ATV

Author: B G

  • Hoxha e quan “morale” dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Policisë

    Hoxha e quan “morale” dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Policisë

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt – rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

    I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse veprimi i tij lidhet me trajtimin institucional të këtij rasti, Hoxha tha se “lidhet me dorëheqje morale”.

    Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse me këtë nënkupton se ndien përgjegjësi për lëshimet institucionale në trajtimin e rastit.

    Më herët gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit njoftoi se Albin Kurti kishte pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e kishte liruar atë nga detyra.

    Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti caktoi Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, u tha në njoftim.

    Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës.

    Largimi i tij vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

    Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti.

    Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.

    Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial.

    Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra.

    Vrasja e Zekajt, 49 vjeçe, nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin.

    Kush është Gazmend Hoxha?

    Gazmend Hoxha ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Ai e mori zyrtarisht detyrën më 13 mars të atij viti, duke pasuar Fehmi Hotin, i cili kishte udhëhequr Policinë si ushtrues detyre.

    Hoxha iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000 dhe gjatë karrierës mbajti disa pozita drejtuese, përfshirë atë të kreut të Departamentit kundër Krimit të Organizuar, drejtorit të Divizionit të Sigurisë Publike dhe drejtorit të Departamentit të Operacioneve.

    Sipas biografisë së tij zyrtare, Hoxha ishte përfshirë në drejtimin dhe planifikimin e disa operacioneve policore, përfshirë ato për zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve, mbylljen e rrugëve ilegale dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme në Kosovë.

    Hoxha largohet nga drejtimi i Policisë pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë në këtë pozitë.

  • Bytyqi nuk pret dorëheqje nga Gërvalla e Sveçla nesër

    Bytyqi nuk pret dorëheqje nga Gërvalla e Sveçla nesër

    Avokati Asdren Bytyqi ka thënë se nuk pret dorëheqje nga ministrat Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla nesër.

    Këto komente ai i bëri në emisionin Compass me Ilir Berishën.

    “Pajtohem që kërkesat janë legjitime por nuk pres që ministrat të japin dorëheqje. Në Kosovë nuk është e instaluar ajo kulturë për dorëheqje”, tha ai.

  • Rasti i Arlinda Zekaj, Çollaku: Pse të mos japë dorëheqje një ministër?

    Rasti i Arlinda Zekaj, Çollaku: Pse të mos japë dorëheqje një ministër?

    Profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, ka thënë se kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e ministrave janë legjitime.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se ministrat duhet të japin dorëheqje, nëse populli nuk është i kënaqur me punën e tyre në ministritë përkatëse.

    “Dorëheqja është akt moral. Pse të mos japë dorëheqje një ministër nëse në atë digaster ka parregullsi të mëdha dhe popullata është e zhgënjyer tej mase për qëndrueshmërinë në një digaster të caktuar”, u shpreh ai ndër të tjera.

  • Jashari: Ja çfarë do të ndodhë me policët e suspenduar

    Jashari: Ja çfarë do të ndodhë me policët e suspenduar

    Avokati Arbër Jashari ka folur për suspendimin e zyrtarëve policorë në Pejë, për rastin e Arlinda Zekajt.

    Ai në emisionin Context me Leart Hoxhën, tha se suspendimi është një masë e përkohshme, teksa ka treguar se si suspendimi mund të bëhet shkarkim për ata zyrtarë.

  • “Skandal pas skandali”, raporti për Arlindën, Musliu: Gabim në titull, dorëheqje Donikë

    “Skandal pas skandali”, raporti për Arlindën, Musliu: Gabim në titull, dorëheqje Donikë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas raportit të pranuar nga institucionet e vendit, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, Musliu ka thënë se ky raport qysh në titull paraqet një gabim të madh, pasi sipas saj, aty shkruan “rast i dhunës në familje”, e “jo si vrasje”.

    “72 orë për një raport që vrasjen e Arlindës ende e quan në titull “rast të dhunës në familje”! Donikë, Arlinda është vrarë. Nuk jeton më. Dhe raporti që duhet të sqarojë dështimet institucionale ende nuk e thotë qartë, që në titull, se bëhet fjalë për një vrasje. Arlinda kërkoi mbrojtje sa ishte gjallë. Sot, së paku, meriton që ajo që i ndodhi të quhet me emrin që ka: VRASJE.”, ka shkruar ajo.

    Musliu ka thënë se si mund të kërkohet llogaridhënie për dështimet institucionale, kur sipas saj, edhe raporti që duhet t’i zbardhë ato nis duke e zbehur vetë thelbin e tragjedisë.

    “Skandal pas skandali. Raport pas raporti. Por përgjegjësi nuk ka! Përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas raporteve dhe konferencave për media. Dorëheqje, Donikë! Sot. Jo nesër, në konferencë!”, ka thënë Musliu. 

  • “Konferenca të mbahet jashtë” – Nesër thirret protestë para adresimit të Gërvallës e Sveçlës

    “Konferenca të mbahet jashtë” – Nesër thirret protestë para adresimit të Gërvallës e Sveçlës

    Protestuesit që po kërkojnë drejtësi për gratë e vrara dhe përgjegjësi e llogaridhënie nga institucionet e vendit, kanë thirrur sërish për nesër një tubim para objektit të Qeverisë së Kosovës.

