ATV

Author: G.O.

  • Fushë-Kosova përfiton 1.01 milionë euro për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të familjeve në nevojë

    Fushë-Kosova përfiton 1.01 milionë euro për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të familjeve në nevojë

    Kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se komuna ka përfituar 1,010,000 euro në kuadër të marrëveshjes për grantin për financimin e programeve të banimit.

    Nga kjo shumë, 625 mijë euro janë të dedikuara për renovimin e shtëpive private të familjeve të cenueshme, ndërsa 385 mijë euro për rindërtimin e shtëpive private për këto familje.

    Prebreza ka theksuar se ky financim përtej investimit në infrastrukturë synon të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës, sigurisë dhe mirëqenies së familjeve përfituese.

    Sipas tij, Komuna e Fushë-Kosovës do të vazhdojë të punojë që mbështetja institucionale të orientohet te familjet që kanë më së shumti nevojë, duke synuar krijimin e kushteve të denja të banimit.

  • Taylor Swift tregon si përballet me kritikët: Më pëlqen t’ua kthej talljen

    Taylor Swift tregon si përballet me kritikët: Më pëlqen t’ua kthej talljen

    Taylor Swift ka folur hapur për presionin e famës dhe mënyrën se si përballet me kritikat.

    Gjatë një bisede retrospektive në “The Icon Sessions”, këngëtarja pranoi se ndonjëherë argëtohet duke iu kundërpërgjigjur atyre që e kritikojnë.

    “Kur njerëzit më tallin, është vërtet argëtuese t’ua kthej edhe unë talljen”, u shpreh Swift, duke shtuar me humor se ndonjëherë përdor fjalë që kritikët duhet t’i kërkojnë për t’i kuptuar.

    36-vjeçarja tregoi se ndër vite ka zhvilluar mënyra të ndryshme për të përballuar presionin e famës. “Ti e zgjodhe këtë. Ti e zgjodhe këtë çdo ditë”, tha ajo, duke iu kujtuar vetes se kishte mundësinë të hiqte dorë përpara se fama të bëhej e pakontrollueshme.

    Megjithatë, Swift theksoi se dashuria për muzikën është arsyeja që vazhdon.

    “Vendosa të mos e bëj sepse e dua shumë. Dhe aty fillon dhe aty mbaron”, tha ajo, duke shtuar se gjithçka që vjen bashkë me famën ia vlen për sa kohë që mund të vazhdojë të krijojë muzikë.

    Gjatë eventit, këngëtarja surprizoi gjithashtu fansat me një performancë ku këndoi disa prej hiteve të saj, mes tyre “August” dhe “All Too Well”. /Telegrafi/

  • OVL-UÇK mbështet protestën e 12 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së

    OVL-UÇK mbështet protestën e 12 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platfroma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platfroma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë.

    “Është thirr një prtoestë nga “Liria ka Emër” më 12 shtator ku ne si OVL u bëjmë ftesë të gjtihë qytetarëve por edhe ne t’i bashkëngjitemi protestës. Ne do të mbështesim protestën dhe bëjëmë thirje të që të jetë një protestë e madhe”, ka thënë ai.

    Gucati, ka folur edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të cilin e kanë dorëzuar në Gjykatën Speciale, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Organizata e Veteranëve ka marrë një iniciativë për nënshkrimet apo peticionin ku kemi mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime dhe i kemi dorëzuar në Gjykatën Speciale, përlirimin e shokëve tanë nga burgu që mbahen padrejtësisht sot në Hagë. Takimet tona kanë qenë me ambasadat mike në Kosovë, këtë periudhë kemi dërguar mbi 300 letra personaliteteve ndërkombëtare, ku prej tyre janë 285 anëtarë të asamblesë së Këshillit të Europës, gjithmonë duke kërkuar drejtësi, barazi në Gjykatën Speciale. Takime me Parlamentin e Zvicrës, me deputetë zvicranë, takim me Parlamentin Evropian, takime në Vatikan, që kanë qenë prej një rëndësie më të madhe, ku kemi marrë një mbështetje shumë të madhe, për herë të parë zbret këmba e Organizatës së Veteranëve në Vatikan, që e kanë thyer protokollin, që i falënderoj Vatikanin që na kanë pritur në atë takim. Takimin me kryetaren e veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë në zyrën tonë dhe takimi i fundit me Ambasadën Amerikane”, ka shtuar Gucati.

     

  • Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok

    Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në një takim njoftues shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re.

    Me këtë rast, sipas komunikatës për media, Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

    “Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë nga EULEX gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin Potok”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit, në njoftim theksohet se Sveçla dhe Lopes diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë.

