ATV

Author: G.O.

  • “Thaçi për president”, Haradinaj: Vazhdimi i mandatit të tij është nder për ne si shqiptarë

    “Thaçi për president”, Haradinaj: Vazhdimi i mandatit të tij është nder për ne si shqiptarë

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër situatën aktuale institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e bllokon funksionimin e Kuvendit dhe po e mban Kosovën në krizë politike.

    Haradinaj tha se ditët po kalojnë ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, duke e cilësuar këtë si “djegie të mandatit” të deputetëve të zgjedhur.

    “Ditët po kalojnë, seanca, Kuvendi është inekzistent. E vërtetë që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, djegie e mundësisë dhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit”.

    Sipas tij, mos-thirrja e seancës me arsyetimin se mungesa e një marrëveshjeje mund të shkaktojë tensione apo dhunë në Kuvend është vetëm një arsyetim.

    “Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, institucionet dhe mbi çdo obligim kushtetues dhe ligjor. Mos-thirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë, është vetëm alibi”.

    Haradinaj ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar edhe këtë si një “alibi” për zvarritjen e procesit.

    Ai ka propozuar një zgjidhje që lidhet drejtpërdrejt me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se vazhdimi i mandatit të tij do të ishte një mundësi për të shmangur mbajtjen peng të vendit.

    “Çështja e marrëveshjes për president edhe kjo është alibi që ndodh qëllimshëm.”

    Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, u shpreh ai.

  • Kurti: Sot pasdite takohem me komandatin e KFOR-it për hapjen e Urës së Ibrit

    Kurti: Sot pasdite takohem me komandatin e KFOR-it për hapjen e Urës së Ibrit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, raporton Ekonomia Online.

    Kurti njoftoi se pasditen e sotme do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për të diskutuar edhe çështjen e hapjes së urës.

    “Për marrjen nën kontroll të urës, jemi në komunikim me KFOR-in. Kam një takim në Kryeministri me Ulutash. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme”, tha Kurti.

    Ai shtoi se pas ndërtimit të urave të reja, është e pakuptimtë që Ura e Ibrit të vazhdojë të mbahet e mbyllur.

    “Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur”, u shpreh Kurti.

  • PDK sërish sot në Kuvend, kërkon vazhdimin e seancës konstituive

    PDK sërish sot në Kuvend, kërkon vazhdimin e seancës konstituive

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot do të jetë në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vazhdën e kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit kjo ngjarje do të mbahet prej orës 11:00.

    Sipas PDK-së, ky subjekt politik parlamentar, të premten i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.

    Këtij aksioni do t’i bashkohet edhe Aleanca.

    PDK-ja dhe Aleanca kanë vazhduar me kërkesën për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit.

    Kjo e fundit ka thënë se fillimisht duhet të ketë marrëveshje për konstituim të institucioneve në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

    Të dyja këto parti parlamentare përveç LDK-së kanë refuzuar ftesat e Lëvizjes Vetëvendosje për takime.

  • I mituri merr AK-47, gjatë manipulimit godet vëllanë 10 vjeçar – detaje të rastit në Podujevë

    I mituri merr AK-47, gjatë manipulimit godet vëllanë 10 vjeçar – detaje të rastit në Podujevë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm nga një i mitur në Podujevë.

    Rasti ka ndodhur të premten, në ora 12:00.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se nipi i tij i mitur ka marr armën AK-47 dhe gjatë manipulimit ka shkrepur një fishekë dhe predha ka goditur vëllain e tij fëmijë 10 vjeçar”, thuhet në raport.

    I lënduari është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë dhe është jashtë rrezikut për jetë.

    Gjatë kontrollit të shtëpisë në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 me një karikator me 20 copë fishekë.

    Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i Departamentit për të mitur i cili ka urdhëruar që rasti të incizohet si më lartë, ndërsa i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

  • MINTI publikon çmimet e reja të derivateve: Benzina shtrenjtohet, nafta mbetet njëjtë

    MINTI publikon çmimet e reja të derivateve: Benzina shtrenjtohet, nafta mbetet njëjtë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimi maksimal i naftës është përcaktuar në 1.79 euro për litër, ndërsa benzina mund të shitet deri në 1.53 euro për litër.

    Ndërkohë, çmimi maksimal i gazit mbetet 0.62 euro për litër.

    Një ditë më parë, çmimi maksimal i naftës ishte 1.79 euro për litër, ndërsa benzina mund të shitej deri në 1.52 euro për litër.

    Ndërkohë, çmimi maksimal i gazit ishte 0.62 euro për litër.

  • Njësia A4 rikthehet në operim, KEK paralajmëron tym më të theksuar gjatë startimit

    Njësia A4 rikthehet në operim, KEK paralajmëron tym më të theksuar gjatë startimit

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 është rikthyer në procesin e operimit, pas përfundimit me sukses të sanimeve të nevojshme.

    Sipas KEK-ut, njësia ka filluar procesin e startimit dhe pritet që së shpejti të sinkronizohet me rrjetin energjetik.

    Korporata ka bërë të ditur se gjatë fazës së startimit, për arsye teknologjike, mund të ketë tym më të theksuar për disa orë.

    KEK ka kërkuar mirëkuptimin e Komunës së Obiliqit dhe të qytetarëve gjatë kësaj periudhe të shkurtër, duke theksuar se dukuria lidhet me procesin teknik të rikthimit të njësisë në operim.

  • Trump thotë se Irani s’është i gatshëm të arrijë “marrëveshjen e duhur”

    Trump thotë se Irani s’është i gatshëm të arrijë “marrëveshjen e duhur”

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nuk beson që Irani është i gatshëm që të arrijë “marrëveshjen e duhur” për t’i dhënë fund konfliktit, duke shtuar se Uashingtoni po shikon se “çfarë do të ndodhë më pas”.

    Udhëheqësi amerikan po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara kanë “kontrollin e plotë” të zonës përreth Ngushticës kyç të Hormuzit, e cila është mbyllur që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit.

    Ndërprerja e trafikut përmes ngushticës ka qenë një nga çështjet qendrore të konfliktit dhe një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje, teksa Teherani dhe Uashingtoni kanë qëndrime të ndryshme sa i përket kontrollit mbi këtë rrugë të rëndësishme ujore.

    Teherani pretendon se e ka kontrollin e plotë të rrugës ujore dhe thotë se ajo do të hapet vetëm pasi Uashingtoni të plotësojë disa kushte.

    “Ata do të donin shumë të arrinin një marrëveshje, por, sipas mendimit tim, nuk janë të gatshëm të bëjnë marrëveshjen e duhur”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet nëse opsionet ushtarake të SHBA-së kundër Iranit ishin të kufizuara.

    Komentet e tij të bëra më 21 gusht erdhën pasi Omani tha se ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Omanit kishin diskutuar për rifillimin e negociatave për lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Dy vendet së fundi kanë zhvilluar bisedime për krijimin e një rruge të re që do të garantonte kalim të sigurt përmes kësaj ngushtice./REL/

  • Ngacmoi seksualisht një grua në Fushë Kosovë dhe u largua, policia arreston të dyshuarin

    Ngacmoi seksualisht një grua në Fushë Kosovë dhe u largua, policia arreston të dyshuarin

    Një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një grua në Fushë Kosovë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

    Policia tha se ka arrestuar atë dhe se me vendim të prokurorit u dërgua në Qendrën e Mbajtjes.

    “SULM SEKSUAL: Fushë Kosovë  12.04.2026. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se më datë 12.04.2026 kishte ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes”.

  • Prishtina teston sot alarmin publik

    Prishtina teston sot alarmin publik

    Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, ka njoftuar qytetarët se sot, më 22 gusht 2026, do të realizohet testimi i Sistemit të Alarmit Publik në kryeqytet.

