ATV

Author: G.O.

  • Ekzekutohen pagesat për punëtorët teknikë në Prishtinë, Elshani – Tash presim punë e përgjegjësi, shëndeti i fëmijëve nuk negociohet

    Ekzekutohen pagesat për punëtorët teknikë në Prishtinë, Elshani – Tash presim punë e përgjegjësi, shëndeti i fëmijëve nuk negociohet

    Protestat dhe pezullimi i punës nga punëtorët teknikë në shkollat dhe çerdhet e Prishtinës duket se i kanë ardhur fundit. Pas periudhës së grevës që shkaktoi shqetësim për nivelin e higjienës në institucionet arsimore, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemit.

    Gjatë ditës së djeshme janë ekzekutuar përfundimisht pagesat ndaj operatorëve ekonomikë, të cilët menaxhojnë punëtorët teknikë që ishin në grevë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili ka deklaruar se pas shlyerjes së detyrimeve financiare, pritshmëria e vetme tashmë është rikthimi i menjëhershëm në punë dhe zbatimi strikt i kontratave.

    “Pagesat janë ekzekutuar. Tashti presim përgjegjësi dhe punë! Presim që puna në shkollat dhe çerdhet tona të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur,” ka bërë të ditur Elshani.

    Për me tepër, me qëllim garantimin e standardeve higjieno-sanitare, Drejtoria e Arsimit ka paralajmëruar masa të rrepta kontrolli në terren. Në ditët në vijim pritet të formohet një task-forcë e posaçme që do të mbikëqyrë gjendjen e higjienës në secilën shkollë dhe çerdhe të kryeqytetit.

    Elshani ka nëvizuar se nuk do të ketë tolerime ndaj asnjë operatori apo punonjësi që nuk i përmbahet detyrimeve, duke u shprehur prerazi se “shëndeti i fëmijëve tanë është i panegociueshëm”.

  • “Çmimet e konsumit familjar gati janë dyfishuar” – Hoti kritikon Qeverinë: Kush mban përgjegjësi?

    “Çmimet e konsumit familjar gati janë dyfishuar” – Hoti kritikon Qeverinë: Kush mban përgjegjësi?

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për politikat ekonomike, duke ngritur shqetësime për rritjen e kostos së jetesës dhe ndikimin e saj në mirëqenien e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi publik, Hoti ka deklaruar se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë pesë vjetëve të fundit kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar pothuajse janë dyfishuar.

    Sipas tij, suksesi ekonomik i një qeverie nuk duhet të matet vetëm përmes rritjes së buxhetit të shtetit, por edhe përmes ndikimit real që politikat ekonomike kanë në jetën e qytetarëve.

    Hoti ka kritikuar atë që e cilëson si propagandë për sukses ekonomik, në një kohë kur, sipas tij, familjet kosovare po përballen me shpenzime gjithnjë e më të larta.

    Përmes këtyre deklaratave, deputeti opozitar ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë institucionale për gjendjen ekonomike dhe rritjen e çmimeve.

    Pretendimet e Hotit për rritjen e çmimeve bazohen në të dhënat që ai ia atribuon ASK-së, ndërsa shifrat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur në këtë raportim.

  • 15 vjet pritje për drejtësi – babai i Diana Kastratit: Nuk do të ndalemi, askush nuk më dëgjoi kur kërkoja ndihmë

    15 vjet pritje për drejtësi – babai i Diana Kastratit: Nuk do të ndalemi, askush nuk më dëgjoi kur kërkoja ndihmë

    Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, familja e saj është rikthyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë herë me shpresën se procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit Adnan Jashari do t’i japë fund pritjes së gjatë për drejtësi.

    Babai i viktimës, Gëzim Kastrati, ka folur për vuajtjet e familjes gjatë këtyre viteve, duke kritikuar edhe mosveprimin e institucioneve, të cilave, sipas tij, u ishte drejtuar për ndihmë.

    “Ky rast pas 15 vjetësh është një drejtësi e vonuar, por besojmë dhe shpresojmë se do ta marrë epilogun e merituar”, deklaroi Kastrati pas seancës gjyqësore.

    Ai tha se kishte kërkuar ndihmë nga institucionet edhe para vrasjes së vajzës së tij, por pretendon se askush nuk e kishte pranuar për t’i dëgjuar shqetësimet e tij.

