ATV

Author: G.O.

  • Kryetari i Fushë-Kosovës gjobitet me 4 mijë euro

    Kryetari i Fushë-Kosovës gjobitet me 4 mijë euro

    Kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha është gjobitur sot me 4 mijë euro për kufizim të qasjes në dokumente publike.

    Kështu ka bërë të ditur asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlonjat Hasani, i cili ka shkruar se lista e punëve të këqija të Komunës së Fushë-Kosovës është e gjatë, ndërsa e punëve të mira, sipas tij, fillon dhe mbaron pothuajse me zero.

    “Komuna e Fushë-Kosovës përveç që i prinë listës së Komunave dembele duke mos bërë pothuajse asnjë punë për qytetarët, realizimin e investimeve kapitale e ka bërë vetëm 26%, “nepotizmi” dhe punësimi në institucione publike ndodhë vetëm nëse i “përmbushë egot politike të subjektit që e udhëheqë Komunën!” Lista e punëve të këqija është e gjatë, ndërsa e punëve të mira fillon dhe mbaron pothuajse me 0 …!!! Për të mos mjaftuar kjo, ata vazhdojnë të shkelin ligje, të thyejnë rregulla e rregullore, e të mohojnë qasje në dokumentet publike për qytetarët… Krejt kjo për t’i pamundësuar opinionit informimin për punët e dyshimta dhe të dëmshme që ata i bëjnë…!!! Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot i ka shqiptuar gjobë Komunës, konkretisht Kryetarit Burim Berisha në vlerë prej 4.000€ për kufizim të qasjes në dokumente publike për kërkesat që i kam drejtuar Komunës.”, ka shkruar Hasani në Facebook.

  • Bislimi priti në takim deputetin e Bundestagut, Boris Mijatović

    Bislimi priti në takim deputetin e Bundestagut, Boris Mijatović

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e të Gjelbërve, Boris Mijatović.

    Marrëdhëniet e shkëlqyera dhe urat e bashkëpunimit mes vendeve tona vijojnë të forcohen.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e vlerësoi lartësisht rolin e Gjermanisë si partner dhe aleat kyç të Kosovës, duke theksuar me rëndësi të veçantë mbështetjen e tyre të madhe e aktive në proceset e integrimit evropian.

    Përkrahja edhe në zhvillim ekonomik e sektorë të rëndësishëm si energjia, përmes projekteve të ndryshme të mbështetjes e bashkëpunimit, veçse e komplementon kuadrin e punës së përbashkët në shërbim të vizionit tonë për zhvillim e mirëqenie të të gjithë qytetarëve në çdo cep të vendit.

    Deputeti Mijatović vuri në dukje progresin e Kosovës të reflektuar në indeksin e këtij viti të Reporterëve pa Kufij (RSF), ku Kosova u rrit me 22 vende në dy vitet e fundit, si dëshmi të vlerave demokratike e evropiane të cilat i përfaqëson e jetëson Kosova.

    Po ashtu dhe angazhimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe punën e bërë në këtë drejtim.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi deputetin Mijatović për disponibilitetin e tij dhe ndihmën e ofruar sa i përket agjendës së Kosovës në lidhje me rrugëtimin e tranzicionin drejt energjisë së gjelbër e të ripërtëritshme, për të cilën Qeveria mbetet e përkushtuar dhe ka miratuar dhe Strategjinë për Energji 2022-2031.

     

  • Një i vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni

    Një i vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni

    Një tërmet i fuqishëm goditi Japoninë qendrore të premten, duke lënë të paktën një person të vdekur dhe 21 të lënduar.

    Tërmeti me magnitudë 6.5 shkallë goditi rajonin qendror Ishikawa në mesditë, në një thellësi prej 12 kilometrash, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.

    Zyrtarët e motit paralajmëruan banorët për dridhje të tjera të mundshme dhe rrëshqitje të dheut në ditët në vijim, por thanë se nuk kishte rrezik për cunami.

    “Ishte një dridhje e madhe dhe e gjatë që zgjati rreth dy minuta. U ndjeva i frikësuar sepse lëkundjet vazhduan dhe vazhduan,” i tha transmetuesit publik një zyrtar i qeverisë lokale në qytetin e Suzu, i cili nuk pranoi të jepte emrin e saj.

