ATV

Author: G.O.

  • 12 të vrarë në sulmet e fundit ajrore në Gaza

    12 të vrarë në sulmet e fundit ajrore në Gaza

    Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore në Gaza, duke vrarë 12 persona dhe plagosur rreth 20 të tjerë, ndër ta edhe fëmijë.

    Zyrtarët e ministrisë palestineze të shëndetësisë thanë se nëntë prej të vrarëve ishin civilë. Xhihadi Islamik Palestinez ka thënë se sulmi izraelit “nuk do të kalojë pa u ndëshkuar”.

    Sulmi i natës së djeshme shënjestroi një ndërtesë banimi në mes të qytetit të Gazës dhe në Rafah në pjesën jugore të rripit.

    Forcat izraelite kanë vrarë tre anëtarë të lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez në sulmet ajrore gjatë natës në Gaza.

    Zyrtarët e ushtrisë izraelite kanë këshilluar banorët izraelitë të komuniteteve brenda 40 km nga Gaza që të qëndrojnë pranë strehimoreve të përcaktuara për bomba në pritje të raketave palestineze.

  • Ursula von der Leyen mbërrin në Kiev

    Ursula von der Leyen mbërrin në Kiev

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sot në Kiev për të shënuar Ditën e Evropës.

    Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.

    “Mirë që u ktheva në Kiev. Aty ku vlerat tona të çmueshme mbrohen çdo ditë, kështu që është një vend kaq i përshtatshëm për të festuar ditën e Evropës,” shkroi Von der Leyen.

    “Unë mirëpres vendimin e Presidentit Zelenskyy për të bërë 9 majin Ditën e Evropës edhe këtu në Ukrainë.”

  • PSD-ja mban aksion simbolik në Prishtinë

    PSD-ja mban aksion simbolik në Prishtinë

    PSD-ja ka njoftuar se sot në ora 11:00 do të mbajë një aksion simbolik para ambasadës gjermane në Prishtinë.

    Në njoftimin e tyre nuk jepet ndonjë detaj se pse do të zhvillohet ky aksion, përveç orës dhe vendit.

    “Sot, me datën 9 maj (e martë), nga ora 11:00, PSD do të mbajë aksion simbolik afër ambasadës së Gjermanisë (Rr. Azem Jashanica, lagjia Arbëri).  Ju ftojmë ta ndiqni!”, thuhet në njoftimin e tyre.

  • Maloku: Anëtarësimi në BE në pesë vjetët e ardhshme, këto janë pengesat

    Maloku: Anëtarësimi në BE në pesë vjetët e ardhshme, këto janë pengesat

    Analisti politik, Albinot Maloku, nuk e sheh Kosovën pjesë anëtare e Bashkimit Evropian në pesë vjetët e ardhshme, për këtë, ai për Ekonomia Online ka renditur edhe arsyet. Si më të rëndësishme, Maloku e sheh mungesën e njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së.

    Krahas kësaj, Maloku tha se ka edhe çështje tjera siç ishte edhe vota e Hungarisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Faktikisht synimi gjeopolitik i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Fazat janë kaluar deri te momenti kur pati edhe aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkim Evropian”.

    “Qeveria e Kosovës edhe qytetarët e dinë që rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE do të marr mjaftë kohë, për faktin e shumë arsye, e ndër to edhe për numrin prej pesë njohje të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, shto pjesën që ka raste të tilla siç ishte rasti me Hungarinë ku ajo votoi kundër në Këshillin e Evropës, kur Kosova e pati aplikimin e saj”, u shpreh Maloku, teksa shpreh skepticizmin se kjo gjë mund të bëhet brenda pesë viteve të ardhshme.

    “Në këtë rrafsh unë nuk jam optimist sidomos në këtë pesë vjeçarin e ardhshëm që do të mund të bëhet diçka në lidhje me anëtarësimin përfundimtar të Kosovës në Bashkimin Evropian. Mirëpo aplikimi është vetëm një vullnet i shprehur në aspektin gjeopolitik, Kosova e ka interes BE-në”.

    Maloku këtë çështje e ndërlidh edhe me procesin e dialogut. Ai thotë se dëm mund t’i japin edhe shtetet që janë kundërshtuese në raport me anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme.