    “Po, edhe para rastit të vajzës sime, 6 muaj jam marrë me këtë çështje. Atëherë s’ka qenë Pallati i Drejtësisë. Ka pasur shtëpi dhe institucione të tjera. Askush nuk më ka pranuar që të flas, të shprehem, të prononcohem për situatën, që ta zgjidhim këtë çështje”, tha ai.

    “Por edhe sot, edhe nesër, nuk do të ndalemi”, shtoi Kastrati.

    I pyetur në kontekstin e vrasjes së fundit të Arlinda Zekajt, babai i Dianës tha se solidarizohet me familjen e saj, por nuk dëshiron të bëjë krahasime mes viktimave.

    Ai ngriti shqetësime për përgjegjësinë e zyrtarëve institucionalë, duke pretenduar se neglizhenca e tyre ka ndikuar në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

    Ndërkohë, avokatja e familjes, Miranda Haxhiu, e cilësoi procesin si drejtësi të vonuar dhe kërkoi që institucionet të sigurojnë praninë e të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati.

    “Ky gjykim do të zhvillohet në mungesë dhe presim nga drejtësia e Kosovës që të sigurojë edhe prezencën e të pandehurit në këtë procedurë”, deklaroi Haxhiu.

    Diana Kastrati, 27-vjeçare, u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, teksa po shkonte në fakultet.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 22 tetor 2026 ndaj ish-bashkëshortit të saj, Adnan Jashari, për veprën penale të vrasjes së rëndë.

    I akuzuari vazhdon të jetë në arrati, ndërsa procedura gjyqësore është paraparë të zhvillohet në mungesë.

  • Prattipati takon komandantin e KFOR-it, në fokus siguria dhe stabiliteti në Kosovë

    Prattipati takon komandantin e KFOR-it, në fokus siguria dhe stabiliteti në Kosovë

    E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim me komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori.

    Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Kosovë përmes një njoftimi në Facebook, ku bëhet e ditur se gjatë takimit është theksuar rëndësia e ruajtjes së një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në vend.

    Takimi zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe misionit të NATO-s në Kosovë, me fokus çështjet që lidhen me sigurinë.

  • Protestë kombëtare për Arlinda Zekajn sot në Prishtinë, kërkohet shkarkimi i Gërvallës e Sveçlës

    Protestë kombëtare për Arlinda Zekajn sot në Prishtinë, kërkohet shkarkimi i Gërvallës e Sveçlës

    Këtë të shtunë do të vazhdojë protesta me kërkesën për drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt.

    Protesta do të nisë nga ora 12:00, nga katedralaja “Nënë Tereza”, derisa organizatorët kanë ftuar qytetarët t’i bashkohen thirrjes për drejtësi për vrasjen e grave.

    Në thirrjen për t’iu bashkuar protestës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se vrasja makabre e Arlindës e ka ekspozuar në mënyrë të paprecedentë të gjithë zinxhirin institucional që, kur gratë ndihen në rrezik dhe kërkojnë ndihmë, në vend se t’i mbrojë, i anashkalon dhe “me duart e veta i dërgon drejt vrasjes”.

    “Vrasja e saj si dhe reagimi shtetëror e ka vendosur shoqërinë tonë në një krizë dhe pasiguri shoqërore, të cilën mund ta kalojmë vetëm më përgjegjësi shtetërore dhe garantim që jeta e grave merret seriozisht. Të shtunën ju thërrasim në protestë gijthëkombëtare për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për t’i kërkuar këtij shteti që ta shpallë femicidin si urgjencë kombëtare si zotim për të gjitha ne vajzat e gratë e Kosovës. Arlinda Zekaj na e ka lënë amanet që të kërkojmë përgjegjësi, e këtë amanet ne po e zgjasim jo veç për Arlindën dhe çdo grua të vrarë por edhe për çdo vajzë e grua të gjallë”.

    Kolektivi tha se patriarkisë shtetërore Arlinda Zekaj “ia ka lëkundë themelet”.

    “Tani është e jona që këtë ta çojmë deri në fund, për t’i dhënë fund njëherë e mirë dhunës së shumëfishtë ndaj vajzave e grave në Kosovë”.

    Kolektivi feminist ka radhitur edhe kërkesat e tyre, përfshirë edhe shkarkimin e ministrave Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla, të cilët refuzuan të japin dorëheqje.

