ATV

Author: G.O.

  • Vrasja në tentativë në Gjakovë, Policia jep detaje

    Vrasja në tentativë në Gjakovë, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me vrasjen në tentativë dhe armëmbajtjen pa leje në Gjakovë.

    Rasti ka ndodhur të martën, në ora 16:30. 

    “Dy meshkuj kosovarë janë plagosur me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë. Palët e përfshira në incident janë në lidhje familjare ndërmjet vete dhe motivi i rastit nuk dihet. I dyshuari është arrestuar dhe nga i njëjti është sekuestruar një armë që dyshohet se është përdorë në rast, katër gëzhoja dhe një fishekë”, thuhet një raport.

    Tutje, bëhet e ditur se bashkëshortja e të dyshuarit e ka dorëzuar në polici një armë gjuetie që ishte në pronësi të personit të dyshuar. 

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e KE-së për Kosovën

    Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e KE-së për Kosovën

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme plenare, në të cilën deputetët do të diskutojnë për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026.

    Në fokus të debatit do të jenë gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura nga Komisioni Evropian, si dhe hapat që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës për adresimin e tyre.

    Raporti vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, por njëkohësisht evidenton edhe sfidat dhe fushat në të cilat nevojiten reforma dhe angazhim më i madh institucional.

    Seanca e jashtëzakonshme do të mbahet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës dhe do të nisë në orën 13:00.

  • Tragjedi në Los Angeles, vetura përplas një grup këmbësorësh – tre të vdekur dhe disa të lënduar rëndë

    Tragjedi në Los Angeles, vetura përplas një grup këmbësorësh – tre të vdekur dhe disa të lënduar rëndë

    Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë, pasi një automjet tip SUV është përplasur me një grup këmbësorësh dhe shitësish ambulantë në lagjen North Hollywood të Los Angelesit, në Kaliforni.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur të martën, rreth orës 17:55, pranë hyrjes së një stacioni metroje, në një kryqëzim të frekuentuar të zonës.

    Sipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit (LAPD), një SUV i bardhë është përplasur me të paktën pesë këmbësorë, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angelesit ka konfirmuar se tre persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa disa të tjerë janë dërguar me urgjencë në spitalet lokale në gjendje kritike.

    Në mesin e të plagosurve është edhe drejtuesi i automjetit, një burrë rreth të 60-ave, i cili po ashtu ndodhet në gjendje kritike.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Kapiteni i policisë, Warner Castillo, ka bërë të ditur se po kryhen teste për të përcaktuar nëse shoferi ishte nën ndikimin e alkoolit apo të substancave të tjera në momentin e përplasjes.

    Policia po kërkon gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë nga zona dhe stacioni i metrosë, me qëllim rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.

    Shefi i Policisë së Los Angelesit, Jim McDonnell, ka deklaruar se hetimi do të jetë i detajuar për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi tragjedia.

    Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të gjithë personat e prekur nga kjo ngjarje.

    Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera lidhur me identitetin e viktimave dhe gjendjen e të plagosurve.

  • Pagat u ekzektuan, Azemi: Presim që sa më shpejtë punëtorët teknikë të shkollave të nisin punën

    Pagat u ekzektuan, Azemi: Presim që sa më shpejtë punëtorët teknikë të shkollave të nisin punën

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një konferencë për media ka deklaruar se kanë marrë rrezikun për t’i ftuar në takim punëtorët teknikë të shkollave të Prishtinës, pa e ditur se a do të procedohen pagat me qëllim që ata të fillojnë sa më shpejt punën, raporton Ekonomia Online

    Azemi ka thënë se, pavarësisht pasigurisë nëse bankat do t’i procesojnë pagesat, kanë vendosur të ndërmarrin këtë hap.

