ATV

Author: G.O.

  • Osmani tregon nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë: Drejtësia sërish do të triumfojë

    Osmani tregon nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë: Drejtësia sërish do të triumfojë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka treguar nëse e ka në planë t’i vizitojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    E para e shtetit, tha se veprimet institucionale do të jetë të mirëmenduara, në mënyrë që mos të interpretohej si ndërhyrje në këtë proces.

    Ajo është e bindur se drejtësi në këtë rast do të triumfojë, duke shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

    Osmani sqaroi se do të bëjnë gjithçka që është në kompetenca të institucioneve dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Ne besojmë që drejtësia sërish do të triumfojë, ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë se vendimi final do ta ridëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për t’i mbrojtur civilët të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat gjenocidale e Serbisë”.

    “Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët e tyre, në mënyrë që çdo hap i yni të jetë hap që i ndihmon drejtësisë dhe jo hap që mund të keqpërdorej dhe të interpretohej si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK-së përgjatë këtij procesi”, tha Osmani.

  • ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pauzës, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

    Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

    Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Veldt-Foglia: Ju përmendet një ndërtesë me numrin 1, si një lloj burgu, a mund të na shpjegoni se si personat që mbërrinin aty në këtë shtabin e Kukësit që i qonin tek kjo ndërtesa me numrin 1, si mbërrinin aty, si arrinin aty, si vinin?

    Dëshmitari: Ata komandantët e mëdhenj i mblidhnin dhe i binin.

    Gjykatësja: Si vinin aty, në ç‘mënyrë? Me çfarë mjeti vinin?

    Dëshmitari: Komandantët e mëdhenj nëpër kampe i mblidhnin që ishin të dyshuar.

    Gjykatësja: Po vinin duke ecur në këmbë apo me ndonjë kerr, apo si vinin në çfarë mënyre, me çfarë mjetesh?

    Dëshmitari: Po me kerr, më duket nëpër kampe i mblidhnin edhe disa që vijshin si mobizilim i ushtrisë edhe ata i merrnin në pyetje.

    Gjykatësja: Ata njerëzit, personat, që i sillnin aty dhe i vendosnin tek ndërtesa numër 1, nga i dije ti, nga e kuptoje ti që ishin të dyshuar, siç na the dje, nga e mësove ti këtë?

    Dëshmitari: Kur i merrshin në pyetje disa i lëshojshin u mobilizojshin aty në ushtri”,është përgjigjur dëshmitari i mbrojtur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues.

    Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

    Gjykatësja: Kur vinin aty tek shtabi, a ishe ti në gjendje për t’i dalluar, a e dije ti që ishin të dyshuar?

    Dëshmitari: Jo, jo, jo. Aty vijshin ata mobilizimin për ta bërë, atëherë këta komandantët e mëdhenj që dyshonin i qitshin në këtë ndërtesën numër 1, në dhoma, si të dyshuar.

    Gjykatësja: Ata njerëzit që merreshin nëpër kampe, siç the dhe i sillnin aty nga komandantët e mëdhenj me kerre, këta persona kur vinin aty i kishin duart e lidhura?

    Dëshmitari: Unë nuk i kam parë me duart e lidhura”, është përgjigjur ai në pyetjet e gjykatëses.

    Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

    Gjykatësja: Këta njerëzit që i sillnin aty, duart i kishin të lidhura?

    Dëshmitari: Zonja gjyqtare është mundësia që i kanë pasur, tash kam harruar se i binin aty në zyre, një herë i binin në zyre komandantët, tani i sjellshin në pavijonin numër 1. Me makinë e bijshin, por është mundësia që i kanë pasur duart (e lidhura), tash kam harruar unë.

    Gjykatësja: Në rregull, por këto fjalë ja ke thënë prokurorisë dhe tani po thua që mund t’i kesh harruar. Edhe kur ta lexojë unë, tani që po ta lexoj, a të kujtohet apo prapë se ke shumë të qartë?

    Dëshmitari: Prapë po them, ndoshta i kanë pasur… i qojshin në zyre komandantët. Nuk i zhdrypshin para portës aty ata që i vendosnin nëpër kampe. Ndoshta i kanë pasur duart lidhur se në makinë të vogël nuk i kam parë. Është edhe mundësia që i kam thënë prokurorisë”, ka thënë ai.

    Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

    Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

    “Si për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë ka qenë. Se ku hajshim ne bukë edhe ata hajshin. Ka një ditë kishe, nga një ditë nuk kishe”, ka thënë ai.

    Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

    Ky është dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

    Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11.

    Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Idrizi kërkon drejtësi për masakrën e Studimes: 24 vjet pas luftës, familjarët nuk janë të qetë

    Idrizi kërkon drejtësi për masakrën e Studimes: 24 vjet pas luftës, familjarët nuk janë të qetë

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e ka quajtur ditë të rëndë për Kosovën, 2 Majin, pasi 24 vjet më parë në fshatin Studime u vranë e u masakruan 116 civilë të pafajshëm, raporton Ekonomia Online.