    Në bazë të njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komunës, testimi do të zhvillohet në ora 12:15, dhe alarmi do të lëshohet me zë të njëtrajtshëm dy herë, secila duke zgjatur për 30 sekonda.

    Komuna ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për një testim teknik, pa asnjë lidhje me ndonjë situatë emergjente reale.

    Për këtë arsye, qytetarëve u është bërë thirrje të mos shqetësohen nga aktivizimi i sirenave dhe të mos ndërmarrin veprime të panevojshme, siç është largimi i papritur nga vendet e punës apo shkollave.

    “Ju lutemi të mos shqetësoheni, pasi bëhet fjalë vetëm për një testim teknik të sistemit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.

  • “Është katastrofë”, qytetarët kundër çmimeve të larta të derivateve, thonë se janë të papërballueshme

    “Është katastrofë”, qytetarët kundër çmimeve të larta të derivateve, thonë se janë të papërballueshme

    Rritja e çmimeve të derivateve po vazhdon të rëndojë xhepat e qytetarëve në Kosovë, duke shtuar edhe më tej barrën e një kostoje jetese tashmë të lartë, raporton Ekonomia Online.

    Me naftën që të premten arriti në 1.79 euro për litër, benzina në 1.52 euro dhe gazi në 0.62 euro, qytetarët shprehen të shqetësuar për përballueshmërinë e këtyre çmimeve.

    Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në buxhetet familjare, ata paralajmërojnë se shtrenjtimi i karburanteve mund të reflektohet edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera, për shkak të rritjes së kostove të transportit.

    Brahim Vrellaku, mërgimtar, tregoi se krahasuar me pagat, çmimet në Kosovë janë shumë të larta, duke theksuar krizën institucionale.

    “Unë rrugës kur kam ardhur nga Italia për me ardhë në Kosovë, në Kroaci e ke më së pakti 50 përqind naftën më lirë se në Kosovë, Shqipëria e kishte pasur më lartë. Në Kosovë tani është çmimi katastrofë me e krahasuar me pagat të cilat merren në Kosovë, çmimi është tepër i lartë. Unë si e shoh, derisa nuk ka shtet, derisa s’ka Kuvend, derisa s’ka Qeveri, këtu njerëzit jo vetëm naftarët, por edhe të gjithë nëpër dogana për mendimin tim as nuk e dinë kush sa hynë, as çka del, as asgjë. Për mendimin tim është katastrofë gjendja në Kosovë. Nuk janë aspak të përballueshme”, tha ai për Ekonomia Online.

    Edhe qytetari Rrustem Avdiu, poashtu i konsideron këto çmime të pakuptueshme dhe aspak të arsyeshme.

    “Keq boll, kjo është e pakuptueshme, por çfarë të bësh. Është katastrofë. Qeveria jonë kështu po bën. Populli po e voton këtë qeveri, a kjo e ka qëllimin ta shkatërrojë Kosovën, tjetër jo, përparim s’ka prej saj, vetëm shkatërrim. S’janë të arsyeshme hiç, as të naftës, as çmimet ditore, për çdo ditë janë duke shkuar lartë këto, nuk e di sesi populli po mundet të mbijetojë, shumë problem i madh është”, theksoi ai për Ekonomia Online.

    Kurse, qytetari Muharrem Faiku, u shpreh se rritja e çmimeve të naftës ndikon edhe në rritjen e çmimeve të produkteve tjera.

    “Sigurisht, shumë shtrenjtë janë, kuptohet ajo, është e papërballueshme. Nuk di çfarë të them, mirëpo çmimi i naftës është shumë i lartë, sigurisht që ndikon, kur rriten çmimet, kjo i rrit edhe çmimet tjera pastaj, sepse kostot e transportit, e këto të gjitha edhe është shumë. Ashtu ashtu unë nuk e përdori shumë (veturën), më shumë eci me biçikletë, kjo ende e zvogëlon mundësinë me e përdorë”, u shpreh ai.