ATV

Author: G.O.

  • Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, policia jep detaje

    Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, policia jep detaje

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj 24-orësh, ka njoftuar për pesë raste të dhunë në familje që janë raportuar gjatë ditës së djeshme.

    Këto raste, njoftohet se kanë ndodhur në Podujevë, Fushë Kosovë, Deçan dhe Gjakovë.

    Po ashtu, nga policia është shtuar se lidhur me rastet janë arrestuar pesë persona.

    Raporti:

    DHUNË NË FAMILJE

    Podujevë, 03.08.2026 – 03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje

    Fushë Kosovë 03.08.2026–10:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Podujevë 03.08.2026–11:30. Viktima femër kosovare ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar.

    DHUNË NË FAMILJE

    Deçan 02.08.2026–21:00. Janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare pasi që ishin fjalosur në mes vete. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Gjakovë, 03.08.2026 – 00:30. Ankuesja kosovare ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari nga INTERPOL-i

    Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari nga INTERPOL-i

    Një shtetas kosovar i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar nga INTERPOL-i është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas policisë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 4 gusht ekstradimin e personit me inicialet K.B.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

    Policia bëri të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës.

    Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar.

  • Përleshje mes tre personave në Podujevë, përdoren shufra druri e metali

    Përleshje mes tre personave në Podujevë, përdoren shufra druri e metali

    Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.

    Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 18:10 në Podujevë. Gjatë incidentit, dy nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Policia ka bërë të ditur se nga të dyshuarit janë konfiskuar një shufër druri dhe një shufër metali, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë rastit.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet i dyshuari, në gjendje të dehur sulmoi policin në Lipjan

    Arrestohet i dyshuari, në gjendje të dehur sulmoi policin në Lipjan

    Një person është arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka sulmuar një zyrtar policor që ishte në detyrë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur të hënën pas mesnatës në Lipjan dhe u iniciua si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

    Polici dhe i dyshuari kanë pranuar trajtim mjekësor.

    “Lipjan / 03.08.2026 – 00:45. Raportohet se i dyshuari mashkull me shtetësi të huaj në gjendje të dehur, ka sulmuar zyrtarin policor që ishte në detyrë. Zyrtari policor është dërguar për trajtim mjekësor. Po ashtu edhe i dyshuari për shkak të gjendjes së dehur është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

  • Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit njoftoi se të martën (më 4 gusht) do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet me mbi 20 tonë.

    Vendimi u mor bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave.

    “Në autoudhë kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë”, thuhet në njoftim.

    Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    “Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

    Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi lejohet pa kufizime.

  • Ky është afati i fundit për aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

    Ky është afati i fundit për aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

    Deri më 9 gusht është afati i fundit për aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë (1–9).

    Ministria ka njoftuar të gjithë prindërit dhe kujdestarët se aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur për një periudhë prej dy javësh: 27 korrik – 9 gusht 2026.

    Subvencionimi përfshin blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

    Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit. “Para se të aplikoni, ju lutemi sigurohuni që: – xhirollogaria juaj bankare është aktive dhe e saktë; – të dhënat tuaja në eKosova janë të përditësuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Aplikimi thuhet se do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës.

    “Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkolla të Republikës së Kosovës, Ministria do t’ia dorëzojë Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në eKosova për aplikim.

    1.        https://rks-gov.net/469   –  APLIKIM – (Klasat 1 deri 5)

    2.        https://rks-gov.net/471   –  APLIKIM – (Klasat 6 deri 9)

  • Zjarret në Washington detyrojnë 65 mijë persona të evakuohen

    Zjarret në Washington detyrojnë 65 mijë persona të evakuohen

    Zjarret e mëdha që kanë përfshirë zonën e Spokane në shtetin amerikan të Washingtonit kanë detyruar rreth 65 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mbi 700 objekte janë shkatërruar.

    Autoritetet kanë angazhuar më shumë se 1 mijë zjarrfikës, por flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Një 37-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa thatësira, temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike po e bëjnë sezonin e zjarreve në perëndim të SHBA-së gjithnjë e më të gjatë dhe më shkatërrues.

  • Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë sot një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.

    Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    “Po, në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se 6 gushti duhet t’i gjejë partitë e përgatitura për formim të institucioneve.

    “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.

    Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës së re.

    Por para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Kurti, ka nisur përpjekjet për të krijuar një dakordim mes subjekteve politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

    Ai ka ftuar në takim liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me synimin për të diskutuar mundësinë e arritjes së një konsensusi për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

    LDK pranoi ftesën e Kurtit

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur për liderët politikë.

    Prania e LDK-së në këtë takim shihet si një mundësi për të zhvilluar diskutime mes partive për hapat e ardhshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.

    PDK refuzoi pjesëmarrjen

    Ndryshe nga LDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

    Në përgjigjen e tij ndaj ftesës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka rikonfirmuar qëndrimin e kësaj partie se në rrethanat aktuale do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

    Hamza ka thënë se pret që Vetëvendosje, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend, të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

    AAK nuk merr pjesë në takim

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga Kurti.

    AAK, njësoj sikurse PDK, ka mbajtur qëndrimin se do të vazhdojë të veprojë nga opozita, duke mos u përfshirë në përpjekjet për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

    Ftesa e Kurtit për partitë politike vjen në një kohë kur pritet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një hap i domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

  • Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qëndruar sot në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, aty ku kryhen gërmime me dyshimet për varrezë masive.

    Kurti theksoi se gërmimet mund të vazhdojnë ndoshta edhe me muaj, pasi eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi.

    “Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta heshtin e zhdukin, bërtet dhe sa ishim ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, ka thënë Kurti.

    Ai falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzinkës, antropologët dhe përfaqësuesit e EULEX-it për punën që po e bëjnë, ndërsa tha se e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit të Kosovës.

    “…E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit në mënyrë që ankthi, vuajta e familjeve të cilët ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marr fund edhe për këto familje, për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta dhe më në fund të munden që në paqe dhe të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e 1999 vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

    Kryeministri tutje theksoi se duhet të priten analizat e ADN-së, por sipas tij me shumë gjasë bëhet fjalë për shqiptarët e njohur si Grupi i Intelektualëve, ku 23 persona më 19 prill u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat e Serbisë.

    “… u rrëmbyen, u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor por u orvaten që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre, andaj në këtë vend që po e shihni se deri tek varreza masive nuk arrihet me veturë ta varrosin të vërteten e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri në detyrë tha më tej se gërmimet do të vazhdojnë me javë, ndoshta edhe për shumë muaj meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi. /Telegrafi/

  • Kurti i bën thirrje ShBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës

    Kurti i bën thirrje ShBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.

    Gjatë vizitës në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti tha se, në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

    Sipas tij, në Serbi po arrestohen njerëz nën akuza për spiunazh vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

    Kurti përmendi edhe dosjen e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

    “Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, deklaroi ai.

    Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të angazhohen për deklasifikimin e këtyre dokumenteve, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar Kurti.