ATV

Author: G.O.

  • Dy të vdekur dhe katër të zhdukur nga shirat e rrëmbyer në veri të Italisë

    Dy të vdekur dhe katër të zhdukur nga shirat e rrëmbyer në veri të Italisë

    Dy persona kanë vdekur dhe të paktën katër rezultojnë të zhdukur, pas shirave të rrëmbyer që përfshinë veriun e Italisë.

    Një burrë në Forli u gjet i pajetë dhe një tjetër humbi jetën në Ronta di Çezena.

    Viktima e parë ka ndërruar jetë, ndoshta i mbytur, në katin përdhes të shtëpisë, pranë brigjeve të lumit Montone, ku jetonte me bashkëshorten. Ajo u shpëtua nga ekipet e shpëtimit dhe tha se ai kishte mbetur në katin përdhes, ku u gjet i pajetë,s hkruan ANSA.

    I dyti, një burrë rreth të 70-tave, humbi jetën për shkak të përmbytjes së lumit Savio dhe reshjeve të dendura që kanë goditur rajonin që prej ditës së djeshme.

    E zhdukur rezulton bashkëshortja e tij.

    Në total, të paktën katër persona janë të zhdukur në provincën e Forli-Çezena.

    Sipas asaj që mësohet nga ekipet e shpëtimit, një person mësohet se është zhdukur në Çezena dhe tre në Forli.

    “Sistemi rrugor është kompleks, me shumë rrugë të përmbytura, udhëtimi është i vështirë nëse jo me mjete të pajisura, probleme ka edhe në sistemin rrugor kombëtar, këshillohet shmangia e disa rrugëve arteriale dhe lëvizjet nga jugu nuk rekomandohen. Operacionet e shpëtimit mund të jenë komplekse”, tha nënkryetari i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Titti Postiglione.

  • Ministri Peci: Nga qershori, 10 milionë euro grante për sistemin e ujitjes

    Ministri Peci: Nga qershori, 10 milionë euro grante për sistemin e ujitjes

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se së shpejti në bashkëpunim me bankën Botërore do të nënshkruhet marrëveshja për një grant në vlerë 10 milionë euro për investime në ujitje.

    Peci, gjatë takimit me drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, folën për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe ngritjen e kapaciteteve bujqësore të vendit.

    “Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerë vendorë e ndërkombëtarë për të zbatuar projekte dhe iniciativa të përbashkëta që për qëllim kanë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha Peci.

  • Legjenda italiane befason, paralajmëron pensionimin nga futbolli

    Legjenda italiane befason, paralajmëron pensionimin nga futbolli

    Leonardo Bonucci ka paralajmëruar se do të pensionohet nga futbolli në fund të sezonit të ardhshëm, pas një karriere 18 vjeçare gjatë së cilës ai e ka vendosur vetën në mesin e mbrojtësve më të mirë të historisë së futbollit.

    36 vjeçari ka shijuar një karrierë tejet të suksesshme të mbushur me trofe, gjë e cila e ka e parë atë të bëhet një legjendë e Italisë dhe e skuadrës së Juventusit, raporton KosovaPress.

    Bonucci shpreson që këtë sezon ta ngrit trofeun e Ligës së Evropës me Juventusin, para se të përgatitet për sezonin final të karrierës së tij si futbollist profesionist.

    Duke folur në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit në “Youtube”, Bonucci shpjegoi se do të largohet nga futbolli në vitin 2024.

    “Kur të ndaloj së luajturi vitin e ardhshëm, do të jetë fundi i një epoke të defensivës, i një mënyre mbrojtjeje të stilit italian”, tha Bonucci.

    “Është krenari që të jesh aty me më të mirët. Unë shpresoj që shumë mbrojtës të gjeneratave të reja, sikurse ne që kishim Baresin, Maldinin, Nestan, Cannavaron, të na shohin neve si idhuj”, shtoi më tej Bonucci.

    Leonardo Bonucci ka arritur të bëjë plot 500 paraqitje në të gjitha garat për Juventusin deri tani, duke regjistruar 37 gola dhe 10 asistime mbi emrin e tij.

