ATV

Author: G.O.

  • Presidentja Osmani sot feston ditëlindjen

    Presidentja Osmani sot feston ditëlindjen

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot feston ditëlindjen e 41-të.

    Osmani ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë.

    Kujtojmë se, Osmani është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në pesë mandate. Më 4 prill të vitit 2021, Osmani është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca pritet të jetë publike

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca pritet të jetë publike

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë edhe të mërkurën.

    Kjo seancë do të fillojë nga ora 09:00, derisa seanca pritet të jetë publike.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Pas më shumë se dy vjetësh në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

    Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me vranësira dhe intervale të lehta me diell në disa zona të caktuara, ndërsa gjatë pasditës pritet të ketë reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 20 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 17 gradë Celsius.

    Ndërkohë në Shqipëri do të ketë mot kryesisht me intervale të lehta me diell ku temperaturen minimale do e ketë Korça me 6 gradë Celcius, ndërsa ajo maksmiale do të jetë në Berat me 23 gradë Celcius./atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • 17 Maji- Dita ndërkombëtare e hipertensionit

    17 Maji- Dita ndërkombëtare e hipertensionit

    17 maji shënon ditën ndërkombëtare të hipertensionit, e cila ka një përhapje të gjërë në mbarë botën, ku çdo vit shënon 1.9 milion të vdekur.

    Problemi më i madh që haset në lidhje me këtë sëmundje është se shumica e personave që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut nuk janë në dijeni të saj.

    Hipertensioni paraqet simptoma si dhimbje koke, marramendje, pagjumësi, etje, dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri. 40% e të sëmurëve me tension rrezikojnë të pësojnë hemoragji cerebrale dhe 16% e tyre infarkt në zemër.

    Liga Botërore e Hipertensionit ka iniciuar Ditën Botërore të Hipertensionit që nga viti 2005 duke patur si qëllim: Rritjen e ndërgjegjësimit për shkaqet dhe pasojat e presionit të lartë të gjakut.

    Dhënien e informacionit sesi të parandalojmë presionin e lartë të gjakut dhe komplikacionet e lidhura me të.

    Inkurajimin për të rritur kontrollin ndaj presionit të lartë të gjakut dhe për të ndjekur këshillat e profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

    Inkurajimin e vetëkujdesit për të parandaluar presionin e lartë të gjakut.

    Matjen e presionit të gjakut nga të gjithë.

    Nxitjen nga autoritetet kombëtare dhe lokale për të krijuar mjedise që mundësojnë sjellje të shëndetshme.

  • Caktohet masa e paraburgimit për pesë të dyshuar për shtytje në vepra terroriste

    Caktohet masa e paraburgimit për pesë të dyshuar për shtytje në vepra terroriste

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për pesë personat të cilët ishin arrestuar nën dyshimin për veprat penale “shtytje për kryerjen e veprave terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H e ka aprovuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, është bërë e ditur në njoftimin e Gjykatës Themelore.

  • Arrestohen tre të rinj në Fushë-Kosovë, të dyshuar për rrëmbim në tentativë

    Arrestohen tre të rinj në Fushë-Kosovë, të dyshuar për rrëmbim në tentativë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre të  dyshuar në Fushë Kosovë, për veprën “rrëmbim në tentativë”.

    Sipas një njoftimi nga Policia, bëhet e ditur se të dyshuarit janë: G.M, mashkull 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, E.C, mashkull 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe  D.Xh mashkull 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

    Tutje, Policia, njoftoi se aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke kryer veprimet e nevojshme procedurale, ndërkohë që personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.

     

  • Osmani në 24-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit: Emri i tij mbetet në listën e të zhdukurve me dhunë

    Osmani në 24-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit: Emri i tij mbetet në listën e të zhdukurve me dhunë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar atdhetarin Ukshin Hoti në 24-vjetorin e zhdukjes së tij, për të cilin tha se fati i tij mbetet ende i pazbardhur.

    E para e shtetit, tha se Hoti, në rrethana ende të pandriçuara është rrëmbyer me dhunë, teksa sipas saj, përpjekja për të zbardhur fatin e tij nuk është ndalur asnjëherë.

    “Prej 24 vjetësh, fati i atdhetarit e intelektualit Ukshin Hoti mbetet i pazbardhur, teksa emri i tij vazhdon të mbetet në listën e të zhdukurve me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë”.

    “Besniku i idesë së Republikës është referencë e jona e vazhdueshme për angazhimin kombëtar. Ukshin Hoti është njeriu që mendimin politik dhe aktivitetin politik i bëri bashkë në dobi të mirë të përmbushjes së idesë për Kosovën shtet”, tha Osmani.

    Më tej, ajo tha e cilësoi Hotin si simbol të lirisë e demokracisë, ku tha se “këto parime na udhëheqin në rrugëtimin e fuqizimit të shtetit, ndërsa angazhimi ynë për zbardhjen e fatit të tij nuk do të ndalet asnjëherë”.

  • Të dielën në Kosovë fillon ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar

    Të dielën në Kosovë fillon ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar

    Nga data 21 maj deri më 2 qershor Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit.

    “Defender Europe ‘23” do të validojë kapacitetet e dy regjimenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Gjithashtu, në këtë ushtrim do të tregohet shkalla e ndërveprimit ushtarak të FSK-së, përballë forcave të shteteve partnere.

    Në këtë mënyrë, Forca e Sigurisë së Kosovës do të tregojë edhe njëherë se është e gatshme të kontribuojë në çdo mision të NATO-s.

    Ceremonia e hapjes së këtij ushtrimi të madh do të bëhet të dielën e 21 majit me fillim nga 11:30 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Pjesë e ceremonisë hapëse do të jenë liderët shtetërorë të Kosovës, si dhe personalitete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera partnere.

  • Rohde: Nuk mjafton një version, Kosova ka obligim hartimin e draft-statutit për Asociacionin

    Rohde: Nuk mjafton një version, Kosova ka obligim hartimin e draft-statutit për Asociacionin

    Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se Kosova ka obligim që ta hartojë draftin për Asociacionin, e se një version i tij nuk është i mjaftueshëm, raporton Ekonomia Online.

    I pyetur se kush do të mund ta hartonte draftin më të mirë, Rohde tha se është vetë Kosova ajo që mund ta bëjë këtë.

    “Është përgjigje e thjeshtë. Versioni më i mirë, drafti më i mirë për Kosovën, mund të hartohet nga vetë Kosova. Mirëpo një version nuk është një draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova së shpejti që ta shohim se çfarë ide konkrete ka për Asociacionin. Ky është obligimi i Kosovës që ta përshpejtojë procesin”, ka thënë Rhode, pas takimit me anëtaret e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

    Ndërsa, i pyetur për kompaninë Visametric, e cila i obligon qytetarët të paguajnë 30 euro për kthimin e pasaportës, Rhode nuk dha koment.

    Ai po ashtu nuk u përgjigj nëse duhet t’i merret licenca kësaj kompanie.

  • Përleshje mes nxënësve në një shkollë në Gramsh, theret për vdekje një 13-vjeçar

    Përleshje mes nxënësve në një shkollë në Gramsh, theret për vdekje një 13-vjeçar

    Një 13-vjeçar në shkollën 9-vjeçare “Asllan Shahini” në Gramsh, dyshohet se është therur për vdekje.

    Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur pak çaste më parë në ambientet e shkollës, ku janë përfshirë në konflikt me njëri tjetrin 4 nxënës të klasës së 9-të.

    Në konflikt e sipër është plagosur me thikë 13-vjeçari me iniciale F.B., i cili ka humbur jetën nga plagët e marra.

    Po ashtu një tjetër nga nxënësit e përfshirë në konflikt ka mbetur i plagosur, gjendja e të cilit nuk dihet ende.

    Policia ka mbërritur në vendngjarje për hetimin e rrethanave të ngjarjes tronditëse./TCh