ATV

Author: G.O.

  • Gjykatësja federale i ndalon administratës Trump kërcënimet ndaj zyrtarëve zgjedhorë

    Gjykatësja federale i ndalon administratës Trump kërcënimet ndaj zyrtarëve zgjedhorë

    Një gjykatëse federale në SHBA ka urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump të ndalojë kërcënimet me ndjekje penale ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve, në rastet kur ata refuzojnë t’u binden kërkesave të administratës lidhur me votuesit që dyshohet se nuk janë shtetas amerikanë.

    Vendimi u mor të premten, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të mesmandshme në SHBA, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do ta kontrollojë Kongresin amerikan.

    Gjykatësja federale Trina Thompson vlerësoi se Departamenti i Drejtësisë kishte tejkaluar kompetencat e tij duke kërcënuar me ndjekje penale zyrtarët që nuk bashkëpunonin me nismat e administratës Trump për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.

    Administrata Trump u kishte kërkuar shteteve të dorëzonin të dhënat e regjistrimit të votuesve, duke argumentuar se masat më të rrepta janë të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve, shkruan NBC News.

    Megjithatë, gjykatësja urdhëroi administratën të mos u kërkojë zyrtarëve lokalë të largojnë votues nga listat e regjistrimit, të refuzojnë fletëvotimet e personave të caktuar apo t’i ndajnë ato në bazë të listave të administratës për personat që dyshohet se nuk janë shtetas amerikanë.

    Në vendimin e saj, Thompson theksoi se interesi publik kërkon që zyrtarët dhe punonjësit zgjedhorë të mund ta kryejnë detyrën e tyre në përputhje me ligjet federale dhe procedurat zgjedhore.

    Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga sindikatat e punonjësve të zgjedhjeve dhe disa organizata të tjera. Kritikët, përfshirë ekspertë politikë dhe zyrtarë nga të dyja partitë, Demokratike dhe Republikane, i kanë cilësuar veprimet e administratës si ndërhyrje të tepruar të pushtetit federal në proceset zgjedhore.

    Departamenti i Drejtësisë nuk ka komentuar menjëherë vendimin.

    Trump, në të kaluarën, ka bërë pretendime të pavërteta lidhur me zgjedhjet, përfshirë refuzimin për të pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

  • AUV asgjëson mbi 5.5 tonë misër nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës B1

    AUV asgjëson mbi 5.5 tonë misër nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës B1

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin, si dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar se përmbajtja e aflatoksinës B1 ishte mbi kufijtë maksimalë të lejuar.

    Sipas njoftimit të AUV-së, masat janë ndërmarrë ndaj tri subjekteve ekonomike, në të cilat më 29 tetor 2026 është realizuar asgjësimi i misrit nën mbikëqyrjen e inspektorëve të këtij institucioni.

    Sasitë e asgjësuara janë:

    • Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë – 3,270 kilogramë;
    • Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës – 1,040 kilogramë;
    • NTP “Te Hysi” në Shtime – 1,250 kilogramë.

    Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.

    AUV paralajmëron se, përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, kjo toksinë mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.

    Agjencia u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër në të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të aflatoksinës B1.

    “Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e qarkullimit të produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në njoftim.

    AUV thekson se siguria e ushqimit për kafshë është pjesë thelbësore e mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe e sigurisë së gjithë zinxhirit ushqimor.

    *Aflatoksina B1 është një substancë toksike që paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. Konsumimi i ushqimit të kontaminuar me këtë toksinë, veçanërisht për një periudhë të gjatë, mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kancerit të mëlçisë. Kur kafshët ushqehen me misër të kontaminuar, toksina mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke krijuar rrezik edhe për konsumatorët e produkteve të qumështit. /Telegrafi/

  • BE-ja pret angazhim konstruktiv nga fituesi i zgjedhjeve në Serbi në dialogun me Kosovën

    BE-ja pret angazhim konstruktiv nga fituesi i zgjedhjeve në Serbi në dialogun me Kosovën

    Bashkimi Evropian ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndryshojnë bazat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe obligimet që palët kanë marrë përsipër në kuadër të këtij procesi.

