ATV

Author: G.O.

  • Hamza priti në takim lamtumirës Guerot: Mirënjohës për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës

    Hamza priti në takim lamtumirës Guerot: Mirënjohës për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur  sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë këtij mandati.

    “Franca ka qenë përherë shtet mik i Kosovës dhe qytetarëve tanë. I shpreh mirënjohje të veçantë Ambasadorin Guerot për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe të Francës”, u shpreh kryetari Hamza.

    Kryetari Hamza i uroi suksese Ambasadorit Guerot në angazhimet e tij të ardhshme, duke vlerësuar lartë kontributin e tij.

  • Sot pritet të caktohet vlera e subvencionimit për tekstet shkollore

    Sot pritet të caktohet vlera e subvencionimit për tekstet shkollore

    Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka deklaruar se negociatat për çmimet e teksteve shkollore me shtëpitë botuese janë drejt përfundimit dhe se brenda ditës pritet të caktohet edhe vlera e subvencionimit për prindërit.

    “Tashmë jemi krejt në fund të negociimit. Besojmë që brenda ditës me e përmbyll dhe me caktu edhe vlerën e subvencionit dhe menjëherë me nis me ekzekutimin e pagesave”, ka deklaruar Çeku.

    Sipas tij, synimi është që prindërit të kenë disa ditë kohë para nisjes së mësimit për t’i blerë tekstet dhe materialet shkollore.

    Çeku ka kritikuar faktin që librat kanë dalë në shitje në kohën kur ende po negocioheshin çmimet.

    “Ne ishim duke i negociuar çmimet me shtëpitë botuese dhe në atë moment dolën në shitje librat. Kjo është shkelje”, është shprehur ai.

    Për këtë çështje, ministri në detyrë ka bërë të ditur se Ministria do t’u drejtohet organeve përgjegjëse.

    “Dhe për atë, ne do t’i drejtohemi organeve përgjegjëse, sepse ata prindër duhet të kompensohen nga ata që e kanë bërë këtë shkelje”, tha Çeku.

    Ai ka theksuar se prioritet mbetet përfundimi i negociatave dhe realizimi sa më i shpejtë i pagesave, në mënyrë që prindërit të kenë kohë të mjaftueshme për të siguruar tekstet para fillimit të vitit të ri shkollor.

    Ndërkohë, Çeku ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, përfshirë masat e sigurisë dhe përgatitjet për sigurimin e teksteve e materialeve shkollore.

  • Vrasje e rëndë në Prizren: 80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet se u vra nga bashkëshorti 81-vjeçar

    Vrasje e rëndë në Prizren: 80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet se u vra nga bashkëshorti 81-vjeçar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj, ndërsa bashkëshorti i saj 81-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për “Vrasje të rëndë”.

    Rasti ka ndodhur mëngjesin e 26 gushtit, rreth orës 01:30, ndërsa pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka ngritur dyshimet se lëndimet në trupin e viktimës mund të jenë shkaktuar nga forca duarthatë.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

    Sipas policisë, në vendngjarje kanë dalë patrullat policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

    Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.

    Ndërkohë, 81-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

    Sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre.

  • Konjufca: Ka probabilitet të madh të kemi marrëveshje për presidentin, Kurti është gati – emrat i kemi

    Konjufca: Ka probabilitet të madh të kemi marrëveshje për presidentin, Kurti është gati – emrat i kemi

    Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se ekziston një probabilitet i madh që të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

    Konjufca ka deklaruar se takimi i radhës ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillohet këtë javë përmes propozimit të emrave konkretë për president.

    Konjufca ka bërë të ditur se Vetëvendosje i ka tashmë emrat e saj për këtë pozitë, por nuk ka zbuluar se për cilët persona bëhet fjalë.

    “Prej kur Lidhja Demokratike e Kosovës janë të gatshëm për takime dhe tashmë është paralajmëruar që takimi i radhës do të zhvillohet në formën e propozimit të emrave konkret lidhur me presidentin e ardhshëm dhe kjo e bën menjëherë që kjo është një shans e mirë dhe një mundësi e re. Prandaj, besoj se ekziston një probabilitet goxha i madh që të jemi me një president dhe me një marrëveshje për president. Meqenëse kurdo që të takohet kryeministri Kurti me kryetarin Abdixhiku mendoj do të jetë forma e negocimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkret dhe prej atyre sa tyre emrave konkret unë besoj që prej tyre do të jetë edhe presidentja ose presidenti i ardhshëm i Kosovës. Mua më vjen keq që u humb java e kaluar mendoj se nuk kishte nevojë, mirëpo prapë se prapë e mirëkuptojmë këdo që ka pas nevojë për një kohë shtesë, sepse do duhet ta kuptoni që kjo nuk është një çështje që kaq e thjeshtë, partitë kanë nevojë që të vijnë tek emrat konkret sa i përket asaj se cilët do të jenë përfundimtar që do të propozohen. Lëvizja Vetëvendosje është gati, kryeministri Kurti është gati – emrat i kemi po nuk mund t’i ndaj këtu me juve, dhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati, sepse javën e kaluar tha që kjo javë do të jetë java me të cilën ata do takohen. Kurti ende s’ka ftesë”, ka deklaruar Konjufca.

  • Më 28 gusht shpallet aktgjykimi ndaj Konjufcës

    Më 28 gusht shpallet aktgjykimi ndaj Konjufcës

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

    Aktgjykimi do të shpallet më 28 gusht, në orën 13:00.

    Konjufca gjatë seancës së sotme nuk e ka pranuar fajësinë, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar aktgjykim lirues.Rasti lidhet me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës në sallën plenare, duke ndërprerë punimet dhe detyruar deputetët dhe pjesëmarrësit e tjerë të largoheshin për shkak të tymit të krijuar.

    Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se ai e kishte kryer veprën për të cilën akuzohej.

    Ndërkaq, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata kishte refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

    Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka prishur këtë vendim dhe e ka kthyer çështjen në rigjykim, duke bërë që rasti të shqyrtohet sërish nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017. Sipas prokurorisë, ai, në cilësinë e deputetit, kishte përdorur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kuvendit më 10 gusht 2016, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.

    Sipas përshkrimit në aktakuzë, si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës, pjesëmarrësit në sallë ishin detyruar të ndërprisnin qëndrimin dhe të largoheshin nga ambientet e Kuvendit.

  • Dieta që të dobëson dhe parandalon plakjen e parakohshme

    Dieta që të dobëson dhe parandalon plakjen e parakohshme

    Në një botë të dominuar me dieta nga më të çuditshmet, pjesa më e madhe e të cilave rekomandohen nga personazhet e njohur, shumë njerëz nuk e besojnë se ka një dietë të vetme të mirë për shëndetin.

    Megjithatë, studimet kanë treguar se një dietë e pasur me perime, proteina dhe yndyra të shëndetshme ka përfitimet kryesore për të rënë në peshë dhe mbrojtur zemrën e trurin ndërsa plakemi.

    Ky lloj regjimi i të ngrënit vjen në forma të ndryshme, nga një dietë me bazë bimore deri në atë mesdhetare. Disa njerëz konsumojnë më shumë vezë, produkte të bulmetit, mish dhe peshk; ndërsa të tjerë janë vegjetarianë dhe shmangin mishin dhe produktet e tjera shtazore.

    Kryesorja është se shumica këtyre dietave kanë dy karakteristika kryesore: janë të pasura në perime, proteina dhe yndyra të shëndetshme, dhe të ulëta në ushqimet e përpunuara dhe karbohidratet e rafinuara si buka e bardhë.

    Sipas ekspertëve, regjimi i të ngrënit lidhet ngushtë me plakjen e shëndetshme dhe një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve kronike si kanceri, sëmundjet zemrës dhe përmirësimi i funksionit njohës.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës për 24 orë ka shqiptuar 2 mijë e 401 gjoba trafiku.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se brenda 24 orëve janë shënuar 32 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 20 aksidente me të lënduar.

    Tutje, bëhet e ditur se për 24 orë, policia ka arrestuar 9 persona dhe 7 janë dërguar në mbajtje.

    Në 24 orët e fundit është regjistruar 1 aksident me fatalitet.

  • Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, IShP nis hetimin në Korçë

    Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, IShP nis hetimin në Korçë

    Një ekip specialistësh të IShP-së nga Tirana ka mbërritur në terren, ku po kryen hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin dhe marrjen e masave të nevojshme për kontrollin e tyre, shkruan Euronews.al.

    Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet aktualisht në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor. I moshuari banon në qytetin e Korçës dhe dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë qëndrimit në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës.

    Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, 72-vjeçari iu drejtua spitalit, ndërsa analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

    Ndërkohë, specialistët e ISHP-së po kryejnë kontrolle në zona të ndryshme të qarkut të Korçës për të evidentuar praninë e mushkonjës bartëse të virusit dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren për frenimin e përhapjes së saj.

    Në kuadër të hetimit dhe masave parandaluese, ekipet e specializuara po kryejnë edhe depistimin në vatër. Në zonat ku konstatohet prania e mushkonjave, pritet të ndërhyhet me dezinfektim dhe trajtime të posaçme.

    Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni mund të kalojë pa simptoma ose të shfaqet me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.

    Në rastet e rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

    Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren, ndërsa hetimi i ISHP-së pritet të përcaktojë shkallën e pranisë së mushkonjës bartëse në zonë dhe masat që do të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tjera.

  • Kosovari kapet me patentë shofer të falsifikuar në Aeroportin e Prishtinës

    Kosovari kapet me patentë shofer të falsifikuar në Aeroportin e Prishtinës

    Një rast i dyshuar i falsifikimit të dokumentit është raportuar mbrëmjen e së martës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të dokumenteve personale dhe të automjetit, i dyshuari ka prezantuar një patentë shoferi të lëshuar nga një shtet tjetër, për të cilën dyshohet se është e falsifikuar.

    Me urdhër të prokurorit, dokumenti është konfiskuar për procedura të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Zelensky i bën thirrje Kinës: Na ndihmoni t’i japim fund luftës

    Zelensky i bën thirrje Kinës: Na ndihmoni t’i japim fund luftës

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka kërkuar Kinës që të luajë një rol më të fuqishëm diplomatik në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe për ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave.

    Zelenskyy i bëri këto komente teksa falënderoi liderët ndërkombëtarë për urimet me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, të shënuar më 24 gusht. Mesazhi drejtuar presidentit kinez, Xi Jinping, mori rëndësi të veçantë për shkak të rolit që Pekini mund të luajë në përpjekjet diplomatike për përfundimin e konfliktit.

    Duke iu referuar marrëdhënieve mes dy vendeve, Zelenskyy theksoi se pavarësia është një vlerë e panegociueshme për ukrainasit dhe për të gjitha kombet sovrane.

    “Ne mbështetemi në bashkëpunim të mëtejshëm dhe në Kinën që luan një rol të fortë diplomatik për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit tonë. Paqja mund të jetë arritja jonë e përbashkët”, shkroi presidenti ukrainas.

    Zelenskyy falënderoi gjithashtu Xi Jinping për urimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, të ndërtuara mbi bazën e respektit të ndërsjellë.