ATV

Author: G.O.

  • Të paktën 35 mijë vdekje janë regjistruar në Evropë gjatë valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit

    Të paktën 35 mijë vdekje janë regjistruar në Evropë gjatë valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit

    Të paktën 35 mijë persona më shumë se zakonisht kanë vdekur në Evropë gjatë katër valëve rekord të njëpasnjëshme të të nxehtit këtë verë, sipas të dhënave paraprake nga vetëm rreth gjysma e kontinentit.

    Vetëm në Gjermani, Francë dhe Spanjë, numri i vdekjeve të tepërta ka kaluar tashmë 25 mijë, ndërsa ekspertët thonë se shifra pritet të rritet ndjeshëm pasi të përpunohen të dhënat e muajit gusht.

    Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit që kanë përfshirë Evropën Perëndimore që nga maji kanë thyer rekorde historike të temperaturave në qindra stacione meteorologjike. Franca, ndërkohë, regjistroi ditën me temperaturën mesatare kombëtare më të lartë në historinë e saj.

    Në Gjermani, temperaturat kaluan 40°C në 46 stacione gjatë fundit të qershorit, ndërsa në Spanjë temperaturat mbi 42°C u regjistruan për periudha të gjata. Shkencëtarët thonë se ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën këto ngjarje ekstreme më të shpeshta dhe më intensive.

    Gjermania ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve, me rreth 14 mijë persona të vdekur si pasojë e të nxehtit nga 6 prilli deri më 9 gusht. Vetëm gjatë javës 22–28 qershor, Instituti Robert Koch vlerëson se rreth 9,600 persona kanë humbur jetën.

    Në Spanjë, të dhënat e institutit shëndetësor Carlos III tregojnë se 4,947 vdekje mund t’i atribuohen të nxehtit nga maji deri në javën e fundit. Kjo e bën vitin 2026 vitin më të rëndë për vdekjet e lidhura me temperaturat e larta në Spanjë, duke tejkaluar rekordin e vitit 2022 prej 4,520 vdekjesh.

    Edhe vende të tjera evropiane kanë raportuar rritje të ndjeshme të vdekshmërisë. Në Angli janë vlerësuar 2,877 vdekje të lidhura me të nxehtin gjatë valëve të majit dhe qershorit. Belgjika raportoi 1,222 vdekje të tepërta, ndërsa në Holandë të paktën 900 persona më shumë se zakonisht kanë vdekur gjatë periudhës 22 qershor–5 korrik.

    Polonia ka regjistruar rreth 1,070 vdekje të tepërta gjatë valës së të nxehtit në fund të qershorit, ndërsa Zvicra rreth 220.

    Ekspertët paralajmërojnë se numri përfundimtar i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë vende ende nuk kanë publikuar të dhënat për muajin gusht.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vdekjet e lidhura me të nxehtin në rajonin evropian janë rritur me më shumë se 30% gjatë 20 viteve të fundit dhe pritet të vazhdojnë të rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe plakjes së popullsisë, shkruan The Guardian.

  • 10 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit

    10 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 24 gusht 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 147 raste të konfirmuara me fruth. Ky numër përfaqëson më shumë se dyfishin e rasteve të konfirmuara gjatë tërë vitit 2025. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 10 raste të reja.

    Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me dyzet e nëntë (49) raste, Fushë-Kosovë me tridhjetë e pesë (35) raste; Ferizaj me trembëdhjetë (13) raste; Obiliq me nëntë (9) raste; Lipjan me tetë ( 8 ) raste; Kaçanik me shtatë (7) raste; Vushtrri dhe Shtime me nga katër (4) raste; Skenderaj dhe Drenas me nga tre (3) raste; Gjilan, Gjakovë, Shtërpce dhe Deçan me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat:, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

    Gjatë 3 javëve të fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast janë vaksinuar me MMR gjithsej 504 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

    IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për shitje të kokainës në Mitrovicë

    Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për shitje të kokainës në Mitrovicë

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet R.H. dhe Q.H., të dyshuar për shitje të kokainës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026, në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës, u kanë shitur persona të ndryshëm kokainë, në sasi prej 0.22 deri në 0.50 gramë.

    Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë narkotike, me peshë të përgjithshme 1.7 gramë, një mulli për bluarje të substancave narkotike, dy telefona mobilë dhe 1,700 euro para të gatshme.

    Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që dy të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

  • 136 lindje për një javë në Klinikën e Gjinekologjisë

    136 lindje për një javë në Klinikën e Gjinekologjisë

    jatë javës së fundit, në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë realizuar gjithsej 136 lindje.

    Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes së QKUK-së.

    Tutje në njoftim thuhet se nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 77 kanë përfunduar me lindje spontane (natyrale), ndërsa 59 me lindje operative me prerje cezariane (S/C).

    “Gjatë javës së fundit, në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë realizuar gjithsej 136 lindje. Nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 77 kanë përfunduar me lindje spontane (natyrale), ndërsa 59 me lindje operative me prerje cezariane (S/C). Në periudhën e raportuar janë evidentuar gjithashtu 4 lindje gemellare (binjakë) dhe 1 lindje trigemellare (trenjakë)”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim sa i përket gjinisë së të porsalindurve, gjatë kësaj jave janë regjistruar 74 të porsalindur meshkuj dhe 68 të porsalindur femra.

    “Aktiviteti i Klinikës së Gjinekologjisë është përqendruar në ofrimin e kujdesit dhe trajtimit profesional të rasteve obstetrikale, duke përfshirë lindjet spontane, lindjet operative, si dhe menaxhimin e shtatzënive multiple. Qendra Klinike Universitare e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe profesionale për nënat dhe të porsalindurit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Tahiri: 120 deputetëve po u mohohet ushtrimi i mandatit të fituar nga populli

    Tahiri: 120 deputetëve po u mohohet ushtrimi i mandatit të fituar nga populli

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar sot para mediave se deputetëve të Kuvendit po u mohohet e drejta për të ushtruar mandatin e fituar në zgjedhje.

    Tahiri tha se mandati i deputetit buron nga vullneti i qytetarëve dhe se askush nuk mund ta pengojë ushtrimin e tij.

    “Mandati i deputetit buron nga populli dhe askush nuk guxon të na e marrë. 120 deputetëve nuk po u lejohet ushtrimi i mandatit të fituar në zgjedhje”, deklaroi Tahiri.

    Ai theksoi se të gjithë deputetët janë të barabartë në ushtrimin e mandatit dhe se një deputet nuk mund t’ia mohojë mandatin një deputeti tjetër.

    “Deputeti është i barabartë me deputetin tjetër, nuk mund t’ia marrë mandatin. Kjo është shkelje e të drejtës themelore në demokraci dhe shkelje e të drejtave të njeriut”, tha Tahiri. /Telegrafi/

  • 72 aksidente trafiku brenda 24 orëve të fundit

    72 aksidente trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë janë shkaktuar 72 aksidente trafiku ku prej tyre 32 me të lënduar dhe 40 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se janë shqiptuar 2209 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    18 persona janë arrestuar ndërsa 10 janë dërguar në mbatje.

  • Kos flet për zgjerimin e BE-së: Mal i Zi favorit, Shqipëria ka përmbushur standardet

    Kos flet për zgjerimin e BE-së: Mal i Zi favorit, Shqipëria ka përmbushur standardet

    Shefja e zgjerimit të BE-së përcakton katër fusha për diskutim: reformat e brendshme pa ndryshime në traktate, mbrojtje më të forta demokratike, një metodologji integrimi gradual dhe masa gjithëpërfshirëse kalimtare.

    Shefja e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, të martën paraqiti propozimin e Komisionit Evropian për të rishikuar procesin e zgjerimit të bllokut, duke përshkruar planet për integrimin gradual, verifikimin më të rreptë të kandidatëve dhe një metodologji të re, ndërsa procesi hyn në atë që ajo e quajti një “Moment i ri i Helsinkit”.

    “Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, tha Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë në Zagreb të martën.

    Në fjalimin e saj, Kos përshkroi elementët kryesorë të rishikimit të ardhshëm të politikave para zgjerimit  një iniciativë e lënë pas dore që shqyrton se si mund të duket një Bashkim Evropian me më shumë se 30 shtete anëtare. Komisioni e ka ringjallur çështjen për të rimarrë iniciativën përpara një diskutimi kritik midis udhëheqësve të BE-së në tetor.

    Për Komisioneren sllovene, BE-ja po përballet me një “Moment të ri të Helsinkit”, duke iu referuar mbledhjes së liderëve evropianë në kryeqytetin finlandez që hapi rrugën për zgjerimin e “Big Bang” pas Luftës së Ftohtë, kur 10 vende të reja iu bashkuan bllokut.