    “Ministri Sveçla ritheksoi përkushtimin për fuqizimin e  sundimit të ligjit dhe theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”.

  • Çmimet e prodhimit në Kosovë në rritje, 4.6% më të larta se një vit më parë

    Çmimet e prodhimit në Kosovë në rritje, 4.6% më të larta se një vit më parë

    Çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) u rrit mesatarisht me 4.6% në TM2 2026, krahasuar me TM2 2025.

    Ndërkohë, në raport me tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e prodhimit u rritën me 0.9%.

    Rritjet më të mëdha vjetore janë regjistruar në disa sektorë të ekonomisë. Në krye qëndron grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, me një rritje prej 32.2%.

    Pas tij renditen prodhimi i pijeve me 20.1%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre me 14.7%, si dhe prodhimi tjetër me 9.8%.

    Rritje janë shënuar edhe te:

    Produktet e gomës dhe plastikës – 3.8%

    Produktet minerale jometalike – 3.3%

    Përpunimi i produkteve ushqimore – 3.2%

    Prodhimi i mobilieve – 2.6%

    Makineritë dhe pajisjet – 2.4%

    Rritje edhe në tremujorin e dytë

    Në bazë tremujore, pra krahasuar me TM1 2026, çmimet e prodhimit u rritën me 0.9%.

    Rritjet më të mëdha u regjistruan te prodhimi i pijeve (3.2%), prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (2.6%), prodhimi i metaleve (2.3%) dhe produktet e gomës dhe plastikës (2.0%).

    Ndërkohë, çmimet ranë në disa sektorë. Rënia më e madhe u regjistrua te prodhimi i veshjeve, me 6.4%, ndërsa te prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure rënia ishte 2.7%.

    Sipas ASK-së, këto ndryshime kanë bërë që rritja e përgjithshme e çmimeve të prodhimit të arrijë në 4.6% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025.

    Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të publikimit për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e dytë të vitit 2026.

  • Ndahet nga jeta Mehdi Mehmeti, sportisti që la gjurmë në volejbollin kosovar

    Ndahet nga jeta Mehdi Mehmeti, sportisti që la gjurmë në volejbollin kosovar

    Është ndarë nga jeta Mehdi Mehmeti, një emër i njohur dhe i respektuar i volejbollit në Kosovë.

    Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

    Mehmeti për vite me radhë ishte pjesë e zhvillimit të volejbollit kosovar, duke kontribuar si trajner dhe udhëheqës sportiv në volejbollin e meshkujve dhe femrave.

    Kontributi dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbahen mend nga komuniteti i volejbollit dhe gjeneratat që ai ndihmoi të zhvillohen.

    Në emër të KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi ka shprehur ngushëllime për familjen Mehmeti dhe të gjithë komunitetin sportiv.

  • Vdekja e Eqrem Kryeziut, Kurti: Përveç në politikë, dha kontribut të madh edhe në arsim dhe akademi

    Vdekja e Eqrem Kryeziut, Kurti: Përveç në politikë, dha kontribut të madh edhe në arsim dhe akademi

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka reaguar për vdekjen e Eqrem Kryeziut.

    Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Favebook, ka shkruar se përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

    “Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë”, ka shkruar ai.

    Postimi i tij i plotë:

    Sot, në moshën 78-vjeçare, ka vdekur Prof. Eqrem Kryeziu.

    Herën e fundit që u takuam në shtëpinë e tij në Prizren, ishte nga fundi i dhjetorit të vitit 2025. Diskutuam shtruar e këndshëm për atë çka qenë dhe si është Kosova. Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede.

    Përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

    Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë.

    Libri i tij që ma dhuroi më pas “Poetika e Zef Skiroit” është i jashtëzakonshëm.

    U prehtë në paqe!

  • Aktakuza e PSRK-së: Sheholli zbatoi planin e përgatitur nga zyrtari i BIA-s me synim dëmtimin e interesave të Kosovës

    Aktakuza e PSRK-së: Sheholli zbatoi planin e përgatitur nga zyrtari i BIA-s me synim dëmtimin e interesave të Kosovës

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 25 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Sheholli ngarkohet se zbatoi planin operativ të përgatitur nga një zyrtar i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke i përcjellë atij informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë, me qëllim dëmtimin e interesave të vendit, si dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025. Gjithashtu, akuzohet se derisa ishte në paraburgim, shantazhoi të dëmtuarin A.J., duke e dëmtuar mbi 13 mijë euro nën kërcënimin se do t’i publikonte në media video-incizime e informacione që ia dëmtojnë reputacionin e autoritetin.

    Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se nga data e pacaktuar e deri më 9 tetor 2025 në territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, Fatmir Sheholli në cilësi të personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (i njohur si BIA), ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtar i lartë i BIA-s, Bojan Dimiç.

    Në aktakuzë thuhet se zyrtari i BIA-s nga i cili Sheholli ka marrë urdhra, shërben si drejtor në Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se Sheholli mblodhi, siguroi dhe përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike ka përcjellë te zyrtari në fjalë informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitetet politike dhe gjendjen e sigurisë dhe funksionin e institucioneve në territorin e Republikës së Kosovës.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Fatmir Sheholli ka zbatuar në tërësi planin operativ të përgatitur nga ky zyrtari i BIA-s serbe me synim dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkt në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025.

    Kjo pasi që sipas aktakuzës, më 29 shtator 2025 rreth orës 14:00 Sheholli i shoqëruar nga një familjar i tij ka përdorur automjetin “AUDI” ka udhëtuar në Mitrovicën e Veriut dhe se në parkingun e Shkollës Teknike e në afërsi të një kafeneje, nga një person i paidentifikuar ka pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash.

    Sipas aktakuzës këto audio dhe transkrpite janë të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitetet dhe Kthim në Republikën e Kosovës e të destinuara për komprementim të tyre. Për këtë shërbim, Sheholli sipas aktakuzës ka marrë shumën prej 5 mijë euro.

    Në aktakuzë thuhet se në zbatim të planit të zyrtarit të BIA-s, materialet e marra ia dorëzoi gazetarit Milaim Zeka duke ia dhënë edhe shumën prej 1 mijë euro, si dhe duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij dhe atë disa ditë përpara ditës së votimit për zgjedhjet lokale.

    Kështu, thuhet se përmes këtyre veprimeve në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, Sheholli ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës.

    Me këto veprime, Fatmir Sheholli ngarkohet me veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në pikën dy të aktakuzës, thuhet se Sheholli nga viti 2022 e deri në muajin dhjetor 2025 përshirë edhe periudhën sa ndodhej në paraburgim, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., pronar i një biznesi në Republikën e Kosovës.

    Në aktakuzë thuhet se i pandehuri detyroi të dëmtuarin të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13 mijë euro, duke i kërkuar para kinse në emër të huazimit dhe se pastaj përmes kërcënimit se në rast të mosdhënies së parave do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që dëmtojnë rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, këto veprime të Shehollit janë vërtetuar përmes masave të fshehta hetimore, ku vërtetohet se gjatë periudhës sa Sheholli ka qenë në paraburgim, përmes një familjari të tij ka dërguar porosi kërcënuese duke kërkuar shumën mujore prej 700 euro euro me paralajmërimin se në të kundërtën publikon video-incizimet.

    Sipas aktakuzës, i dëmtuari nga frika, përmes një punëtori tij i ka dorëzuar te familjari i Shehollit shumën e parave prej 500 euro.

    Andaj, për këto veprime Sheholli ngarkohet edhe me veprën penale “Shantazhi” nga neni 329, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

    Ndryshe, lidhur me pretendimet ku përmendet në aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar gazetarin Milaim Zeka, i cili tha se për herë të parë po dëgjon për këto pretendime.

    “Fatmiri materiale ju ka dhanë edhe gazetarëve të tjerë. Paratë prej 1 mijë euro janë dhënë për përkthim të materialeve dhe se na ka thanë se janë të Gizzit gjerman”, deklaroi Zeka.

    Pas dorëzimit të aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet të caktohet seanca fillestare.

    Prokuroria ka propozuar që Shehollit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor. Si dhe, që sendet dhe pasuria e sekuestruar (përfshirë 3 mijë e 185 euro) të sekuestruara nga i pandehuri, sipas urdhrit ndalues përfundimtar të gjykatës, të konsifkohen pas përfundmit të gjykimit.

    Prokuroria ka propozuar që në cilësi të të dëmtuarit/dëshmitarit të ftohet Nenad Rashiq, si dhe në cilësinë e dëshmitarit Milaim Zeka.

    Sa i përket provave të përmendura në aktakuzë për veprën e spiunazhit, thuhet se i pandehuri, gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë por edhe më herët, ka qenë pjesë e strukturave të atëhershme të sigurimit jugosllav, e po ashtu ka ushtruar edhe veprimtari mediale në Radio Televizionin e Prishtinës të administruar nga regjimi i dhunshëm serb dhe më pas në televizionin “AS TV”, ku ka realizuar materiale dhe intervista që përputheshin me narrativën zyrtare të autoriteteve serbe, e në dëm të interesave të popullsisë shqiptare në Kosovë.