    Zëdhënësi i qeverisë, Hirokazu Matsuno u tha gazetarëve në kryeqytetin Tokio se një person u raportua i vdekur dhe se kishte “raportime të shumta për ndërtesa të shembura”.

    Viktima ra nga një shkallë, tha për AFP-në një zyrtar i menaxhimit të krizës në Suzu, duke shtuar se 21 persona të tjerë ishin plagosur.

    Agjencia lokale e menaxhimit të zjarrit dhe fatkeqësive tha se të paktën tre ndërtesa ishin shkatërruar me dy persona të bllokuar brenda.

    Njëri ishte nxjerrë nga mbeturinat dhe ishte dërguar në spital dhe ekipet e shpëtimit po kërkonin tjetrin.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e vendosi magnitudën në 6.2 dhe tha se goditi në bregdet, por Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se epiqendra e tërmetit ishte në tokë.

    Ministri japonez i parandalimit të fatkeqësive, Koichi Tani tha se kishte raporte për rrëshqitje të shumta dheu dhe disa vendas ishin strehuar në strehimoret e evakuimit.

    Tërmetet janë të zakonshme në Japoni, e cila ndodhet në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, një hark aktiviteti intensiv sizmik që shtrihet në Azinë Juglindore dhe në të gjithë pellgun e Paqësorit.

    Japonia u godit nga një tërmet masiv nënujor me magnitudë 9.0 ballë në verilindje të saj në mars të vitit 2011, i cili shkaktoi një cunami që la rreth 18.500 njerëz të vdekur ose të zhdukur.

    Cunami i vitit 2011 gjithashtu shkriu tre reaktorë në centralin bërthamor të Fukushimës të Japonisë, duke shkaktuar fatkeqësinë më të keqe të vendit të pasluftës dhe aksidentin më të rëndë bërthamor që nga Çernobili./REL/

  • Haxhiu: Gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë

    Haxhiu: Gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në konferencën shkencore për “Rolin e grave në jetësimin e shtetit të Kosovës” ka thënë se gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë dhe bartën mbi supe krahas burrave një përgjegjësi për orientim publik politik të çështjes kombëtare.

    Postimi i saj i plotë:

    “Në këtë konferencë, diskutova për rolin e grave në vitet e 80’ta e deri në ditët e sotme me theks për kontributin e tyre për ngritjen masive në rezistencë dhe angazhimin direkt për çlirim përmes lëvizjeve popullore dhe kontributit për arsimim të vazhdueshëm. Plot guxim e vigjilencë, gratë para dhe gjatë periudhës së luftës me guximin dhe vullnetin e tyre, arritën t’i thyenin tabutë dhe bartën mbi supe krahas burrave një përgjegjësi për orientim publik politik të çështjes kombëtare”, ka shkruar Haxhiu.

  • OKB: Numër alarmant i fëmijëve të vrarë në Sudan

    OKB: Numër alarmant i fëmijëve të vrarë në Sudan

    Kombet e Bashkuara paralajmëruan të premten se një numër i madh fëmijësh po vdesin në konfliktin e Sudanit, duke vënë në dukje raportet që tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.

    “Siç u frikësuam dhe siç paralajmërohej, situata në Sudan është bërë fatale për një numër të madh fëmijësh,” u tha gazetarëve në Gjenevë, James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.

    Ai tha se agjencia ka marrë raporte nga një partner i besuar – ende i pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB-ja- se 190 fëmijë u vranë dhe 1.700 u plagosën vetëm në 11 ditët e para të konfliktit që filloi më 15 prill.

    Elder vuri në dukje se ata numra janë mbledhur nga institucionet shëndetësore në Kartum dhe rajonin e Darfurit.

    Kjo do të thotë se mbulon vetëm fëmijët që arritën në institucionet e kujdesit shëndetësor në ato zona, tha ai, duke paralajmëruar se “realiteti ka të ngjarë të jetë shumë më i keq”.

    Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre në Sudan që nga fillimi i betejave tri javë më parë midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) të ish- zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo.

    Palët kanë rënë dakord për një varg armëpushimesh të shkurtra, por asnjëra nuk është respektuar plotësisht dhe të premten sulmet ajrore dhe të shtënat me armë vazhduan të tronditin Kartumin për ditën e 21 me radhë.

    Agjencia e OKB-së për refugjatët dënoi gjithashtu situatën e rëndë në Sudan, duke u kërkuar të gjitha vendeve që të përmbahen nga kthimi i shtetasve sudanezë në vend.