    Protestuesit gjithashtu kërkojnë edhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

    Zekaj u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Pejë nga i dyshuari ish-kunati i saj. Zekaj kishte shkruar disa letra drejtuar institucioneve të drejtësisë ku tregonte se jeta e saj ishte në rrezik, por nuk u ndërmor asgjë për të mbrojtur jetën e saj.

    Megjithëse janë suspenduar disa zyrtarë për këtë rast, protestuesit kërkojnë përgjegjësi më të madhe nga ata që janë krye të sistemit të drejtësisë.

    Të shtunën ne kërkojmë që shteti ta trajtojë me urgjencë femicidin dhe kërkojmë:

    1. Shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit Suada Rama Hamza, kryetarin e gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtores së QPS-së Shpresa Lukajn, togerin Faruk Muqolli dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë;

    2. Shkarkim të Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e Gazmend Muhaxherit;

    3. Trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare;

    4. Sigurim të banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje;

    5. Veting apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë

    6. Legalizim të sprejit vetëmbrojtës për gra

    Në rrugë e sheshe, për sigurinë e çdo vajze e gruaje në Kosovë!

  • Kurtishi: Mbi 85 për qind e barnave esenciale në Onkologji janë në dispozicion, mungesat ishin të përkohshme

    Kurtishi: Mbi 85 për qind e barnave esenciale në Onkologji janë në dispozicion, mungesat ishin të përkohshme

    Mbi 85 deri në 90 për qind e barnave nga lista esenciale janë në dispozicion në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa mungesat e disa medikamenteve gjatë këtij viti kanë qenë të përkohshme dhe të menaxhueshme, ka deklaruar drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurtishi ka thënë se në periudha të caktuara ka pasur mungesa të disa barnave, kryesisht të atyre që janë futur për herë të parë në listën esenciale dhe për të cilat kërkesa ka qenë më e madhe sesa planifikimet fillestare.

    Ai ka bërë të ditur se në raste të caktuara pacientët kanë pasur vonesa në marrjen e terapisë prej shtatë deri në nëntë javësh, ndërsa furnizimi me disa medikamente është vonuar edhe për dy deri në tri javë ose një muaj.

    “Kur sot flasim, ne kemi shumicën e barnave do të thotë në klinikë, mos të themi më shumë se 85-90% të asaj që është pjesë e listës esenciale, prejashtim te barnave që nuk kanë pasur autorizim marketing, dhe është e vërtetë do të në periudha të caktuara me këtë këtë vit, pra kemi pasur mungesa të parakohshme të disa medikamenteve, po ne vazhdimisht i kemi përcjellë shumë afër pacientët dhe e kemi vlerësuar situatën korrekte të pacientit dhe mbas asaj edhe e kemi rekomanduar dhe udhëzuar trajtimin e mëtejmë. Dhe në rastet kur është ka qenë e nevojshme që kjo ndërprerje pastaj të kompensohet ose të merret nga vetë pacienti të sigurojë barnë, ne i kemi udhëzuar, po ka pasur raste edhe kur ka pasur mundësi që ata të kenë do të thotë shtyrje të terapisë për një periudhë të caktuar kohore, por gjithmonë duke qenë në kontakt të ngushtë, duke i përcjellë pacientit dhe duke dhënë rekomandimet e duura sipas gjendjes aktuale të pacientit në mënyrë që situata dhe trajtimi të jetë i sëmundjes korrekte dhe sipas protokolleve dhe udhëzimeve çfarë e duhet të jenë”, tha ai.

    Kurtishi ka shpjeguar se mungesat janë paraqitur kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës për disa barna të reja, ndërsa ka thënë se klinika ka përshtatur trajtimin e pacientëve sipas gjendjes së tyre dhe protokolleve mjekësore.

    “Mungesat herë pas here janë bërë me disa barna të cilat ne i kemi futur për herë të parë në listë esenciale dhe barna të cilat do të kanë pasur një frekuencë ose një prevalencë ndoshta më të madhe dhe kërkesë më të madhe për këto barna, meqë se janë futur për herë të parë dhe ne sadoqë kemi bërë ato planifikimet dhe rekomandimet e listës esenciale të barnave, me qëllim që të gjithë pacientët që kanë nevojë të marrin terapi, ne pastaj kemi rritur numrin e pacientëve dhe të gjithë ata pacientë që kanë pasur nevojë për këto barna i kanë marrë për dhjetë muaj, jo për dymbëdhjetë, por për dhjetë muaj, shumica nga ata, varësisht periudhës kur janë futur ata në trajtim, dhe do të një periudhë prej shtatë-tetë javë, nëntë javë, por ka pasur një vonësë, por gjithmonë duke pasur parasysh do të thotë si ilaç i cili merret, ka dhe kohën e gjysmëeliminimit, ka dhe dozimin se çfarë është në raste të caktuara, mund të zvogëlojmë dozën me qëllim të menaxhimit të sëmundjes dhe pastaj prapë ta normalizojmë, kemi me bërë menaxhim sipas situatës”, theksoi Kurtishi.

