ATV

Author: B G

  • Kurti: Do të ketë rritje të mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Kurti: Do të ketë rritje të mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, do të ketë rritje të mbështetjes.

    Këto zotime, Kurti i ka bërë gjatë mbledhjes së ekzekutivit, që është mbajtur pasditen e sotme.

    Duke folur për ndarjet buxhetore, me rastin e miratimit të buxhetit për vitin 2027, Kurti ka thënë se është paraparë linjë e veçantë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Do të ketë rritje të mbështetjes për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse. Sigurisht që për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes, e presim edhe strategjinë nga grupi punues, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

  • Kurti paralajmëron rritje rrogash: Nga kjo datë, koeficienti 120 euro

    Kurti paralajmëron rritje rrogash: Nga kjo datë, koeficienti 120 euro

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Buxheti i vitit 2027 parasheh edhe pagën e 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit, si dhe rritjen e vlerës së koeficientit të pagave në 120 euro.

    Kurti ka sqaruar se këto dy masa do të realizohen në periudha të ndryshme të vitit.

    Sipas tij, paga e 13-të do të jepet në pjesën e parë të vitit, ndërsa rritja e koeficientit do të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2027.

    “Sikurse sivjet, buxheti 2027, parasheh edhe në vitin tjetër, pagën e 13-të dhe krahas saj rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro, nga data 1 korrik 2027.

    Pra në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë, rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti.” 

  • 4.27 miliardë euro buxheti i parashikuar për vitin 2027, e miraton ekzekutivi

    4.27 miliardë euro buxheti i parashikuar për vitin 2027, e miraton ekzekutivi

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, në mbledhjen e nëntë të saj.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ka thënë se ai mbështetet në rritjen ekonomike, zgjerimin e tregut të punës dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Murati ka bërë të ditur se gjatë vitit 2027, bruto produkti vendor i Kosovës pritet të arrijë në 30.4 miliardë euro, ndërsa të hyrat buxhetore për herë të parë do të kalojnë shifrën prej 4 miliardë eurosh.

    “Një buxhet pra që po e sjell para jush me optimizëm, por me besim, sepse ai mbështetet mbi një ekonomi që rritet, mbi një treg pune që po zgjerohet dhe mbi financa publike të shëndosha. Kosova sot ka një ekonomi me rritje të qëndrueshme. Në vitin 2027 bruto produkti vendor pritet të arrijë në 30.4 miliardë euro. Të hyrat buxhetore për herë të parë do të kalojnë 4 miliardë euro, ndërkaq borxhi publik mbetet tek rreth 16% e bruto produktit vendor, që është ndër nivelet më të ulëta në rajon. Kjo do të thotë më shumë vende pune, paga më të larta dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë”, ka deklaruar Murati.

    Ministri ka treguar se përgatitja e buxhetit ka nisur në muajin maj të këtij viti, duke theksuar se Ministria e Financave ka zhvilluar konsultime me organizatat buxhetore për përfshirjen e prioriteteve dhe nevojave të institucioneve publike.

    “Procesi i përgatitjes së këtij buxheti ka filluar që në maj të këtij viti me përfundimin e procesit të dorëzimit të afatit të mesëm të shpenzimeve. Dhe qartë, herë Ministria e Financave ka zhvilluar konsultime intensive me të gjitha organizatat buxhetore për t’u siguruar se ky buxhet pra përfshin të gjitha prioritetet e programit tonë dhe nevojat e secilit institucion publik. Përmes projektbuxhetit të vitit 2027, kemi bërë një shpërndarje të drejtë të fondeve për prioritetet e qeverisë që rrjedhin nga strategjia kombëtare për zhvillim ekonomik, programi për reformat në ekonomi, strategjitë sektoriale si dhe korniza afatmesme e shpenzimeve”, ka thënë ai.

    Murati ka vlerësuar se zhvillimet ekonomike në Kosovë kanë qenë inkurajuese, pavarësisht situatës së vështirë globale, pasigurisë gjeopolitike, tensioneve tregtare dhe çmimeve të larta të energjisë.