    “UNHCR u kërkon të gjitha vendeve që t’i japin civilëve që ikin nga Sudani qasje jodiskriminuese në territoret e tyre,” u tha gazetarëve Elizabeth Tan, shefja e mbrojtjes ndërkombëtare brenda kësaj agjencie.

    “Kjo vlen për shtetasit sudanezë, shtetasit e huaj, duke përfshirë refugjatët që po strehoheshin nga Sudani, personat pa shtetësi dhe ata që nuk posedojnë pasaporta ose dokumente të tjera identiteti,” tha ajo.

    UNHCR ka thënë se po përgatitet për një largim të 860.000 njerëzve nga Sudani në vendet fqinje, me më shumë se 113.000 njerëz që janë larguar tashmë nga vendi.

    Qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.

    “Ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve fqinje që i kanë lejuar ata të kërkojnë siguri,” tha Tan.

    Duke treguar për paqëndrueshmërinë aktuale në Sudan, ajo tha se agjencia u bëri thirrje vendeve që “të pezullojnë nxjerrjen e vendimeve negative për kërkesat për azil të paraqitura nga shtetas sudanezë ose persona pa shtetësi që banonin zakonisht atje”.

    Ajo theksoi se vendimet negative të azilit të dhëna më parë mund të kenë nevojë të rishqyrtohen./REL/

  • Wagner thotë se do t’i largojë forcat nga Bahmuti javën e ardhshme

    Wagner thotë se do t’i largojë forcat nga Bahmuti javën e ardhshme

    Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit paraushtarak rus Wagner në Rusi, tha në një njoftim të papritur të premten se forcat e tij do të largohen nga qyteti ukrainas i Bahmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.

    Prigozhin tha se ata do të largohen më 10 maj për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme me municione.

    “Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar t’i transferojmë pozicionet në vendbanimin Bahmut në njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t’i tërheqim trupat e mbetur të Wagnerit në kampet e logjistikës”, tha Prigozhin në një deklaratë.

    “Unë po i tërheq njësitë Wagner nga Bahmuti, sepse në mungesë të municioneve, ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë”, shtoi ai.

    Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bahmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022.

    Nuk ishte e qartë nëse deklarata e Prigozhinit mund të merret seriozisht, pasi ai ka postuar shpesh komente impulsive në të kaluarën.

    Vetëm javën e kaluar ai tërhoqi një deklaratë që tha se e kishte bërë si “shaka”./REL/

  • Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “zoom”, në konferencë për medie, ka thënë se Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar ankesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    ‘‘Të mërkurën, më 26 prill 2023 Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelet e 20 personave për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima të cilët kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku u refuzua kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerëve’’, tha ajo.

    Sipas saj, Paneli ka vendosur se personat mund të dorëzojnë sërish kërkesë në qoftë se i paraqesin informacione të reja trupit gjykues.

    Ajo tha se apelet janë dorëzuar nga dy mbrojtës që përfaqësojnë 20 personat të cilëve iu refuzuan kërkesat.

    Tutje, ajo tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 28 prill trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për miratimin e një procedure për rastet kur mund të dal aspekti i vetë inkriminimit nga vet dëshmitari në bazë të rregullës 151.

    ‘‘Trupi gjykues është i mendimit se rregulla 43 dhe 151 të marra së bashku me paragrafin 97 v të urdhrit për zhvillimin e gjykimit e rregullojnë siç duhet aspektin e vet inkriminimit të mundshëm nga dëshmitarët në këtë fazë të procesit gjyqësor’’, tha Griep.

    Ajo tha se në bazë të rregullit 151 një dëshmitar mund të kundërshtojë të japë dëshmi që mund ta inkriminojë, megjithatë trupi gjykues mund të detyrojë një dëshmitar të dëshmojë, për shembull nëse dëshmitari do të japë dëshmi unike për çështjen gjyqësore.

    ‘‘Në një rast të tillë trupi gjykues duhet t’i jap garanci dëshmitarit se gjykata nuk do të veprojë lidhur me vet inkriminimin para dhënies së dëshmisë’’, shtoi Griep.

    Ajo po ashtu, njoftoi se më 1 maj 2023 dhe në vijim të vendimit nga trupi gjykues, administratorja përfundoi emërimin e David Young si mbrojtës të Rexhep Selimit dhe caktoi Geoffrey Roberts si mbrojtës zëvendësues.