    Ai ka shtuar se vonesa në furnizim ka pasur edhe nga operatorët ekonomikë që sjellin barnat në klinikë, por ka vlerësuar se situata e përgjithshme është e menaxhueshme.

    “Dhe ajo që mund të themi do të thotë ka pasur raste edhe kur furnizimi me këto barna është vonuar ndoshta për një periudhë dy-tre javë ose një muaj dhe nga vetë operatorët të cilët e kanë sjellë me një vonësi barin në klinikë. Por marrë përgjithësisht situata është normale, situata është e menaxhueshme dhe pacientët marrin, me mijëra pacientë trajtohen në klinikën e onkologjisë gjatë një jave, me kapacitet të plotë dhe më shumë ndoshta se 1200 pacientë ndoshta ndonjë javë marrin trajtim onkologjik, vetëm në shërbimin e radioterapisë dhe më shumë se 130 deri 150 pacientë në ditë marrin shërbimet radioterapeutike që janë shumë të sofistikuara, të veçanta, dhe shërbime të braiterapisë, më shumë se 15 pacientë në javë, që është një, të themi një gjë shumë pozitive dhe një trajtim mjaft modern i sëmundjeve malinje të organeve gjenitale, po në një kohë, do të thotë për hir të korrektsisë, ne i marrim edhe me rastet paliative”, tha ai.

    Sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer, drejtori i Onkologjisë ka thënë se deri në tetor të vitit 2026 klinika ka regjistruar rreth 1 mijë e 700 raste, shifër e përafërt me dy vitet paraprake.

    Sipas tij, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për vitin 2025 tregojnë mbi 3 mijë e 600 raste, ndërsa ai ka sqaruar se bëhet fjalë për të dhënat e Kancer Regjistrit Nacional, të cilat dallojnë nga ato të regjistrit klinik të Onkologjisë.

    “Vitin 2026, pra deri në tetor të këtij viti, ne kemi regjistruar në Kancer Regjistrin Klinik një numër të njëjtë të rasteve të reja në krahasim me vitin 2025 dhe 2024, dhe është një trend stabil, që e mendojmë që deri në fund të vitit do të kemi përafërsisht numër të njëjtë, dhe kjo është gjë shumë pozitive, pasi që kemi një kontroll të sëmundjeve malinje. Por të dhënat e klinikës së onkologjisë, normalisht, janë ato të cilat ne i raportojmë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët janë zyrtare, dhe të cilat janë të nxjerra prej Kancer Regjistrit Nacional, edhe aty kemi të dhëna, shifra të cilat janë prezantuar, do të thotë, javëve të kaluara, që vitin 2025, ne ose Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar më shumë se 3600 raste, kurse ne në Kancer Regjistrin Klinik, deri në këto momente kur flasim, kemi regjistruar rreth 1700 raste, që është përafërsisht e njëjtë me vitin 2025, dhe është incidenca më e ulët në rajon, në krahasim, nëse marrim për bazë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut ose Malin e Zi, pra kemi shumë më pak sa ato vende”, potencoi ai.

    Megjithatë, Kurtishi ka shprehur shqetësim për paraqitjen e rasteve të reja me kancer edhe te grup moshat më të reja, përfshirë personat e moshës 30 deri në 50 vjeç. Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos neglizhojnë shqetësimet shëndetësore dhe t’i kryejnë kontrollet sipas rekomandimeve të mjekëve.

