ATV

Author: G.O.

  • Kurti në Francë kërkon statusin e vendit kandidat në BE: Kosova e gatshme të pranojë pyetësorin dhe të ecë përpara

    Kurti në Francë kërkon statusin e vendit kandidat në BE: Kosova e gatshme të pranojë pyetësorin dhe të ecë përpara

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, për të diskutuar me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe atij për Çështje Evropiane.

    Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se Kurti foli për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës, si dhe theksoi rolin e rëndësishëm të Francës për të ardhmen evropiane të vendit, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. 

    Ndërkaq, shtoi se dialogu politik me Presidentin Macron ka hapur mundësi për thellim të partneritetit. 

    Ai, po ashtu, përmendi pesë marrëveshjet dhe instrumentet e nënshkruara në korrik: dy për bashkëpunim juridik, një për mësimin e gjuhës frënge, kredinë në vlerë 60 milionë euro për investime infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare dhe letrën e synimit për bashkëpunim për “Prishtina 2030”.

    Teksa përmendi rreziqet nga akterët e jashtëm në Ballkanin Perëndimor, kryeministri Kurti tha se Franca gjithmonë ka qenë mbështetëse e zgjerimit si riunifikim i Evropës dhe shtoi se Kosova ka bërë zgjidhjen e saj strategjike, dhe tani kërkon një proces anëtarësimi të bazuar në merita.

    “Aplikimi ynë për anëtarësim në BE po pret hapin e radhës që nga dhjetori i vitit 2022. Kërkojmë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Besojmë se kjo do t’i kontribuojë më tej paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe do të përforcojë institucionet tona demokratike dhe do të rrisë prosperitetin për popullin tonë”, tha ai.

    Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është e gatshme të pranojë pyetësorin dhe të lëvizë përpara, ndërsa kërkoi ndihmën e Francës në sigurimin e vendimit nga Këshilli Evropian.

    Përgjatë diskutimit, kryeministri Kurti foli për një mori temash, përfshirë stabilitetin institucional dhe zhvillimet politike në rajon. /Telegrafi/

  • Presidentja priti në takim drejtorin e lartë të IRI-t për Evropën dhe Euroazinë, diskutojnë për zhvillimin demokratik të Kosovës

    Presidentja priti në takim drejtorin e lartë të IRI-t për Evropën dhe Euroazinë, diskutojnë për zhvillimin demokratik të Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix, me të cilin diskutoi për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me këtë institut.

    Presidentja Shiroka Pula vlerësoi kontributin e IRI-së në avancimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë, veçanërisht në mbështetjen për partitë politike, përmirësimin e organizimit të tyre dhe zhvillimin e komunikimit me qytetarët. Ajo çmoi gjithashtu bashkëpunimin me Kuvendin dhe angazhimin për fuqizimin e grave në politikë dhe në vendimmarrje.

    Duke folur për zhvillimet në vend, Presidentja theksoi se konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale, respektim të ndarjes së pushteteve, pavarësi të gjyqësorit dhe përgjegjësi institucionale. Ajo nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rendit kushtetues, respektimit të kompetencave të secilit institucion dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

    Në takim u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe IRI-t, me fokus në edukimin demokratik, luftimin e dezinformimit, promovimin e debatit politik, si dhe për çështje që ndërlidhen me sigurinë rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

  • Murati arsyetohet për inflacionin: Shkaktarë janë lufta në Ukrainë dhe bllokada në Ngushticën e Hurmuzit

    Murati arsyetohet për inflacionin: Shkaktarë janë lufta në Ukrainë dhe bllokada në Ngushticën e Hurmuzit

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë Projektligjin nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh. Gjatë prezantimit para anëtarëve të komisionit, Murati tha se buxheti është hartuar duke u mbështetur në pritjet për rritje ekonomike, rritje të të hyrave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, raporoton Ekonomia Online.

    “Pra, një buxhet që e sjellim para jush me optimizëm dhe besim, sepse mbështetet mbi një ekonomi që rritet, mbi një trend pune që zhvillohet dhe mbi financat publike të shëndosha. Sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm, po kaloj direkt te shifrat. Bëhet fjalë për një buxhet prej 4 miliardë e 268.7 milionë euro në anën e shpenzimeve buxhetore. Ndërkaq, këto shpenzime financohen kryesisht nga hyrjet që janë 4 miliardë e 2 milionë euro, si dhe pjesa tjetër është financim i deficitit, që është në kuadër të rregullës fiskale”, deklaroi Murati.

