ATV

Author: G.O.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Eqrem Kryeziut

    Sot i jepet lamtumira e fundit Eqrem Kryeziut

    Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Eqrem Kryeziut, i cili ndërroi jetë sot.

    Familjarët kanë njoftuar me pikëllim për ndarjen e tij nga jeta, duke e kujtuar si bashkëshort, baba dhe gjysh të dashur.

    Varrimi i tij do të mbahet sot, me ikindi, në Varrezat e Reja të Qytetit, në Landovicë.

    Familja ka ftuar të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit.

  • MINT publikon çmimet e reja të derivateve, nafta 1.79 euro e benzina 1.53 euro

    MINT publikon çmimet e reja të derivateve, nafta 1.79 euro e benzina 1.53 euro

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat hyjnë në fuqi sot, nga ora 10:00.

    Sipas njoftimit të MINT-it, çmimi maksimal i naftës është 1.79 euro për litër, ndërsa benzina mund të shitet deri në 1.53 euro për litër.

    Çmimi maksimal i lejuar për gazin është 0.62 euro për litër.

  • Tornado e fuqishme godet Francën, 39 të lënduar dhe mbi 300 banesa të dëmtuara

    Tornado e fuqishme godet Francën, 39 të lënduar dhe mbi 300 banesa të dëmtuara

    Një tornado me intensitet të rrallë ka goditur të hënën në mbrëmje rajonin Aude në jugperëndim të Francës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënduar 39 persona.

    Dy prej të lënduarve ndodhen në gjendje kritike në fshatin Pomas, ndërsa më shumë se 300 banesa janë dëmtuar nga stuhia e fuqishme, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

    Situata është rënduar edhe nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Deri të martën në mëngjes, rreth 21 mijë familje në jug të Francës kishin mbetur pa energji, prej tyre rreth 1,600 në rajonin Aude, sipas operatorit lokal të rrjetit ENEDIS.

    “Një tornado me intensitet të rrallë goditi rajonin Aude dje pasdite vonë, duke dëmtuar rëndë fshatin Pomas”, ka deklaruar në X ministri i Brendshëm, Laurent Nunez.

    Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe të verifikuara nga Reuters tregojnë tornadon teksa rrotullohet mbi fshatin e afërt Verzeille. Në zonat e prekura, shumë banesa kanë pësuar dëme të konsiderueshme, përfshirë thyerjen e dritareve.

    Tornadoja ka goditur në një periudhë kur vala intensive e të nxehtit që ka përfshirë Francën gjatë kësaj vere po i hap rrugë stuhive të fuqishme me bubullima në pjesë të ndryshme të jugut të vendit.

    Autoritetet vijojnë të vlerësojnë dëmet dhe të ndërhyjnë në zonat e prekura nga moti ekstrem.

  • KFOR-i: Takimi mes Ulutashit dhe Kurtit nuk u zhvillua për shkak të rrethanave të paparashikuara

    KFOR-i: Takimi mes Ulutashit dhe Kurtit nuk u zhvillua për shkak të rrethanave të paparashikuara

    Ka dështuar të mbahet takimi i paralajmëruar mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozgan Ulutash.

    KFOR-i ka bërë të ditur se takimi nuk është zhvilluar për shkak të “rrethanave të paparashikuara”.

    “Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i sotëm midis komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutash dhe z. Kurtit nuk u zhvillua. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Më herët gjatë ditës, Kurti kishte paralajmëruar takimin me Ulutashin, duke thënë se ndër temat që pritej të diskutoheshin ishte edhe çështja e Urës së Ibrit.

    Ai deklaroi se është e pakuptimtë që ura të vazhdojë të mbetet e mbyllur, pas njoftimit të NATO-s për reduktimin e pranisë së KFOR-it në këtë zonë.

  • Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Estonisë dhe babai i Kaja Kallas

    Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Estonisë dhe babai i Kaja Kallas

    Ish-kryeministri i Estonisë dhe komisioneri evropian, Siim Kallas, ka vdekur në moshën 77-vjeçare.

    “Me trishtim duhet të njoftoj se babai im i dashur Siim Kallas ndërroi jetë mbrëmë”, shkroi në Instagram Kaja Kallas, kreu i diplomacisë evropiane.

    Ekonomist me profesion

    Politikani estonez ishte estonezi i parë që u bë anëtar i Komisionit Evropian, duke marrë detyrën në vitin 2004. Ai ishte Komisioner për Çështjet Ekonomike dhe Monetare nën Presidentin e atëhershëm të Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, dhe nga viti 2010 deri në vitin 2014 ai ishte Zëvendëspresident i Komisionit dhe Komisioner për Transportin.