    Në një përgjigje për Kallxo.com, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka theksuar se dialogu nuk varet nga liderët individualë politikë dhe se të gjitha zotimet e deritanishme mbeten në fuqi.

    “Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut të lehtësuar nga BE-ja apo obligimet e ndërmarra nga palët”- thuhet në përgjigjen e BE-së për Kallxo.com

    BE-ja ka rikujtuar se këto obligime përfshijnë edhe ato që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e vitit 2023, si dhe Aneksi i Zbatimit të saj, i njohur si Marrëveshja e Ohrit.

    “Dialogu, i lehtësuar nga BE-ja, nuk varet nga liderët individualë politikë. Të gjitha zotimet ekzistuese mbeten të vlefshme, përfshirë ato që burojnë nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit (Marrëveshja e Ohrit)”- thuhet më tej në përgjigje.

    Sa i përket mundësisë së ndryshimit të qëndrimit negociues të Serbisë pas zgjedhjeve, zëdhënësi i BE-së ka vlerësuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

    “Në këtë fazë, do të ishte e parakohshme të spekulohej për ndryshime të mundshme në qëndrimin negociues të Serbisë apo për implikimet e tyre në dialog”- thuhet në përgjigje.

    BE-ja pret që Serbia të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog, të respektojë zotimet ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Presim që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, t’i respektojë zotimet e saj ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve. BE-ja është e gatshme të angazhohet me udhëheqjen e re për të siguruar vazhdimësinë dhe për të ruajtur dinamikën e procesit”- tha zëdhënësi.

    Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka hapur diskutime për të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi dhe ndikimin e mundshëm në përfaqësimin politik të serbëve në Kosovë. 

  • Dy të rinj nga Vushtrria kapen nga policia shqiptare në Morinë, kërkoheshin nga INTERPOL-i në Gjermani

    Dy të rinj nga Vushtrria kapen nga policia shqiptare në Morinë, kërkoheshin nga INTERPOL-i në Gjermani

    Dy të rinj nga Kosova janë arrestuar në Morinë, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.

    Blutë bëjnë me dije se ata ishin dënuar me nga 15 vite burg secili për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim dhe dëmtim prone.

    Në pranga kanë rënë një 22-vjeçar dhe një 24-vjeçar, të dy banues në Vushtrri.

    Ata pritet të ekstradohen drejt Gjermanisë.

    Njoftimi i policisë:

    Morinë, Kukës

    Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut, për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

    Në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vjedhje me dhunë, kapen në Morinë dy shtetas kosovarë, të dënuar me nga 15 vite burg secili.

    Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, në kuadër të operacionit “Wanted”, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimi dy shtetas kosovarë, konkretisht:

    1. M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri, Kosovë.

    Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Erfurtit, Gjermani, më datë 01.06.2026, i ka dënuar me nga 15 vite burgim secilin, për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman.

    Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, Gjermani, vijon punën për finalizimin e ekstradimit të këtyre shtetasve drejt Gjermanisë.

  • Vidhen mbi 100 armë zjarri nga një depo në Gjakovë

    Vidhen mbi 100 armë zjarri nga një depo në Gjakovë

    Një vjedhje e rëndë është raportuar në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë, ku persona të panjohur dyshohet se kanë vjedhur mbi 100 armë zjarri nga një depo e armëve.

    Rastin në Polici e kanë raportuar dy burra dje pasdite.

    “Rr. Fehmi Agani, Gjakovë 30.10.2026-18:00. Dy ankuesit meshkuj kosovarë, kanë raportuar se nga depoja e armëve, persona të panjohur kanë vjedhur mbi 100 armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”.

    Policia, që e cilësoi rastin si “vjedhje e rëndë”, tha se është duke e hetuar.

  • Rita Ora mahnit me dukjen, ndërsa transformohet si ikona Dolly Parton për Halloween

    Rita Ora mahnit me dukjen, ndërsa transformohet si ikona Dolly Parton për Halloween

    Rita Ora është frymëzuar nga legjenda e muzikës country, Dolly Parton, për kostumin e saj të Halloween-it këtë vit, duke u shndërruar në ikonën e muzikës për një festë të mbajtur të premten në New York.