    Ai bëri të ditur se deficiti buxhetor për vitin 2027 parashihet të jetë 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili vlerësohet në 13.3 miliardë euro, ndërsa nevoja për financim arrin në 266 milionë euro.

    “Sipas kësaj, ne i jemi përmbajtur rregullës fiskale, por në të njëjtën kohë jemi munduar që të reflektojmë rritjen ekonomike, e cila shfaqet përmes rritjes së të hyrave dhe në anën tjetër jemi munduar që këto të hyra pra t’i shpërndajmë në mënyrë sa më të drejtë, por njëkohësisht edhe duke zbatuar dhe duke u mbështetur në prioritetet e qeverisë”, tha ministri.

    Sa i përket ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, Murati prezantoi se për paga janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, për rezervën rrjedhëse 11.9 milionë euro, ndërsa për interesin e borxhit publik 55 milionë euro.

    “Ndërkaq, tek investimet kapitale, parashikohet shuma prej 1 miliard e 70 milionë euro, e këtu duhet të theksoj edhe faktin që nga viti i ardhshëm, pra s’ka më klauzola investimesh, me fjalë të tjera, pra e gjithë shuma e investimeve kapitale të parapara është e financuar nga granti buxhetor, por edhe nga deficiti, dhe e gjitha pra përfshihet në kuadër të 2% deficitit të paraparë sipas rregullës fiskale. Pra, nuk ka tejkalim mbi nivelin 2%, siç e kemi pasur deri në vitin aktual pra me rregullën fiskale ku financimet apo projektet kapitale të financuara nga klauzola e investimeve kanë qenë të përjashtuara”, deklaroi Murati.

    Ai e cilësoi buxhetin si një planifikim me nivel rekord të të hyrave dhe shpenzimeve, duke kërkuar që projektligji të procedohet tutje.

    “Marrë parasysh, pra, këtë buxhet dhe këtë nivel rekord të të hyrave, por edhe të planifikimit të shpenzimeve, konsideroj se është tejet e rëndësishme pra që të procedohet tutje”, përfundoi ministri.

    Pas prezantimit të ministrit, anëtari i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Mergim Lushtaku, kritikoi planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale, duke thënë se, sipas tij, Qeveria ka vazhduar të planifikojë shuma të mëdha për këtë kategori, por realizimi ka mbetur i ulët.

    “Por realisht, duke e marrë përballë edhe duke e krahasuar edhe me raportet e auditorit, edhe të shpenzimeve 2026, 2025 e tutje, ne vazhdimisht që kemi pasur këtë qeveri, ka planifikuar shumë në investime kapitale, por realisht zbatueshmëria ka qenë e dobët”, tha Lushtaku.

    Ai iu referua edhe një raporti të Institutit GAP për periudhën 2021-2024, sipas të cilit, mbi një miliard euro nuk janë shpenzuar nga investimet e planifikuara.

    “Madje në disa raporte, siç është ai raporti i GAP-it 2021-2024, mbi 1 miliard euro nuk janë shpenzuar në investimet e planifikuara. Kjo e ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, do të thotë me më pak rrugë, më pak ura, shkolla të pandërtuara, qendra të pandërtuara, dhe shumë projekte që e lehtësojnë jetën e qytetarëve. Sigurisht kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë familjare, si dhe te shtrenjtimi i jetës qytetare”, deklaroi ai.

    Lushtaku theksoi se rritja e vlerës nominale të buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, duke e ndërlidhur këtë me nivelin e inflacionit.

    “Numri i madh i buxhetit, apo buxheti me shifra të mëdha, nuk do të thotë që është mirëqenia më e mirë, sepse inflacionin e kemi pasur tepër të lartë. Në disa raporte të ndryshme kemi të paraqitura shifra të ndryshme. Për shembull, rasti është 7.8% inflacioni, ndërsa të tjerat deri në 7.1% deri në tetor 2026. Projeksionet nominale me ato reale i bie që zhvillimi diku ka kapur rreth 1%, sepse paratë që i ke pasur në 2026-ën nuk janë shpenzuar, dhe sigurisht i kanë humbur vlerën edhe në vitet dhe ditët e vjet”, u shpreh Lushtaku.