    Me profesion ekonomist, Kallas u bë guvernator i Bankës së Estonisë në vitin 1991, ku ishte një nga autorët kryesorë të reformës monetare të vendit. Në vitin 1994, ai themeloi Partinë Reformuese liberal-demokratike dhe vitin pasardhës u zgjodh në Parlamentin e Estonisë, pas së cilës u bë Ministër i Punëve të Jashtme.

    Kallas ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme në rrugën evropiane të vendit baltik. Pasi u emërua ministër i jashtëm, ai udhëhoqi përpjekjet e Estonisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai u bë kryeministër në vitin 2002, kur Estonia përfundoi negociatat e anëtarësimit në BE dhe mori një ftesë për t’u bashkuar me NATO-n.

    Dhe vajza e tij ishte kryeministre.

    “Mendoj për guximin që u desh për të rindërtuar vendin dhe për të futur monedhën e vet në fillim të viteve 1990, si dhe për vendosmërinë e qetë që ai solli me vete në Bruksel. Estonia dhe Evropa janë më të mira për shkak të veprës së jetës së tij”, shkroi Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në rrjetet sociale pas lajmit të vdekjes së tij.

    “Gjatë karrierës së tij publike, Siim Kallas ndihmoi në formësimin e rrugës evropiane të Estonisë dhe të politikave kryesore evropiane”, tha Komisioni Evropian.

    Vajza e tij, Kaja Kallas, ishte kryeministrja më e re e Estonisë në histori, duke shërbyer nga viti 2021 deri në vitin 2024. Aktualisht ajo është Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në mandatin e dytë të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

  • Kurti: Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr

    Kurti: Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas aksioneve të fundit që çuan në konfiskimin e një sasie të madhe armësh dhe municioni në veri të vendit.

    Kurti, gjatë një konference për media, ka thënë se në Republikën e Kosovës ka pasur procese të çarmatimit dhe grumbullimit të armëve ilegale, por jo në veriun e Kosovës.

    “Policia e Kosovës, siç e dini, ka prezantuar arsenalin e madh të armëve dhe të municionit që i ka konfiskuar në veri të Kosovës, ju e dini se në Republikën tonë kemi pasur çarmatosje, grumbullim të armëve ilegale anembanë Kosovës, por jo në veriun e Kosovës. Në këto tri vitet e fundit kemi aksione të shumta policore, të cilat praktikisht po marrin armë në duart e atyre që janë ose kriminelë, ose në rastin më të mirë janë potencialisht kriminelë”, tha Kurti.

    Ai ka theksuar se aksionet e institucioneve të sigurisë kanë rezultuar jo vetëm me konfiskimin e armëve nga persona që kanë kryer krime, por edhe me parandalimin e krimeve të mundshme, raporton kp.

    “Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr, pra jo vetëm që kemi konfiskuar armatim të atyre që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim. Prandaj është punë e jashtëzakonshme e Policisë dhe AKI-së”, shtoi Kurti.

    Sipas Policisë së Kosovës, gjatë operacioneve të zhvilluara nga 6 deri më 17 gusht në zonën e Zubin Potokut janë kontrolluar gjithsej 45 lokacione. Gjatë këtyre aksioneve janë konfiskuar 72 armë, mijëra copë municion, granata, pjesë të armëve, si dhe pajisje dhe uniforma ushtarake.

  • Valë e të nxehtit në Greqi, temperaturat arrijnë në 42 gradë

    Valë e të nxehtit në Greqi, temperaturat arrijnë në 42 gradë

    Shërbimi Meteorologjik i Greqisë ka paralajmëruar për temperatura deri në 42 gradë Celsius gjatë fundjavës dhe ditëve në vijim.

    Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, në shumë rajone temperaturat do të arrijnë nga 38 deri në 40 gradë, ndërsa lokalisht mund të afrohen në 42 gradë Celsius, shkruan Index.

    Meteorologët thonë se masat ajrore mbi Greqi do të jenë 6 deri në 8 gradë më të ngrohta se vlerat normale për këtë periudhë të vitit.

    Vala e të nxehtit pritet të zgjasë në shumë zona deri në mesin e javës së ardhshme.

  • Amir Rrahmani dhe Drita Stublla kurorëzohen në Prishtinë

    Amir Rrahmani dhe Drita Stublla kurorëzohen në Prishtinë

    Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës dhe futbollisti i Napolit, Amir Rrahmani, ka kurorëzuar dashurinë me partneren e tij, Drita Stublla, duke i dhënë fund beqarisë.

    Çifti, i cili prej kohësh është treguar tejet i rezervuar sa i përket jetës private, tashmë ka vendosur të ndajë me ndjekësit disa momente nga historia e tyre e dashurisë, përfshirë edhe pamje nga kurorëzimi civil.

