ATV

Author: G.O.

  • Mblidhet Kuvendi, në rend dite plotësim-ndryshimi i Ligjit për tatimin në pronë

    Mblidhet Kuvendi, në rend dite plotësim-ndryshimi i Ligjit për tatimin në pronë

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të re.

    Kryekuvendari Glauk Konjufca gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nga të gjitha partitë konsensus për miratimin e rregulloreve që kanë të bëjnë me punën e Kuvendit.

    Në mesin e 11 pikave, në seancën e sotme do të shqyrtohet në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.Seanca do të mbahet me fillim nga ora 10:00.

    Këto janë pikat e rendit të ditës që pritet të diskutohen sot:

    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,

    Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

  • MSh-ja hap konkurs për 350 specializantë, shumica prej tyre pritet të jenë anesteziologë

    MSh-ja hap konkurs për 350 specializantë, shumica prej tyre pritet të jenë anesteziologë

    350 specializantë parashihet të pranohen në konkursin e fundi të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq prioritet do të kenë specializantët për lëmin e anesteziologjisë. Ky proces do të bëhet bazuar me Udhëzimin e Ri Administrativ për shkollim specialistik i cili është miratuar para një muaji, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, ministri i këtij dikasteri, Arben Vitia, tha se Udhëzimi Administrativ për specialistë përbëhet nga tri kritere bazë, teksa premtoi që çdo vit do të ketë specializime bazuar me këto kritere.

    “Jam i lumtur që sot gjendem në këtë konferencë e cila ka një rëndësie të jashtëzakonshme për kuadrit tona të reja në shëndetësi. Udhëzimi i ri do t’i eliminoj mungesat e hasura më herët. Numri i specializimeve do të mbështet në tri kritere bazë. Duke marr parasysh numrin e madh të specializantëve herën e kaluar, kanë bërë që më disa klinika të kemi një mbingarkesë. Duke marr gjitha këto parasysh ne tani garantojmë një cilësi dhe garantojmë një vijueshmëri. Çdo vit do të ketë specializime bazuar me këto kritere. Kemi marr rekomandime që të kemi 350 specializant në total. Rritja e pagave për profesionistë shëndetësor, ndryshimet e legjislacioneve, ky ndryshim administrativ janë vetëm disa veprime që kjo qeveri ka bërë dhe do të bëjmë për të ngritur cilësinë. Numri me i madh në këtë rast është për anesteziologët”, tha ai.

    E kryesuesi i Bordit për Specializime, Edmond Haliti, tha se ky konkurs do të jetë me standarde të larta që janë të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

    Ai po ashtu tha se më nuk do të ketë specializime me vetë financim.

    “Me standarde të reja e të larta, ftoj të gjithë mjekët që ta gjejnë vetën brenda këtij konkursi. Ajo çka jemi munduar që të bëjmë është duke evidentuar gabimet e më hershme. Mendoj se do t’i arsyetoj. Jemi munduar që të mbulojmë nevojat që kanë institucionet. Nevojat janë të mëdha por nuk duhet që t’i shkelim rregullat, mendoj që kemi arritur një zgjedhje optimale. Nuk do të ketë më specializime me vetëfinancim”, tha ai.

  • Rama ngushëllon popullin serb për tragjedinë në një shkollë në Beograd

    Rama ngushëllon popullin serb për tragjedinë në një shkollë në Beograd

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe popullin serb për ngjarjen e sotme në një shkollë në Beograd ku mbeten të vrarë nëntë persona.

    Rama tha se është e trishtueshme të dëgjosh për të shtënat e sotme, teksa të plagosurve iu uroi shërim të shpejtë.

    “Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjet e viktimave, si dhe për popullin dhe autoritetet serbe”, shkroi Rama.

    Kujtojmë se në mëngjesin e sotëm, një 14-vjeç vrau tetë nxënës në një shkollë në Beograd e po ashtu edhe rojën e sigurisë, ndërsa plagosi edhe disa nxënës të tjerë, ku njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

    Lexoni edhe:

    Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

  • Arrestohet sulmuesi 38-vjeçar i cili vrau pesë persona në Teksas

    Arrestohet sulmuesi 38-vjeçar i cili vrau pesë persona në Teksas

    Një burrë i akuzuar për vrasjen e pesë fqinjëve të tij në Teksas, është arrestuar pasi policia e gjeti atë duke u fshehur në një dollap, nën një grumbull rrobash.