  • Personat me nevoja të veçanta protestojnë para Qeverisë për uljen e pagesës në 150 €, Balje u premton zgjidhje

    Personat me nevoja të veçanta protestojnë para Qeverisë për uljen e pagesës në 150 €, Balje u premton zgjidhje

    Personat me nevoja të veçanta kanë protestuar para objektit të Qeverisë për shkak se pagesa mujore që marrin u është ulur nga 375 në 150 euro, ngase janë zhvendosur nga kategoria e parë në të dytën.

    Madje ata u shprehën se do të hyjnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, e cila i takoi protestuesit u premtoi se çështja do të adresohet në Komision.

  • OSBE lanson sot Udhëzuesin për mekanizmat koordinues komunal kundër dhunës në familje

    OSBE lanson sot Udhëzuesin për mekanizmat koordinues komunal kundër dhunës në familje

    Misioni i OSBE-së në Kosovë do të publikojë sot Udhëzuesin për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje (MKKDHF), të mbështetur nga Qeveria e Francës, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në rastet e tilla të dhunës dhe reagimin e politikave institucionale në nivel lokal.

    Në njoftim bëhet e ditur se udhëzuesi, i cili do të jetë në dispozicion në gjuhën shqipe, serbe dhe turke, është mjet praktik për të lehtësuar reagimet efektive dhe të koordinuara ndaj dhunës në familje në nivel lokal.

    “Ai mbulon bazën ligjore dhe qëllimin e MKKDHF-ve, rëndësinë e një qasjeje shumë-institucionale dhe të koordinuar, mbledhjen dhe raportimin e të dhënave, si dhe trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e MKKDHF-ve. Udhëzuesi vjen si rezultat i një sërë konsultimesh me anëtarët e MKKDHF-ve të themeluara në mbarë Kosovën, duke përfshirë MKKDHF-të e Prishtinës, Graçanicës, Mitrovicës së Jugut dhe Mamushës”, thuhet po aty.

    Fjalët hyrëse do t’i mbajnë Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Ambasadori Francez Olivier Guérot.

  • OShP flet për tenderin për insulinat, sot shqyrtohet shkarkimi i anëtares së Bordit

    OShP flet për tenderin për insulinat, sot shqyrtohet shkarkimi i anëtares së Bordit

    Tenderi për insulinat i kritikuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) është vendim i atakuar nga vet Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas këtij organi i njëjti është vërtetuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga Gjykata e Apelit e Kosovës.

    Kështu sipas OShP-së, vendimi për insulinat, në rastin konkret i ka tiparet e një akti të plotfuqishëm si rezultat i juridiksionit gjyqësor, kurse efektet juridike të tij kanë efekt detyrues, jo për shkak të OSHP, por për shkak të legjislacionit në fuqi.

    Nga OSHP në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë po ashtu se vazhdimisht, deri më tani, ky Bord ka ruajtur dhe do ta ruajë pavarësinë e plotë në ushtrimin e funksioneve parësore të tij.

    Pas kritikave të kryeministrit Albin Kurti dhe kërkesës së tij për shkarkimin e anëtares së Bordit të OShP-së, Kimete Gashi, në një përgjigje për KosovaPress nga OShP-ja kanë thënë se Qeveria e Kosovës, sikurse që ka të drejtë ta iniciojë procedurën e emërimit të anëtareve të Bordit të OSHP, ka të drejtë ta iniciojë po ashtu edhe procedurën e shkarkimit.

    Sipas tyre, kjo është çështje e cila i takon pikëpamjeve, gjykimeve dhe fushëveprimit të saj si ekzekutiv.

    Përkitazi me këtë, sot në Komisionin parlamentar për Buxhet do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Kimete Gashi, anëtare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    OShP jep më tej sqarime për KosovaPress lidhur me tenderin për insulina.

