ATV

Author: B G

  • A mund të bie çmimi i naftës në 1 euro në Kosovë? – Flet ish ministri i tregtisë

    A mund të bie çmimi i naftës në 1 euro në Kosovë? – Flet ish ministri i tregtisë

    Të duhur e ka quajtur ultimatumin e ministres Mimoza Kusari Lila për çmimin e naftës, ish ministri i tregtisë, Ismet Mulaj.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se pret stabilizim të çmimit të naftës.

    Po ashtu, ai theksoi se në Kosovë nuk funksionojnë siç duhet mbikëqyrësit e tregut.

    Ai foli edhe nëse çmimi mund të bie në 1 euro.

  • Kryetari i AKK-së: Buxheti i ndarë për komunat nuk është rekord, do të përballen me kriza

    Kryetari i AKK-së: Buxheti i ndarë për komunat nuk është rekord, do të përballen me kriza

    Buxheti i ndarë nga qeveria për komunat nuk është rekord.

    Kështu ka deklaruar kryetari i AAK-së, Sazan Ibrahimi, në emisionin Compass me Ilir Berishën.

    Ai ka thënë se komunat kanë shumë probleme dhe do të përballen me kriza.

    Po ashtu, ai theksoi se qeveria ka rritur të hyrat vetanake të komunave për 8 milionë dhe kjo nuk nënkupton rritje të buxhetit.

  • Kryeqyteti rrit tarifat për parkim, 1.40 euro për orë në zonën e parë

    Kryeqyteti rrit tarifat për parkim, 1.40 euro për orë në zonën e parë

    Një rregullore e re për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të “Prishtina Parking” parasheh ndryshime të rëndësishme në mënyrën e menaxhimit të parkingjeve publike, tarifat për parkim, të drejtat e banorëve rezidentë, si dhe gjobat për kundërvajtësit.

    Sipas Aneksit 1 të rregullores, në Zonën I, e cila përfshin qendrën e qytetit, shoferët do të paguajnë 1.40 euro për një orë parkim. Parkimi ditor, deri në 24 orë, do të kushtojë 20 euro.

    Ndërkaq, për shoferët që kanë nevojë për parkim më afatgjatë, parashihen edhe bileta javore prej 40 eurosh, ndërsa bileta mujore kushton 140 euro. E njëjta kategori mund të pajiset edhe me biletë vjetore prej 1 mijë e 400 eurosh.

    Sa u përket parkingjeve me laura në Zonën I, tarifa për një orë është gjithashtu 1.40 euro. Parkimi ditor kushton 10 euro, ndërsa kjo biletë aktivizohet automatikisht pas orës së shtatë të qëndrimit në parking.

    Parkimi javor në këto hapësira kushton 30 euro, ndërsa ai mujor 84 euro. Për shfrytëzuesit që zgjedhin pagesën vjetore, tarifa është 840 euro.

    Çmimet në Zonën II

    Në Zonën II, e cila përfshin hapësirën nga përfundimi i zonës qendrore deri përgjatë dhe brenda unazës së brendshme të kryeqytetit, tarifat janë më të ulëta.

    Vizitorët do të paguajnë 70 centë për një orë parkim, ndërsa parkimi ditor, deri në 24 orë, kushton 10 euro.

    Bileta javore për këtë zonë është 22 euro, ndërsa bileta mujore kushton 42 euro. Për të njëjtën kategori parashihet edhe tarifa vjetore prej 420 eurosh.

    Në parkingjet me laura të Zonës II, një orë parkim kushton 70 centë, ndërsa parkimi ditor është shtatë euro. Sipas dokumentit, bileta ditore aktivizohet automatikisht pas orës së dhjetë të qëndrimit në parking.

    Parkimi javor në këto hapësira kushton 22 euro, ndërsa ai mujor 42 euro ose 420 euro për një vit.

    Tarifat në Zonën III

    Zona III përfshin hapësirën nga përfundimi i unazës së brendshme deri në kufijtë e zonës urbane të Prishtinës.

    Në këtë zonë, një orë parkim për vizitorët kushton 40 centë, ndërsa parkimi ditor deri në 24 orë është pesë euro.

    Bileta javore kushton 12 euro, ndërsa ajo mujore 30 euro. Për parkim vjetor, tarifa e përcaktuar është 300 euro.

    Në parkingjet me laura të kësaj zone, një orë parkim kushton 30 centë, ndërsa parkimi ditor është tre euro. Edhe në këtë rast, bileta ditore aktivizohet automatikisht pas orës së dhjetë të qëndrimit.

    Parkimi javor në këto hapësira kushton 12 euro, ndërsa ai mujor 30 euro ose 300 euro për një vit.

    Sa do të paguajnë banorët rezidentë për veturat e tyre?

    Një pjesë e rëndësishme e rregullores lidhet me trajtimin e banorëve rezidentë, të cilëve u ofrohet mundësia e parkimit të privilegjuar në hapësirat publike të adresës ku jetojnë.

    Për automjetin e parë, banorët rezidentë në të tria zonat lirohen nga pagesa e parkimit, por duhet të paguajnë një tarifë vjetore për regjistrim dhe mbulimin e shpenzimeve administrative dhe mirëmbajtjen e sistemeve.

    Kjo tarifë është 20 euro në Zonën I dhe II, ndërsa 10 euro në Zonën III.

    Për automjetin e dytë, tarifat dallojnë sipas zonës. Në Zonën I dhe II, banorët do të paguajnë 20 euro në muaj ose 140 euro në vit. Në Zonën III, çmimi është 10 euro në muaj ose 60 euro në vit.

