ATV

Author: G.O.

  • BE mbështet aktivitetet për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor

    BE mbështet aktivitetet për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor

    Në Bruksel po zhvillohet një takim për kontrollin e armëve të zjarrit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e trafikimit të tyre.

    Duke folur në këtë takim, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tërhoqi vërejtjen se rreziku nga këto armë nuk është vetëm në teori, por i vërtetë.

    Borrell, duke iu referuar rasteve të vrasjeve në Serbi, tha se është e gabuar të mendohet se gjëra të tilla nuk mund të ndodhin në Evropë, sepse, siç tha ai, ato po ndodhin.

    “Në mënyrë që rastet e tilla të ndodhin, kryesit e veprimit duhet të kenë qasje në armë, që bën që kjo konferencë të tërheqë edhe më shumë vëmendje dhe interes. Sepse rastet e tilla dramatike na rikujtojnë se sa e rëndësishme është që të punojmë së bashku për të luftuar trafikimin e armëve të lehta”, tha Borrell.

    Ai nënvizoi se është detyrë e të gjithëve që ta bëjnë Evropën më të sigurt në këtë kohë sfidash.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së përshëndeti edhe fushatën e mbledhjes së armëve që ka nisur Qeveria e Serbisë pas rasteve tragjike, dhe tha se BE-ja e mbështet këtë fushatë.

    Ai, po ashtu, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të gjerë nga ana e BE-së, duke përfshirë edhe Komisionin Evropian, Këshillin, Shërbimin e Jashtëm dhe Presidencën suedeze, për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor që të luftojë kundër dhunës dhe trafikimit të armëve, në mënyrë që të ndihmojë “në paranadalimin e kontaminimit të të gjithë Evropës”.

    Shpesh, shërbimet e vendeve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se sasi të mëdha të armëve ilegale vijnë në tregun e BE-së pikërisht nga rajoni i Ballkanit dhe rrjetet e krimit të organizuar nga këto vende janë aktive në BE.

    “Të gjithë e dimë se ky aktivitet, trafikimi ilegal i armëve, paraqet një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin tonë. Është një kërcënim i shumëfishtë që ndikon në stabilitetin e rajonit dhe rrit rrezikun edhe nga sulmet terroriste”, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së duke shtuar se “nuk mund të ketë një Bashkim Evropian të sigurt pa pasur një Ballkan Perëndimor stabil, të fuqishëm dhe në paqe”.

    Bashkimi Evropian ka investuar deri tani 38 milionë euro vetëm në ndihmë për aktivitetet e kontrollit të armëve të lehta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Problemi është shumë i thellë, shumë i madh, në mënyrë kronike godet shoqëritë e Ballkanit Perendimor, dhe ne duhet të jemi të vendosur për të vazhduar luftën tonë kundër aktiviteteve të tilla, të vazhdojmë investimet dhe angazhimin për t’u ndihmuar këtyre vendeve për ta zgjidhur këtë problem. Besoj se ne, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, ndajmë të njëjtin përkushtim për këtë”, theksoi Borrell.

    Në këtë takim foli edhe komisionerja e BE-së për punë të brendshme, Ylva Johansson, e cila po ashtu nënvizoi rëndësinë e masave për të parandaluar trafikimin ilegal të armëve në rajon.

    Ajo, po ashtu, mirëpriti veprimet e autoriteteve në Serbi për grumbullimin e armëve pa leje. /REL/

  • Erion Veliaj e fiton mandatin e tretë në Tiranë

    Erion Veliaj e fiton mandatin e tretë në Tiranë

    Ka përfunduar numërimi i votave për Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku aktual Erion Veliaj, është konfirmuar për mandatin e tretë.

    Ai e mposhti bindshëm kundërshtarin e tij të “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

    Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, i ka fituar 158 mijë e 688 vota, derisa Këlliçi mori 100 mijë e 351 vota.

    Diferenca mes kandidatit të Partisë Socialiste dhe atij të “Bashkë Fitojmë”, është 58 mijë e 337 vota.

    Ndërkaq kandidatët e tjerë, Arlind Qori nga ”Lëvizja Bashkë” është renditur I treti më 13 mijë e 835 vota.I katërti është Roland Bejko, nga Partia Demokratike nuk ka marrë më shumë se vendi i katërt me 12 mijë e 388.

    Nga ana tjetër Lalja Pernaska e PDIU ka marrë 2 mijë e 104 vota, ndërsa Marko Dajti nga “Fronti i Majtë” ka siguruar 2 mijë e 807 vota.

  • Një grua në Pejë raportoi se u ngacmua seksualisht nga vjehrri i saj

    Një grua në Pejë raportoi se u ngacmua seksualisht nga vjehrri i saj

    Vjehrri dyshohet se ka ngacmuar seksualisht renë e tij në Pejë me datën 11 maj, ndërsa viktima e ka raportuar rastin në polici ditën e hënë (15 maj).

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

    “Është iniciuar rast ndaj tij, nën dyshimin se ka kryer veprën “Ngacmim seksual”, tha Nikçi.

    Rasti është përfshirë edhe në raportin 24-orësh të policisë.