    Ai foli edhe për dallimin ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara, duke përmendur një mungesë prej rreth 258 milionë eurosh.

    “Prandaj, planifikimi buxhetor dhe të hyrat buxhetore dihet se janë 4 miliardë e 20 milionë, ndërsa shpenzimet që planifikohen për investime janë deri në 4 miliardë e 268 milionë euro, që i bie se jemi mangët rreth 258 milionë euro përafërsisht”, tha ai.

    Sipas Lushtakut, për qytetarët është e rëndësishme të shihet se cilat politika buxhetore ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e projekteve që, sipas tij, janë realizuar nga fillimi deri në përfundim gjatë qeverisjes aktuale.

    “Të gjitha këto projeksione, sigurisht që për qytetarët janë të rëndësishme për të parë se cilat janë politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, derisa asnjë projekt nuk është i realizuar nga fillimi nga ju deri në përfundim”, deklaroi Lushtaku.

    Një pjesë të diskutimit ai ia kushtoi edhe bujqësisë dhe mbështetjes për fermerët, duke thënë se, ndonëse janë planifikuar subvencione, ato nuk po shpërndahen me kohë.

    “Në këtë drejtim, kam disa çështje për t’i ngritur, sidomos tek bujqësia dhe fermerët, te të cilët shihet se ka numër të subvencioneve të planifikuara, por fatkeqësisht nuk merren me kohë”, tha ai.

    Lushtaku rikujtoi se edhe në diskutimet e mëparshme kishte propozuar amendamente për ndryshimin e mënyrës së pagesës së subvencioneve për fermerët, në mënyrë që mbështetja financiare të bëhej në këste dhe të ishte në dispozicion që në fillim të punëve bujqësore.

    “Sa i përket mbështetjes, ju kujtohet besoj edhe herët e kaluara, kur kam pasur amendamente të drejtpërdrejta që i ndihmojnë fermerët në një farë forme t’i marrin subvencionet me këste, që në fillim të punëve të tyre në ara të kenë mbështetje në këtë drejtim”, theksoi ai.

    Në fund të diskutimit, deputeti ngriti shqetësimin për projektet që në projektbuxhet janë planifikuar me zero euro, si dhe për projektet e reja që kanë ndarje fillestare prej vetëm një milion eurosh.

    “Gjithashtu, një pjesë tjetër që më ka lënë përshtypje është te projektet në këtë buxhet që janë të planifikuara me zero. Sa janë gjithsej? A ishin 65 projekte apo sa janë kode buxhetore që janë planifikuar me zero? Pastaj janë projektet e reja që kanë të planifikuar vetëm 1 milion euro, të cilat realisht planifikohen të realizohen në vitet 2028 dhe 2029”, përfundoi Lushtaku.

    Në përgjigjen e tij ndaj kritikave të Lushtakut, ministri Hekuran Murati tha se niveli i ulët i ekzekutimit të investimeve kapitale nuk është problem që paraqitet vetëm në vitet e fundit, por një çështje që, sipas tij, është përsëritur ndër vite.

    “Sa i përket ekzekutimit të projekteve kapitale, është një situatë kronike, nuk është vetëm në këtë vit, apo në disa prej viteve paraprake, që prej mbaj mend, dhe që prej secili që ka punuar në sektorin publik, dhe që është marrë me çështjen e financave publike e din që ekzekutimi i projekteve ka ngecur në vazhdimësi. Edhe në vitin 2010, 2011 edhe 2012, e kështu me radhë, çdoherë ekzekutimi ka qenë nën buxhetim”, tha Murati.

    Ai përmendi disa faktorë që, sipas tij, ndikojnë në mosrealizimin e plotë të investimeve kapitale, duke veçuar kapacitetet zbatuese të ministrive të linjës, komunave dhe procedurat që shpeshherë nuk mund të parashikohen saktësisht gjatë planifikimit buxhetor.