    “Me këtë që sot kam thirrur takimin në ora 15: 00, edhe pse s’kam qenë shumë i sigurtë se bankat do t’i procesojnë, kam marrë rrezikun, me qëllim që t’i dërgojmë edhe komunës, edhe të gjithë akterëve të tjerë, po ne presim çdo minutë që të fillojmë sa më shpejt me punë, sepse nuk duam të humbim. I ka mbajtë komuna e Prishtinës, ja pafshit hajrin, shpresoj që prej këtij muaji, të tjerat e të tjera”, tha Azemi.

    Ai ka falënderuar punëtorët për mbështetjen dhe angazhimin, duke mohuar se grevat kanë pasur ndonjë prapavijë tjetër, përveç kërkesave sociale dhe pagave.

    “Një faleminderit për gjithçka, po themi, jo njëherë, shumë herë keni qenë të mrekullueshëm. Këto greva nuk kanë pasur asnjë prapavijë. Kudo qoftë, çka do qoftë, që thotë, ka qenë ekskluzivisht për çështje sociale, ekskluzivisht ka qenë për pagën tonë, çka na e garanton vendimi i qeverisë së Kosovës”, u shpreh ai.

    Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat ka folur edhe për kërkesën e tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro nga 1 janari, duke thënë se këtë kërkesë ia kanë paraqitur edhe Qeverisë së Kosovës.

    “Ne e thamë qeverisë së Kosovës që nga janari, sepse Këshilli Ekonomik social duhet të mblidhet në fund të çdo viti, dhe paga prej 500 € pse është minimumi i minimumit, së paku prej 1 janarit presim që ajo të jetë 600 €. Në të kundërtën, na duhet me i shty ne vetë procesin përpara”, tha Azemi.

  • Shiroka-Pula priti në takim Shefin e EULEX-it, Antero Lopes

    Shiroka-Pula priti në takim Shefin e EULEX-it, Antero Lopes

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

    Shiroka Pula theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

    Ajo theksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. /Telegrafi

  • Musmurati akuzon Hekuran Muratin për bllokimin e projektit 20-milionësh për pastrimin e Prishtinës

    Musmurati akuzon Hekuran Muratin për bllokimin e projektit 20-milionësh për pastrimin e Prishtinës

    Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka prezantuar dokumentacionin dhe kronologjinë e projektit për menaxhimin e mbeturinave, i cili mbështetet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), duke kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, të nënshkruajë marrëveshjen që do t’i hapte rrugë realizimit të investimeve.

    Sipas Musmuratit, mosnënshkrimi i marrëveshjes po e pengon realizimin e një projekti që parasheh blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, si dhe investime të tjera për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë dhe komunat përreth.

    Në konferencën për media, ajo ka theksuar se gjendja me mbeturinat në kryeqytet është e rënduar, ndërsa Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka vetëm 12 kamionë funksionalë.

    “Ekziston vendimi i Qeverisë. Ekziston dokumentacioni i projektit. Pyetja për Hekuran Muratin është e thjeshtë: pse nuk po e nënshkruani? Pse po e bllokoni blerjen e 100 kamionëve e kontejnerëve për Prishtinën?”, deklaroi Musmurati.

    Duke prezantuar dokumentet, nënkryetarja bëri të ditur se procesi për këtë projekt ka nisur në maj të vitit 2023, ndërsa në tetor të po atij viti është arritur marrëveshja fillestare ndërmjet palëve.

    Faza e parë e projektit parasheh 4.1 milionë euro grant nga Qeveria gjermane dhe 20 milionë euro kredi të butë. Sipas Musmuratit, kredia ka afat kthimi prej 38 vjetësh, përfshirë gjashtë vjet periudhë mospagimi të principalit dhe normë interesi prej 0.75 për qind.

    Nga investimet e parapara në këtë fazë, rreth 10.3 milionë euro janë planifikuar për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 5.1 milionë euro për 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave në burim dhe një milion euro për platformat e kontejnerëve.

    Projekti përfshin gjithashtu konsulencën dhe përgatitjen e investimeve të nevojshme për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.

    Ndërkaq, faza e dytë parasheh edhe 50 milionë euro kredi për blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve shtesë, si dhe ndërtimin e qendrave për kompostim dhe riciklim të mbeturinave.