    Amiri dhe Drita kanë qenë në një lidhje prej rreth dy vitesh, ndërsa kapitulli i ri në historinë e tyre nisi me një propozim romantik në Sicili. Më 30 maj, gjatë qëndrimit në ishullin italian, Rrahmani i propozoi martesë partneres së tij, në një moment që duket se ishte po aq i veçantë sa edhe vendi ku ndodhi. Por, siç ka treguar vetë Drita, pas propozimit çifti mori një vendim disi spontan – të mos e zgjaste shumë pritjen për martesën.

    Në një prej postimeve të saj, Drita ka rrëfyer me humor se pas propozimit vendosën papritur që të martoheshin gjatë muajit korrik.

    “Pas propozimit, vendosëm papritur të martoheshim një ditë në korrik, e më pas u kthyem në shtëpi dhe fjetëm një gjumë”. Dhe kështu ndodhi. Dyshja e ka kurorëzuar zyrtarisht dashurinë e tyre përmes një ceremonie civile në Komunën e Prishtinës, duke nisur kështu një kapitull të ri si të martuar.

    Drita ka ndarë në rrjetet sociale edhe disa fotografi nga kjo ditë e veçantë, duke zbuluar për herë të parë më shumë detaje rreth martesës.

    Madje, ajo ka bërë shaka edhe me natyrën e saj të rezervuar, duke e përshkruar veten si një person që publikon fotografi me partnerin vetëm “një herë në dy vite”. Megjithatë, një detaj kishte rënë në sy prej disa javësh. Në profilin e saj në Instagram, Drita kishte ndryshuar mbiemrin nga Drita Stublla në Drita Rrahmani, duke lënë të kuptohej se kishte kurorëzuar dashurinë me futbollistin kosovar.

    Tashmë, përmes publikimit të pamjeve nga ceremonia, ajo e ka konfirmuar zyrtarisht martesën. Drita Stublla, e cila është e angazhuar si menaxhere e marketingut, është gjithashtu motra e stilistes së njohur prishtinase Lia Stublla. Ndërkohë, Amir Rrahmani vazhdon të jetë një prej emrave kryesorë të futbollit kosovar, si kapiten i Përfaqësueses së Kosovës dhe futbollist i Napolit. /Telegrafi/

  • Aksion në Deçan, pesë persona ndalohen për bixhoz të paligjshëm

    Aksion në Deçan, pesë persona ndalohen për bixhoz të paligjshëm

    Pesë persona janë arrestuar dhe ndaluar në Deçan, nën dyshimin se kanë organizuar skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

    Aksioni është ndërmarrë mbrëmë nga Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Stacionin Policor në Deçan.

    “Gjatë kontrollit të lokalit ku dyshohet se zhvillohej kjo veprimtari, janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht prova materiale që dyshohet se kanë shërbyer për zhvillimin e kësaj veprimtarie, përfshirë letra/karta të lojës, pesë (5) telefona mobilë, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,615 (një mijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë) euro”, thotë Prokuroria.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

    Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve.

    “Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i rastit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, përfshirë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarve, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe dukurive të kundërligjshme, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj të gjithë personave që dyshohet se përfshihen në veprimtari të tilla”, thotë Prokuroria.

  • Prezantohet projekti i banimit social adekuat, Kurti e cilëson një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve

    Prezantohet projekti i banimit social adekuat, Kurti e cilëson një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mori pjesë në konferencë për media të paralajmëruar nga ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

    Kurti në konferencën që pati në fokus çështjet që lidhen me banimin social dhe politikat për mbështetjen e familjeve në nevojë, këtë projekt e ka cilësuar si një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale.

    “Sot po prezantojmë projektin e banimit social adekuat në Republikën e Kosovës, një investim ky i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale. Kësisoj po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën e kemi vendosur në qendër të punës tonë si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kjo është përmirësimi i mirëqenies së familjeve e krijimi i kushteve më të mira për jetë”, tha Kurti.

    Ndërsa, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se nga e hëna do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, në kuadër të projektit për banim social.

    “Duke filluar nga dita e hënë, ne nisim nënshkrimin e marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, duke shënuar kështu investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë. Ky projekt nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një platformë e vërtetë për drejtësi sociale, ku askush nuk mbetet pas”, tha Pacolli.

    Sipas saj, projekti ka një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro financohen drejtpërdrejt nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës, raporton kp.

    “Ai ka një vlerë prej 37 milionë eurove, ku 25 milionë euro financohen direkt prej Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, deklaroi Pacolli.