    Këngëtarja 35-vjeçare mori pjesë në festën e Halloween-it të organizuar nga The Frankie Shop në metropolin amerikan, ku u shfaq me një bluzë të shkurtër dhe dekolte të hapur, shkruan DailyMail.

    Dolly Parton ndërroi jetë në gusht, në moshën 80-vjeçare, pas një beteje të shkurtër me kancerin. Lajmi për vdekjen e saj nxiti reagime dhe homazhe nga emra të shumtë të industrisë muzikore.

    Rita solli në vëmendje edhe një tjetër element karakteristik të pamjes së Dolly Parton, modelin ikonik të flokëve biondë, të ngritur në formë voluminoze. Për këtë, ajo kishte vendosur një paruke që imitonte stilin e njohur të këngëtares.

    Paraqitja e saj tërhoqi vëmendje edhe së fundmi, kur Rita ishte në krah të bashkëshortit të saj, Taika Waititi, në premierën e filmit të tij të ri, “Klara and the Sun”.

    Ajo u shfaq në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Londër, të organizuar nga BFI, me një fustan të zi dantelle dhe një aksesor të madh e të pazakontë në kokë.

    Rita tërhoqi vëmendjen me stilin ekstravagant, duke kombinuar fustanin transparent prej dantelle, me fund voluminoz, me një aksesor në formë gjembash.

    Krahas pozimit përkrah bashkëshortit të saj, këngëtarja u fotografua edhe me aktoret e filmit, Jenna Ortega dhe Amy Adams.

    Dalja e saj publike vjen pasi u bë e ditur se Rita po përballet me një padi nga ish-menaxherja e saj, e cila po kërkon 3.2 milionë funte, nën pretendimin se këngëtarja nuk i ka paguar kompanisë përqindjen e saj nga të ardhurat

    Rita i ndërpreu bashkëpunimin menaxheres Sarah Stennett në vitin 2024, pas një marrëdhënieje profesionale që kishte nisur në vitin 2009. Në atë kohë, ishte raportuar se ndarja kishte ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve lidhur me drejtimin që duhej të merrte karriera e këngëtares.

    Megjithatë, situata ka marrë një kthesë tjetër, pasi themeluesja e kompanisë FAE Ventures ka paraqitur një padi në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar se biznesi i saj ka miliona funte të papaguara. Kështu, palët tashmë janë përfshirë në një betejë ligjore.

    Sipas pretendimeve të kompanisë, Rita, e cila kishte nënshkruar kontratën e parë me kompaninë e Sarah Stennett kur ishte vetëm 18 vjeçe, nuk ka paguar përqindjen që i takonte kompanisë nga të ardhurat e përfituara prej turneve muzikore dhe angazhimeve televizive.

    Shuma e pretenduar arrin rreth 3.2 milionë funte, ndërsa në dokumentet e dorëzuara thuhet se Rita ka shkelur kushtet e kontratës duke mos paguar pjesën që i takonte kompanisë.

    Sipas gazetës “The Sun”, shuma më e madhe e pretenduar si pagesë e papërmbushur është pak më shumë se 1.7 milionë funte. Kompania e Sarah Stennett pretendon se janë bërë zbritje të palejuara për shërbime profesionale, përfshirë reklamat, kontabilitetin dhe sigurimet.

    Një tjetër pretendim, në vlerë prej 1.1 milion funte, lidhet me të ardhurat nga turnet muzikore që dyshohet se nuk janë raportuar gjatë periudhës nga pranvera e vitit 2019 deri në vitin 2020, kur Rita ishte në turneun e saj botëror “Phoenix”.

    Në dokumentet e dorëzuara thuhet se pagesat ndaj FAE nuk kanë përfshirë disa të ardhura nga turneu, të cilat këngëtarja i kishte përfituar personalisht ose përmes palëve që vepronin në emër të saj gjatë asaj periudhe.

    DailyMail ka kontaktuar përfaqësuesit e Sarah Stennett dhe Rita Orës për një koment lidhur me rastin, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/

  • Aleanca: Profile të rreme në Facebook po bëjnë thirrje për vrasjen e Ramush dhe Daut Haradinajt, provat i janë dorëzuar Policisë

    Aleanca: Profile të rreme në Facebook po bëjnë thirrje për vrasjen e Ramush dhe Daut Haradinajt, provat i janë dorëzuar Policisë

    Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj një fushate të organizuar në rrjetet sociale, e cila, sipas tij, ka eskaluar deri në kërcënime të hapura me jetë ndaj Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.

    Xhemaili ka thënë se dhjetëra profile të rreme po shpërndajnë sistematikisht shpifje dhe informacione të pavërteta, të cilat Aleanca i ka demantuar zyrtarisht që në fillim.

    Ai ka veçuar një profil me emrin fiktiv “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe e quan veten “Avni Rrustemi 2.0”. 

    Sipas Xhemailit, ky profil, gjatë dy ditëve të fundit, ka zhvilluar një fushatë propaganduese me thirrje publike për vrasjen e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.

    “Ky profil po tenton të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, ka deklaruar Xhemaili.

    Xhemaili ka bërë të ditur se kane dorëzuar pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat dhe provat për këtë profil dhe llogaritë e tjera të ndërlidhura.

    “Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, ka thënë ai.

    Zëdhënësi i Aleancës ka kritikuar edhe deklaratat e deputetëve të partisë në pushtet, të cilat, sipas tij, po i japin mbështetje kësaj fushate të linçimit dhe kërcënimit online.

    Ai e ka cilësuar këtë si një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimi i institucioneve për parandalimin e rastit tragjik në Pejë.

    “Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë”, ka përfunduar Xhemaili.

  • Prodhimet bujqësore shtrenjtohen në Kosovë

    Prodhimet bujqësore shtrenjtohen në Kosovë

    Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë kanë shënuar rritje prej 1.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në kuadër të Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimeve në Bujqësi për TM3 2026.

    Sipas ASK-së, rritja është vërejtur si te prodhimet bimore, ashtu edhe te ato blegtorale. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore është rritur për 0.8 për qind, ndërsa ai i prodhimeve blegtorale për 3.1 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.

    Për përpilimin e indeksit, prodhimet bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhime bimore dhe prodhime blegtorale.

    Në grupin e prodhimeve bimore përfshihen drithërat, bimët foragjere, perimet, patatet dhe pemët, ndërsa te prodhimet blegtorale bëjnë pjesë blegtoria dhe produktet e saj.

    Në kuadër të blegtorisë, çmimet janë mbledhur për katër kategori kafshësh: gjedhe, dele, derra dhe pula. Për këto kategori, çmimet janë përcaktuar në bazë të peshës së gjallë të kafshëve.

    Ndërkaq, te prodhimet blegtorale janë përfshirë edhe qumështi, vezët dhe mjalti.

    ASK bën të ditur se të dhënat janë mbledhur në tregje, ferma dhe pika të tjera të grumbullimit të prodhimeve bujqësore. Çmimet janë llogaritur në euro, ndërsa njësitë matëse të përdorura janë kilogrami, litri dhe copa.

  • Një fundjavë protestash në mbarë Evropën

    Një fundjavë protestash në mbarë Evropën

    Evropa po përgatitet për një fundjavë me protesta dhe tensione sociale e politike, teksa demonstrata janë paralajmëruar në disa prej qyteteve më të mëdha të kontinentit, nga Berlini, Parisi dhe Londra, deri në Romë e Tiranë.

    Mobilizimet, shumica e të cilave janë planifikuar për të shtunën, më 31 tetor, nuk kanë një organizim të përbashkët dhe as kërkesa të njëjta. Megjithatë, ato pasqyrojnë pakënaqësitë e grupeve të ndryshme shoqërore, të cilat lidhen me rritjen e kostos së jetesës, financimin e arsimit dhe shëndetësisë, shpenzimet ushtarake dhe marrëdhëniet mes qeverive dhe brezit të ri.

    Ndërsa në Gjermani të rinjtë po mobilizohen kundër shkurtimeve buxhetore dhe planeve për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në Itali protestat kanë nisur që të premten, të shoqëruara me një grevë të përgjithshme. Franca po hyn në fundjavë pas një periudhe trazirash, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë.