    Aty thuhet se në një intervistë më 1999 për gazetën e njohur ndërkombëtare “Los Angeles Times”, Sheholli kishte deklaruar se: “forcat serbe nuk po kryenin gjenocid në Kosovë, por vetëm krime individuale”. Po ashtu, thuhet se ekzistojnë edhe intervista dhe paraqitje publike të të pandehurit nga Beogradi, në të cilat ai kishte kritikuar UÇK-në, NATO-në dhe politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke paraqitur pretendime se UÇK-ja ishte krijuar dhe mbështetur nga shërbimet amerikane.

    Po ashtu, Prokuroria ka bashkëngjitur në aktakuzë edhe provë tjetër për një numër të konsiderueshëm të paraqitjeve publike të të pandehurit pas përfundimit të luftës, në media vendore dhe rajonale, ku theksohet se ai ka mbështetur publikisht qëndrime në favor të “Listës Serbe” dhe të eksponentëve të saj politikë, duke sulmuar kundërshtarët politikë të kësaj partie, me pretendimet se janë kundër interesave të serbëve në Kosovë.

  • Tregu i veturave zhvendoset në Bërnicë të Poshtme, hapësira do të ketë katër funksione

    Tregu i veturave zhvendoset në Bërnicë të Poshtme, hapësira do të ketë katër funksione

    Nga zona industriale në drejtim të Fushë Kosovës, tregu i veturave pritet të zhvendoset në Bërnicë të Poshtme, ku hapësira e re do të shërbejë edhe për disa funksione të tjera të kryeqytetit.

    Hapësira u përurua të martën si projekt i realizuar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale e Komunës së Prishtinës.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se krahas tregut të veturave, aty do të organizohet përkohësisht edhe tregu i druve, ndërsa në këtë zonë do të zhvendoset edhe poligoni i auto-shkollave.

    Rama bëri të ditur se hapësira do të shfrytëzohet edhe si “Park and Ride”, gjatë ditëve kur nuk zhvillohet tregu, duke u mundësuar qytetarëve që vijnë nga zona dhe fshatrat përreth të parkojnë automjetet dhe të vazhdojnë udhëtimin me transportin urban.

    “Janë këto katër elemente të cilat me këtë hapësirë këtu na i lehtësojnë proceset në kryeqytet”, tha Rama.

    Menaxhimi i hapësirës do të bëhet nga kompania publike “Gjelbër”.

  • Hegseth: ShBA-ja s’e përjashton përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit

    Hegseth: ShBA-ja s’e përjashton përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit.

    Deklarata e tij vjen pasi Uashingtoni vendosi sanksione të reja kundër gati 60 subjekteve, individëve dhe anijeve, në kuadër të përpjekjeve për të shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit.

    “Në asnjë mënyrë nuk e përjashtojmë mundësinë e sulmeve ushtarake në Ngushticën e Hormuzit apo rreth Iranit”, u tha Hegseth gazetarëve më 24 gusht.

    Ai shtoi se Irani nuk do të jetë në gjendje t’i përballojë presionet ekonomike që po ushtrohen ndaj tij.

    Në fillim të këtij muaji, Hegseth tha se forcat amerikane mund ta mbajnë për një kohë të pacaktuar bllokadën detare ndaj Iranit dhe se Uashingtoni mund t’i ndërrojë anijet ushtarake në rajon sipas nevojës.

    Departamenti amerikan i Thesarit shpalli më 24 gusht një fushatë të re dhe të gjerë presioni ekonomik ndaj Iranit, të cilën e quajti “Dita D ekonomike”.

    Uashingtoni paralajmëroi, gjithashtu, se vendet që vazhdojnë ta mbështesin Teheranin, rrezikojnë të izolohen ndërkombëtarisht.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, qëllimi është t’i ndërpriten Qeverisë iraniane burimet e financimit dhe të rritet më tej izolimi ndërkombëtar i Iranit.

    “Synimi ynë është të ndërpresim çdo burim ekonomik që mban në këmbë këtë regjim tiranik, derisa Teherani të mbetet i vetëm”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

    Lufta e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin nisi më 28 shkurt 2026, kur forcat amerikane dhe izraelite sulmuan Republikën Islamike, me synimin e deklaruar për të goditur programin e saj bërthamor dhe kapacitetet raketore.

    Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në rajon, ndërsa kufizoi ndjeshëm edhe trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.

    Konflikti, që po zgjat prej gati gjashtë muajsh, ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimet globale me energji./REL