ATV

Author: G.O.

  • ​Certifikohet rezultati për Kuvendin Komunal në Leposaviq, 3 ulëse mbesin të zbrazëta

    ​Certifikohet rezultati për Kuvendin Komunal në Leposaviq, 3 ulëse mbesin të zbrazëta

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq. Megjithatë, Kuvendi nuk është i plotë, pasi është miratuar rezultati vetëm për 16 asamblistë ndërsa ka gjithsej 19 ulëse. Kjo në mungesë të votave për kandidatët që kanë garuar për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Sipas rezultatit, Lëvizjes Vetëvendosje i takojnë 15 ulëse por vetëm 12 kandidatë të saj kanë marrë vota e rrjedhimisht KQZ ka vendosur që LVV te ketë vetëm 12 këshilltarë komunalë.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia “Kosovskih Srba” kanë marrë nga dy ulëse të tjera secila.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ka ardhur rekomandimi nga ekretariati që rezultati të certifikohet pasi vetëm kështu i hapet rrugë krijimit të institucioneve lokale në Leposaviq.

    “Lëvizja Vetëvendosje 76.1%, 15 ulëse të fituara. Partia Demokratike e Kosovës me 19.2%, 2 ulëse të fituara si dhe Partia Kosokvih Srba me 4.6% me 2 ulëse të fituara. Ndërsa në listën e kandidatëve Lëvizja Vetëvendosje i ka 12 kandidatë të cilët kanë marrë vota. Partia Demokratike i ka dy kandidatë që kanë marrë vota dhe Partia ‘Kosovskih Srba’ me dy kandidatë që kanë marrë vota”, deklaroi Radoniqi.

    Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje nga KQZ, Sami Kurteshi, deklaroi se interpretimi i sekretariatit është i kundërligjshëm.

    “Diskutimin e kemi shterur si mendojmë ne, secili kemi mbetur vetëm me marr një vendim, vendimi është i domosdoshëm për hapje të rrugës, mendoj se interpretimi që ka dhënë sekretariati është jo i drejtë, i kundërligjshëm, prandaj do të votoj kundër, edhe kolegu im nga Vetëvendosje do të votojë kundër sepse mendojmë se nuk është interpretim i drejtë”, tha Kurteshi.

    Pas hedhjes në votim, 8 anëtarë të KQZ-së votuan pro, dy anëtarët që përfaqësojnë LVV-në votuan kundër, ndërsa përfaqësuesja e Listës Serbe abstenoi me votën e saj. Me këtë rast, është certifikuar edhe rezultati për këto zgjedhje.

  • Haradinaj kërkon nga qeveria që ta bëjë rishikimin e buxhetit: Të rriten pagat

    Haradinaj kërkon nga qeveria që ta bëjë rishikimin e buxhetit: Të rriten pagat

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është koha që tani të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2023.

    “Kemi kohë për zgjidhje të duhura dhe tema që janë në interes të të gjithëve. Vitin e kaluar është implementuar 17 për qind e buxhetit. Edhe këtë ka dinamikë të njëjtë”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë në seancë se në këtë periudhë është rritur “vetëm luksi qeveritar”.

    “Qeveria duhet t’i përmbushë detyrat e veta ndaj të punësuarve në sektorin publik. Policia ka kohë që u është hequr rrezikshmëria, por kur duhet të shkojnë në veri ata shkojnë. Logjika që policët të mos përfshihen është e pakuptimtë. Prandaj qeveria duhet të bëjë plan që buxhetin për paga ta rrisë. E ka mundësinë që këtë ta bëjë përmes rishikimit”, shtoi ai.

  • Gërvalla shpreh ngushëllime për tragjedinë në Beograd

    Gërvalla shpreh ngushëllime për tragjedinë në Beograd

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, ka shprehur ngushëllime për tragjedinë që ndodhi dje në një shkollë të Beogradit.