    “OSHP apriori nuk i komenton deklaratat e Kryeministrit, sepse natyrisht ato i referohen mendimit të Tij. Mirëpo në këtë kontekst, OSHP e ndjen si një detyrim etik dhe profesional që për hire të opinionit ta shpjegoj ketë rast një fakt parimor. Ju kujtojmë se çdo akt përfundimtar i organeve të administratës shtetërore, i nënshtrohet direkt kontrollit gjyqësor mbi ligjshmërinë e tyre. Vendimi për Insulinat është atakuar nga vet Ministria e Shëndetësisë, kurse është vërtetuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga Gjykata e Apelit e Kosovës (gjithsej 6 vendime nga gjykatat) do të thotë se vendimi në rastin konkret i ka tiparet e një akti të plotfuqishëm si rezultat i juridiksionit gjyqësor, kurse efektet juridike të tij kanë efekt detyrues, jo për shkak të OSHP, por për shkak të legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

    OShP-ja konsideron po ashtu se nuk ka nevojë të komentojë as vendimet e Qeverisë, as iniciativat apo iniciativën e ndonjë organizate joqeveritare sa i përket inicimit për shkarkimin e anëtares së Bordit, Kimete Gashi.

    “Qeveria e Kosovës, sikurse që ka të drejtë ta inicioj procedurën e emërimit të anëtareve të Bordit të OSHP, ka të drejtë ta inicioj po ashtu edhe procedurën e shkarkimit. Kjo është çështje e cila i takon pikëpamjeve, gjykimeve dhe fushëveprimit të sajë si ekzekutiv, kurse OSHP konsideron se nuk ka nevojë ti komentoj as vendimet e Qeverisë, as iniciativat apo iniciativën e ndonjë organizate jo qeveritare. Në fakt, kontrolli për ligjshmërinë e punës, të veprimeve dhe vendimeve të këtij Organi, bije nën juridiksionin e drejtë për drejtë të organeve gjyqësore, të cilat deri më tani kanë vërtetuar pjesën dërmuese të vendimeve të këtij Institucioni. Përderisa, procesi i raportimit për rezultatet lidhur me arritjen e qëllimeve dhe/ose misionit të OSHP, natyrisht i takon Parlamentit të Kosovës. Dhe në secilin rast, nga cili do autoritet i cituar si më sipër, OSHP i respekton vendimet, vërejtjet dhe udhëzimet lidhur me ushtrimin e kompetencave të saja. Megjithatë, krahas fakteve dhe rrethanave të shpjeguara shkurtimisht si më sipër, duhet theksuar se ky Bord, në ketë përbërje, pothuajse që nga data e emërimit të tij vazhdimisht është përballur me një vëllim të konsiderueshëm të obligimeve, posaçërisht në procesin e vendimmarrjes. Por vazhdimisht, deri më tani, ky Bord ka ruajtur dhe do ta ruaj pavarësinë e plotë në ushtrimin e funksioneve parësore të tij”, thuhet në përgjigjen e OShP-së për KosovaPress.

    Në mbledhjen e fundit të qeverisë, të mërkurën e kaluar, Qeveria ka propozuar shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, për shkak se si kryetare e Panelit për rastin e një tenderi të insulinave, votoi për kontraktimin e tyre pa garancitë e kompanisë për cilësinë e barit.

    Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se institucioni që ai e drejton ndodhet nën presion për nënshkrimin e jashtëligjshëm të këtij tenderi.

    Kurse, nga Shoqëria Civile kishin deklaruar se nuk duhet iniciuar shkarkimi vetëm i Kimete Gashi, por edhe i anëtarëve të tjerë që votuan për këtë vendim

    Anëtarja e Bordit të OShP-së, Kimete Gashi, që në vitin e kaluar është rekomanduar për këtë pozitë nga Qeveria Kurti, rrezikon që të shkarkohet me propozim të po kësaj qeverie.

    Shkarkimi i Gashit mund të bëhet nga Kuvendi i Kosovës pas procedimit të vendimit nga Komisioni për Buxhet, që sot e ka në rend dite për shqyrtim.

  • Këto janë datat kur do të mbahet testit të Arritshmërisë, i nënshtrohen 24 mijë nxënës

    Këto janë datat kur do të mbahet testit të Arritshmërisë, i nënshtrohen 24 mijë nxënës

    Rreth 24 mijë nxënës më datën 4 dhe 11 korrik do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë.