    “Kjo vjen kryesisht për shkak të disa faktorëve që janë përtej Ministrisë së Financave. Fillimisht bëhet fjalë për kapacitetet zbatuese nëpër ministri të linjës sa i përket planifikimit, këtu hyn pastaj edhe niveli lokal tek organizatat buxhetore, pra janë edhe komunat. Bëhet fjalë edhe për procedurat që shpeshherë nuk mund të përfshihen në planifikime të sakta, sepse mund të zgjasin”, u shpreh ministri.

    Megjithatë, Murati tha se në ekzekutimin e investimeve kapitale vërehet përmirësim i trendit.

    “Sa i përket çështjes së ekzekutimit të investimeve kapitale, mund të them se ka përmirësim të trendit”, deklaroi ai.

    Duke iu përgjigjur kritikave për inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës, Murati tha se kjo është një sfidë që nuk prek vetëm Kosovën, por edhe vendet e tjera të botës.

    “Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, shtoi Murati.

  • Arrestohet një shtetas gjerman në Gjilan, i sekuestrohen 43 armë të gjata automatike

    Arrestohet një shtetas gjerman në Gjilan, i sekuestrohen 43 armë të gjata automatike

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ka arrestuar një shtetas gjerman të identifikuar me inicialet L.S., i cili dyshohet për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim ilegal të armëve.

    Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tij u krye nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas një operacioni të kontrolluar në rajonin e Anamoravës.

    “Si rezultat i hetimeve të përbashkëta, i dyshuari fillimisht është ndaluar në rajonin e Gjilanit, ku pas ndalimit, automjeti me të cilin po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm, ku janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike,” thuhet në komunikatën e përbashkët.

    Pas kontrollit të detajuar dhe gjetjes së arsenalit të armëve, me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ndaj tij ngarkohen me dyshim dy vepra të rënda penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

    Autoritetet e hetimit kanë bërë të ditur se puna në terren po vazhdon për të zbuluar rrjetin e plotë dhe prejardhjen e armatimit të kapur.

    “Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës… është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve,” bëjnë të ditur organet e rendit.

    Policia e Kosovës dhe PSRK-ja konfirmuan se do të mbajnë të informuar publikun për zhvillimet e mëtejshme “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe duke mos cenuar integritetin e hetimit”. /Telegrafi/

  • Komisioni për Kulturë miraton në parim Projektligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

    Komisioni për Kulturë miraton në parim Projektligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

    Me të gjitha votat për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini ka miratuar në parim Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, gjatë prezantimit të projektligjit para anëtarëve të komisionit, tha se përmes tij synohet fuqizimi i inspektoratit dhe rritja e kapaciteteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Kosovës.

    Bogujevci tha se me këtë projektligj Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore parashihet të themelohet si agjenci ekzekutive, duke mundësuar rritjen e numrit të inspektorëve dhe përmirësimin e kushteve për inspektimin e monumenteve.

    “Me qëllim të avancimit të sistemit të inspektimeve në vendin tonë, pas miratimit të ligjit për inspektime dhe pas themelimit të zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm, ku është paraparë rregullimi i bazës ligjore për funksionim të inspektorateve qendrore, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Nëpërmjet këtij ligji, themelohej Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si agjenci ekzekutive, duke mundësuar kështu përmirësimin e kushteve të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vend. Me këtë hap, ne fuqizojmë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, duke e ngritur në nivel të agjencisë shtetërore. Me një formë të tillë ligjore, ne rrisim kapacitetet inspektuese dhe konsolidojmë kushtet për inspektim, inspektimin e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Kosovës. Ky mekanizëm institucional, në bashkëpunim të ngushtë edhe me koordinimin me organe të tjera inspektuese qendrore dhe lokale, si dhe me Inspektoratin e Përgjithshëm, do të sigurojë përmirësimin e procesit të inspektimeve krahas mbrojtjes dhe përmirësimit të gjendjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke krijuar një mjedis më të sigurt për monumentet me vlera në Republikën e Kosovës. Rritet numri i inspektorëve”, tha ajo.

    Gjatë diskutimit, deputeti i LDK-së, Parsi Guri, ngriti çështjen e pavarësisë së këtij institucioni, duke pyetur se si do të garantohet ajo, kur kryeinspektori do të raportojë te ministri.