    Musmurati ka treguar se pas negociatave ndërqeveritare të prillit 2024, në shtator të po atij viti, Qeveria gjermane kishte miratuar projektin dhe KfW-ja kishte përcjellë draft-marrëveshjet për grantin dhe kredinë.

    Më 18 dhjetor 2024, Qeveria e Kosovës kishte miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë, duke obliguar Ministrinë e Financave që të ndërmerrte hapat e nevojshëm për vazhdimin e procedurave.

    Megjithatë, sipas Musmuratit, marrëveshja ka mbetur e panënshkruar edhe gjatë vitit 2026.

    Ajo ka bërë të ditur se më 15 maj 2026, Komuna e Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-ja i kishin dërguar një shkresë të përbashkët ministrit Hekuran Murati, me kërkesën që projekti të trajtohej me prioritet dhe të përshpejtohej finalizimi i marrëveshjes.

    “Kjo nuk është vetëm kërkesë e Komunës. Është një shkresë e përbashkët, e nënshkruar nga të tri palët. Dokumenti është dorëzuar dhe është protokolluar në Ministrinë e Financave. Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, theksoi Musmurati.

    Ajo shtoi se për këtë çështje janë zhvilluar edhe takime të tjera gjatë qershorit, përfshirë takimin e përfaqësuesve të KfW-së me ministrin Murati më 25 qershor 2026.

    Sipas saj, edhe gjatë një takimi të javës së kaluar me përfaqësues të bankës gjermane është konfirmuar se marrëveshja e kredisë ende nuk është nënshkruar.

    Nënkryetarja e Kryeqytetit e ka cilësuar këtë situatë si bllokim politik, duke thënë se pasojat po i bartin qytetarët, të cilët po përballen me probleme në grumbullimin e mbeturinave.

    Ajo ka theksuar se realizimi i projektit do të bëhej në bashkëpunim me KfW-në dhe ndërmarrjen “Pastrimi”.

    “Çfarë faji kanë qytetarët e Prishtinës që po i ndëshkoni me mosnënshkrim të marrëveshjes që ua mundëson heqjen e mbeturinave nga pragu i derës?”, u shpreh Musmurati.

    Në fund, ajo i ka bërë thirrje ministrit Hekuran Murati që të japë një sqarim publik për arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të mundësojë vazhdimin e procedurave për realizimin e projektit.

    Deri në publikimin e këtij lajmi, në materialin e prezantuar nga Musmurati nuk është përfshirë qëndrimi i ministrit Hekuran Murati lidhur me akuzat dhe arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes. /Telegrafi/

  • Policia paralajmëron për mashtrimet online: Kujdes nga blerësit që kërkojnë të dhënat bankare

    Policia paralajmëron për mashtrimet online: Kujdes nga blerësit që kërkojnë të dhënat bankare

    Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes gjatë shitjes së produkteve përmes platformave online, pas evidentimit të rasteve të mashtrimit përmes linqeve të rreme që synojnë marrjen e të dhënave bankare.

    Sipas Policisë, personat e dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, paraqiten si blerës të interesuar dhe më pas u dërgojnë vegëza mashtruese, përmes të cilave kërkojnë të dhënat e kartelave bankare, kinse për të realizuar pagesën.

    Për të shmangur këto raste, Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos japin të dhënat e kartelave bankare, përfshirë numrin, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar.

    Gjithashtu, qytetarët këshillohen që çdo kërkesë për pagesë ta verifikojnë vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës ose platformës përkatëse.

    Në rast se kanë ndarë të dhënat bankare në faqe të dyshimta, Policia rekomandon që menjëherë të kontaktojnë bankën për bllokimin e kartelës dhe rastin ta raportojnë në organet e rendit.