    “Ky propozim buxhet është ngushtë i lidhur me ecuritë ekonomike, fiskale dhe financiare dhe këto ecuri pra janë inkurajuese. Sepse pavarësisht një mjedisi global të vështirë, të karakterizuar nga pasiguria gjeopolitike, tensionet tregtare dhe konfliktet e armatosura, e çmimet e larta të energjisë, ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet më shpejt sesa rajoni dhe kanë treguar qëndrueshmëri të fortë. Siç e theksoi edhe kryeministri, pra në gjysmën e parë të vitit 2026, kemi rritje reale prej 5.44% përkatësisht. Kjo rritje është nxitur nga konsumi, investimet dhe eksportet. Investimet totale, private dhe publike u rritën me 7.9%, ndërkaq eksporti i mallrave në periudhën janar-korrik u rrit me 22.9% dhe ai i shërbimeve me 10.9%”, ka deklaruar ministri.

    Duke folur për tregun e punës, Murati ka bërë të ditur se sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, në gjysmën e parë të vitit 2026 janë regjistruar 445 mijë e 542 persona të punësuar, apo 5.2 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    “Rritja ekonomike po reflektohet drejtpërdrejt edhe në punësim. Sipas të dhënave të ATK-së, në gjysmën e parë të vitit 2026, kanë qenë të punësuar, pra 445,542 persona, apo rreth 5.2% më shumë sesa një vit më parë për periudhën e njëjtë. Ndërkohë shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore u rrit në 50% në vitin 2025, nga 43.3% sa ishte në vitin paraprak. Rritja e pagës minimale, shtimi i punësuarve në sektorin privat dhe rritja e pagave edhe në sektorin privat e publik kanë bërë që të hyrat nga tatimi në të ardhurat personale të rriten me 19.5% në nëntë muajt e parë të këtij viti”, ka thënë Murati.

    Ai ka përmendur edhe nivelin e çmimeve, duke e cilësuar atë si sfidën kryesore, ndërsa ka bërë të ditur se inflacioni mesatar deri në shtator të vitit 2026 ka arritur në 6.6 për qind.

    “Sfida kryesore, pra vazhdon të mbetet niveli i çmimeve, i cili është ndikuar drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimit. Inflacioni mesatar deri në shtator 2026 ka shënuar vlerën 6.6%. Megjithatë pritet që në vitin 2027 të kemi rënie në nivelin prej 4% dhe në afatmesëm pra të ketë stabilizim tek niveli prej 2%. Të hyrat buxhetore kanë vazhduar për financën e tyre të kënaqshme gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti me një rritje prej 6.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo vjen si rezultat i aktivitetit të shtuar ekonomik, por edhe i masave për përmbushje vullnetare dhe luftimin e ekonomisë joformale”, ka deklaruar ministri.

    Sa i përket parashikimeve ekonomike për vitet e ardhshme, Murati ka thënë se ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rritje reale prej 4.2 për qind gjatë vitit 2027, ndërsa në vitet 2028 dhe 2029 parashikohet rritje edhe më e lartë.

    “Për diksrimin e parashikimeve tona konfirmon që rritja ekonomike do të përshpejtohet në vitin 2027, pra për të gjithë vitin rreth 4.2% në term real, ndërkaq 8.6% në term nominal. Dhe në periudhën afatmesme rritja reale pritet të jetë edhe më lart, pra 4.5% në vitin 2028 dhe 4.6% në vitin 2029, kur bruto produkti vendor pritet të kalojë shifrën prej 15 miliardë eurove. Rritja do të mbështetet nga konsumi privat, i nxitur nga rritja e pagës minimale, kreditimi dhe remitetat, si dhe nga investimet, ku parashikohet të ketë një rritje prej 5.7%, të cilat mbështeten në politika stimuluese fiskale për sektorin privat, sidomos për eksportuesit, dhe në ekzekutimin e përshpejtuar të investimeve publike në sektorët prioritarë”, ka theksuar Murati.

    Ministri ka thënë se zgjerimi i aktivitetit ekonomik pritet të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës, formalizimin e punësimit dhe rritjen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.

    “Ky zgjerim i aktivitetit ekonomik do të krijojë vende të reja pune, ndërsa masat për formalizimin e punësimit do të vazhdojnë të rrisin numrin e të punësuarve të regjistruar. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve do të vazhdojë kontributin pozitiv falë masave fiskale në mbështetje të prodhuesve vendorë, të cilat kanë filluar të zëvendësojnë pjesërisht edhe importet”, shtoi Murati.

  • Hoxha për dorëheqjen e drejtorit të Policisë: E vonuar

    Hoxha për dorëheqjen e drejtorit të Policisë: E vonuar

    Ish zv/ministri i punëve të brendshme, avokati Valdet Hoxha, ka thënë se dorëheqja e drejtorit të policisë, Gazmend Hoxha është e vonuar.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën konsideroi se dorëheqja e Hoxhës është krejt normale dhe se do të duhej të kishte shkarkime, por jo shkarkime pa fund.

    Sipas tij, duhet të gjenden përgjegjësit për rastin.

  • “Duhet përgjegjësi politike”, Krasniqi: Pas dorëheqjës së Hoxhës, të reflektojë ministri i brendshëm

    “Duhet përgjegjësi politike”, Krasniqi: Pas dorëheqjës së Hoxhës, të reflektojë ministri i brendshëm

    Profesori Kolë Krasniqi, njëherësh njohës i çështjeve të sigurisë, e ka përshëndetur dorëheqjen e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, mori si shembull krahasimi dorëheqjet në Japoni për shkak të vonesës së trenave për pak sekonda.

    Po ashtu, Krasniqi tha se duhet të ketë përgjegjësi politike dhe që shembullin e Hoxhës ta merr edhe ministri i brendshëm.

  • Nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për krime lufte në komunën e Istogut

    Nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për krime lufte në komunën e Istogut

    Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit një muaj dy të pandehurve, Zhikica Belosoviq dhe Gruica Belosoviq, të cilët dyshohen për krime lufte në bashkëkryerje në rastin e “Masakrës së Padalishtës” në Komunën e Istogut.

    “Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.

    Ky vlerësim mbështetet në faktin se të pandehurit kanë nënshtetësi të Republikës së Serbisë, andaj ekziston rreziku konkret që të pandehurit, me qëllim të shmangies së ndjekjes penale, të largohen dhe t’i ikin drejtësisë, tha gjykata.

    Gjykata konstatoi se masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e papenguar të procedurës penale në këtë çështje penale.

    Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Musliu-Shoshi: 44 ditë nga dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, shteti ende pa strategji dhe buxhet

    Musliu-Shoshi: 44 ditë nga dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, shteti ende pa strategji dhe buxhet

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke thënë se edhe 44 ditë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, nuk ka ende një plan konkret për mbrojtjen e historisë dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Musliu-Shoshi ka thënë se institucionet nuk kanë hartuar strategji, platformë apo buxhet për këtë çështje.

    Ajo ka theksuar se historia e UÇK-së nuk mbrohet vetëm përmes deklaratave patriotike apo grupeve të punës, por kërkon veprime konkrete, diplomaci dhe planifikim institucional.

    “Çdo ditë e humbur është një ditë më shumë e braktisjes institucionale të çlirimtarëve tanë!”, ka shkruar Musliu-Shoshi. 

  • Pushimi i hetimeve ndaj disa ministrave dhe zyrtarëve të tjerë, Prokuroria Speciale: Vendimet janë marrë në bazë të provave

    Pushimi i hetimeve ndaj disa ministrave dhe zyrtarëve të tjerë, Prokuroria Speciale: Vendimet janë marrë në bazë të provave

    Prokuroria Speciale e Kosovës reagoi ndaj raportimeve në disa media se pas shkarkimit të kryeprokurorit të kësaj prokurorie Blerim Isufajt janë pushuar hetimet ndaj tre ministrave të Qeverisë së Albin Kurtit.

    Sipas kësaj Prokurorie, vendimet janë marrë në bazë të provave dhe kritereve ligjore e jo si pasojë e ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit.

    Në një sqarim publik, Prokuroria ka bërë të ditur se nga 2 tetori 2026, kur kanë ndodhur ndryshimet në udhëheqjen e saj, e deri më tani, ka ngritur 10 aktakuza ndaj 31 personave, ka marrë nëntë vendime për pushimin e hetimeve ndaj 14 personave dhe ka hedhur poshtë nëntë kallëzime penale ndaj 21 personave.

    Duke iu referuar rasteve konkrete të përmendura në media, Prokuroria ka sqaruar se vendimi për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit Liburn Aliu është marrë më 11 shtator 2026, pra para ndryshimeve në udhëheqjen e këtij institucioni.

    Ndërkaq, për Faton Pecin dhe Fitore Pacollin, hetimet ndaj të cilëve kishin filluar më 4 korrik 2025, vendimi për pushimin e tyre është marrë më 26 tetor 2026 nga i njëjti prokuror special që i kishte nisur hetimet.

