ATV

Author: G.O.

  • Dita e tretë e protestave – Kërkohet dorëheqja e Gërvallës dhe Sveçlës, protestuesit hedhin vezë drejt qeverisë dhe tentojnë të hyjnë brenda

    Dita e tretë e protestave – Kërkohet dorëheqja e Gërvallës dhe Sveçlës, protestuesit hedhin vezë drejt qeverisë dhe tentojnë të hyjnë brenda

    Për të tretën ditë radhazi, qytetarë dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të grave po protestojnë në Prishtinë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.

    Të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë, ata kanë vazhduar me kërkesat për dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

    Protesta po mbahej edhe gjatë kohës kur dy ministrat kanë prezantuar raportet për trajtimin e rastit.

    Me mesazhet e Arlindës në duar, protestuesit kanë hedhur vezë drejt ndërtesës dhe kanë tentuar të hyjnë për të ndjekur konferencën, por Policia nuk ua ka lejuar hyrjen.

  • Gërvalla paraqet gjetjet për vrasjen e Arlinda Zekajt, thotë se dorëheqja e saj nuk do të ndihmonte në zbardhjen e përgjegjësive

    Gërvalla paraqet gjetjet për vrasjen e Arlinda Zekajt, thotë se dorëheqja e saj nuk do të ndihmonte në zbardhjen e përgjegjësive

    Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun ndaj jetës së Arlinda Zekajt, por nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e saj.

    Kështu deklaroi ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit për trajtimin e rastit.

    Sipas saj, dokumentacioni evidenton vonesa në shqyrtimin e kërkesës për urdhër mbrojtjeje dhe mosveprime të Prokurorisë pas denoncimit të kërcënimit me vrasje, dy ditë para ngjarjes. Gërvalla tha se raporti ende nuk është i plotë, pasi disa institucione nuk kanë ofruar informacionet e kërkuara, ndërsa vlerësoi se vrasja me shumë gjasë mund të ishte parandaluar.

    E pyetur për kërkesat për dorëheqjen e saj, ministrja tha se largimi nga detyra nuk do të ndihmonte në zbardhjen e përgjegjësive institucionale.

  • Suspendohen 11 zyrtarë policorë për rastin e Arlinda Zekajt

    Suspendohen 11 zyrtarë policorë për rastin e Arlinda Zekajt

    Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. Suspendimet janë bërë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve po zhvillohet hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në këtë rast.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.

    Lista përfshin edhe shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

    Policia ka bërë të ditur se suspendimet janë kryer në bazë të Ligjit të Policisë së Kosovës, udhëzimit administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore, si dhe rekomandimit të IPK-së.

    “Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit dhe ofrimin e shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante.

  • JD Vance kontakton zyrtarin e lartë iranian në përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes

    JD Vance kontakton zyrtarin e lartë iranian në përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë iranian, Mohsen Rezaei, në përpjekje për të rifilluar negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe për të shmangur sulme të reja ushtarake amerikane ndaj Iranit, raportoi të mërkurën The Wall Street Journal.

    Sipas gazetës, letra i është dërguar Rezaeit, kreut të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, me nismën e Vanceit dhe, sipas një burimi të cituar nga gazeta, me udhëzimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

    Nisma synon të përcaktojë nëse të dyja palët mund të gjejnë pika të përbashkëta për të bindur Trumpin të mos urdhërojë një fushatë të re ushtarake kundër Iranit në javët e ardhshme. Zyrtarët e kanë përshkruar një operacion të mundshëm si “të shkurtër, por intensiv”.

    Përpjekjet diplomatike vijnë pavarësisht deklaratave të fundit të Trumpit se administrata e tij nuk po zhvillon negociata me Iranin dhe paralajmërimeve të përsëritura se veprime të reja ushtarake mund të ndërmerren së shpejti.

    Sipas The Wall Street Journal, letra dhe kontaktet pasuese mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë janë përqendruar në krijimin e një kornize për negociatat e mundshme, e jo në hartimin e një marrëveshjeje të detajuar paqeje.

    Ndërkaq, portali amerikan Axios raportoi veçmas se Vance kishte theksuar në letër se çdo negociatë që synon parandalimin e sulmeve të reja amerikane duhet të përfshijë edhe programin bërthamor të Iranit.

    Një zyrtar amerikan i tha Axios-it se Vance kishte propozuar dërgimin e letrës dhe se Trumpi e kishte mirëpritur nismën, por nuk pranoi të tregonte se kur ishte dorëzuar ajo, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, Trumpi dha një version tjetër të ngjarjes të mërkurën, duke mohuar se i kishte kërkuar Vanceit të ndiqte negociatat e paqes me Iranin. Presidenti amerikan tha se kontakti kishte për qëllim kryesisht lehtësimin e dërgimit të furnizimeve mjekësore.