    Ai kërkoi gjithashtu sqarime për llojet e donacioneve nga të cilat mund të financohet inspektorati, sipas dispozitave të projektligjit.

    Në përgjigje, ministrja Bogujevci tha se mënyra e funksionimit dhe raportimit të agjencisë përcaktohet nga Ligji për Administratën Shtetërore.

    “Ministria nuk e rregullon se si funksionon agjencia, për shkak që ligji për administratën e përcakton qysh funksionon dhe qysh janë format e raportimit”, tha ajo.

    Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, kërkoi sqarime lidhur me statusin dhe organizimin e inspektoratit, konkretisht nëse qendrat do t’i raportojnë Inspektoratit Qendror.

    Ministrja tha se kapacitetet aktuale të inspektorateve nuk mundësojnë mbulimin e të gjithë territorit të Kosovës dhe se projektligji synon fuqizimin e inspektimit pa ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera.

    “Me inspektoret aktuale nuk mund të mbulohet tërë territori i Kosovës. Ka organizime të tjera të inspektimit, ka për qëllim me fuqizu pjesën e inspektorëve për atë vjen në agjenci. Kjo është e konsultuar me ligjin për trashëgimi. Nuk i ndërhyn as kujt në kompetencat e veta”, tha ministrja.

    Kurse, deputeti Albert Kinolli, ngriti edhe çështjen e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren, i cili, sipas tij, prej disa vitesh është duke u rinovuar, ndërsa vizitorët që shkojnë për ta parë monumentin i gjejnë dyert e mbyllura.

    Ai propozoi rritjen e numrit të inspektorëve, ndërsa ministrja tha se pikërisht ky është një nga synimet e projektligjit, për të rritur kapacitetet dhe për të mundësuar mbulimin e tërë territorit të Kosovës.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

    Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Graçanicë, një grua ka raportuar se për një kohë të vazhdueshme kishte pranuar mesazhe kërcënuese dhe ngacmuese nga një burrë me të cilin kishte bashkëjetuar më parë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas konsultimit me prokurorin, është dërguar në mbajtje.

    Në Prishtinë janë raportuar tri raste të dhunës në familje. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij. Në rastin e dytë, një tjetër burrë është arrestuar për shkak të dyshimeve se kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje pas konsultimit me prokurorin.

    Ndërkohë, në një rast tjetër në Prishtinë, është raportuar se një e mitur kishte përjetuar dhunë psikike nga prindërit e saj. Me urdhër të prokurorit, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

    Dhuna në familje është raportuar edhe në Gjakovë, ku dy vëllezër janë arrestuar pasi janë përleshur fizikisht mes vete. Sipas policisë, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy janë dërguar në mbajtje.

    Një rast tjetër është regjistruar në Leposaviq, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, bashkëshorti është dërguar në mbajtje, ndërsa vjehrri është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë kompetente.

  • Pesë turq rrëmbyen bashkëkombasin në Prizren, e mbajtën për 12 orë peng – Policia jep detaje

    Pesë turq rrëmbyen bashkëkombasin në Prizren, e mbajtën për 12 orë peng – Policia jep detaje

    Policia e Kosovës bën të ditur se Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, më 03.11.2026, përmes kanaleve operative ka pranuar një video-incizim lidhur me një rast sulmi fizik, ku pesë persona të dyshuar, të panjohur në atë moment, kanë sulmuar një person dhe më pas, me forcë, e kanë futur në një automjet të tipit “pick-up”, derisa viktima ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.

    Policia thekson se menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e viktimës.

    “Më 04.11.2026 është identifikuar viktima, shtetas i Republikës së Turqisë. Gjatë intervistimit, viktima ka deklaruar se, pas sulmit fizik, nga i cili kishte pësuar lëndime të shumta trupore edhe me mjet të prehtë (thikë), ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë. Sipas deklarimeve të tij, të dyshuarit e kishin detyruar që të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që ishte duke i kryer në një objekt banesor në Prizren”, thuhet në njoftim të Policisë.

