ATV

Author: G.O.

  • Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë.

    Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (14), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.

    Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.

    Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

    Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.

  • Detaje të reja për bastisjen e dy shtëpive mbrëmë në Prishtinë nga Gjykata Speciale

    Detaje të reja për bastisjen e dy shtëpive mbrëmë në Prishtinë nga Gjykata Speciale

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ ka thënë se Gjykata Speciale të martën në mbrëmje ka bastisur dy shtëpi në Prishtinë.

    “Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë. Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së. Nuhi Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhrin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga z. Ahmeti. Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

    KMDLNj ka shtuar se është në pritje të përfundimit të intervistimit në mënyrë që të mësojë për arsyet e bastisjes dhe qëllimet e intervistimit.

  • Edhe dy muaj paraburgim ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve, dyshohen për vrasjen e të riut në Prizren

    Edhe dy muaj paraburgim ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve, dyshohen për vrasjen e të riut në Prizren

    Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK-së), për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe katër të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli dhe R.S., të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M, J.B dhe R.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M dhe J.B, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet prej datës 03.05.2023 deri më datën 03.07.2023, ndërsa për të pandehurin R.S, masa e paraburgimit do ti llogaritet prej datës nga data 06.05.2023 deri më datën 06.07.2023”, konfirmoi Gashi.

    Lënda e rastit të Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, dhe të tjerëve ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

    Gjykata Themelore në Prizren, më 2 shkurt 2023, kishte marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

    Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

    Të ngjajshme
    Mungojnë pesë të akuzuar dhe katër avokatë, shtyhet gjykimi…

    3 Maj, 2023, 10:51
    Refuzojnë të deklarohen dy të akuzuarit për vrasjen e dy…

    2 Maj, 2023, 16:09
    Avokati i njërit të akuzuar mungon për arsye shëndetësore,…

    2 Maj, 2023, 15:49
    Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

    Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

    “Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Me këtë, Hoxhaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

    Sidoqoftë, dy ditë pas vrasjes së V.C, më 5 janar 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”. Edhe në analizën e IKD-së, të publikuar në shkurt të vitit 2022, ishte theksuar se Dibran Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë. Ky recidivist në medie proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur. Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist. Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxhaj, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim. “Betimi për Drejtësi” ia ka kushtuar edhe një emision Dibran Hoxhajt me titull ” Recidivisti i “amnistuar”. /BetimipërDrejtësi

  • Haradinaj: Shqetësuese sulmet që i bëhen mediave dhe gazetarëve dhe tendenca e pushtetit për kontroll ndaj tyre

    Haradinaj: Shqetësuese sulmet që i bëhen mediave dhe gazetarëve dhe tendenca e pushtetit për kontroll ndaj tyre

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se liria e medias dhe fjala e lirë, janë vlerë e panegociueshme e demokracisë.

    Haradinaj ka thënë kështu me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.

    “Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, por edhe si çdo ditë tjetër reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias”, ka shkruar Haradinaj.

    Sipas Haradinajt, shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen mediave dhe gazetarëve dhe tendenca e pushtetit për kontroll ndaj tyre.

    “Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!”.

    “Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre”, është shprehur Haradinaj.

    Ai ka thënë se mbrojtja e fjalës së lirë është vlerë e panegociueshme e demokracisë.

    “Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Mblidhet Kryesia, vendos për seancën e radhës

    Mblidhet Kryesia, vendos për seancën e radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur për të vendosur për seancën e radhës.

    Në rend dite janë dy pika: Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme të Kryesisë së Kuvendit si dhe Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

    Më pas do të ketë seancë nga ora 11:00. Në seancë në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara që nga muaji shkurt, mars e prill.

    Në javët e fundit, disa seanca të Kuvendit janë shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

    Rendi i ditës i seancës:

    I. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt dhe 22 mars 2023:

    24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

    II. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 shkurt 2023:

    17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:

    8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
    12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023:

    9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,
    10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,
    11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,
    12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

    V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:

    6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
    9. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
    10. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
    11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
    12. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    15. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:

    4.  Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    5.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
    6.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
    7.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
    8.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe  punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
    9.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
    10.  Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
    11.  Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.

  • Aktakuzë ndaj një personi për blerje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve

    Aktakuzë ndaj një personi për blerje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka informuar se ngritur sot aktakuzë , aktakuzë kundër një personi, me inicialet B.K për dy vepra penale.

    Siç ka informuar Prokuroria, i pandehuri B.K. akuzohet për veprat penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge në vazhdim’’, Lidhur me veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’.

  • Receta e përgatitjes së sarmave me presh dhe mish pule

    Receta e përgatitjes së sarmave me presh dhe mish pule

    Si përgatiten sarmat me presh dhe mish pule, recetën na e tregon Arbnora Shehu në emisionin “Kuzhina me Arbnorën”.