    “Ata kanë nevojë për ndihmë me furnizime mjekësore dhe gjëra të ndryshme”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se Vance kishte kërkuar miratimin e tij përpara se të vazhdonte.

    Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, shkroi të mërkurën në platformën X se Irani vazhdon t’i japë një mundësi diplomacisë, ndonëse forcat e tij të armatosura janë të përgatitura për të mbrojtur vendin.

    “Ndërsa forcat tona të guximshme të armatosura janë plotësisht të gatshme për të mbrojtur atdheun, Irani ende po i jep diplomacisë mundësinë të ketë sukses”, deklaroi Araghchi.

    Ai shtoi se Teherani vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me ndërmjetësit, për të shqyrtuar propozime që do të garantonin zbatimin e planit shtatëditor të Iranit, madje edhe brenda një periudhe më të shkurtër se një javë.

    Sipas The Wall Street Journal, Uashingtoni u ka kërkuar disa vendeve arabe të Gjirit Persik të përgatiten për mundësinë e një fushate të re ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor.

    Megjithatë, sipas personave të informuar për diskutimet, Trumpi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të autorizojë sulme të tjera.

    Konflikti, i cili nisi në fund të shkurtit me sulme amerikane dhe izraelite, ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në transportin e energjisë nga vendet e Gjirit. Kufizimet në lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit kanë ndikuar gjithashtu në ekonominë më të gjerë, duke rritur pasigurinë për furnizimet globale me energji.

    Përpjekjet e fundit diplomatike zhvillohen në një kohë kur mbetet e paqartë nëse Uashingtoni dhe Teherani do të arrijnë të gjejnë një kompromis për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak. /Telegrafi/

  • Kuvendi themelon komisionin hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Kuvendi themelon komisionin hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Kuvendi i Kosovës ka themeluar me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

    Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë dhe mandat deri në gjashtë muaj. Kryetar i tij është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

    Nga LVV-ja, pjesë e komisionit do të jenë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga Doarsa Kica-Xhelili. Në komision do të jenë edhe Jovana Radosavljeviqi dhe Emilija Rexhepi, si përfaqësuese të komuniteteve.

    Para votimit për themelimin e komisionit, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që në objektin e hetimit të përfshihen edhe Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera relevante.

    “Mendoj se dy-tri institucione duhet të shtohen. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera qeveritare që janë relevante në angazhimin tonë si komision”, ka deklaruar Ismaili.

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se e mbështet themelimin e komisionit dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me deputetët për të ndihmuar në zbardhjen e fakteve.

    “Themelimi i këtij komisioni është një veprim i cili mbështetet fuqishëm nga ana ime si koordinatore dhe nga zyra që e udhëheq. Absolutisht nuk dua që të ketë dilemë asnjë deputet, jo vetëm për gatishmërinë, por këtë e kam theksuar edhe në fjalën time se do të jem plotësisht në disponimin tuaj për të dhënë përgjigjet e kërkuara dhe për të ndihmuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që i posedoj”, ka thënë Gërvalla.

    Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, vetëm tri ditë pasi u kishte dërguar letër institucioneve përgjegjëse, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. /Telegrafi/

  • Aksion para MPB-së, QIKA: Faruku është produkt i një sistemi të kalbur

    Aksion para MPB-së, QIKA: Faruku është produkt i një sistemi të kalbur

    Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka zhvilluar një aksion para Ministrisë së Punëve të Brendshme, në shenjë proteste ndaj, siç kanë thënë, dështimit institucional për të garantuar sigurinë e grave.

    Aktivistet e QIKA-s nuk janë lejuar nga Policia të hyjnë në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, andaj aksionin e kanë zhvilluar jashtë objektit të ministrisë.

    Gjatë aksionit, ato kanë thyer një pasqyrë, duke e shoqëruar veprimin me mesazhin se pasqyra paraqet “fytyrën e institucionit që drejton” ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Në aksion ka folur Anita Vllahiu nga QIKA, e cila ka kritikuar institucionet për mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet siguria e grave.

    “Thyem pasqyrën e një institucioni që flet për siguri, rend dhe ligj, por që nuk arrin ta garantojë as të drejtën elementare të një gruaje për të jetuar. “Nuk jam i obligum me u marrë me ty” nuk është mendësia vetëm e Faruk Muçollit. Është mendësia e shtetit që nuk e trajton seriozisht jetën dhe sigurinë e grave. Faruku është produkt i një sistemi të kalbur. Përgjegjësia është politike.”

    “Nuk pranojmë që një zyrtar të bëhet alibi për dështimin e një sistemi të tërë. Kërkojmë hetim të plotë të veprimeve dhe mosveprimeve institucionale dhe përgjegjësi në të gjithë zinxhirin komandues. Por përgjegjësia fillon nga Xhelal Sveçla dhe vazhdon te secili zyrtar që ka dështuar në detyrën e tij. Xhelal, jep dorëheqje!”