    “Por ajo që neve na brengos një farë forme është ai grupacioni i veçantë i pacientëve të moshës ndërmjet 50 vjet ose një trageti i ri ndërmjet moshës 30-40, 40-50, kur ka tendencë që të regjistrojmë ose të lajmërojmë raste të reja me kancer në këto mosha, dhe kjo tregon për një sjellje tjetër të tumoreve, një gjenezë, një biologji tjetër, e cila është diçka e re jo në Kosovë, po në vende të rajonit dhe në Evropë, botë, dhe kjo duhet të ketë kujdes më shumë, të kemi më shumë kujdes, më shumë vëmendje, të kemi edukatë më të mirë dhe të mos neglizhojmë do të thotë rastet kur lajmërohen ndryshimet, ose kur kemi shqetësime të cilat nuk na lënë rehat dhe ne nuk mos të lajmërohemi te mjeku, po të vazhdojmë dhe të bëjmë kontrollet e duura, e ajo më e rëndësishmja pra është të bëjmë ekzaminimet sipas rekomandimeve të mjekëve në mosha të caktuara, dhe kjo do të bëjë pastaj edhe zbulimin e sëmundjeve më herët, kur nuk ka shenja dhe simptome sëmundja dhe kur është trajtimi, nëse eventualisht diagnostikohet, është më i lehtë”, tha ai.

    Duke folur për llojet më të shpeshta të sëmundjeve malinje, ai ka thënë se te gratë dominon kanceri i gjirit, ndërsa te burrat kanceri i mushkërive. Pas tyre renditen kanceret e zorrës së trashë dhe tumoret e organeve gjenitale, veçanërisht te gratë.

    “Dominon në Kosovë si në vende të tjera, kanceri i gjirit te femrat, por edhe si grupacion i veçantë në grupin e gjithë tumoreve. Pastaj te meshkujt, rendi i parë është kanceri i mushkërive, edhe pas këtyre dy llojeve të tumoreve, tumore shumë të shpeshta do të thotë janë kanceret e zorrës së trashë, pra rektumit dhe kolorektal, kolonit, pastaj si një në përqindje të konsiderueshme vijnë edhe tumoret e organeve gjenitale, sidomos te femrat, kanceri i qafës së mitrës, mitrës, vezoreve”, tha ai.

    Ai ka përmendur edhe disa lloje të tjera të tumoreve që, sipas të dhënave të klinikës, kanë shënuar tendencë rritjeje.

    “Edhe këtu do të thotë do të kemi një grupacion të veçantë të tumoreve, të cilët kohëve të fundit kanë tendencë në rritje, si janë tumoret e pankreasit, lukthit, pastaj tumoret te djemtë e rinj, tumoret e testiseve, apo tumoret e trurit, kokëqafës, dhe në këtë mënyrë në përgjithësi, pra kemi një shpërndarje të tillë të sëmundjeve malinje në bazë të Kancer Regjistrit të Klinikës së Onkologjisë, edhe kjo mbetet të jetë e njëjtë, pra një trend stabil dhe e njëjtë në përqindje me vitet paraprake, që neve tash na vënë në një situatë kur ne mund të kemi pra një informatë dhe një hartëzim më të mirë të këtyre sëmundjeve, si dhe përqindje të këtyre sëmundjeve në lokacione të ndryshme të Republikës”, potencoi ai.

  • BE kërkon të jetë pjesë e marrëveshjes së paqes në Ukrainë

    BE kërkon të jetë pjesë e marrëveshjes së paqes në Ukrainë

    Një marrëveshje paqeje për luftën në Ukrainë do të kërkojë pjesëmarrjen e BE-së, sipas së ngarkuarës për politikën e jashtme, Kaja Kallas.

    Sipas Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas marrëveshja e paqes për luftën në Ukrainë nuk mund të arrihet pa shtetet e Bashkimit Evropian. “Ne nuk mund të themi se si dhe kur Ukraina dhe Rusia do të lidhin një marrëveshje paqeje”, tha ajo pas një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit të Baltikut në Varshavë. “Që çdo marrëveshje të mund të zbatohet, do të jetë e nevojshme pjesëmarrja e Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.

    Më herët, një zëdhënëse e Komisionit Evropian kishte theksuar se është “çështje e Bashkimit Evropian” të. Sipas saj, rruga drejt një marrëveshjeje paqeje është “ende e gjatë”.

