ATV

Author: G.O.

  • Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

    Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

    Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), lidhur me ankesën e ushtruar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar administratori i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi.

    Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

    Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia caktoi drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.

    Nagip Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. /BetimipërDrejtësi

  • Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha më 8 maj se është e domosdoshme të stabilizohen mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara pasi një seri “fjalësh të ashpra dhe veprash” kthyen raportet në gjendje të ngrirë.

    Qin, gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan Nicholas Burns, tha se SHBA-ja veçmas duhet të përmirësojë trajtimin që i bën çështjes së Tajvanit dhe duhet të ndalojë së mosrespektuari principin “e një Kine”.

    Raportet midis dy ekonomive më të mëdha në botë u përkeqësuan vitin e kaluar, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, duke zemëruar Kinën që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të saj.

    Në përgjigje, Kina ndaloi disa kanale që përdoren për komunikime zyrtare me SHBA-në, veçmas ato mes dy ushtrive.

    “Prioriteti kryesor është stabilizimi i raporteve Kinë-SHBA, të shmanget përkeqësimi i raporteve dhe të parandalohet çdo aksident midis Kinës dhe SHBA-së”, tha Qin gjatë takimit me Burns, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

    Tensionet midis dy superfuqive u ulën nëntorin e kaluar, kur presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me liderin kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të G20-s në Indonezi dhe udhëheqësit u zotuan për dialog më të shpeshtë.

    Por, tensionet u rritën sërish në shkurt kur një balonë kineze u shfaq në hapësirën ajrore amerikane, duke detyruar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të anulonte vizitën e tij në Pekin.

    “Që atëherë, një seri fjalësh të ashpra dhe veprash nga SHBA-ja kanë minuar momentumin pozitiv, të fituar me mund, në raportet Kinë-SHBA”, tha Qin.

    Ambasadori Burns përmes një postimi në Twitter tha se gjatë takimit me Qin ka folur edhe për nevojën që të ketë stabilitet në raportet mes dy shteteve.

    “Ne diskutuam sfidat në raportet SHBA-Kinë dhe nevojën e stabilizimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të komunikimit në nivel të lartë”, tha Burns.

    Tajvani mbetet çështja kyçe në raportet midis Kinës dhe SHBA-së.

    Muajin e kaluar, Kina mbajti stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në SHBA.

    Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi.

    Në buxhetin për vitin 2023, Kongresi amerikan ka autorizuar ndihmë ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 1 miliard dollarësh./REL/

  • Presidentja Osmani takohet me emisarin britanik, diskutojnë për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja Osmani takohet me emisarin britanik, diskutojnë për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Londër, është takuar me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach.

    Osmani tregoi se me të kanë diskutuar për hapat e rëndësishëm në dialog dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

    “Diskutuam zhvillimet e fundit duke përfshirë hapat e rëndësishëm në dialog, integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për të forcuar më tej lidhjen dhe bashkëpunimin tonë me Britaninë e Madhe”, ka shkruar Osmani.

  • Konjufca takohet me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka

    Konjufca takohet me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

    Takimi është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës ku pas takimit Konjufca dhe Sobotka do të mbajnë një konferencë për medie.

    Po ashtu gjatë ditës kryetari Sobotka, do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • Apeli ende pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut

    Apeli ende pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut

    Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim në rastin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua më 19 prill nën dyshimin për vepra penale korruptive.

    Ai po dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit dhe që nga ajo kohë po qëndron në paraburgim.

    Mbrojtësi i Krasniqit, avokati Virtyt Ibrahimaga ka konfirmuar për Reporteri.net se janë në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me masën e paraburgimit.

    “Gjykata e Apelit nuk ka vendosur ende, nuk kemi ndonjë informacion se kur pritet të vendos, ne jemi në pritje të vendimit”, tha avokati Ibrahimaga.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, pasi dyshohet për kryerjen e tri veprave penale. Kundër këtij vendimi, mbrojtja e tij ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Njësia e Veçantë e Hetimeve kishte bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

    “Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.

    Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm.

  • Rita Ora merr çmimin “Brit Billion”

    Rita Ora merr çmimin “Brit Billion”

    Rita Ora ka njoftuar se ka pranuar çmimin ‘’Brit Billion’’ sepse ka grumbulluar 1 miliardë shikime.

    Ajo falënderoi të gjithë ata që kanë dëgjuar muzikën e saj ndër vite dhe njoftoi se albumi i saj i ri do të publikohet më 14 korrik, duke uruar që do të ketë 1 miliardë shikime të tjera.

    Rita vazhdon të komentohet për veshjen e saj në metgala 2023 që po cilësohet si një nga veshjet më të mira të ngjarjes./atvlive.tv/

  • Gigi dhe Leonardo u panë sërish së bashku

    Gigi dhe Leonardo u panë sërish së bashku

    Modelja Gigi Hadid dhe Leonardo DiCaprio janë fotografuar sërish bashkë në Manhattan.

    Ata ishin në një restorant Italian dhe Leonardo ishte larguar nga aty I pari dhe pas 3 minutave modelja, transmeton atvlive.tv.