    Ajo vuri në dukje në veçanti përparimin e shpejtë të Malit të Zi si favorit për t’u anëtarësuar në Bashkim, përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve kryesore të sundimit të ligjit, përparimet e rëndësishme teknike nga Ukraina dhe Moldavia, si dhe votën e Islandës për të rifilluar procesin e pranimit.

    “Komisioni do të paraqesë idetë e tij se si duhet të përgatitet Bashkimi Evropian ndërsa vendet kandidate i afrohen vijës së finishit të negociatave të pranimit”, tha Kos. “Sipas mendimit tim, ne duhet të adresojmë katër çështje për të ndërtuar konsensus në nivelin më të lartë për të mirëpritur shtetet e reja anëtare.”

    Reformat e brendshme

    Për shefen e zgjerimit të BE-së, një Bashkim më i madh do të ketë nevojë për reforma të rëndësishme për të mbetur i aftë të veprojë dhe të përshtatet shpejt në kohë krize.

    Është e rëndësishme të theksohet se ajo argumenton se ndryshimet në proceset e vendimmarrjes dhe rregullimet institucionale mund të futen pa ndryshuar traktatet, gjë që do të kërkonte negociata të gjata dhe një proces të paparashikueshëm ratifikimi midis shteteve anëtare.

    “Ne duhet ta përdorim këtë për ta bërë vendimmarrjen më të lehtë dhe më fleksibile. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu zvogëlimin e numrit të fushave ku një shtet anëtar i vetëm mund të bllokojë të gjithë të tjerët. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu zvogëlimin e institucioneve tona”, tha Kos.

    Ajo gjithashtu vuri në dukje bashkëpunimin e zgjeruar, një mekanizëm ligjor që i lejon një grupi më të vogël vendesh të BE-së të ecin përpara me një iniciativë kur shtetet e tjera anëtare nuk janë gati ta bëjnë këtë. Mekanizmi është përdorur në fusha që përfshijnë marrëveshjen e Shengenit dhe euron.

    Mbrojtjet demokratike

    Një element tjetër i theksuar nga Komisionerja është forcimi i masave mbrojtëse ekzistuese për të parandaluar që anëtarët e rinj të mos shkelin standardet demokratike dhe sundimin e ligjit – një ide e hedhur nga pesë anëtarë themelues të BE-së si mësim nga Hungaria nën Viktor Orbán.

    “Duhet të bëjmë një hap më tej. Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë që të hyjnë “Kuajt e Trojës”. As sot, as pas 10 apo 20 vitesh. Përvoja e fundit ka treguar se mund të kërkohen masa mbrojtëse më të forta për të parandaluar – dhe, nëse është e nevojshme, për të korrigjuar – shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të Unionit tonë”, tha Kos.

    Megjithatë, propozimi ka rezultuar i diskutueshëm, pasi rrezikon të bjerë ndesh me parimin thelbësor të BE-së që shtetet anëtare duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, duke krijuar potencialisht anëtarë të nivelit të dytë.

    Ambasadori i Malit të Zi në BE, Petar Markoviç, i tha Euronews se Podgorica do të ishte në favor të masave të tilla mbrojtëse, me kusht që ato të bazoheshin në kritere objektive të vlerësuara rast pas rasti.

    “Masa të tilla janë të domosdoshme, jo të këndshme. Kjo është thelbësore për të ndërtuar besim dhe unitet brenda Unionit tonë për të pranuar anëtarë të rinj”, shtoi Kos, duke sugjeruar se masa mbrojtëse më të forta mund të lehtësojnë gjithashtu procesin e ratifikimit.

    Metodologjia e zgjerimit

    Disa vende të BE-së, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë sugjeruar gjithashtu që blloku duhet të rishikojë metodologjinë e tij të zgjerimit, veçanërisht përmes “integrimit gradual” që do t’u ofronte vendeve kandidate përfitime të prekshme në një fazë më të hershme.

    “Zgjerimi i BE-së duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme”, tha Kos, duke theksuar se ndërsa procesi i pranimit mund të zgjasë me dekada, kundërshtarët e BE-së mund të shfrytëzojnë pasigurinë dhe të ushtrojnë presion politik për të penguar procesin.

    “Prandaj, duhet të largohemi nga një logjikë ‘gjithçka ose asgjë’ në zgjerim. Na duhet një qasje më e strukturuar për të kapërcyer kohën që nuk kemi më. Duhet të kërkojmë mënyra më ambicioze për integrim gradual”, tha ajo.