    Gjermania: bisedimet pa pjesëmarrjen e Evropës “nuk janë të dobishme”

    Edhe qeveria gjermane ka deklaruar, se bisedimet pa pjesëmarrjen e Evropës “nuk janë të dobishme”. Kancelari federal Friedrich Merz (CDU) kishte zhvilluar një telefonatë me Donald Trump gjatë natës të së premtes. Pas zgjedhjeve të ndërmjetme, procesi i negociatave për t’i dhënë fund luftës agresore ruse po fiton dinamikë të re, dhe është krijuar edhe “një ndjenjë e re urgjente”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, pas bisedës telefonike gjatë natës mesFriedrich Merz dhe Donald Trump. Të dy udhëheqësit shkëmbyen mendime lidhur me kursin që duhet ndjekur në negociatat e ardhshme për Ukrainën.

    Sipas Korneliusit, ekziston pajtim me administratën amerikane mbi katër parime themelore. Së pari, lufta në Ukrainë duhet të përfundojë dhe vetëm më pas të diskutohet për një rend të ri sigurie evropiane. Një marrëveshje mund të arrihet vetëm “në një kontekst të mbyllur”, pra vetëm atëherë kur “gjithçka të jetë rënë dakord”. Përveç kësaj, partnerët e NATO-s duhet të jenë të gjithë në një linjë dhe të japin pëlqimin e tyre nëpërmjet konsensusit, u tha.

    Njoftimi i Trump për një marrëveshje “shumë të madhe” me Rusinë

    Pas një takimi me një këshilltar të presidentit rus Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten (sipas orës lokale) një marrëveshje “shumë të madhe” me Rusinë, e cila nuk do të kishte të bënte vetëm me Ukrainën, por ndoshta edhe me “gjithë Evropën”. “Të gjithë do të jenë të entuziazmuar”, shtoi ai.

    Të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme, përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të zhvillojnë bisedime trepalëshe në Abu Dhabi për një fund të mundshëm të luftës në Ukrainë. Ky është takimi i parë i këtij lloji që nga muaji shkurt. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk do të marrin pjesë në këto bisedime trepalëshe./DW/

  • Autobusi godet për vdekje një këmbësore në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

    Autobusi godet për vdekje një këmbësore në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një të premten ka ndodhur një aksident trafiku ku një autobus që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, ka goditur këmbësoren viktimën femër kosovare.

    Në raportin policor bëhet e ditur se viktima nuk ka arritur t’u mbijetoj plagëve.

    “Stacioni i Autobusëve, Prishtinë 06.11.2026 – 08:00. Raportohet se ka ndodhur një aksident trafiku ku një autobus që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, ka goditur këmbësoren viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ku më pas ka humbur jetën. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Rasti po hetohet.

  • “31 shtete, një mision”, KFOR-i bashkon paqeruajtësit në marshimin tradicional të ushtrisë daneze

    “31 shtete, një mision”, KFOR-i bashkon paqeruajtësit në marshimin tradicional të ushtrisë daneze

    Paqeruajtësit e misionit të KFOR-it morën pjesë në marshimin tradicional “DANCON March”, i cili u mbajt në Kampin Novo Selo.

    Për këtë marshim, i bazuar në një traditë shumëvjeçare të ushtrisë daneze, KFOR tha se synon “qëndrueshmëri dhe frymë ekipore në veprim”.

    “Paqeruajtësit nga misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, morën pjesë në marshimin tradicional “DANCON March” në Kampin Novo Selo. Kjo traditë e kahershme e Ushtrisë Daneze ndërthur një sfidë të vështirë të qëndrueshmërisë fizike me mundësinë për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin ndërmjet kontingjenteve shumëkombëshe”.

    KFOR tha se ndër vite, kjo ngjarje është shndërruar në një simbol të vërtetë të frymës së KFOR-it: “31 shtete kontribuuese, të bashkuara në një mision dhe me një qëllim të përbashkët, duke qëndruar krah për krah si një ekip i përbashkët”.

    “Forca e KFOR-it qëndron në unitetin e tij. Duke i tejkaluar kufijtë, duke ecur përpara dhe duke i përballuar sfidat së bashku, paqeruajtësit dëshmojnë forcën, paanshmërinë dhe vendosmërinë e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, në të mirë të të gjitha komuniteteve”.

  • Kurti pranon raportin e Institutit për Krimet e Luftës: 13 mijë e 195 viktima të verifikuara

    Kurti pranon raportin e Institutit për Krimet e Luftës: 13 mijë e 195 viktima të verifikuara

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në listën preliminare të viktimave të vrara gjatë luftës në Kosovë janë verifikuar 13 mijë e 195 persona për periudhën 1998–2000, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit të databazës pritet të publikohen në fund të janarit të vitit 2027, raporton Ekonomia Online.  