    “Është faza që në asnjë mënyrë nuk shoh që mund të ndodh për faktin e që arsyet i thamë, që ndërlidhet me kushtet, me procesin e dialogut por para se gjithash me pesë vendet mosnjohse që janë në kuadër të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën, që përkundër disa kanë edhe qasje jashtëzakonisht kundërshtuese siç është rasti i Spanjës që vazhdon të jetë kokëfortë në raport me çdo tentativë të Kosovës drejt BE-së”, u shpreh ai për EO.

  • 25 vjet nga vrasja e gjeneralit, Ilir Konushevci

    25 vjet nga vrasja e gjeneralit, Ilir Konushevci

    Sot bëhen 25 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.

    Ilir Konushefci është lindur më 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë të komunës së Podujevës. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në fshatin Lluzhan, të mesmen në Podujevë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.

    Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

    Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

    Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

    Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

    Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

    Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Hazir), kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.

    Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

    Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin,pas vrasjes së Luan Haradinajt.

    Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumëçka nuk ishte si më parë.

    Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

    Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardiani, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës. Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin, sepse ata pos të tjerash ishin edhe shokë të pandarë të aksioneve. Pas këtij rasti, Iliri ngarkohet nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri tek armatimi kundërtank. Iliri, pos që punoi rreth furnizimit me armatim, kontribuoi shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë.

    Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

    Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

    Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

  • Kosova feston 9 Majin – Ditën e Evropës

    Kosova feston 9 Majin – Ditën e Evropës

    Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

    Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t’i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

    Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

    Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

    Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës. Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Në orën 11:30, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të zbulojë Muralin e Energjisë së Mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë në Prishtinë, përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

    Në orën 12:00, do të marrë pjesë në masterklasën “Aftësitë e artit në rrugë” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe në orën 18:00 do ta hapë ekspozitën “Vala tjetër”.

    Ndërsa, në ora 20:00, ai do ta hapë Koncertin e Chopin Piano Fest të Ditës së Evropës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë. /Telegrafi/

  • Kryediplomati i Kroacisë viziton Kosovën, sot takohet me Gërvallën e Kurtin

    Kryediplomati i Kroacisë viziton Kosovën, sot takohet me Gërvallën e Kurtin

    Sot, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Atë do ta presë në takim, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Pas takimit do të ketë konferencë për media.

    Pos Gërvallës, Radman do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

    Takimi do të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, me fillim nga ora 16:15.

    Gordan Grliq Radman ka arritur në Kosovë mbrëmë.

    Ai është pritur në Aeroportin e Prishtinës nga ministrja Gërvalla-Schwarz dhe nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

  • Haradinaj takon ambasadorin e ri turk në Kosovë, e falënderon për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë

    Haradinaj takon ambasadorin e ri turk në Kosovë, e falënderon për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim njoftues Ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovës, Sabri Tunç Angılı.

    Haradinaj ka vlerësuar lart marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe solidariteti i shprehur nga Kosova për ndihmë popullit turk pas termetit shkatërrues, është dëshmi për marrëdhëniet e sinqerta.

    “Prita në takim njoftues ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuam për zhvillimet në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Duke e uruar z. Angılı për detyrën e re, vlerësova lart marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy vendeve tona. Solidariteti i shprehur i Kosovës dhe gatishmëria për t’i dalë në ndihmë popullit turk pas tërmetit shkatërrues të cilin e përjetuan, është dëshmi për marrëdhëniet tona të sinqerta që kemi si dy shtete mike”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka falënderuar Ambasadorin dhe shtetin turk për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën veçmas për pranimin e aplikimit në Këshillin e Evropës.

    “Njëkohësisht, ambasadorit i shpreha falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Kosovën në proceset integruese, siç ishte rasti së fundmi në pranimin e aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës por edhe në procese tjera integruese që na presin”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Çmimet e ushqimeve në Shqipëri në prill u rritën nga 3.4% deri në 15%

    Çmimet e ushqimeve në Shqipëri në prill u rritën nga 3.4% deri në 15%

    Edhe pse tregtia botërore ka hyrë në një fazë të re stabiliteti, në vendin tonë çmimet e ushqimeve të shportës për konsumatorët e përditshëm vijojnë të jenë të larta.