    I pari i Vushtrrisë, tha se 24 vjet pas luftës, drejtësia për këto familje ende nuk ka ardhur.

    Ai ka folu me këtë rast edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e quajtur këtë proces padrejtësi.

    “Sot është një ditë shumë e rëndë për familjet e martirëve për qytetarët e Vushtrrisë, sepse prilli, maji e qershori kemi përkujtime të përditshme të atyre që derdhen gjakun për të sjellë Pavarësinë e Kosovës. 116 civilë të pafajshëm, u vranë e u masakruan”, tha Idrizi.

    “Në Vushtrri e kemi 2 majin masakrën e Studimes, 26 maji masakrën e Vushtrrisë, e kështu më radhë dhe gjitha këto vuajtje janë gurthemeli i lirisë e pavarësisë së Kosovës. 24 vjet pas luftës, ne kur kujtojmë masakra të tmerrshme, drejtësia ende nuk ka ardhur dhe gjitha këto familje do të lehtësoheshin kur kryerësit e këtyre masakrave do të dilnin para drejtësisë”, tha ai, teksa përmendi edhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    “Sot i kemi duke u përballur me padrejtësi, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin  etj”, tha Idrizi.

  • Kurti në 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

    Kurti në 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë.

    Kurti në një postim në Facebook ka thënë se forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë, si dhe ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna.

    “Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisë dhe dëbuan me dhunë banorët. I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё. Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç. Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë”.

    Ai tutje ka shkruar “se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”.

    Kurti i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.

    “Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka thënë Kurti.

  • Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

    Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për dy vjet qeverisje është marrë në mënyrë intensive me procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore deklaronte se negociatat me Serbinë s’do të jenë prioritet kryesor i tij. Në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje me Serbinë ai është “zhytur” me ekipin e tij që kësaj herë numëron 8 anëtarë. 

    Pas udhëtimit drejt Brukselit dhe pas telefonatës që ka zhvilluar gjatë ditës me krahun e djathtë të Sekretarit Blinken, Kurti është lajmëruar në orët e vona me një fotografi bashkë me ekipin e tij.

    Në përshkrimin e fotografisë, Kurti ka folur me kompetencë “rreth kompleksitetit dhe thjeshtësisë së përgatitjes për negociata”.

    “Arritëm në Bruksel dhe shpenzuam ditën për t’u përgatitur për takimin e nesërm. Të përgatitesh për negociata është njëkohësisht komplekse dhe e thjeshtë. Komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar kryeministri në Twitter.

  • Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakra e Studimes tregon se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

    Në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 Majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, Osmani ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.

    Ajo madje tha se institucionet do t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.

    “Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme”.

    “Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre”.

    “Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”.

    Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t`u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.

    Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

  • Haradinaj përkujton civilët e vrarë në Studime të Vushtrrisë

    Haradinaj përkujton civilët e vrarë në Studime të Vushtrrisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 24-vjetorin e rënies, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, duke thënë që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë.

    Haradinaj ka shkruar në Facebook se ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse aspironin lirinë e vendit.

    “Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet. Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se më 2 maj 1999 forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm, të cilët u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

    Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

    Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.

  • Durrësi mbushet me shkrime “pro” serbe, piktori vendos t’i zhduk

    Durrësi mbushet me shkrime “pro” serbe, piktori vendos t’i zhduk

    Mbishkrime ofenduese ndaj popullit të Kosovës, para disa kohësh ishin parë nëpër rrugët e Durrësit, mirëpo këto mbishkrime tani po mbulohen me disa grafite nga një artist shqiptar.

    Bledar Çakalli, një artist nga Shqipëria, në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli për vetiniciativën, për t’i larguar këto mbishkrime.

    Ai tha se këto mbishkrime është duke i mbuluar me “art”, siç tha ai, me figura të ndryshme kombëtare.

    “Është një ngjarje shumë që sapo të hysh në Durrës ndodhën ato mbishkrime dhe kuptimi i tyre është “Kosova është Serbi” dhe mbishkrime sllave, për përçarje mes shqiptarëve dhe në fakt ishte për detyrë që të reagonim. I nisa me pak por që tani po bëj goxha punë që ato mbishkrime të kthehen në art po vazhdon edhe më tej. Ato mbishkrime tani po kthehen në art, me figura kombëtare, siç e nisa me mbretëreshën Teuta dhe do të vazhdojë me figura të tjera si Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Skënderbeun etj.

    Tutje, Çakalli shtoi se kjo nuk është hera e parë që mbishkrime të tilla vendosen nëpër rrugët e këtij vendi.