    Francisco Oropesa, një 38-vjeçar meksikan, u gjet në veri të Hjustonit, disa kilometra larg shtëpisë së tij në qytezën e Klivlendit, ku kishin ndodhur të shtënat.

    Oropesa akuzohet për vrasjen e fqinjëve pasi ata i kishin kërkuar atij të ndalë qitjet me armë në oborrin e tij, pasi zhurma e armës po zgjonte një foshnje.

    Ndër viktimat e vrasjes masive, që ishte e 173-ta vetëm këtë vit në Shtetet e Bashkuara, ishte edhe një fëmijë nëntëvjeçar.

    Të gjitha viktimat ishin nga Hondurasi, dhe ishin të moshave 31, 28, 21, 18 dhe 9-vjeçe.
    Në kërkimin katër-ditor për Oropesan, u përfshinë zyrtarët e zbatimit të ligjit të shumë juridiksioneve, përfshirë edhe FBI-ja.

  • Presidenca: Versioni i statutit të Asociacionit i ngjashëm me atë të Vojvodinës, nuk do të kalojë

    Presidenca: Versioni i statutit të Asociacionit i ngjashëm me atë të Vojvodinës, nuk do të kalojë

    Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar se versioni i statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua mbrëmë në Bruksel është i ngjashëm me atë të Vojvodinës.

    Vela tha se qëllimi i Serbisë është rikonstituimi i autonomisë me qëllim që institucionet e Kosovës të mbeten të pavlefshme.

    “Ky Asociacion nuk do të kalojë”, tha Vela.

    Ndryshe sot në orët e hershme të mëngjesit, janë liruar nga detyra zyrtare katër anëtarët serbë që ishin të ngarkuar me hartimin e draftit.

    Ky grup ishte i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujçiq.

  • Arta Hoxha zgjidhet anëtare joekzekutive e Bordit të BQK-së

    Arta Hoxha zgjidhet anëtare joekzekutive e Bordit të BQK-së

    Kuvendi i Kosovës në raundin e dytë ka zgjedhur Arta Hoxha anëtare joekzekutive të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    Në këtë votim të fshehtë morën pjesë 90 deputetë, 47 vota mori Arta Hoxha, 35 Valdrin Kasumaj dhe 8 vota ishin të pavlefshme.

    Ndërsa, në raundin e parë më i votuari në raundin e parë ishte Valdrin Kasumaj me gjithsej 46 vota i pasuar nga Arta Hoxha me 37 vota, Afrim Atashi 1 votë, Enver Bajçinca 1 dhe Florim Peci asnjë votë.

    Kuvendi në vazhdimin e seancës që po mbahet të mërkurën ka formuar edhe Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti shqiptar.

    Mirëpo, në këtë seancë nuk ka kaluar Raporti i Komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

  • Paralajmërimi i OKB: Bota të përgatitet për temperatura rekord nxehtësie

    Paralajmërimi i OKB: Bota të përgatitet për temperatura rekord nxehtësie

    Agjencia meteorologjike e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për rritjen e gjasave për zhvillimin e fenomenit të motit, El Ninjo, në muajt e ardhshëm, duke nxitur temperatura më të larta globale dhe mbase edhe rekorde të reja nxehtësie.

    Organizata Botërore Meteorologjike ka thënë të mërkurën se tani vlerëson që gjasat për zhvillimin e El Ninjos para fundit të korrikut qëndrojnë në 60 për qind, ndërsa para fundit të shtatorit në 80 për qind, raporton AFP.

    “Kjo do t’i ndryshojë tendencat e motit dhe të klimës në mbarë botën”, ka thënë Wilfran Moufouma Okia, shef i shërbimit për parashikimin e klimës në OBM.

    El Ninjo, një fenomen që ndodh natyrshëm, dhe që shoqërohet zakonisht me rritje të nxehtësisë në mbarë botën, por edhe me thatësirë në disa pjesë të botës dhe me shira të rrëmbyeshëm në zona tjera, për herë të fundit ka ndodhur më 2018-19.

    Që nga viti 2020, bota është goditur nga e kundërta e ftohtë e El Ninjos, një La Ninja jashtëzakonisht e gjatë, e cila ka përfunduar më herët këtë vit, duke i hapur rrugën kushteve aktuale neutrale.

    Megjithatë, OKB-ja ka thënë se tetë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtit të regjistruar ndonjëherë, pavarësisht efektit ftohës të La Ninjas gjatë gjysmës së periudhës.