    Tutje tha se, seancat në këtë çështje do të rinisin më 10 maj 2023, duke filluar nga ora 09:00.

    Kurse, lidhur me gjykimin e Pjetër Shalës, Griep tha se dëshmitari i pestë dhe i gjashtë të thirrur nga Prokuroria kanë përfunduar dhënien e dëshmive të tyre dhe se të dy dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë me masa mbrojtëse përmes video-lidhjes.

    Ajo gjithashtu njoftoi për krijimin e Panelit të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat e mbrojtjes së ligjshmërisë së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

    ‘‘Sipas ligjit, z. Gucati dhe z. Haradinaj mund të parashtrojnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në afat prej 3 muajsh që nga aktgjykimi përfundimtar në përgjithësi. Mund të përcaktohet paneli i Gjykatës Supreme nëse parashtrohet kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë nga njëra nga palët nëse paneli i Apelit në aktgjykimin e vet ka rrëzuar lirimin dhe në vend të kësaj ka marr dënim dënues ose kur shqiptohet një vendim me burg të përjetshëm nga paneli gjyqësor ose paneli i Apelit’’, tha ajo lidhur me këtë çështje.

    Në fund të konferencës, ajo tha se DhSK ka organizuar një seminar për gazetarët e Kosovës e cila u mbajt nga dy gazetarë të pavarur me shumë përvojë në raportimin e gjykimeve.

  • Prishtinë: Grabitje në tentativë, arrestohet një person

    Prishtinë: Grabitje në tentativë, arrestohet një person

    Një person i dyshuar me iniciale D.G është arrestuar pasi ditë më parë i veshur me rroba sportive të zeza ,me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar “FINCA”, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm të cilit i shkakton lëndim në kokë.

    Sipas Policisë, më datë 03.05.2023 rreth orës 16:04, në Stacionin Policor Prizren, raportohet për rast “Grabitja në Tentativë në rrugën “Ahmet Prishtina”.

    “Informatës së dhënë në vendin e ngjarjes i përgjigjen zyrtare policor të njësive relevante – patrulluese dhe ato të hetimeve rajonale. I dyshuari i rastit i veshur me rroba sportive të zeza, me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar “FINCA”, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm të cilit i shkakton lëndim në kokë. Përpjekja e të dyshuarit për të kryer “ Grabitja”, ngel e papërfunduar. I dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Janë ndërmarrë veprime të duhura hetimore, në vendngjarje është gjetur një qelës i veturës së të dyshuarit e më pas edhe vetura të cilën i njëjti e ka pasur në përdorim WV Passat ,ngjyrë e zezë, e cila me urdhër të Prokurorit është sekuestruar. Është identifikuar i dyshuari D.G në shtëpinë e të cilit me urdhër të Prokurorit, është kryerje kontroll (bastisje). Më date 04.05.2023 rreth orës 21:50 i dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar. I njëjti intervistohet në prezence të avokat mbrojtës .Të dyshuarit i është gjetur në posedim një armë zjarri – pistoletë e cila sekuestrohet”, thuhet në njoftim.

    Sipas Policisë, është iniciuar rast i klasifikuar si vepër penale “Grabitja në Tentative”, ndërsa me aktvendim me shkrim të Prokuror i Shtetit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë.

  • Hoti ngushëllon familjarët e viktimave në Serbi

    Hoti ngushëllon familjarët e viktimave në Serbi

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave nga ngjarjet tragjike në Serbi.

    Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se lutet për ta.

    “Ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave nga ngjarjet tragjike ne Serbi. Zoti qoftë me familjet e viktimave në këtë moment të vështire. Lutem për ta”, ka shkruar Hoti.

    Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

  • Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

    Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur akt terrorist sulmin e së enjtes afër Beogradit, ku u vranë tetë persona.

    “Është një akt në të cilin komunitetet tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu”, tha Vuçiq, në një konferencë për media, të premten.

    Nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, mbetën të plagosur 14 persona, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

    Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.

    Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, të enjten vonë.

    “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

    Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.

    Presidenti serb Vuçiq, pas këtij sulmi, përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë qeveria përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.

    “(Kjo do të bëhet), në mënyrë që prindërit të ndjehen të sigurt. Do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj”, tha Vuçiq.

    Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

    Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.

    Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

    Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.

    Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

    Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

    Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit./REL/