    Si pasojë një 14 vjeçar, i ka vrarë nëntë persona, tetë prej të cilëve ishin nxënës edhe roja e kësaj shkolle.

    Në këtë ngjarje të rëndë ishin edhe gjashtë nxënëse dhe një mësuese.

    Në reagimin e ministres thuhet se shpreson që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

    “U dërgojmë ngushëllimet tona më të thella familjeve të 9 të vrarëve, mes tyre 8 fëmijë, viktima të të shtënave masive në një shkollë në Beograd. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve dhe shpresojmë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë”, thuhet në reagim.

  • Ngritet aktakuzë ndaj një personi, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile

    Ngritet aktakuzë ndaj një personi, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile

    Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A., për krime lufte kundër popullsisë civile.

    Ç.A gjatë periudhës janar-maj 1999 ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’

    “Prokuroria Speciale njofton se i akuzuar Ç.A. në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ‘’RSFJ’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, dhe nenin 4 të Protokolit 2 të datës 08.06.1977, aktualisht e ndëshkueshme me neni 146 dhe 147 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’).”, ka informuar Prokuroria.

    Prokuroria Speciale ka propozuar që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.

  • ​Theret një i mitur në Gjilan, arrestohet i dyshuari

    ​Theret një i mitur në Gjilan, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar të mërkurën në Gjilan, pasi i njëjti dyshohet se ka therur me thikë një të mitur.

    Ngjarja ka ndodhur në kampusin e shkollave të mesme në këtë qytet.

    “Rr. Zija Shemsiu –Kampusi i shkollave të mesme, Gjilan 03.05.2023-12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i moshës së mitur pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje ka goditur me një mjet të mprehtë-thikë viktimën mashkull kosovar të moshës së mitur”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Bëhet e ditur se viktima ndihmën e parë e ka pranuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas është dërguar në QKUK, në Prishtinë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • “Emrin e dashnores e kam vendos si password në telefon”, thotë një qytetar kur pyetet se a e mban telefonin me kod

    “Emrin e dashnores e kam vendos si password në telefon”, thotë një qytetar kur pyetet se a e mban telefonin me kod

    Për çështje sigurie ne i vendosim një fjalëkalim apo kod pajisjeve të mençura si p.sh., celularët e mençur, kompjuterëve etj., kjo për shkak që askush përveç nesh të mund të ketë qasje në të.

    Se a e praktikojnë këtë qytetarët, ata janë përgjigjur pyetjeve të ATV-së.

    “Asnjëherë nuk i kom vendosi password telefonit dhe as nuk do t’i vendosi, se s’kom nevojë me mshef kurrgjë”, tha një qytetar.

    “Po telefonin e mbaj me password edhe gruja nuk e din”, deklaroi një qytetar.

    “E kom telefonin me password, i lehtë edhe e din ky shoku jem këtu”, u përgjigj një qytetar.

    “Po me password e kom e password-i ma i çuditshëm që ia kam vendos është emri i dashnores edhe askush nuk e din”, tha një burrë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pse zgjohemi më herët kur plakemi?

    Pse zgjohemi më herët kur plakemi?

    Ndërsa plakemi, trupi ynë ndryshon brenda dhe jashtë, gjë që është shkaku kryesor i ndryshimeve në zakonet e gjumit që vijnë më vonë në jetë.

    Truri ynë përgjigjet ndryshe ndërsa plakemi.

    Gjumi, si gjithçka tjetër, arrihet duke i qëndruar besnik e një rutine që të përshtatet më së miri.

    Kjo do të thotë se truri i një të riu e kupton më lehtë se pas konsumimit të darkës, pas disa orësh vjen gjumi.

    Tek një i moshuar, kjo lidhje fillon të dobësohet, transmeton atvlive.tv.

    Mungesë e ndjenjës së kohës bën që të moshuarit të lodhen shumë më herët se fëmijët dhe nipërit e tyre.