    Pa atë fenomen moti, situata me ngrohjen mund të ketë qenë edhe më e keqe.

    La Ninja “ka vepruar si fre i përkohshëm ndaj rritjes globale të temperaturave”, ka thënë shefi i OBM-së, Petteri Taalas.

    Tani, “bota duhet të përgatitet për zhvillimin e El Ninjos”, ka paralajmëruar ai.

    Në këtë fazë, nuk ka indikacione për fuqinë apo kohëzgjatjen e El Ninjos në ardhje.

  • Aksident në Gjermani, vdes 59-vjeçari nga Kosova

    Aksident në Gjermani, vdes 59-vjeçari nga Kosova

    Një burrë nga Kosova ka vdekur në një aksident trafiku në Gjermani.

    Lajmin e kanë dhënë familjarët, përmes rrjeteve sociale.

    Bëhet fjalë për 59-vjeçarin, Mursel Duraku.

    Sipas tyre, aksident fatal kishte ndodhur të martën.

    “Me dhimbje te thelle njoftojme te gjithe familjaret, miqte dhe dashamiret qè sot pas nje aksidenti ne Gjermani me date 02.05.2023 në moshen 59-vjeçare, ka nderruar jete babai, migja yne i dashur, Mursel Duraku
    Per vorrim ju nioftoim me kohe
    Te pikelluar, familja Duraku”, thuhet në njoftim.

  • Konjufca: S’do të ketë marrëveshje të shpejtë për Asociacionin

    Konjufca: S’do të ketë marrëveshje të shpejtë për Asociacionin

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve. Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje. Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.

    Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Konjufca kritikoi ekipin menaxhues që ka propozuar draftstatutin e Asociacionit duke thënë se mbrojti interesat e Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ishte emëruar nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk i kurseu gjithashtu nga kritikat.

    “Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Republikës së Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për neve meqenëse atje prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Po shihni edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesa të Kosovës, bile-bile njëra prej tyre ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit. Kështu që nuk patëm ne çfarë të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues, ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili faktikisht është një lloj ‘Republike serbe’ brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

    Konjufca deklaroi se çdo propozim për statut të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme.

    Ai tha se i pëlqeu dhe e mbështet aktin e shkarkimit të ekipit menaxhues.

    “Një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuçiqit e jo interesat e popullit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria, nuk ka çfarë të kërkojë në pozicione zyrtare, nuk ka se si të përfaqësojë popullin dhe qytetarët e Kosovës, pra ata e përfaqësuan Serbinë në ditën e djeshme dhe fort mirë që u shkarkuan… Shumë mirë ka vepruar Qeveria e Kosovës, për ne nuk është kurrfarë befasie sepse personat të cilët janë caktuar prej Vuçiqit dhe prej Rakiqit, nuk mund të shkruanin statut tjetër, natyrisht që e kanë shkruar për të shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionimin unitar të shtetit tonë”, vijoi Konjufca.

    Konjufca deklaroi se propozimi i Kurtit për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda asaj se çfarë e lejon Kushtetuta e Kosovës, por tha se kjo nuk i pëlqen Serbisë e prandaj nuk do të ketë marrëveshje.

    Kreu i Kuvendit u shpreh se shteti serb duhet të braktisë politikat e tij të nacionalizimit fashist që i ka trashëguar nga Millosheviqi.

    “Jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë këtu nuk është diçka e pranueshme për Serbinë, prandaj konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizimit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve ’90-ta, e konsideron Kosovën pjesë të saj, ka bërë gjenocid, nuk ka pendesë për krimet e kryera, nuk distancohet prej asaj veprimtarie që e ka bërë në Kosovë, prej shkeljes masive të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, në fund edhe gjenocidin që e ka ushtruar në Kosovë nuk ka kurrfarë pendese nga ana e Serbisë”, tha Konjufca.

    Kreu i Kuvendit deklaroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj dhe “punë e madhe” nëse kjo është e papranueshme për Serbinë, pasi sipas tij, nuk bëjnë kompromis me kushtetutshmërinë e Republikës.

    Sipas tij, Kushtetua e Kosovës lejon që Asociacioni të jetë në formën e një shoqate.

    “Ajo çka lejon Kushtetua është shumë e kufizuar. Nëse do të dëshironim të krijonim një hapësirë për një Asociacion i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për besë hapësira është shumë e vogël, hapësira është të krijohet një Asociacion simbolik diçka, e cila do të ishte në formë të një shoqate. Nuk ka mundësi më shumë, s’ka hapësirë për institucione të karakterit ekzekutiv. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”, tha Konjufca.