    Përbërësit që nevojiten:

    • 500 gramë mish pule të bluar,
    • 1 karotë e bluar,
    • 1 qepë e bluar dhe disa fije majdanozi,
    • Kripë,
    • Piper i zi,
    • Majdanoz i tharë dhe piper i specit të kuq

    Më poshtë mund të ndiqni ecurinë e plotë të përgatitjes:

  • Beograd: Nxënësi vret rojën e shkollës, plagosë edhe mësuesen e shokët e klasës

    Beograd: Nxënësi vret rojën e shkollës, plagosë edhe mësuesen e shokët e klasës

    Në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit sot në mëngjes rreth orës 8:00 ka pasur të shtëna me armë zjarri, kur njëri nga nxënësit ka qëlluar disa herë në drejtim të shokëve të klasës dhe personelit të sigurisë.

    Sipas informacioneve të para nga mediat serbe, ka mbetur i vrarë roja i shkollës si dhe është plagosur rëndë mësuesja e historisë dhe ka disa nxënës të lënduar të tjerë.

    RTS shkruan se mësuesja dhe tre fëmijët janë pranuar në Qendrën Emergjente në Beograd dhe të gjithë kanë plagë me armë zjarri në zonën e gjoksit.

    Nxënësit e tjerë janë evakuuar dhe shumica e fëmijëve ndodhen jashtë të cilët po kontaktojnë me prindërit e tyre përmes telefonit.

    Policia ka arrestuar të miturin e dyshuar, nxënës i klasës së shtatë, i cili siç dyshohet ka qëlluar disa herë me armën e babait të tij.

    Siç mësohet jozyrtarisht, fëmijët fillimisht kanë menduar se dikush ka hedhur fishekzjarre dhe sipas pretendimeve të nxënësve të pranishëm, autori i ngjarjes i identifikuar si K.K. që qëlloi kurrë nuk kishte problem me askënd.

    Nxënësit thonë se ka qenë i qetë dhe i tërhequr dhe se pesë minuta para përfundimit të orës së mësimit ka hyrë dhe ka nisur të qëllojë.

    Sipas raporteve, jo të gjithë fëmijët e braktisën shkollën sepse disa mësues i mbyllën fëmijët në klasa.

    Te shkolla ka një prezencë të shtuar të policisë si dhe të autoambulancave.Horror në Beograd, nxënësi vret rojën e shkollës dhe plagos mësuesen e shokët e klasës

  • Presidentja Osmani: Liria e medias, shtyllë e një demokracie të lulëzuar

    Presidentja Osmani: Liria e medias, shtyllë e një demokracie të lulëzuar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur sot se liria e medias nuk është vetëm shenjë e një shoqërie të shëndetshme, por ajo është një shtyllë e një demokracie të lulëzuar.

    “Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne festojmë sukseset e vazhdueshme të Kosovës në indekset ndërkombëtare, por gjithashtu ripërtërijmë angazhimin tonë për të mbrojtur rolin e paçmuar të medias së lirë dhe të paanshme”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    3 Maji shënohet në të gjithë botën si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë është caktuar që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.

    Kjo datë është një kujtesë për qeveritë për të respektuar angazhimin e tyre për lirinë e shtypit dhe të medias.

  • Sa shpesh dhe kur duhet të kryejmë analizat laboratorike, flet specialisti i biokimisë

    Sa shpesh dhe kur duhet të kryejmë analizat laboratorike, flet specialisti i biokimisë

    Specialisti i biokimisë, Agron Kamberi, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur rreth analizave laboratorike, kur dhe sa shpesh duhet të kryhen ato.

    Kamberi, tha se varësisht moshës së pacientit ndahen edhe analizat që duhet të kryhen, por ai theksoi se analizat preferohet të kryhen çdo gjashtë muaj dhe se pacienti këshillohet që të mos ushqehet së paku 12 orë, para se të kryej ndonjë analizë.

    “Te fëmijët preferohen të kryhen analizat si hemogrami; pasqyra e gjakut dhe urina, etj. Analizat preferohet të bëhen çdo gjashtë muaj në kushte normale, pra nëse nuk ka ndonjë ankesë apo sëmundje. Në shumicën e rasteve preferohet që përafërsisht 12 orë mos të ushqehemi para se të kryejmë analizat, pra tw marrim ushqim me ma pak yndyrë, sheqerna etj. se kjo mund të ndikoj në rezultatet e analizave”, tha ai.

    Tutje, ai shtoi se po ashtu varësisht nga lloji se çfarë analize kryhet, dallon edhe kohëzgjatja për marrjen e rezultateve.

    “Një analizë varësisht p.sh. hemogrami për 2 min., urinë për 10 min., ndërsa analizat biokimike kërkojnë kohë më shumë. Pastaj ekzistojnë disa analiza që nuk kryhen në Kosovë dhe duhet të dërgohen jashtë vendit e rezultatet mund të vonojnë”, tha Kamberi.

    Për më shumë ndiqni intervistën në videon e mëposhtme: