ATV

Author: G.O.

  • Edona Podrimja emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë

    Edona Podrimja emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje ka emëruar Edona Podrimja në pozitën e zëvendësministres në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Kryeministri Kurti e uroi Podrimen për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Arrestohet një person në Pejë nën dyshimin për ngacmim seksual

    Arrestohet një person në Pejë nën dyshimin për ngacmim seksual

    Një person është arrestuar në Pejë, nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një gruaje.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 2 nëntor 2026, ndërsa lidhur me të janë intervistuar viktima dhe një dëshmitare, të dyja femra kosovare.

    Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia ka sekuestruar si prova materiale një laptop dhe dy telefona celularë.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente. 

  • Përleshje mes pesë personave në Mitrovicë të Veriut, të gjithë kërkojnë ndihmë mjekësore

    Përleshje mes pesë personave në Mitrovicë të Veriut, të gjithë kërkojnë ndihmë mjekësore

    Pesë persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 2 nëntor, rreth orës 00:05.

    Si pasojë e përleshjes, të pesë të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

  • ShBA-ja godet Iranin, sulmet ndodhin në prag të zgjedhjeve të mesmandatit

    ShBA-ja godet Iranin, sulmet ndodhin në prag të zgjedhjeve të mesmandatit

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme të kufizuara ushtarake ndaj objektivave në ishullin iranian Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

    Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë për mediat amerikane, të cilët i kanë cilësuar sulmet si veprime mbrojtëse. Sipas tyre, operacioni erdhi si kundërpërgjigje pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit kishte qëlluar ndaj një mjeti fluturues amerikan.

    Agjencia shtetërore iraniane IRNA raportoi për disa shpërthime në ishull gjatë së hënës, ndërsa autoritetet amerikane theksuan se bëhej fjalë për sulme të kufizuara dhe jo për rifillim të operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit.

    Sulmet ndodhën një ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në të cilat përcaktohet se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan.

  • E marta me shi në Kosovë, reshje më të dendura priten në këto zona

    E marta me shi në Kosovë, reshje më të dendura priten në këto zona

    Gjatë ditës së sotme, vendi ynë do të karakterizohet nga mot i vranët, me reshje shiu dhe temperatura të ulëta.

    Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), reshjet më të theksuara pritet të regjistrohen gjatë ditës së martë, ndërsa në viset e larta malore shiu mund të përzihet edhe me borë.

    Reshje më të dendura parashihen në zonën e Pejës, ku parashikimet meteorologjike tregojnë sasi më të mëdha të reshjeve, si dhe në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Drenas.

    Në Prishtinë, temperaturat pritet të lëvizin nga 5 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa në nivel vendi temperaturat minimale do të zbresin deri në 0 gradë.

    Për Kosovën është në fuqi paralajmërimi i verdhë për reshje shiu. Reshjet mund të shkaktojnë vështirësi në trafik, përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në zonat e rrezikuara.

    IHMK rekomandon që qytetarët të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe të përdorin veshje më të ngrohta për shkak të rënies së temperaturave.

  • Këto vende do të mbesin pa energji elektrike sot, KEDS publikon orarin e ndërprerjeve

    Këto vende do të mbesin pa energji elektrike sot, KEDS publikon orarin e ndërprerjeve

    Disa lokalitete në Kosovë do të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së sotme, 3 nëntor 2026, për shkak të punimeve të planifikuara në rrjetin energjetik.

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se punimet do të zhvillohen në disa rajone, ndërsa ndërprerjet do të zgjasin nga disa orë, varësisht nga lokacioni.

    Më poshtë gjeni orarin dhe vendet që do të preken nga ndërprerjet:

    PRISHTINË

    Ora 09:00–16:00

    Pa energji elektrike do të mbesin një pjesë e rrugëve Fehmi Agani dhe Luan Haradinaj, si dhe Qeveria e Kosovës.

    Arsyeja: Konvertimi i daljes Qeveria nga tensioni 10 kV në 20 kV.

    PEJË

    Ora 10:30–15:30

    Ndërprerja do të përfshijë një numër të madh rrugësh dhe lagjesh në qytetin e Pejës, përfshirë rrugët Ali Pashë Tepelena, Avdyl Frashëri, Dr. Nuredin Çeku, Eqrem Çabej, Gjergj Fishta, Isa Boletini, Maria Shllaku, Rifat Burxheviq, Shaban Spahija, Bajram Kelmendi, De Rada, Enver Hadri, Isa Boletini, Lekë Dukagjini, Nëna Terezë, Onufri, Sheshi Haxhi Zeka dhe zona të tjera.