    Nuk është hera e parë që ata shihen në praninë e njëri tjetrit, por hera e fundit që u panë bashk ishte muaji mars pas eventit të çmimeve Oscar.

    Ndryshe, Leonardo muaj më parë kishte bërë një deklaratë duke thënë se nuk ndjehet mirë që akuzohet për lidhjet e tij të dashurisë me vajza shumë më të reja në moshë.

    Sidoqoftë, Gigi Hadid dhe Leonardo DiCaprio kanë 20 vite diferencë në moshë.

    Ndryshe nga Leonardo, Gigi Hadid ka një vajzë dy vjecare me ish të dashurin e saj, Zayn Malik./atvlive.tv/

  • Julia Roberts tregon përse qëndron e distancuar nga Hollivudi

    Julia Roberts tregon përse qëndron e distancuar nga Hollivudi

    Ka 4 vite që aktorja Julia Roberts nuk është aktive në Hollivud siç ishte dikur dhe ajo ka shpjeguar se arsyeja është se ka dashur të përqëndrohet tërësisht te martesa dhe fëmijët e saj.

    Ajo theksoi se nuk do të thotë se është larguar përjetësisht nga aktrimi por ka pasur nevojë të jetë sa më afër familjes, duke thënë se balancimi i kohës mes njerëzve të dashur dhe pasionit për aktrim është mjaft I vështirë për të, transmeton atvlive.tv.

    Julia tha se sa më shumë vitet kalojnë, aq më selektive bëhet sa i përket roleve të saj në filma.

    Julia Roberts ka qenë prezente në filma që nga viti 1986 dhe shpesh ka treguar se e kaluara e saj ishte mjaft e vështirë, por dashuria për aktrimin e kishte bërë më të fortë dhe më pozivite në situata të ndryshme të jetës së saj./atvlive.tv/

     

  • OKB paralajmëron për rrezikun në zonën rreth centralit bërthamor të Zaporizhias

    OKB paralajmëron për rrezikun në zonën rreth centralit bërthamor të Zaporizhias

    Kreu i agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore paralajmëroi se situata rreth centralit bërthamor në Zaporizhia, që kontrollohet nga Rusia është bërë më e “e rrezikshme” pasi zyrtarët e emëruar nga Moska filluan evakuimin e njerëzve nga zonat e rreth centralit.

    Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi bëri thirrje për masa të forta për të garantuar funksionimin e sigurt të centralit bërthamor më të madh në Evropë, ndërsa autoritetet po evakuojnë banorët në qytetin e afërt të Enerhodarit.

    “Situata e përgjithshme në zonën pranë termocentralit bërthamor në Zaporizhia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”, tha zoti Grossi përmes një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

    “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore me të cilat përballet centrali. Ne duhet të veprojmë tani për të parandaluar kërcënimin e një aksidenti të rëndë bërthamor dhe pasojat që mund të ketë mbi popullatën dhe mjedisin.”

    Zoti Grossi tha se ndërsa personeli i centralit bërthamor në Zaporizhia vazhdon të jetë në krye të detyrës, punonjësit dhe familjet e tyre janë në një “tension gjithnjë e më të madh”.

    Guvernatori i emëruar nga Rusia i pjesës së kontrolluar nga Moska të rajonit të Zaporizhzhias në Ukrainë tha të premten se ai kishte urdhëruar evakuimin e fshatrave afër vijës së frontit pasi në ditët e fundit bombardimet në atë zonë ishin intensifikuar.

    Një kundërofensivë e pritshme pranverore e Ukrainës kundër forcave ruse mund të shtrihet edhe në rajonin e Zaporizhias, 80 për qind e të cilit kontrollohet nga Moska.

    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të dielën se banorët po evakuohen në drejtim të Berdianskut dhe Prymorskut në brigjet e Detit Azov.

    Forcat ruse pushtuan centralin bërthamore të Zaporizhzhias në Ukrainë disa ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin kundër vendit fqinj në shkurt të vitit 2022. Shkëmbime zjarri kanë ndodhur shpesh pranë objektit, për të cilat palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.

    Zoti Grossi vizitoi për herë të fundit centralin bërthamor në Zaporizhia, në mars, në kuadër të përpjekjeve për të biseduar me të dyja palët për arritjen e një marrëveshjeje mbi masat mbrojtëse për të siguruar funksionimin e sigurt të centralit.

    Ai ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e operacioneve ushtarake rreth centralit bërthamor, i cili ndodhet në pjesën e rajonit të kontrolluar nga forcat ruse. /VOA

  • Mitrovica dhe Skenderaj mbeten pa ujë të pijes

    Mitrovica dhe Skenderaj mbeten pa ujë të pijes

    Komunat e Mitrovicës dhe Skenderajt janë pa furnizim me ujë të pijes për shkak të një defekti teknik i cili ka ndodhur në impiantin për trajtimin e ujit në Shipol.

    Sipas njoftimit për media nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar në sanimin e defektit.

    Është bërë e ditur që pritet që deri në orët e pasdites të rregullohet problemi dhe të rikthehet furnizimi me ujë të pijes.