    Në këtë valë protestash përfshihet edhe Shqipëria, ku studentët dhe qytetarët janë thirrur të mblidhen të shtunën në mesditë para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

    Gjermania, të rinjtë kundër rekrutimit ushtarak dhe shkurtimeve buxhetore

    Një nga mobilizimet më të gjera të paralajmëruara për të shtunën pritet të zhvillohet në Gjermani, ku iniciativa rinore “Gen Z regelt” ka bërë thirrje për demonstrata në Berlin, Hamburg, Frankfurt, Mynih, Këln dhe qytete të tjera të vendit.

    Protestat janë paralajmëruar për orën 14:00, nën moton që e vendos të ardhmen e të rinjve në qendër të kërkesave politike.

    Organizatorët kundërshtojnë planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, si dhe reduktimin e financimeve për arsimin dhe shërbimet sociale. Ata kërkojnë më shumë investime në shkolla, universitete, shëndetësi dhe strehim të përballueshëm.

    Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët dhe të raportuara nga Anadolu Agency, mbi 140 mijë të rinj kishin shprehur në internet synimin për të marrë pjesë në demonstrata. Megjithatë, kjo shifër përfaqëson regjistrime paraprake dhe jo pjesëmarrje të konfirmuar.

    Tensionet janë shfaqur edhe para fundjavës. Të mërkurën, studentë në Berlin dhe Hamburg bllokuan hyrjet e disa ndërtesave universitare, në shenjë kundërshtimi ndaj shkurtimeve buxhetore dhe politikave të mbrojtjes.

    Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë paralajmëruar për mundësinë që grupe radikale të përpiqen të shfrytëzojnë protestat, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se synojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë paqësore.

    Italia, grevë e përgjithshme dhe protesta në dhjetëra qytete

    Ndryshe nga Gjermania, ku demonstratat kryesore janë paralajmëruar për të shtunën, në Itali mobilizimi ka nisur që të premten, më 30 tetor, me një grevë të përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikata USB.

    Dhjetëra mijëra studentë dhe punonjës kanë dalë në rrugë, duke kërkuar paga më të larta, forcimin e shërbimeve publike dhe masa për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.

    Protestat janë zhvilluar në më shumë se 40 qytete, përfshirë Romën, Milanon, Napolin, Torinon, Bolonjën dhe Xhenovën.

    Një pjesë e demonstruesve kanë kundërshtuar gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe përdorimin e porteve italiane për transportin e armatimeve.

    Në Romë, marshimi kaloi pranë Koloseut, ndërsa në Milano demonstruesit hynë në një prej akseve të qarkullimit rrugor. Në Xhenova, punonjës portualë dhe studentë u mobilizuan në zonën e portit.

    Sipas Reuters, shumica e protestave të së premtes u zhvilluan në mënyrë paqësore. Megjithatë, në Torino policia përdori ujë me presion ndaj demonstruesve që iu afruan perimetrit të sigurisë pranë prefekturës.

    Për shkak të shqetësimeve se tensionet mund të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, Ministria e Brendshme e Italisë ka ngritur nivelin e gatishmërisë.

    Franca, protestat vazhdojnë dhe shtohen masat e sigurisë

    Franca po hyn në fundjavë pas një periudhe protestash dhe përplasjesh që kanë vënë në provë qeverinë e presidentit Emmanuel Macron.

    Pakënaqësitë lidhen me kushtet ekonomike, shërbimet publike dhe kërkesat e të rinjve, ndërsa reagimi i autoriteteve ndaj demonstruesve ka nxitur debat më të gjerë për të drejtën e tubimit.

    Sipas Le Monde, gjatë mobilizimeve të 24 tetorit autoritetet angazhuan rreth 70 mijë policë dhe xhandarë, si dhe vendosën kufizime lokale të lëvizjes dhe masa të tjera sigurie.

    Kjo shifër i referohet operacionit të mëparshëm të sigurisë dhe nuk përbën numër të konfirmuar të forcave që do të angazhohen më 31 tetor.