    Ashtu si shumica e gjërave që ndryshojnë me kalimin e viteve, modelet tona të gjumit ndryshojnë me kalimin e kohës.

    Arsyeje tjetër që ndodh kjo është sepse shikimi ynë ndryshon me kalimin e viteve dhe kështu intensiteti i dritës që merr truri ynë zvogëlohet.

    Dhe kjo përmbys faktet dhe sigurisht sa orë përfundojmë duke fjetur, duke u rritur.

    Së bashku me ndryshimet në shëndetin fizik dhe mendor, truri bëhet më pak i ndjeshëm ndërsa plakemi.

    Kjo është arsyeja pse të moshuarit lodhen para fëmijëve ose nipërve të tyre, por zgjohen plotësisht të pushuar më herët se të tjerët.

    Kjo gjendje e zakonshme prek më shumë se 50 për qind të njerëzve mbi moshën 80 vjeç.

    Për të përmirësoni sasinë dhe cilësinë e gjumit, mos konsumoni pije gjatë orëve të mbrëmjes, që të shmangni urinimin gjatë natës.

    Gjithashtu evitoni konsumin e pijeve energjike gjatë orëve të pasdites.

    Përshtatni ambientin e fjetjes për një gjumë më të rehatshëm.

    Një ndër metodat më të mira për t’u qetësuar është frymëmarrja.

    Për 2 sekonda merr frymë thellë me hundë, mbaje 6 sekonda dhe nxirre nga goja.

    Përsërite për disa minuta, derisa trupi të qetësohet krejtësisht dhe të të marrë gjumi./atvlive.tv/

     

     

  • ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, pas sulmit të armatosur në Beograd të Serbisë.

    Kurti po ashtu ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.

    “Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, ka shkruar ai në Twitter.

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

    Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq ka deklaruar se janë duke u bërë hetime për ndriçimin e rastit.

    Sipas njohurive, siç ka treguar Miliq, 14-vjeçari veprën penale e kishte planifikuar që një kohë të gjatë.

  • Zelensky vizitë të papritur në Hagë

    Zelensky vizitë të papritur në Hagë

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Holandë të mërkurën vonë për një udhëtim të paparalajmëruar më parë.

    Ai arriti në aeroportin e Amsterdamit me një aeroplan të qeverisë holandeze që vinte nga Helsinki dhe më pas u drejtua në një autokolonë drejt Hagës nën shoqërimin e policisë.

    Ligjvënësit holandezë konfirmuan në Twitter se një takim me presidentin ukrainas ishte planifikuar në Hagë të enjten.

    Mediat holandeze raportuan se ai do të takohet gjithashtu me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe do të mbajë një fjalim në Hagë.

    Raportohet se është planifikuar gjithashtu një vizitë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

    Gjykata e mbështetur nga OKB-ja ka nisur hetimet për krimet e mundshme të luftës të kryera nga Rusia dhe në mars lëshoi një urdhër arrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.

    Vizita e presidentit ukrainas, Zelensky, nuk u njoftua paraprakisht dhe shënon vizitën e parë të liderit ukrainas në Holandë.

    Më parë, ai ishte takuar me liderët nordikë në një samit në Finlandë, në të cilin ata premtuan mbështetjen e tyre për liderin ukrainas për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

    Holanda deri tani i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej rreth 1.2 miliardë euro duke ndihmuar Ukrainën që të mbrohet kundër pushtimit të plotë të Rusisë.

    Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të vitit të kaluar./REL/

  • KQZ-ja mban mbledhje, pritet certifikimi i rezultateve për kuvendin komunal në Leposaviq

    KQZ-ja mban mbledhje, pritet certifikimi i rezultateve për kuvendin komunal në Leposaviq

    Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje nga ora 10:30.

    Në rend të ditës është edhe certifikimi i rezultateve, për zgjedhjet e parakohshme për kuvendin Komunal në Leposaviq.

    Kujtojmë se më 23 prill janë mbajtur zgjedhjet për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.