    Për më shumë ndiqni intervistën në videon e mëposhtme:

  • Ekspertët sjellin imazhin 3D të burrit para 35 mijë vjetëve

    Ekspertët sjellin imazhin 3D të burrit para 35 mijë vjetëve

    Ekspertët brazilianë kanë përdorur imazhe dixhitale për të zbuluar fytyrën e një burri egjiptian që ka jetuar 35,000 vjet më parë.

    Moacir Elias Santos, një arkeolog dhe Cícero Moraes, një projektues 3D përdorën mbetjet skeletore të një njeriu të gjetur në një vend arkeologjik në Egjipt për të rikrijuar një imazh dixhital.

    Imazhi paraqet një përafrim të detajuar të fytyrës të kafkës së Nazlet Khater 2, fosilit 35,000-vjeçar që u zbulua në vitin 1980 në Luginën e Nilit të Egjiptit.

    Analiza antropologjike më vonë identifikoi mbetjet skeletore si të një njeriu me prejardhje afrikane, i moshës midis 17 dhe 29 vjeç në kohën e vdekjes së tij.

    Ekipi përdori procesin e përafrimit të fytyrës, i cili i ndihmon arkeologët të rikrijojnë tiparet e fytyrës së një personi të vdekur duke përdorur mbetjet skeletore.

    Disa vite më parë, ne po punonim tashmë në një seri përafrimesh që lidhen me evolucionin njerëzor, me kopjet më të njohura fosile,” tha për CNN Moacir Santos, arkeolog në Muzeun Arkeologjik Ciro Flamarion Cardoso në Ponta Grossa, Brazil. “Videot u shndërruan në foto dhe u përdorën për përpunimin e fotogrametrisë së kafkës, e cila i dha formë studimit”.

    Fotogrammetria është procesi i nxjerrjes së informacionit 3D nga fotografitë, gjë që bënë Santos dhe Moraes pasi panë mbetjet skeletore të njeriut në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian në Kajro.

    Ky proces është përdorur nga ekspertët për të përcaktuar se si njerëzit kanë evoluar gjatë shekujve.

    Santos dhe Moraes shpresojnë se puna e tyre do të informojë kërkimet e arkeologëve të tjerë mbi evolucionin njerëzor.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Shitje rekorde e një toke me rërë në Dubai

    Shitje rekorde e një toke me rërë në Dubai

    Ish-CEO i “PrettyLittleThing”, Umar Kamani ka arritur një fitim prej më shumë se 20 milionë funtesh në një “rekord” shitje toke në Dubai, pasi shiti një “grumbull rëre” prej 30,000 metrash të pazhvilluar mbi 27 milionë funte.

    Kamani, 35 vjeç, bleu parcelën e tokës në ishullin Jumeirah Bay në 2017 për 8 milionë dollarë dhe ia ka shitur atë një blerësi të pazbuluar për 34 milionë dollarë.

    Ishulli i në brigjet e Dubait është pjesë e një arkipelagu të krijuar nga njeriu, i përbërë nga afërsisht 300 ishuj në formën e hartës botërore, transmeton atvlive.tv.

    Kjo shitje ka vendosur një rekord të ri për transaksionin më të shtrenjtë të tokës të regjistruar ndonjëherë në ishull.

    “Janë 125 milionë për rërë,” thotë Andreë Cummings, kreu i rezidencialit kryesor në Knight Frank në Dubai.

    Vetëm disa shtëpi në ishull janë përfunduar. Disa janë në ndërtim e sipër, e të tjera ende nuk janë ndërtuar.

    Ishulli është gjithashtu shtëpia e Bulgari Resort, një nga hotelet më të shtrenjta në qytet, si dhe kulla e ardhshme Bulgari Lighthouse, ku çmimet e shitjes së apartamenteve kanë arritur nivele të larta edhe para se të ndërtohet.

    Penthouse më i lartë – një apartament me nëntë dhoma gjumi me pesë vende parkimi – u shit për 111 milionë dollarë në shkurt.

    Sipas Bloomberg , agjentët e pasurive të paluajtshme parashikojnë se rekordet do të vazhdojnë të thyhen.

    Shitësi në Jumeirah Bay Island, për shembull, zotëron gjithashtu një parcelë identike pranë të parës.

    Ai planifikon ta ofrojë për 36 milionë dollarë.

    Biznesmeni, 35 vjeç, i cili themeloi kompaninë e modës në vitin 2012 së bashku me vëllain Adam, ka mbikëqyrur rritjen shpërthyese të PLT-së nga një faqe interneti e thjeshtë që shet aksesorë në një markë globale që tani vlerësohet rreth 3.8 miliardë paund.

    Që nga krijimi i tij PrettyLittleThing është bërë i njohur për bashkëpunëtorët e tyre të famshëm duke përfshirë Kylie Jenner, Khloe Kardashian, Little Mix, Gemma Oëen dhe Molly-Mae Hague, e cila është gjithashtu drejtoresha kreative e gjigantit online./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: