpretim

    Eksperti i ADN-së dëshmon në rastin “Ibër-Lepenc”: Analizat u kryen në Prishtinë, rezultatet u dërguan në Itali për interpretim

    Dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka deklaruar se ekspertiza e ADN-së në rastin e sulmit ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” është realizuar në laboratorët vendorë, ndërsa rezultatet janë dërguar në Itali për interpretim për shkak të mungesës së një softueri të specializuar.

    Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ademi sqaroi se mostrat nuk janë analizuar në Itali, por vetëm janë dërguar rezultatet e përpunuara për një vlerësim shtesë profesional.

    “Ekspertiza është kryer në laboratorin e Prishtinës. Në Itali janë dërguar rezultatet për interpretim për shkak të mungesës së softuerit që nevojitet për analiza të caktuara”, deklaroi Ademi.

    Ai bëri të ditur se provat janë pranuar përmes procedurave zyrtare dhe janë trajtuar sipas rregullave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

    Sipas tij, gjatë punës në këtë rast janë analizuar rreth 50 prova të ADN-së, ndërsa shtatë prej tyre kanë qenë të mbledhura drejtpërdrejt nga vendi i shpërthimit. I pyetur nëse në këto prova ishte gjetur përputhje me të pandehurin Dragisha Viqentijeviq, Ademi tha se një gjë e tillë nuk ishte konstatuar.

    Rasti lidhet me sulmin ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” në nëntor të vitit 2024, ku Prokuroria Speciale pretendon se një grup personash ka vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në afërsi të infrastrukturës kritike në Zubin Potok.

    Sipas aktakuzës, dëmtimi i kanalit kishte rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë, ndërsa dëmi material është vlerësuar në mbi 376 mijë euro.

    Për këtë rast akuzohen vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët përballen me akuza për vepra që lidhen me rrezikimin e rendit kushtetues, terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje. Të akuzuarit kanë mohuar përgjegjësinë për veprat që u ngarkohen.

  • Zjarret dhe i nxehti ekstrem mbajnë Francën dhe Spanjën në alarm

    Zjarret dhe i nxehti ekstrem mbajnë Francën dhe Spanjën në alarm

    Zjarrfikësit në Francë dhe në Spanjë vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret masive pyjore që kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Të dyja vendet po përgatiten, po ashtu, për një valë të re të të nxehtit që pritet ta përkeqësojë situatën nga e mërkura.

    Në Francë, zjarrfikësit arritën ta frenojnë përhapjen e zjarrit pranë qytetit të Bordosë gjatë natës.

    Në Spanjë, autoritetet lejuan banorët e nëntë prej 11 qyteteve të evakuuara në provincën Toledo, të kthehen në shtëpitë e tyre.

    Megjithatë, zjarret vazhdojnë të djegin hapësira jashtë kontrollit në rajonin e Madridit dhe në provincat fqinje Avila dhe Toledo.

    Një banor i evakuuar nga zjarret në Spanjë e përshkroi situatën si “një ferr të kuq”, duke thënë se njerëzit u larguan me nxitim, duke marrë me vete vetëm rrobat që kishin veshur, raporton Reuters.

  • Presidenti Begaj takon ministrin kroat, vlerëson mbështetjen për Shqipërinë dhe Kosovën

    Presidenti Begaj takon ministrin kroat, vlerëson mbështetjen për Shqipërinë dhe Kosovën

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis dy vendeve, si edhe forcimin e partneritetit strategjik.

    Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.

    Kreu i Shtetit falënderoi Kroacinë për avokatinë e vazhdueshme që i bën Shqipërisë dhe procesit integrues të saj në të gjitha tryezat ndërkombëtare dhe mori edhe një herë sigurinë dhe gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të vijuar me mbështetjen në çdo aspekt të këtij procesi, shkruan TvKlan.

    Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës dhe vlerësoi se bashkëpunimi ynë mbetet i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

  • Defekt në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Prishtinës mbesin pa ujë

    Defekt në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Prishtinës mbesin pa ujë

    Një defekt i madh në rrjetin e ujësjellësit ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të Prishtinës.

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të prishjes në afërsi të lagjes “Dardania”, furnizimi me ujë është ndërprerë për banorët e lagjes Dardani, Lakrishtë, si dhe për një pjesë të rrugës “Bill Clinton”.

    Ekipet teknike të kompanisë janë angazhuar në terren për identifikimin dhe riparimin e defektit, ndërsa pritet që furnizimi të rikthehet pas përfundimit të punimeve.

    Nga KRU “Prishtina” kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe kanë bërë të ditur se do të punojnë për normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes.

     

  • Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren

    Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren

    Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim të akuzuarin Shaqir Lutvija, lidhur me akuzën për krime lufte në Prizren.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, dhe anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi Krasniqi tha se në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar.

    I akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 400 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh përmes kësaj Gjykate në Gjykatën e Apelit.

    Prezent në sallë qenë prokurori Armend Zenelaj dhe i akuzuari Shaqir Lutvija me mbrojtësen e tij, avokaten Jovana Filipoviq.

    Themelorja më 11 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lutvija, duke e dënuar me 10 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 23 qershorit 2026 e ktheu lëndën në rigjykim.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohej se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

    Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

    Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

    Me këtë, Lutvija akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

     

  • Gjykata shpall të pafajshëm Sami Lushtakun dhe shtatë të akuzuarit në rastin “Drenica 1”

    Gjykata shpall të pafajshëm Sami Lushtakun dhe shtatë të akuzuarit në rastin “Drenica 1”

    Gjykata Themelore ka liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës Sami Lushtakun dhe shtatë të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si “Drenica 1”.

    Vendimi është shpallur të martën, duke i dhënë fund procesit gjyqësor ndaj Sami Lushtakut, Rrustem Rrukollit, Ismet Haxhajt, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit.

    Ata akuzoheshin për vepra penale që lidhen me ndikimin ndaj dëshmitarëve, pengimin e procedurës penale dhe pjesëmarrjen në grup të organizuar kriminal.

    Gjatë gjithë procesit gjyqësor, të akuzuarit kanë mohuar përgjegjësinë për veprat që u viheshin në barrë.

    Me vendimin e Gjykatës Themelore, të gjithë të akuzuarit janë liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës, duke u shpallur të pafajshëm në këtë rast.

     

  • Arrestohen dy persona në Zubin Potok, dyshohen për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999

    Arrestohen dy persona në Zubin Potok, dyshohen për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999

    Dy persona janë arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit, meshkuj kosovarë, dyshohet se gjatë muajit prill të vitit 1999 kanë kryer krime ndaj popullatës civile, ku si pasojë janë vrarë 23 civilë shqiptarë.

    “Si rezultat i veprimeve policore, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se gjatë luftës në vitin 1999 kanë kryer krime ndaj popullatës civile, ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. /Telegrafi/

  • I plagosuri nga të shtënat në Prishtinë jashtë rrezikut për jetë

    I plagosuri nga të shtënat në Prishtinë jashtë rrezikut për jetë

    Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.

    Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se për incidentin dyshohen dy vëllezër, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në zhvillim.

    Lidhur me gjendjen e të plagosurit, drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha se ai fillimisht ka marrë trajtim në Qendrën Emergjente, e më pas është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdimin e trajtimit.

    “Po, është trajtuar në Qendrën Emergjente dhe, pas trajtimit të marrë aty, është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të tretmanit”, deklaroi Syla.

    Ai shtoi se, pas ndërhyrjeve të para mjekësore, gjendja shëndetësore e pacientit është stabile.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës po vazhdon veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e plagosjes dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë ndaj të dyshuarve.