    Për të shtunën janë paralajmëruar demonstrata të tjera në Paris, ku autoritetet kanë përgatitur masa sigurie dhe kufizime në zona të caktuara.

    Situata në Francë po ndiqet me vëmendje edhe nga organizatorët e protestave në Gjermani, të cilët kanë përmendur lëvizjet studentore franceze si një prej pikave të referimit për mobilizimin e tyre.

    Protesta të paralajmëruara edhe në Londër dhe Spanjë

    Valës së mobilizimeve pritet t’i bashkohet edhe Mbretëria e Bashkuar, ku për të shtunën janë paralajmëruar demonstrata në Londër.

    Një njoftim sigurie i Ambasadës amerikane ka evidentuar tubime të planifikuara për 31 tetor. Ndërkohë, njoftime për aktivitete protestuese kanë qarkulluar edhe në Spanjë.

    Shqipëria, protestë kombëtare në Tiranë

    Në këtë panoramë të mobilizimeve evropiane përfshihet edhe Shqipëria, ku studentët dhe qytetarët kanë bërë thirrje për një protestë kombëtare të shtunën, më 31 tetor, në orën 12:00, para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

    Thirrja është shpërndarë përmes rrjeteve sociale dhe vjen pas një periudhe protestash studentore, të nisura më 13 tetor, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të opozitës, si dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, që t’i bashkohen tubimit.

    Në deklaratën e tij të 30 tetorit, Berisha e cilësoi lëvizjen studentore si shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si autoritetet kanë trajtuar protestat.

    Mobilizimi i së shtunës zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, në një kohë kur qeveria ka miratuar edhe masa të reja administrative për identifikimin dhe monitorimin e personave të dyshuar për veprime të dhunshme gjatë tubimeve.

    Më 28 tetor, Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e një regjistri elektronik të personave të referuar ose nën hetim për akte të dhunshme në protesta.

    Vendimi parasheh që të dhënat e këtij regjistri të përdoren nga Policia e Shtetit dhe, në kushte të përcaktuara, edhe nga Policia Kufitare, për vendimmarrje administrative lidhur me daljen jashtë vendit.

    Qeveria i ka paraqitur këto masa si pjesë të përpjekjeve për parandalimin e dhunës, ndërsa protesta e paralajmëruar për të shtunën pritet të zhvillohet nën vëmendjen e shtuar të publikut dhe me fokus te mënyra se si policia do ta menaxhojë tubimin.

  • Dua Lipa mahnit në ceremoninë e çmimeve në New York, shfaqet me veshje të veçantë nga Chanel

    Dua Lipa mahnit në ceremoninë e çmimeve në New York, shfaqet me veshje të veçantë nga Chanel

    Ylli shqiptar i muzikës, Dua Lipa, ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “WSJ Magazine Innovator Awards”, e mbajtur të enjten mbrëma në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në New York.

    Këngëtarja u shfaq e veshur me një komplet të veçantë nga koleksioni i modës së lartë të Chanel për sezonin vjeshtë-dimër 2026. Veshja përbëhej nga një xhaketë dhe një fund i ngushtë deri në gju, të punuara me teksturë të theksuar leshi, pupla të zeza dhe detaje dekorative me rruaza.

    Pamjen e saj e plotësoi me një kapelë të zezë me strehë të gjerë, këpucë sateni dhe çizme të zbukuruara me rruaza. Për stilimin e këngëtares u kujdes stilisti i saj prej kohësh, Lorenzo Posocco.

    Edhe grimi ishte në harmoni me veshjen, me tone të ngrohta, hije bronzi dhe buzëkuq nude.

    Ceremonia e organizuar nga revista “The Wall Street Journal” u mbajt më 29 tetor dhe shënoi edicionin e 16-të të çmimeve. Këtë vit u vlerësuan shtatë personalitete nga fusha të ndryshme, ndërsa në kategorinë e muzikës çmimi iu nda këngëtares spanjolle Rosalía.

    Në mesin e të ftuarve të tjerë ishin edhe Lupita Nyong’o, Cara Delevingne, A$AP Rocky, Christian Louboutin dhe Gayle King.