    Vaji i lulediellit dhe mielli ishin dy produktet që pësuan rritjen më të fortë gjatë 2022-it, ku për të gatuar shqiptarët paguan dyfish më shumë, ndërsa për bukën shtrenjtimi arriti deri në 40%.

    Ndërsa viti 2023 ka reflektuar uljen e produkteve energjetike, produktet e shportës, për të cilat u krijua edhe bordi i rregullimit të çmimeve vijojnë të jenë të kushtueshme.

    Sipas pikave të shumicës mielli vazhdon të jetë 25% më i shtrenjtë se në 2021-in, sheqeri 40% më shtrenjtë ndërsa për makaronat shtrenjtimi arrin në 35%. Ekspertët vlerësojnë se për këto produkte kontrolli duhet të jetë i rreptë nga autoritetet.

    “Nënçmimi i euros dhe ulja e çmimit të këtyre produkteve nuk ka reflektuar në uljen e vërtet të çmimeve të tregut për këto produkte por ka ndikuar në rritjen e marzhit të fitimit të tregtarëve që normalisht është abuzive por mendojë që do të ishte mirë që autoriteti konkurrencës të hetonte me qëllim që në raste të tilla të mbrojë konsumatorin shqiptar”, shpjegon ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

    Sipas statistikave të INSTAT, grupi i ushqimeve u rrit me 3,4% në muajin prill, ndërsa nëngrupi grupi i drithërave pësoi rritje me 5%. Koston më të madhe në tryezën e familjeve shqiptare vijon ta ketë veza, qumështi dhe djathi me rritje 15%, ndërsa në fillimvit rritja për këtë kategori ishte deri në 28%./TCh/

  • BE-ja propozon rund të ri sanksionesh ndaj Rusisë

    BE-ja propozon rund të ri sanksionesh ndaj Rusisë

    Brukseli i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian rundin e 11 të sanksioneve lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, sanksione që synojnë të parandalojnë shmangien e ndëshkimeve paraprake.

    “Kjo paketë do të përqendrohet në zbatimin e sanksioneve, efektivitetin e tyre dhe si të parandalohet shmangia e sanksioneve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

    Pjesë e paketës së sanksioneve që KE-ja ka propozuar synojnë ndaljen e eksporteve të teknologjisë së ndjeshme të tetë kompanive kineze, nën dyshimet se këto kompani po shesin teknologji të tillë në Rusi, raporton AFP, që ka parë një dokument të paketës së re të sanksioneve.

    Ambasadorët e BE-së të mërkurën do të takohen për të nisur bisedimet për rundin e ri të sanksioneve.

    Të 27 shtetet e bllokut evropian kanë goditur Moskën me sanksione të paprecedentë që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

    Por, shumë diplomatë evropianë kanë thënë se blloku evropian është afër arritjes së limitit, sa i përket masave të gjera që të gjitha anëtarët mund të pajtohen që t’i vendosen Moskës.

    Brukseli tani po përqendrohen që të mbyllen zbrazëtirat ligjore në paketat e sanksioneve që veçse janë vendosur.

    BE-ja dëshiron që të godasë eksportet e teknologjisë së ndjeshme që bëhen nga shtetet e treta për në Rusi. Ky lloj i teknologjisë mund të përdoret për fushëbetejë, sikurse janë mikroçipat.

    Zyrtarët evropianë janë ankuar se shtetet, përfshirë Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe ish-shtetet sovjetike në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, po përballen me sanksione ndaj disa mallrave që ata importojnë.

    Në listën e sanksioneve të propozuara nga blloku, për kufizim të eksporteve, janë edhe Armenia, Irani, Uzbekistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Si pjesë e propozimit të ri, BE-ja po synon që të përmirësojë mënyrën se si ndëshkon shtetet që tentojnë të shmangin sanksionet.

    Blloku po synon që të krijojë një mekanizëm që do të lejonte kufizimin e eksporteve të disa mallrave nga shtetet e treta, që dyshohen se i shërbejnë Rusisë./REL/