    Ndërkohë, sot nga ora 16:00 pritet të zhvillohet edhe një protestë në Prishtinë, e organizuar në shenjë revolte ndaj rasteve të dhunës dhe femicidit, si dhe kërkesës për më shumë përgjegjësi institucionale për sigurinë e grave. /kp/

  • Kurti: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik i Kosovës

    Kurti: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik i Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacion prej 11 anëtarësh nga nëntë shtete të ndryshme, të Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin dhe hapat e ardhshëm në raport me sigurinë, zhvillimin demokratik dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

    Ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik i vendit, duke e cilësuar atë si një proces me rëndësi për paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

    “Për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka shkruar Kurti.

    Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për përparimin demokratik, zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

  • Shiroka-Pula takohet me komandantin suprem të NATO-s në Evropë, në fokus siguria në Kosovë

    Shiroka-Pula takohet me komandantin suprem të NATO-s në Evropë, në fokus siguria në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të enjten në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneralin Alexus G. Grynkewich.

    Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe aleancës.

    Presidentja Shiroka-Pula ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e NATO-s dhe të misionit të KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend.

    Ajo ka theksuar se prania e KFOR-it vazhdon të jetë e rëndësishme për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.

    Gjatë takimit, presidentja ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit me NATO-n dhe avancimin e bashkëpunimit me aleatët.

    Ajo ka nënvizuar se anëtarësimi në NATO mbetet një nga objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës.

    Shiroka-Pula ka theksuar gjithashtu se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

  • Rasti tragjik i Arlinda Zekajt, suspendohen kryeprokurorja e Pejës Lumturije Vuçetaj dhe prokurorja Gacaferri

    Rasti tragjik i Arlinda Zekajt, suspendohen kryeprokurorja e Pejës Lumturije Vuçetaj dhe prokurorja Gacaferri

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.

    Ky vendim vjen pasi kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar suspendimin e tyre dhe kishte iniciuar procedurë disiplinore, siç raportoi më herët Telegrafi.

    Lajmin për suspendimin e tyre e konfirmoi për Telegrafin vetë Kryeprokurori Gashi.

    Suspendimi i Vuçetajt dhe Nallbani-Gacaferrit u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së me shtatë vota për. Këshilli gjithashtu themeloi një panel hetimor për shqyrtimin e çështjes.

    Masat ndaj dy prokuroreve lidhen me gjetjet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet dhe mosveprimet e dyshuara gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.

    Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale, pasi viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet shtetërore.

    Tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar nga institucionet ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e saj. /Telegrafi/

  • Të paktën 13 të vdekur nga sulmi me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro të Ukrainës

    Të paktën 13 të vdekur nga sulmi me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro të Ukrainës

    Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron rus në një stacion hekurudhor në qytetin e Dnipros, në Ukrainë, ku ndodhej një tren pasagjerësh i ndalur në platformë.

    Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi goditi platformën e stacionit ku ishte ndalur treni që udhëtonte drejt Zaporizhzhias.

    Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskit, Oleksandr Ganza, njoftoi përmes një postimi në Telegram se nga sulmi mbetën të vrarë të paktën 13 persona, ndërsa pesë të tjerë u plagosën. Ndërkaq, kryebashkiaku i Dnipros, Boris Filatov, konfirmoi se gjatë sulmit ishte goditur një tren pasagjerësh.

    Edhe kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave bëri të ditur se një dron rus goditi platformën e stacionit ku ishte ndalur treni me destinacion Zaporizhzhian.

    Sulmi vjen në një kohë kur Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj njëra-tjetrës, duke përdorur dronë dhe raketa kundër objektivave në territoret e kundërshtarit.

    Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi më herët se më shumë se 600 dronë ukrainas ishin lëshuar gjatë natës në drejtim të rajonit të kryeqytetit rus.

    Sipas tij, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore neutralizuan shumicën e mjeteve ajrore pa pilot përpara se të arrinin objektivat e tyre. Sobyanin pretendoi se 613 dronë u drejtuan drejt rajonit të Moskës nga nata e së mërkurës deri në mëngjesin e së enjtes, ndërsa 231 prej tyre u shkatërruan gjatë afrimit drejt kryeqytetit.

    Megjithatë, këto shifra janë publikuar nga autoritetet ruse dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

    Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase raportuan për sulme ruse edhe në rajone të tjera të vendit gjatë natës. Në rajonin e Rivnes, një sulm rus shkaktoi vdekjen e një burri, sipas raportimeve zyrtare.

    Përshkallëzimi i sulmeve ajrore mes dy vendeve ndodh në një periudhë kur pritet të rifillojnë bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.