    “Për të shitur online, nuk keni nevojë të zbuloni të dhënat e kartelës suaj bankare”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

  • Çitaku priti Prattipatin, diskutuan për zhvillimet aktuale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës

    Çitaku priti Prattipatin, diskutuan për zhvillimet aktuale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për zhvillimet aktuale politike dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

    Çitaku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve për forcimin e shtetësisë, zhvillimin demokratik dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    Në përmbyllje, Çitaku ritheksoi gatishmërinë e PDK-së për të kontribuar në proceset me interes shtetëror dhe për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët amerikanë në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës. /Telegrafi

  • Inflacioni vjetor kap shifrën 7.1%: Transporti dhe energjia pësojnë shtrenjtimin më të madh

    Inflacioni vjetor kap shifrën 7.1%: Transporti dhe energjia pësojnë shtrenjtimin më të madh

    Kostoja e jetesës për qytetarët e Kosovës vazhdon të mbetet e lartë. Të dhënat më të fundit të çmimeve të konsumit për muajin tetor tregojnë se inflacioni vjetor ka arritur në 7,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndonëse në krahasim me muajin shtator niveli i përgjithshëm i çmimeve ka mbetur i pandryshuar (0,0%), ndikimi i rritjes vjetore po vërehet dukshëm në xhepat e konsumatorëve, veçanërisht në sektorët bazë.

    Goditjen më të madhe e ka pësuar sektori i transportit, ku çmimet janë ngritur me 21,5 për qind brenda një viti. Menjëherë pas tij renditen shpenzimet për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse, të cilat janë shtrenjtuar me 9,7 për qind.

    Përballja me çmime më të larta ka prekur edhe shportën e konsumit:

    Ushqimet dhe pijet joalkoolike: Rritje prej 3,2% (me një ngritje mujore prej 1,1% gjatë tetorit).

    Pijet alkoolike dhe duhani: Shtrenjtim prej 5%.

    Restorantet dhe akomodimi: Rritje prej 4,5%.

    Kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme: Shtrenjtuar me 3,7%.

    Shëndetësia, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake: Rritje prej 2,9%.

    Veshjet dhe këpucët: Shtrenjtuar me 2,3%.

    E vetmja kategori që ka shënuar ulje vjetore të çmimeve janë shërbimet arsimore, me një rënie minimale prej 0,3 për qind.

    Ndërkohë, brenda vetë muajit tetor janë vërejtur lëvizje të ndryshme: derisa shpenzimet për strehim dhe energji u rritën me 1,7 për qind, çmimet e transportit pësuan një rënie mujore prej 2,2 për qind, ndërsa rekreacioni dhe kultura u ulen me 1,4 për qind.

  • Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Demokracia dhe zhvillimi nuk duhet të sakrifikohen për stabilitetin

    Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Demokracia dhe zhvillimi nuk duhet të sakrifikohen për stabilitetin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku ishte pjesë e panelit “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, së bashku me guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Carlo Monticelli.

    Gjatë diskutimit, Kurti foli për rëndësinë e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror në ndërtimin e paqes afatgjatë, duke theksuar se këto nuk duhet të sakrifikohen në emër të stabilitetit.

    Sipas tij, qytetarët duhet të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimit, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe arsim cilësor janë thelbësore për përparimin e shoqërisë.

    Duke folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Kurti bëri të ditur se rritja e Bruto Produktit Vendor ishte 5.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë.

    Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me ekonominë, duke përmendur si një nga treguesit e zhvillimit shoqëror ngushtimin e diferencës mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Sipas tij, raporti që para kësaj qeverisjeje ishte 20 me 1, aktualisht është 4 me 1.

    Një pjesë të fjalës së tij, kryeministri ia kushtoi edhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ai tha se në vend janë rreth 20 mijë gra viktima të dhunës seksuale, e cila, sipas tij, ishte përdorur si armë lufte nga aparati shtetëror i Serbisë.

    Kurti theksoi se përveç vënies para drejtësisë të përgjegjësve për këto krime, është jetike edhe trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave.

    Forumi i Paqes në Paris mbledh përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar sfidat e paqes, rindërtimin e shoqërive pas luftërave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. /Telegrafi/