    Pa energji elektrike do të mbesin edhe Qendra Spitalore e Pejës, Manastiri i Pejës dhe Ujësjellësi.

    Ndërprerja do të prekë edhe fshatrat Bogë, Drelaj, Dugaivë, Haxhaj, Koshutan, Kuqishtë, Leqinat, Llaz, Llutov, Malaj, Neqinat, Pecaj, Pepiq, Reka e Allagës, Shkrel, Shtupeq i Madh, Shtupeq i Vogël dhe Stankaj, si dhe Levoshën e Majën e Zezë.

    Arsyeja: Punime në kthina.

    PRIZREN

    Ora 10:00–15:30

    Ndërprerje do të ketë në Euro Granit, Atmaxhë I dhe II, Tupec I, II dhe III, Landovicë, si dhe në Tulltoren I dhe II.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive dhe pastrim i trasesë.

    MITROVICË

    Ora 10:00–16:00

    Ndërprerja do të përfshijë fshatrat Arbëri e Epërme, Arbëri e Poshtme, Likovcë, Makërmal, Morinë, Plluzhinë, Pozhullë, Murg, Obri e Ulët, Obri e Epërme, Rrezallë, Shtuticë, Ticë dhe Tushil, si dhe një pjesë të Skenderajt.

    Arsyeja: Zhvendosja e përçuesve në shtylla të reja elektrike dhe energjizimi i një segmenti të linjës së re në kuadër të projektit Turiqevci.

    Ora 10:00–15:30

    Pa energji elektrike do të mbesin edhe fshatrat Rashan dhe Terstenë.

    Arsyeja: Pastrimi i trasesë.

    GJILAN

    Ora 10:30–12:30

    Ndërprerje do të ketë në rrugët Mulla Idrizi, Arbëria, Bajram Llovca, Edit Durham, Elena Gjika, Gursel Bajram Sylejmani, Ibrahim Temo, Martirët e Gjilanit, Xheladin Kurbaliu dhe Zabeli i Sahit Agës.

    Pa energji elektrike do të mbesë edhe Velekinca, përfshirë Velekincën e Epërme dhe të Ulët.

    Arsyeja: Rregullimi i kthinave.

    Ora 10:30–12:30

    Ndërprerje do të ketë edhe për një pjesë të konsumatorëve në rrugët Arben Ramadani, Hysen Tërpeza, Arbëri, Lidhja e Prizrenit dhe një pjesë të Velekincës.

    Arsyeja: Rregullimi i kthinave.

    Ora 10:30–15:00

    Pa energji elektrike do të mbesin edhe Shurdhani, Pidiqi, Selishta, Qeliku, Haxhta, Isufaj dhe Terziaj.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive dhe pastrim i trasesë.

    KEDS ka bërë të ditur se këto ndërprerje janë të planifikuara për realizimin e punimeve në rrjetin e energjisë elektrike.

  • Dita e shtatë e protestave në Prishtinë kundër femicidit, përsëriten thirrjet për dorëheqjen e Gërvallës e Sveçlës

    Dita e shtatë e protestave në Prishtinë kundër femicidit, përsëriten thirrjet për dorëheqjen e Gërvallës e Sveçlës

    Protesta për vrasjen e Arlinda Zekaj do të vazhdojë edhe sot në Prishtinë, për të shtatën ditë radhazi, me kërkesën për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastin e saj.

    Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, është paralajmëruar të nisë në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

    Organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara, si dhe siguri për gratë që përballen me dhunë.

    Ndër kërkesat kryesore të protestuesve është që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve institucionalë që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

    Po ashtu, protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e institucioneve të drejtësisë, policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, në rast se konstatohet se nuk kanë përmbushur detyrat e tyre në trajtimin e rastit.

    Në mesin e kërkesave është edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave në rrezik.

    Protesta dhe marshime në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn janë mbajtur edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog.

  • Hoti kritikon Qeverinë për miratimin e vonuar të buxhetit: Po shkelet ligji dhe Kushtetuta

    Hoti kritikon Qeverinë për miratimin e vonuar të buxhetit: Po shkelet ligji dhe Kushtetuta

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë lidhur me miratimin e Buxhetit për vitin 2027, duke pretenduar se ai është miratuar pas afatit ligjor të 31 tetorit.

