ATV

Author: G.O.

  • Konfiskohet marihuanë në Prizren, arrestohen dy persona

    Konfiskohet marihuanë në Prizren, arrestohen dy persona

    Policia e Kosovës gjatë kontrollit në një automjet në të cilën gjendeshin dy persona (një mashkull dhe një femër) ka gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth dy kilogram.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 17:50, në Prizren.

    “Prizren 04.05.2023-17:50. Gjatë kontrollit në automjetin ku gjendeshin dy të dyshuar një mashkull dhe një femër kosovare janë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth dy kilogramë”, thuhet në raport.

    Tutje bëhet e ditur se gjatë kontrollit të banesës së personave të dyshuar janë konfiskuar dy grinder(mulli) dhe një sprej.

    Po ashtu në raport bëhet e ditur se personat janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara femër është liruar.

    “Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit janë konfiskuar: dy grinder (mulli) dhe një sprej. Të njëjtit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara femër është liruar, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Të paktën shtatë mësues janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Pakistan

    Të paktën shtatë mësues janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Pakistan

    Të paktën shtatë mësues u vranë sot nga të shtënat në një shkollë në veriperëndim të Pakistanit, thanë zyrtarët, pa specifikuar nëse ishte hakmarrje për vrasjen e një mësuesi më herët në zonë.

    Të dy incidentet ndodhën në Parachinar, Kurram, jo ​​shumë larg kufirit me Afganistanin, thanë zyrtarët, raportoi Reuters.

    Autoritetet rajonale kanë dhënë raporte kontradiktore për motivin e vrasjeve.

    Në një deklaratë nga zyra e kryetarit të provincës, thuhet se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje pronësore, ndërsa komisari rajonal tha se shkak duket të jetë antagonizmi sektar.

    Mësuesi i vrarë në incidentin e parë ishte një mysliman sunit, ndërsa mësuesit e vrarë në sulmin e dytë në shkollë ishin myslimanë shiitë, tha komisioneri Saiful Islam për agjencinë britanike.

    “Për momentin nuk dihet nëse incidenti i dytë ka qenë një reagim ndaj të parit”, tha ai dhe shtoi se është shtuar siguria në zonën ku tashmë ka tensione për shkak të dhunës sektare.

  • NATO frikësohet se Rusia mund të godasë infrastrukturën e saj kritike

    NATO frikësohet se Rusia mund të godasë infrastrukturën e saj kritike

    Numri dy i NATO-s ka thënë se Rusia po përgatitet të nisë një ofensivë ndaj kabllove të nëndetëseve të NATO-s në Bashkimin Evropian.

    Ndihmës sekretari i përgjithshëm i bllokut për inteligjencën dhe sigurinë, David Cutler, tha se Rusia po e ndërton hartën e infrastrukturës kritike të aleatëve si në tokë ashtu edhe në atë nënujore.

    “Kjo është mënyra se si Moska po përgatitet për sulme kundër objektivave të nëndetëseve në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Ushtria ruse dhe shërbimet speciale marrin pjesë në operacion”, pohoi ai, transmeton Klankosova.tv.

    “Rusia po përgatitet për një sulm në infrastrukturën e nëndetëseve të NATO-s. Për këtë qëllim, udhëheqja ruse po studion sistemet nënujore të aleancës”, citohet nga “Bloomberg” të ketë thënë David Cutler.

    Ai pohoi se kjo është mënyra se si Rusia lufton në fazat e hershme të konfliktit, ku synon të shkatërrojë infrastrukturën kritike.

    Sipas tij, bëhet fjalë për kabllot e nëndetëseve, të cilat përbëjnë 95 për qind të komunikimeve me internet. Ato lejojnë për çdo ditë transaksione financiare me vlerë rreth 10 trilion dollarë.