    Sipas Prokurorisë, vendimet janë marrë pas vlerësimit të provave dhe rrethanave konkrete të secilit rast, në përputhje me kriteret ligjore.

    Institucioni ka bërë të ditur gjithashtu se, përveç rasteve të përmendura në raportimet mediatike, gjatë kësaj periudhe janë pushuar hetimet edhe ndaj ish-kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në dy raste të ndara, si dhe ndaj zyrtarëve të tjerë të profilit të lartë.

    Po ashtu, është hedhur poshtë kallëzimi penal ndaj kryetarit aktual të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

    Prokuroria Speciale ka theksuar se vendimmarrjen e bazon në ligj, provat e administruara dhe vlerësimin profesional të prokurorëve, pavarësisht përkatësisë politike të personave të përfshirë në raste.

    Në reagim, ajo ka garantuar pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e funksionit, duke theksuar se ata kanë liri të plotë profesionale dhe institucionale për të hetuar dhe vendosur pa presion, ndikim apo ndërhyrje.

    “Qëndrimi i Prokurorisë Speciale është i qartë: asnjë rast nuk ka rezultat të paracaktuar dhe asnjë prokurori nuk i diktohet se si të vendosë”, thuhet në sqarimin e këtij institucioni.

  • Publikohet letra e plotë e arsyetimit të Gazmend Hoxhës për dorëheqje pas rastit të Arlinda Zekajt

    Publikohet letra e plotë e arsyetimit të Gazmend Hoxhës për dorëheqje pas rastit të Arlinda Zekajt

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, këtë të premte ka dhënë dorëheqje morale nga kjo pozitë, Hoxhaj ka adresuar një letër zyrtare Kryeministrit të vendit ku njofton për dorëheqjen e tij pas ngjarjes tragjike në Pejë ku u vra Arlinda Zekaj.

    Në letrën e tij, Hoxha e arsyeton dorëheqjen direkt me peshën e kësaj vrasjeje makabre, duke theksuar se “duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”.

    Ai po ashtu pranon hapur dobësitë e sistemit mbrojtës ndaj dhunës në familje, duke thënë se “dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues për ne, për të gjitha institucionet e drejtësisë dhe për shoqërinë tonë në tërësi. Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, vlerësoj se nevojitet një qasje shumë më e koordinuar ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Shërbimet Sociale, Gjykatat dhe organizatat joqeveritare, pasi sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit“.

    I vetëdijshëm për ndikimin që ka pasur ky rast në opinionin publik, ish-kreu i Policisë ka porositur se llogaridhënia duhet të jetë parim mbi çdo funksion shtetëror.

    “Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies. Kjo dorëheqje nuk është braktisje e Policisë së Kosovës, është një mesazh se institucionet tona duhet të jenë më të forta se individët”, ka shkruar Hoxha në letrën e tij drejtuar kreut të ekzekutivit, duke e mbyllur kështu kapitullin e tij në krye të Policisë së Kosovës pas rastit që tronditi vendin.

    Në letrën e tij drejtuar kreut të ekzekutivit, kreu i deritanishëm i policisë ka bërë edhe një bilanc të mandatit të tij pothuajse katërvjeçar nga marsi i vitit 2023, duke kujtuar përballjen me sfidat e mëdha në veri të vendit, marrjen nën kontroll të stacioneve policore atje, menaxhimin e sulmeve në Zveçan e Banjskë si dhe rastin e Ibër-Lepencit. Hoxha ka nënvizuar se gjatë kësaj periudhe Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në Evropë, ndërsa ka zgjeruar dukshëm kapacitetet e inteligjencës kriminale.

    Në përmbyllje të letrës së tij, Hoxha ka shprehur falënderimin e thellë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, familjet e tyre dhe ka nderuar zyrtarët policorë të rënë në detyrë, duke nënvizuar se kjo dorëheqje nuk është braktisje, por një mesazh se institucionet duhet të jenë gjithmonë më të forta se individët.

  • Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën

    Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, në sallën C-301.

    Sipas agjendës së publikuar, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës të seancës plenare të radhës.

    Në mesin e pikave të propozuara janë tri projektligje që pritet të shqyrtohen në lexim të parë: Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, ai për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

    Po ashtu, në agjendë është përfshirë shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.

    Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet e grupeve parlamentare të LVV-së dhe PDK-së për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetëve në këto komisione.

    Në rend dite janë edhe deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.