    Për shkak të rritjes së numrit të pyetjeve, testi edhe këtë vit realizohet në dy ditë. Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se testimet e tilla janë të mirëseardhura, por sipas tyre, në Kosovë organizimi i testeve nuk matë thellësinë e njohurive, por të mbajturit mend.

    Edhe  këtë vit shkollor Testi i Arritshmërisë do të mbahet në dy ditë  bazuar në ndryshimet që janë bërë vitin e kaluar në përmbajtjen e testit dhe kohëzgjatjen e tij. Rreth 24 semimaturantë testit të Arritshmërisë do t’i nënshtrohen me datat 4 dhe 11 korrik. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, i tha Radio Kosovës se ky testim shërben për matjen e njohurive të nxënësve dhe për regjistrimin e tyre në shkolla të mesme të larta.

    “Numri i nxënësve të klasës së nëntë që do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmerisë për ketë vit është rreth 24 mijë. Ky test iu shërben për orientim për regjistrimin e tyre në shkolla të mesme. Nga viti i kaluar kemi rritur numrin e pyetjeve dhe për këtë arsye ky test mbahet në dy ditë”, thotë Elezi.

    Ndërkaq, eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, tha për Radio Kosovën tha se organizimet e testeve në vendin tonë kanë nevojë për përmirësime, pasi nuk matin thellësinë e njohurive por të mbajturit mend.

    “Konsideroj se mënyra se si organizohen testet e standardizume sot në Kosovë nuk masin shumë thellësi por mbamendje. Por megjithatë të gjitha masat që merren synojnë të përmirësojnë cilësinë e testimit. Gjithashtu kam vërejtje thelbësore për mënyrën e formulimit të pyetjeve”, thotë Rexhaj.

    Më 4 korrik nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori dhe gjeografi. Ndërsa, me 11 korrik do të hyjnë për testim në lëndët shkencore: matematikë, informatikë, fizikë, kimi e biologji.

    Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta rezultatet e testit do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

  • Rama për marrjen e të hyrave nga Qeveria: Është jo ligjore, do ta luftojmë çdo tentim

    Rama për marrjen e të hyrave nga Qeveria: Është jo ligjore, do ta luftojmë çdo tentim

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një prononcim për Ekonomia Online tha se në takimin koordinues e mbajtur të hënë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarëve të​ Komunave, në njëfarë mënyre janë dakorduar që të hyrat vetanake të i’u kthehen komunave.

    Ai tha se të hyrat vetanake me ligj i takojnë komunave që t’i përdorin në të mirë të qytetarëve dhe se ato nuk mund që të tjetërsohen.

    Madje ai thotë se do ta luftojnë çdo tentim që mjetet të u merren, duke shtuar se kjo formë është jo ligjore.

    “Mendoj që të hyrat vetanake me ligj faktikisht i takojnë komunave, pra të hyrat vetanake të kryeqytetit janë të kryeqytetit janë të qytetarëve të kryeqytetit edhe nuk munden që të tjetërsohen ato. Çdo tentim normal që është jo ligjor edhe ne do ta luftojmë çdo tentim. Patëm një takim të mirëfillte edhe me kryeministrin edhe me ministrin e Financave ku edhe në një farë mënyre u dakorduan që të hyrat vetanake të i’u kthehen, të lejohen për përdorim për projekte të cilat janë duke pritur për të mirën e kryeqytetit”.

    “Shpresoj që kjo çështje do të marr fund për të mirën e qytetarëve dhe të gjitha komunave po shpresoj për brenda javës do t’i kemi ato të hyra vetanake që t’i përdorim për projekte të shumta të cilat i pret kryeqyteti edhe qytetarët këtu. Jam optimist që këtë çështje e kemi zgjedhur”, tha ai.

    Ai shtoi se për këtë çështje Asociacioni i Komunave të Kosovës, i është drejtuar Qeverisë më një letër, duke pohuar që pritet që të lehtësohet procesi i bartjes së mjeteve të komunave, raporton EO.