    Mes shqetësimit të NATO-s, autoritetet ruse të mërkurën akuzuan Ukrainën për përpjekje për të sulmuar Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putinin. Pas sulmit, parlamenti rus bëri thirrje për një sulm hakmarrës raketor në rezidencën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Ndërkohë, Rusia nisi një nga sulmet e saj më vdekjeprurëse në Kherson, duke goditur një supermarket, një stacion hekurudhor dhe objektiva të tjera civile. Të paktën 21 persona u vranë dhe 48 u plagosën në sulm, raportoi një media lokale, “Kyiv Post”.

  • Cristiano Ronaldo shpallet sportisti më i paguar në botë

    Cristiano Ronaldo shpallet sportisti më i paguar në botë

    Këtë vit Cristiano Ronaldo është shpallur sportisti më i paguar në botë.

    Sipas Forbes, ai ka fituar 136 milionë dollarë.

    Kjo shifër konsiderohet më e larta nga një futbollist në histori, transmeton atvlive.tv.

    Transferimi te klubi saudit “Al Nasr” dhe kontrata fitimprurëse, e ka rikthyer atë në krye të listës së të pasurve të revistës Forbes.

    Ronaldo ka fituar shumë tituj dhe çmime në karrierën e tij në futboll dhe ai vazhdon të jetë një nga futbollistët më të vlerësuar dhe më të admiruar në botë sot./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ‘’They don’t care about us’’, mbi 1 miliardë klikime

    ‘’They don’t care about us’’, mbi 1 miliardë klikime

    Kënga e Michael Jackson, ‘’They don’t care about us’’, ka arritur sukses duke grumbulluar 1 miliardë klikime në platformën “Youtube”.

    “They Don’t Care About Us” është një nga këngët më të njohura të Michael Jackson dhe u lansua për herë të parë në vitin 1996.

    Kjo këngë pati vëmendje dhe kishte ngritur debate të forta për shkak të vargjeve të saj të forta dhe të ndjeshme që flasin për abuzimet e shtetit dhe diskriminimin në shoqëri.

    Ai pati pohuar se kjo këngë ka qenë një thirrje për ndryshim në botë dhe për drejtësi për të gjithë.

    Përveç kësaj kënge edhe ‘’Billie Jean’’ ka mbi 1 miliardë klikime në platformën “Youtube”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pryianka Chopra ishte në depresion pas operacioneve plastike

    Pryianka Chopra ishte në depresion pas operacioneve plastike

    Aktorja Priyanka Chopra është e njohur për rolet e saj si në Quantico dhe së fundi në Citadel, por në të kaluarën ajo ishte një modele mjaft e kërkuar.

    Ajo në një intervistë këtë javë kujtoi operacionin plastik që kishte bërë në hundë, e cila tha se e ka dëmtuar në shumë aspekte të jetës së saj, transmeton atvlive.tv.

    ‘’Ishte një fazë e errët. Fytyra ime dukej krejtësisht ndryshe dhe unë përjetova një depresion të thellë’’, u shpreh ajo.

    Aktorja tregoi se ishte përjashtuar nga tre filma pas operacionit plastik dhe ajo e besonte që karriera e saj do të mbaronte./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • 101-vjeçarja tregon sekretin e saj të jetëgjatësisë

    101-vjeçarja tregon sekretin e saj të jetëgjatësisë

    Një grua 101-vjeçare nga Skocia ka zbuluar sekretin saj për një jetë rinore, duke ia dhënë meritën martesës saj me një burrë më të ri se ajo.

    Edna Twivey nga qyteti Strathaven, një ish-infermiere e Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të gëzojë një jetë aktive, që përfshin udhëtimet jashtë shtetit, transmeton atvlive.tv.

    Dhe sipas Edna-s, e cila së fundmi u kthye nga një udhëtim në vendet skandinave, është dashuria e qëndrueshme e të shoqit ajo që e mban të re.

    David, i cili është 90-vjeçar dhe është 11 vjet më i ri se gruaja e tij njëshekullore, përshkruhet nga Edna si një shtyllë e fortë e saj.

    Ata u takuan më shumë se 60 vjet më parë në një orë kërcimi në Londër.