    Për dallim nga dy ditët e fundit ku protestat kanë nisur nga ora 16:00, gjatë së premtes, ky organizim do të mbahet para orës 09:00 të paradites.

    Një vendim i tillë është marrë, pasi që protestuesit janë njoftuar për konferencën që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të mbajnë para kësaj kohe.

    Njoftimin për mbajtjen e kësaj konference e ka bërë kryeministri i vendit, Albin Kurti në një postim në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se tashmë ka pranuar raportet për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

    Aktivistja Liridona Sijarina, në emër të protestuesve ka kërkuar që konferenca e Gërvallës e Sveçlës të mbahet jashtë objektit të ekzekutivit.

    “…A po e vendosim që me ja lypë Qeverisë që Konferencën me majt jashtë ose na hyjmë brenda. Nesër para 9-ve takohemi qitu, s’kemi me u dorëzu, s’kemi me u zmbraps pa i marrë përgjigjet definitve dhe pa i pa kërkesat tona të adresume…”, tha ajo para protestuesve. 

  • Qeveria pranon raportin për vrasjen e Arlinda Zekajt, Sveçla e Gërvalla nesër mbajnë konferencë

    Qeveria pranon raportin për vrasjen e Arlinda Zekajt, Sveçla e Gërvalla nesër mbajnë konferencë

    Zyra e Kryeministrit ka pranuar raportet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.

    Sipas njoftimit, raporti do të trajtohet nga ministrat përkatës dhe nesër në ora 09:00 do të mbajnë konferencë për media ministrja Donika Gërvalla Schwarz dhe ministri Xhelal Sveçla.

    Njoftimi i plotë:

    Zyra e Kryeministrit sapo pranoi raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në lidhje me rastin e Arlinda Zekajt.

    Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale.

    Lidhur me këtë dhe veprimet e mëtejme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja Donika Gërvalla Schwarz dhe ministri Xhelal Sveçla do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media nesër në ora 9:00, në ZKM.

  • IPK-ja publikon gjetjet se si Policia në Pejë ka neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt

    IPK-ja publikon gjetjet se si Policia në Pejë ka neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka evidentuar një varg shkeljesh në mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga tani e ndjera, Arlinda Zekaj.

    Aty përfshihen moszbatimi i një urdhri mbrojtës, vonesën në ekzekutimin e një urdhri tjetër dhe mosveprimin e zinxhirit komandues ndaj kërkesave për vlerësimin e rastit.

    Bazuar në gjetjet preliminare, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, rekomandim të cilin Policia e ka zbatuar. Sipas njoftimit të IPK-së, një nga shkeljet e evidentuara është se nuk dokumentohet që Policia e Kosovës e ka ekzekutuar urdhrin mbrojtës të 7 shtatorit 2026, me numër C.11r.1300/26.

    Po ashtu, urdhri i dytë mbrojtës, i datës 16 tetor 2026, është ekzekutuar gjashtë ditë me vonesë, më 22 tetor. Sipas IPK-së, kjo ka ndodhur pas veprimeve zyrtare të ndërmarra nga Inspektorati, i cili fillimisht kishte pranuar informatë nga vetë Zekaj.

    Një tjetër gjetje lidhet me mosshqyrtimin nga zinxhiri komandues të një emaili të 23 tetorit 2026, të dërguar nga një hetues policor, i cili kishte kërkuar vlerësim të rastit dhe asistencë shtesë.

    Hetuesi kishte propozuar që, gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrulla të uniformuara dhe të kishte komunikim më të shpeshtë me policinë, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë. Sipas IPK-së, kjo kërkesë nuk është trajtuar nga zinxhiri komandues.

    Inspektorati ka evidentuar gjithashtu dështime në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimeve të gjykatës kompetente.

    Përgjegjësitë e evidentuara përfshijnë disa nivele të Policisë në Pejë, përkatësisht Drejtorinë Rajonale të Policisë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë, si dhe njësitë e hetimeve në nivel rajonal dhe në nivel stacioni.

    Në bazë të këtyre gjetjeve, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë, përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, shefin e Sektorit të Hetimeve, ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

  • “Kurti nuk do të hezitojë të veprojë pasi ta marrë raportin”, Maqedonci për kërkesat për dorëheqje të Gërvallës dhe Sveçlës

    “Kurti nuk do të hezitojë të veprojë pasi ta marrë raportin”, Maqedonci për kërkesat për dorëheqje të Gërvallës dhe Sveçlës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se do të ketë masa ndaj atyre që dështuan në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, derisa u pyet për kërkesat për dorëheqje të ministrave Gërvalla e Sveçla, u shpreh se kryeministri Kurti do të veprojë sapo ta marrë raportin që e ka kërkuar lidhur me këtë rast.

    Po ashtu, ai shprehu ngushëllime për familjarët e Arlindës.

  • Kuvendi mblidhet nesër, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë

    Kuvendi mblidhet nesër, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, të enjten, më 29 tetor, seancë plenare duke filluar nga ora 10:00.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët do të shqyrtojnë disa pika të rendit të ditës.

    Fillimisht, parashihet miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

    Në vazhdim, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Po ashtu, në shqyrtim të dytë do të jetë edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Në fund, deputetët do të votojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.