    Sa i përket mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se kanë trajtuar çështje nga fushëveprimtaria e saj. Sipas tij, i janë përkushtuar 4 rregulloreve të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. Tri prej tyre kanë kaluar ndërsa për një tjetër ritet që të kalohet javën e ardhshme.

  • Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjyqin kundër Pjetër Shalës

    Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjyqin kundër Pjetër Shalës

    Po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Prokuroria vazhdoi sot me intervistimin e dëshmitarit që mban numrin 11, i cili pretendon se është mbajtur më shumë se një muaj i ndaluar në një dhomë. Ai tha se është liruar nga aty pas çlirimit të Kosovës. Dëshmitari i mbrojtur tregoi edhe për emrin e personit, i cili e kishte marrë në pyetje gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar. Pjetër Shala po e ndjek seancën nga Qendra e Paraburgimit, përmes video-lidhjes.

    Në seancën e sotme po vijohet me pyetjet e prokurorit të specializuar. Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së tha se Xhemshit Krasniqin e kishte parë vetëm kur e ka marrë në fabrikën e metaleve në Kukës.

    Sipas dëshmisë së tij, në dhomën ku është mbajtur i ndaluar nuk ka pasur gjithmonë dyshekë për të fjetur.

    Në pyetjet tjera të prokurorit të specializuar u vijua në seancë private.

    Më pas, ai e pyeti dëshmitarin se kur u lirua nga dhoma ku është mbajtur më shumë se një muaj.

    Dëshmitari: Lirimi ndodhi kur hyri NATO në Kosovë dhe u hapën dyert dhe vetëm kam dalë prej aty”.

    Prokurori: Gjatë kohës sa u mbajte i ndaluar, përpara se të liroheshit, a ju mori njeri në pyetje. Mbaj mend që na ke thënë që një herë gjatë ditës ju bën disa pyetje?”, u përgjigj dëshmitari që mban numrin 11.

    Dëshmitari i gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës tha se Osman Kryeziu e kishte marrë në pyetje.

    Prokurori: Ju mori njeri në pyetje gjatë ndalimit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Prokurori: Kush ju mori në pyetje, a e dini se kush ishte ky person, e njihni identitetin e tij?

    Dëshmitari: Në atë moment as nuk e dija, as nuk e kam njohur. Pas çlirimit në Kosovë e kam kuptuar që ka qenë Eqrem Kryeziu… gabim, Osman Kryeziu”, tha ai.

    Dëshmitari shtoi se e ka parë një herë këtë person dhe se në kohën kur e mori në pyetje i kishte thënë që është gjykatës ose prokuror, por nuk i kishte treguar se cilën organizatë e ka përfaqësuar.

    Prokurori i specializuar kujtoi deklaratën e tij dhënë prokurorisë, kur kishte thënë të kundërtën.

    Prokurori: Në kohën që i keni dhënë intervistë prokurorisë, kemi diskutuar për këtë intervistën tuaj dhe ju keni thënë ‘e di që kur më mbajtën për një muaj më morën në pyetje, më quan tek një person që ishte prokuror dhe ai më tha jam prokurori i UÇK-së. Më morën rreth gjysmë ore në pyetje dhe që nga ajo kohë nuk e kam parë më’. Nga kjo që keni thënë aso kohe prokurorit, ky burri ju ka thënë ka qenë prokuror i UÇK-së. A e mbani mend?

    Dëshmitari: Nuk më kujtohet, të vërtetën me ju thënë. Ka mundësi edhe që më ka thënë”, tha ai.

    Prokurori i specializuar e pyeti nëse atë kohë e dinte se kush e kishte mbajtur të ndaluar, por transmetimi është dhënë me përmbajtje të redaktuar.

    Në dokumentet e paraqitura për dëshmitarin, të cilat nuk u transmetuan për publikun, ai u shpreh se personi në fotografi është Osman Kryeziu.

    Tutje, dëshmitari shtoi se i ka përjetuar rëndë ato çfarë ai pretendon se kanë ndodhur në dhomën ku është mbajtur.

    Mbrojtësi i viktimave tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.

    Pas pauzës do të vijohet me kundërpyetjet e palës mbrojtëse për dëshmitarin, i cili nisi dëshminë gjatë së martës.

    Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

    Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

    Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala është arrestur më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.