    Këto të dhëna Kurti i bëri të ditura të premten pas pranimit të raportit vjetor të punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për periudhën nëntor 2025 – nëntor 2026.

    Kurti ka përmendur edhe publikimin e vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese ndërkombëtare Routledge, me 12 punime shkencore, si dhe organizimin e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare, me mbi 200 pjesëmarrës.

    “Në fund të korrikut e kemi pasur publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara të luftës me 13.195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000. Databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit do të publikohen pas 6 muajsh që i bie në fund të janarit të vitit 2027. Pastaj është bërë edhe publikimi i vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese prestigjioze ndërkombëtare Routledge, me 12 punime shkencore, si dhe organizimi i konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare me mbi 200 pjesëmarrës për shkallën dhe gjykimet e dokumentimit e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Kurti.

    Kurti ka përmendur edhe organizimin e forumit me të mbijetuarit e helmimeve të fillimit të viteve ’90, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të institutit përmes marrëveshjeve me institucione partnere.

    “Pastaj është organizuar forumi me të mbijetuarit e helmimeve të fillimit të dekadës së viteve ’90-ta, pra të shekullit të kaluar, dekadës së fundit, kur u paralajmërua gjenocidi i ri që do ta kryejë Serbia pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Mandej e kemi edhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me marrëveshje të ndryshme me institucione partnere. Në vitin e parë ka pasur 7 marrëveshje, në vitin e dytë 10 marrëveshje dhe tash në vitin e tretë 21 marrëveshje të trajnimeve profesionale të stafit në vende të ndryshme e për bashkëpunim për interes të ndërsjellë”, tha ai.

    Ai ka vlerësuar edhe punën në pasurimin e arkivit të institutit, duke theksuar rëndësinë e mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese për krimet e kryera gjatë luftës.

    “Pasurimi i vazhdueshëm i arkivit të institutit, të cilët gjithashtu e vizitova kësaj radhe, përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese mbi krimet e kryera gjatë luftës, është një e arritur shumë e rëndësishme e këtij instituti që po shndërrohet në kujtesë institucionale për historinë e popullit tonë. Po krijohet pra një bazë e qëndrueshme dokumentare dhe shkencore për ruajtjen e të vërtetës historike, por njëkohësisht edhe një arkiv tejet i vlefshëm për sistemin e drejtësisë, në veçanti për Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, të kërkohet përgjegjësia dhe të gjithë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve ndaj shqiptarëve që janë bërë në kuadër të forcave të ndryshme të Serbisë të udhëhequra nga regjimi i Millosheviqit, të gjykohen dhe të dënohen në Republikën tonë”, shtoi.

    Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit, Atdhe Hetemi, ka thënë se një ndër rezultatet kryesore të këtij viti është lansimi i platformës për personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.

    Ai ka theksuar se qytetarët në Kosovë dhe diasporë po kontribuojnë me informacione dhe të dhëna të reja për viktimat, të cilat po verifikohen dhe i shtohen listës.

    “Disa prej rezultateve kryesore për të cilat i raportova zotit Kryeministër janë siç u përmend lëshimi i platformës së personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë, e cila ka ndodhur gjatë këtij viti, si dhe numrin e madh të qytetarëve në vend dhe në diasporë, të cilët po kontribuojnë me informata dhe të dhëna të reja për viktima, të cilat i kemi verifikuar, por edhe për viktimat e reja të cilat po i shtohen vazhdimisht kësaj liste. Raportin me informacione të reja, të reja dita-ditës me këto gjëra do ta publikojmë, siç u potencua edhe nga zoti Kryeministër në fund të janarit në periudha gjashtëmujore”, potencoi ai.

    Hetemi ka përmendur edhe avancimin e punës së institutit në ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përmes konferencave dhe publikimeve shkencore.

    “Gjithashtu i raportova kryeministrit për avancimin që e kemi bërë në drejtim të ndërkombëtarizimit të çështjeve që ndërlidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. E këtu është fjala për organizimin e konferencave ndërkombëtare, publikimin e librave me artikuj prej profesionistëve nga universitete shumë prestigjioze, por edhe nga shtëpi botuese prestigjioze siç janë Routledge, edhe konferencat e radhës që po bëhen”, shtoi ai.