    “Familja është gjithçka dhe David është ‘shkëmbi im’. Dashuria që kemi na mban të dy të rinj!”, tha Edna.

    Çifti tashmë ka plane të mëtejshme udhëtimi, ku pushimi i tyre i radhës do të jetë në Holandë.

    Përveç martesës së saj, Edna potencoi se mbështetja që merr nga stafi lokal i kujdesit social e ndihmon atë të jetë aktive dhe rinore./atvlive.tv/

  • Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Autoritetet serbe kanë arritur që ta arrestojnë 21-vjeçarin e dyshuar për sulmin masiv të mbrëmshëm ku mbetën të vrarë tetë persona dhe u plagosën 13 të tjerë në fshatin Dubonë.

    Siç raporton RTS, i dyshuari është arrestuar në afërsi të fshatit Kragujevcit.

    Sulmi raportohet të ketë ndodh rreth orës 23:00, teksa sipas ministrisë së Brendshme të Serbisë, sulmuesi qëlloi një grup njerëzish me një armë automatike dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

    Kujtojmë se sulmi i mbrëmshëm është i dyti i këtij lloji pasi të mërkurën një fëmijë 13-vjeç dyshohet se la të vdekur tetë fëmijë dhe rojen e një shkolle në Beograd.

    Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

  • Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria sot me konferencë për media lidhur me rastin

    Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria sot me konferencë për media lidhur me rastin

    Prokuroria Themelore në Pejë sot do të mbajë një konferencë për media, ku do të shpalos të gjeturat e hetimit për njërën nga vrasjet më tronditëse të ndodhura në kompetencën territoriale të saj.

    Kështu është bërë e ditur nga kjo prokurori përmes një komunikate për media.

    Si kishte ndodhur rasti?

    Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

    Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

    Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

    Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

    “I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

    Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

    Një tjetër i dyshuar për këtë rast është arrestuar në shkurt të këtij viti, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë.

  • Lufta në Ukrainë, ShBA-ja mohon organizimin e sulmit me dronë në Moskë

    Lufta në Ukrainë, ShBA-ja mohon organizimin e sulmit me dronë në Moskë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mohuar pretendimet ruse se kanë organizuar një sulm të supozuar me dronë në Kremlin të mërkurën, me qëllim vrasjen e presidentit Vladimir Putin, raporton BBC.

    Një ditë pasi akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmit të supozuar, zëdhënësi i Putinit tha se kjo ishte bërë me mbështetjen e Uashingtonit.

    Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby, e quajti atë një “pretendim qesharak”, përcjell KosovaPress.

    Ukraina ka thënë se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin e supozuar. Putin nuk ishte në ndërtesë në atë kohë.

    Ukraina ka akuzuar Moskën për organizimin e incidentit në mënyrë që ta përshkallëzojë luftën.

    Edhe pse sulmet ruse kanë vazhduar të pandërprera, ku 21 persona u vranë të mërkurën në rajonin Kherson, nuk ka ende asnjë shenjë të intensifikimit nga ana e Moskës.

    Megjithatë, të dielën në mbrëmje një dron u rrëzua mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, jo shumë larg zyrës presidenciale. Zyrtarët më vonë pranuan se ishte një dron ukrainas që kishte “humbur kontrollin” dhe ishte shkatërruar për të shmangur “pasoja të padëshirueshme”.

    Sipas zëdhënësit të Putinit, sulmi në Kremlin, një kompleks i madh qeveritar në qendër të Moskës, ndodhi herët të mërkurën. Pamjet në rrjete sociale treguan tymin që ngrihej mbi kompleks.

    Të enjten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se SHBA qëndron pas sulmit, pa dhënë prova.

    “Vendimet për sulme të tilla nuk merren në Kiev, por në Uashington”, tha ai.

    Në përgjigjen e tij, Kirby u tha mediave amerikane: “Peskov është i shtrirë atje, i pastër dhe i thjeshtë”.