    Hoti përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, buxheti duhej të miratohej brenda këtij afati.

    Ai ka rikujtuar se në vitet e kaluara, kur ndonjë komunë kishte miratuar buxhetin pas afatit ligjor, Qeveria nuk e kishte përfshirë atë në buxhetin e përgjithshëm, por buxheti i saj duhej t’u nënshtrohej procedurave të veçanta të miratimit në Qeveri dhe Kuvend.

    Deputeti i LDK-së e ka cilësuar të papranueshme atë që e quan shkelje të ligjit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria.

    Ai ka kritikuar edhe ministrat, duke thënë se asnjëri prej tyre nuk ka guxuar ta ngrejë çështjen e shkeljes së pretenduar ligjore gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    “Me këto sjellje, kjo nuk është Qeveri dhe këta nuk janë ministra. Këta janë një grup abuzuesish me ligjin dhe Kushtetutën”, ka deklaruar Hoti.

  • Kurti: Shqiptarët në Serbi shënuan rezultatin më të lartë që nga viti 2000, presim ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës

    Kurti: Shqiptarët në Serbi shënuan rezultatin më të lartë që nga viti 2000, presim ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat, sipas tij, sollën ndryshime të rëndësishme në skenën politike të vendit fqinj, si dhe për rezultatin e arritur nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, raporton Ekonomia Online.

    Kurti ka theksuar se Koalicioni Shqiptar ka arritur të marrë 27.670 vota, duke siguruar dy mandate parlamentare dhe duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.

    “Të dielën që lamë pas, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat sollën rezultate historike për shqiptarët dhe ndryshime të rëndësishme politike në fqinjin tonë verior. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.

    Ai ka vlerësuar edhe bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke thënë se rezultati i arritur është dëshmi e vendosjes së interesit të përgjithshëm mbi atë partiak.

    “Shqiptarët, ndonëse pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet ndër 9 listat e pakicave kombëtare. Ky rezultat është fryt i përbashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, përkundër dallimeve ndërmjet tyre, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Për këtë i falënderoj drejtuesit e secilit subjekt politik, kandidatët, aktivistët dhe qytetarët që e bënë të mundur këtë arritje”, është shprehur ai.

    Duke folur për rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve në Serbi, Kurti ka thënë se ato kanë sjellë një rikonfigurim të skenës politike, ku Lista Studentore doli e para, ndërsa koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare dhe lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.

    “Këto zgjedhje sollën edhe një rikonfigurim të skenës politike në Serbi. Lista Studentore doli e para, koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë Kurti.

    Në vijim të fjalës së tij, kryeministri ka përmendur edhe nevojën për ballafaqim me të kaluarën, denazifikim të diskursit politik, dekriminalizim institucional dhe demokratizim të brendshëm në Serbi, duke i cilësuar këto si kushte për normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje.

    “Ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët”, ka deklaruar ai.

    Kurti ka theksuar se zbardhja e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë, identifikimi i lokacioneve të varrezave masive dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbeten detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

    “Zbardhja e krimeve ndaj civilëve shqiptarë, e vendndodhjeve të varrezave masive dhe e fatit të personave të zhdukur është detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, shtoi Kurti.

  • Haxhiu para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm: Kryetari i VV-së ka mbështetjen më të madhe qytetare

    Haxhiu para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm: Kryetari i VV-së ka mbështetjen më të madhe qytetare

    Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm, ku ndër temat e diskutimit janë edhe zhvillimet e fundit politike dhe procesi i ardhshëm zgjedhor.

    Para mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e pyetur nëse mund të ketë ndryshim të kryetarit të Vetëvendosjes, ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye që partia të ndërmarrë një hap të tillë.

    Ajo theksoi se kryetari i VV-së gëzon mbështetjen më të madhe qytetare dhe është personi më i votuar në Republikën e Kosovës.

    “Është e rëndësishme që të fillojmë një proces të mirë zgjedhor. Kryetari i VV-së ka mbështetjen më të madhe qytetare. Nuk shoh asnjë arsye që VV-ja të bëjë diçka në këtë drejtim, pasi është personi më i votuar në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu për Klan Kosova.

    Ajo bëri të ditur gjithashtu se do t’i njoftojnë për vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.