    “NGACMIM SEKSUAL/Pejë 11.05.2023-09:00. Me datë 15.05.2023 viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Mehaj priti në takim ambasadorin turk, diskutuan për thellim bashkëpunimi

    Mehaj priti në takim ambasadorin turk, diskutuan për thellim bashkëpunimi

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angili.

    Mehaj, përmes një postimi në Facebook, tha se me ambasadorin turk biseduan për thellim bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Turqisë në fushën e arsimimit të kuadrove të reja ushtarake.

    “Sot kam pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili. Në këtë takim trajtuam çështje të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me theks të veçantë bashkëpunimit në fushën e arsimimit të kuadrove të reja dhe trajnimeve ushtarake”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Mehaj tha se në vazhdimësi Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në aspektin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në këtë aspekt padyshim rol të rëndësishëm kanë partnerët strategjikë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Turqia.

  • Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhdukja e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti është krim i pazbardhur i Serbisë.

    Duke kujtuar jetën dhe veprimtarinë e profesorit të së drejtës ndërkombëtare në 24-vjetorin e zhdukjes, Kurti tha se Ukshin Hoti mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij.

    “Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb ‘Patkoi’ për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjete sociale.

    Ai ka thënë se qeveria që e udhëheq nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia. Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka përfunduar Kurti.

    Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.

  • Aksion për largimin e shitësve ilegal në kryeqytet, Rama: I kemi shpall luftë ilegalitetit

    Aksion për largimin e shitësve ilegal në kryeqytet, Rama: I kemi shpall luftë ilegalitetit

    Inspektorati i komunës së Prishtinës, të martën ka nis një aksion për largimin e shitësve ilegalë afër Stacionit të Trenit në kryeqytet.

    I pranishëm në këtë aksion ishte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se kjo hapësirë e cila ka qenë e uzurpuar për më shumë se dy dekada po lirohet tani.

    Sipas kryetarit Rama, në këtë hapësirë do të ndërtohet një park që do të shfrytëzohet nga qytetarët.

    Ai tha se si komunë i kanë shpallur luftë ilegalitetit.

    Ndërsa, drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Florian Dushi tha se tashmë kjo hapësirë po lirohet, ndërsa për një pjesë të objekteve që ndodhen në afërsi do t’i shikojnë mundësitë pasi janë në pronësi të hekurudhës së Kosovës.

  • Kurti thotë se nuk kanë marrë raport nga BE për shkeljet e marrëveshjes nga Serbia: Zbatimi të jetë pa kushte

    Kurti thotë se nuk kanë marrë raport nga BE për shkeljet e marrëveshjes nga Serbia: Zbatimi të jetë pa kushte

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka marrë raport nga Bashkimi Evropian (BE) mbi denoncimet e Kosovës për shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i Qeverisë, ka thënë se pala kosovare është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja, por që jo vetëm neni 7.

    Sipas tij, formimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes, por nuk është vet marrëveshja, duke shtuar se duan një plan i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.

    “Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë”.

    “Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të menjëhershëm të marrëveshjes, pra pa kushte dhe pa vonesa. Pra është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10-të nenet e marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7”.

    “Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në neni 7”, u shpreh Kurti.

  • “Boom Boom”, kënga e re e Ledri Vulës dhe Mozzik

    “Boom Boom”, kënga e re e Ledri Vulës dhe Mozzik

    Dy reperët Ledri Vula dhe Mozzik pritet të vijnë me një bashkëpunim.

    “Boom Boom” titullohet kënga e tyre e cila pritet të lansohet më 24 maj.

    Ata kanë ndarë edhe disa fotografi në rrjete sociale.

    Bile, në rrjetin social instagram lë përshtypje një komenti i Ledri Vulës.

    “G po na dojnë edhe pse kem fmi”, ka shkruar ai.

    Se si do të duket projekti i tyre i ri, mbetet të shihet ditëve në vazhdim.

  • Mandl: Kosova ka orientim drejt Evropës

    Mandl: Kosova ka orientim drejt Evropës

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, se tha se Populli i Kosovës ka orientim drejt Evropës.

    Këto komente ai i bëri në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, raporton Ekonomia Online.

    Mandl falënderoi shoqërinë civile, që sipas tij ka kontribuuar në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve derisa potencoi se të gjithë duhet të punojnë më shumë për qytetarët.

    Në këtë ngjarje ka marrë pjesë presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, akterë të tjerë politikë, ambasadorë të huaj, deputetë austriakë e përfaqësues të shteteve tjera.

  • Zhduket një e mitur në Klinë

    Zhduket një e mitur në Klinë

    Një vajzë është zhdukur në Klinë dhe për pasojë familja nuk di asgjë për të që nga e shtuna.

    Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rastin e ka raportuar motra e saj, shtetase e Shqipërisë.

    “Klinë 13.05.2023-NN. Me datë 15.05.2023 ankuesja femër Shqiptare, shtetase e Shqipërisë, ka njoftuar policinë se motra e saj e mitur, ka dalë nga shtëpia ku jeton dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin 24-orësh.

    Bëhet e ditur se rasti është nën hetime.