    Policia njofton tutje se që nga dita e pranimit të informacionit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë zhvilluar hetime intensive, si rezultat i të cilave, më 09 dhe 10 nëntor 2026, janë identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar pesë persona të dyshuar të përfshirë në këtë rast.

    |Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Republikës së Turqisë. Automjeti i përdorur në rast gjithashtu është gjet dhe është sekuestruar përkohësisht me urdhër të Prokurorisë së Shtetit në Prizren, ndërsa ndaj pesë të dyshuarve, me vendim të prokurorit të rastit, është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në njoftim.

    Rasti mbetet në hetim për veprat penale: shtrëngim, privim i kundërligjshëm i lirisë dhe lëndim i lehtë trupor.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, nuk do të tolerojë në asnjë rast që qytetarët t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes vetëgjyqësisë, shtrëngimit apo përdorimit të forcës në çfarëdo forme. Çdo veprim i tillë do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/

  • Dua Lipa në krye të festivalit Coachella 2027, publikohet lista e plotë e artistëve që do të performojnë

    Dua Lipa në krye të festivalit Coachella 2027, publikohet lista e plotë e artistëve që do të performojnë

    Festivali i njohur i muzikës, Coachella Valley Music and Arts Festival, ka zbuluar listën e artistëve që do të performojnë në edicionin e vitit 2027, ku në mesin e emrave kryesorë është edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

    Ylli i muzikës pop do të jetë një nga artistet kryesore të festivalit, së bashku me Tame Impala dhe SZA, të cilët do të kryesojnë programin muzikor gjatë dy fundjavave të këtij eventi.

    Dua Lipa do të hapë programin kryesor të së premtes, më 9 prill, derisa do të rikthehet në skenë edhe më 16 prill, gjatë fundjavës së dytë. 

    Tame Impala do të jetë emri kryesor i së shtunës, kurse SZA do të mbyllë programin e së dielës. 

    Edicioni i vitit 2027 do të mbahet më 9-11 prill dhe 16-18 prill, në Empire Polo Club në Indio të Kalifornisë, ku pritet të mblidhen mijëra adhurues të muzikës nga vende të ndryshme të botës.

    Përveç tre emrave kryesorë, lista përmban edhe artistë të njohur ndërkombëtarisht.

    Në mesin e artistëve të tjerë që do të ngjiten në skenën e Coachellas janë: Zara Larsson, Kehlani, Phoebe Bridgers, Weezer, Tiësto, Martin Garrix, Role Model, Don Toliver, Dom Dolla, Kygo, Empire of the Sun, The Neighbourhood dhe Becky G. 

    Për Lipën, pjesëmarrja në këtë festival përbën një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare, duke e vendosur në mesin e artistëve që do të kryesojnë një nga festivalet më të njohura muzikore në botë.

    Sa i përket biletave, ato do të dalin në shitje të premten, më 13 nëntor, në orën 12:00 sipas kohës.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se të dy fundjavat do të kenë të njëjtën listë artistësh. /Telegrafi/

  • Vushtrri: Arrestohet një person, dyshohet për bashkëjetesë me të miturën nën 16 vjeç

    Vushtrri: Arrestohet një person, dyshohet për bashkëjetesë me të miturën nën 16 vjeç

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Bashkëjetesë me personin nën 16 vjeç”.

    Sipas raportit policor, më 10 nëntor 2026, përmes rrugëve operative është identifikuar lokacioni ku i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se ishte duke jetuar në një banesë së bashku me një të mitur, femër kosovare.

    “Vushtrri 30.09.2026 – 15:00. Më 10.11.2026 përmes rrugëve operative është identifikuar lokacioni ku i dyshuari mashkull kosovar, ishte duke jetuar me të miturën femër kosovare në një banesë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • I mashtronte për viza pune në Gjermani, arrestohet i dyshuari në Kamenicë që ishte në kërkim policor

    I mashtronte për viza pune në Gjermani, arrestohet i dyshuari në Kamenicë që ishte në kërkim policor

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për mashtrim.

    Rasti ka të bëjë me mashtrim për viza pune në Gjermani. 

    “Kamenicë, tetor 2023. Më 11.11.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili kishte qenë në kërkim policor për shkak të dyshimit se në tetor–2023 u kishte marrë tre viktimave meshkuj kosovarë nga 1200 € duke i mashtruar se do t’u siguronte termin për viza pune në Gjermani”, thuhet në raport.

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/