    “Tash e kanë kërkuar një letër të cilën unë personalisht, ne si kryeqytet i kemi dërguar para dy javësh tash po e kërkojnë një letër tjetër prej Asociacionit të Komunave  të Kosovës, edhe atë e kemi dërguar, i kemi kërkuar Asociacionit që ta dërgojë. Besoj që do të shlirohet procesi i bartjes së mjeteve te komunat përkatëse”, tha ai.

    Me Projektligjin e Buxhetit për vitin 2023 Qeveria ka paraparë që nëse të hyrat vetanake të një komune nuk shpenzohen gjatë një viti, ato do t’i merren dhe t’i dhurohen komunave tjera ose të përdoren në nivelin qendror.

  • Aksion policor kundër fajdeve në tri qytetet, Prokuroria jep detaje

    Aksion policor kundër fajdeve në tri qytetet, Prokuroria jep detaje

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse,  në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot,  është duke e realizuar  një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë duke u kontrolluar dhe bastisur, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës dhe Podujevës, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së ,“Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së dhe “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi te paligjshëm” nga neni 294 par 3 i KPRK-së

    Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar katër (4) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartëcekura.

     

  • Osmani e Kurti njëzëri rreth Asociacionit

    Osmani e Kurti njëzëri rreth Asociacionit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti thanë dje se kërkesat që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë parakusht për zbatimin e pikave tjera të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dëmtojnë procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

    Ata i bënë këto komente një ditë pas takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, i cili nuk solli përparim në rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe për zbatimin e së cilës palët u pajtuan me 18 mars në Ohër.

    “Natyrisht që neni 7 është pjesë e marrëveshjes, mirëpo marrëveshja nuk është vetëm neni 7. Nuk e përmban neni 7 marrëveshjen por marrëveshja e përmban nenin 7. Këtë gjë zëvendësi im dhe kryenegociatori Bislimi dje e ka bërë shumë të qartë në takimin që ka pasur me kryenegociatorin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e zotit Lajcak”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova kërkon një plan zbatimi “të hollësishëm, konkret, serioz, të balancuar dhe gjithpërfshirës”.

    Presidentja, Vjosa Osmani tha se Kosova nuk është pajtuar asnjëherë që një nen i caktuar të jetë parakusht për zbatimin e neneve të tjera të marrëveshjes.

    “Interpretimet e reja që kërkojnë nga Republika e Kosovës që të dalë përtej asaj që është e shkruar në letër qoftë në marrëveshjen bazë apo në aneks, por edhe në deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, nuk e ndihmojnë procesin e dialogut. Presim që edhe interpretimet nga miqtë tanë të jenë në përputhje me atë që jemi pajtuar e jo të kërkohet nga Kosova të bëjë dicka që fare nuk është në marrëveshje”, tha ajo, raporton VOA.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të hënën pas takimit se pala serbe në këto diskutime ishte e interesuar vetëm për pjesën që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa theksoi se në marrëveshjen e Ohrit thuhet qartë se “asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër”. Ndërkaq kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç tha të hënën se Prishtina “nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete për çështje të rëndësishme”.

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë e theksuar shpesh së fundmi nga diplomatët perëndimorë, por edhe nga Beogradi i cili me të e kushtëzon kthimin e serbëve vendas në institucionet e Kosovës që i braktisën në fund të vitit të kaluar por edhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

    Partitë politike serbe në Kosovë bojkotuan procesin zgjedhor të 23 prillit, për zgjedhjen e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se këtë javë pritet betimi i kryetarëve të rinj, ndonëse Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës nëse Prishtina provon të zbatojë rezultatet e zgjedhjeve, sipas të cilave kandidatët e partive politike shqiptare do të drejtojnë komunat në veri.

    “Sa i takon betimit të kryetarëve të rinj, nuk ka asnjë arsye të që të ketë tensione. Unë i ftoj të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna që të mos bien pre e propagandës sepse këta kryetarë do të jenë aty për të gjithë qytetarët pa dallim etnie dhe do të punojnë me institucionet qendrore në mënyrë që të gjitha projektet që shtyhen përpara të jenë në të mirë të qytetarëve që jetojnë në këto komuna”, tha presidentja Osmani të martën.

    Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, e mbështetur në shkallë të gjerë nga perëndimi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që filluan në vitin 2011 por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.