    Urgjenca për të ripërcaktuar metodologjinë e zgjerimit të bllokut buron kryesisht nga fillimi i procesit të pranimit të Ukrainës, pasi kryeqytetet e BE-së janë të kujdesshme se një formë e garancive të anëtarësimit dhe sigurisë mund të duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje me Rusinë për ta ankoruar fort Kievin në Evropë.

    Kos vuri në dukje se tashmë ka disa përfitime të hershme që aspirantët e BE-së mund të korrin, të tilla si bashkimi me Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lidhja me rrjetin energjetik të bllokut. “Këto janë hapa pozitivë. Por nuk mjaftojnë”, vazhdoi ajo.

    Masat kalimtare

    Së fundmi, shefja e zgjerimit të BE-së vuri në dukje se Brukseli duhet të kuptojë ndikimin që anëtarët e rinj do të kenë në shtetet anëtare ekzistuese dhe të mbrojë interesat e bllokut nga rreziqet e mundshme.

    “Ne kemi përvojë me masa të gjera kalimtare për t’u siguruar që integrimi i të sapoardhurve të shkojë pa probleme. Dhe duhet të sigurohemi që buxheti i BE-së të mund të vazhdojë të financojë prioritetet tona”, shtoi ajo.

    Mënyra se si shtetet e reja anëtare duhet të përfshihen në buxhetin e BE-së është një pikë mosmarrëveshjeje midis qeverive evropiane, duke i komplikuar më tej negociatat tashmë të tensionuara mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare./Euronews

  • QKUK jep detaje për gjendjen e Egzon Bytyqit, të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes

    QKUK jep detaje për gjendjen e Egzon Bytyqit, të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes

    Egzon Bytyqi i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij në fshatin Kërvasëri të Malishevës po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi që i njëjti ka plagosur edhe veten.

    Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla ka thënë për Ekonomia Online se gjendja e tij është e njëjtë.

    “Lidhur me rastin e raportuar më datë 24 gusht 2026 në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e pacientit, 26-vjeçar, vazhdon të jetë e njëjtë”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, pacienti vazhdon të jetë nën përkujdesjen e stafit shëndetësor.

    “Pacienti është duke marrë trajtim mjekësor dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e stafit shëndetësor në Qendrën Emergjente të QKUK-së”, ka shtuar Qyqalla.

  • Abdixhiku për vdekjen e Kryeziut: LDK-ja humb një nga figurat e saj më të rëndësishme

    Abdixhiku për vdekjen e Kryeziut: LDK-ja humb një nga figurat e saj më të rëndësishme

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Eqrem Kryeziu, duke e cilësuar atë si një intelektual të shquar, veprimtar të hershëm të LDK-së dhe një prej figurave të rëndësishme të jetës institucionale e politike të Kosovës.

    Abdixhiku tha se me vdekjen e Kryeziut, LDK-ja humbi një prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një personalitet që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.

    Sipas tij, profesor Eqrem Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i Presidentit Ibrahim Rugova. Për më shumë se dy dekada ai udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, ndërsa shërbeu edhe si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet dhe kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para pas çlirimit.

    “LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai e ka përshkruar Kryeziun si profesor, intelektual dhe veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë.

    Në fund, Abdixhiku u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit.

    “Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas. Pusho në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për ty!”, ka përfunduar Abdixhiku.

  • Haradinaj për vdekjen e Kryeziut: Kosova humbi një burrështetas që la gjurmë të pashlyeshme

    Haradinaj për vdekjen e Kryeziut: Kosova humbi një burrështetas që la gjurmë të pashlyeshme

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj është shprehur i pikëlluar për vdekjen e profesorit, Eqrem Kryeziut.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se sot Kosova humbi një intelektual të shquar, një profesor të përkushtuar të letërsisë dhe një burrë shteti që la gjurmë të pashlyeshme në proceset e shtetndërtimit.

    “Me Profesorin kemi pasur një miqësi të kahershme dhe respekt të ndërsjellë. Ka qenë një intelektual i guximshëm, i cili nuk ka ngurruar kurrë të flasë hapur apo të përkrahë njerëz e procese përtej vijave të partisë së tij, gjë që e bënte një politikan të veçantë në Kosovë”, ka shkruar ish-kryeministri.

    Ai shtoi se Eqrem Kryeziu do të kujtohet gjithmonë për profilin e tij intelektual, qytetarinë dhe kontributin e madh në arsim dhe politikë, derisa, siç tha ai, “ne që e njohëm nga afër do të kujtojmë gjithmonë me respekt të lartë bisedat dhe bashkëpunimin me të”.