    Ndërkaq, për automjetin e tretë, tarifa në Zonën I është 63 euro në muaj ose 630 euro në vit. Në Zonën II, banorët do të paguajnë 42 euro në muaj ose 420 euro në vit, ndërsa në Zonën III, 20 euro në muaj ose 120 euro në vit.

    Për automjetin e katërt dhe çdo automjet tjetër shtesë, çmimet janë edhe më të larta.

    Në Zonën I, tarifa është 140 euro në muaj ose 1 mijë e 400 euro në vit. Në Zonën II, 98 euro në muaj ose 980 euro në vit, ndërsa në Zonën III, 40 euro në muaj ose 400 euro në vit.

    Rregullorja përcakton gjithashtu tarifa të veçanta për automjetet në pronësi të bizneseve dhe automjetet e punonjësve.

    Për automjetet e bizneseve, tarifa mujore është 63 euro në Zonën I, 45 euro në Zonën II dhe 25 euro në Zonën III. Pagesa vjetore për këto kategori është përkatësisht 630, 450 dhe 250 euro.

    Për automjetet e punonjësve, tarifa është 42 euro në muaj ose 420 euro në vit në Zonën I, 28 euro në muaj ose 280 euro në vit në Zonën II, si dhe 30 euro në muaj ose 300 euro në vit në Zonën III.

    Rregulla të veçanta për parkingjet me laura dhe regjistrimin e automjeteve

    Dokumenti përcakton se çdo qytetar, punëtor apo person juridik ka të drejtë të regjistrojë një automjet për shfrytëzimin e parkingjeve në zonën ku banon, punon ose ushtron veprimtarinë.

    Regjistrimi i automjetit të dytë lejohet vetëm pasi të përfundojë procedura e regjistrimit të automjeteve të para për të gjitha njësitë banesore dhe personat juridikë të zonës përkatëse. E njëjta procedurë vlen edhe për regjistrimin e automjetit të tretë.

    Gjatë këtij procesi, përparësi kanë banorët rezidentë dhe pronarët e lokaleve afariste.

    Sa u përket parkingjeve rezidenciale me laura, rregullorja parasheh se vendosja e tyre mund të iniciohet nga Prishtina Parking në bashkëpunim me banorët, me kusht që paraprakisht të sigurohet pëlqimi i së paku 80 për qind të banorëve rezidentë të lagjes përkatëse.

  • Presidentja Shiroka Pula takoi kryetarët e komunave: Pushteti lokal, niveli i qeverisjes më i afërt me qytetarin

    Presidentja Shiroka Pula takoi kryetarët e komunave: Pushteti lokal, niveli i qeverisjes më i afërt me qytetarin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar sot me kryetarët e komunave, me ç’rast është njohur nga afër me punën e tyre dhe njëkohësisht ka dëgjuar drejtpërdrejt arritjet, problemet dhe sfidat me të cilat përballen komunat.

    Kryetarët e komunave e uruan Presidenten Shiroka Pula për marrjen e detyrës dhe shprehën mbështetjen e tyre për të.

    Sipas Presidentes, pushteti lokal është niveli i qeverisjes më i afërt me qytetarin. Ajo ka thënë se komunat janë dera e parë ku qytetarët kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre.

    Presidentja Shiroka Pula, ka theksuar se në nivelin lokal, qytetarët e shohin çdo ditë se si funksionojnë institucionet dhe sa përgjegjësi tregojnë ato.

    Sipas saj, komunat janë edhe urë lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të nivelit qendror.

    Presidentja Shiroka Pula i ka siguruar kryetarët e komunave se brenda kompetencave të saj, do t’i mbështes ata.

    Ajo është zotuar se në takimet e saj me përfaqësues të shteteve të tjera, institucione ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë, do ta prezantojë potencialin e komunave tona dhe se do të angazhohet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për mundësi të reja të financimit të projekteve nga donatorët ndërkombëtarë, njoftoi Zyra e Presidentes.

  • Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe dy nisma për marrëveshje financiare

    Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe dy nisma për marrëveshje financiare

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me sektorin e energjisë, efiçiencën e energjisë dhe trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, i cili përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), organizimin dhe financimin e saj, si dhe mbikëqyrjen e funksionimit të tregjeve të energjisë.

    Projektligji parasheh gjithashtu rregullat për dhënien e lejeve dhe certifikimin në sektorin e energjisë, miratimin e tarifave dhe metodologjive tarifore, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit përkatës.

    Po ashtu, Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, në cilësinë e administratorëve të Komisionit Evropian, për Projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

    Në kuadër të kësaj mbledhjeje, është miratuar edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e Projektit të Ndërtimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë.

    Këto vendime synojnë avancimin e kuadrit ligjor në sektorin e energjisë, mbështetjen e efiçiencës energjetike dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të zeza në kryeqytet.

  • Një 22-vjeçar humb jetën në aksident me motoçikletë në Gjonaj të Prizrenit

    Një 22-vjeçar humb jetën në aksident me motoçikletë në Gjonaj të Prizrenit

    Një 22-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me motoçikletë me katër rrota në fshatin Gjonaj të Prizrenit.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, kur viktima, duke drejtuar motoçikletën, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka rënë nga një lartësi, njofton Dukagjini.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Bytyqi bëri të ditur se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur 22-vjeçarin të shtrirë në rrëzë të malit, ndërsa në afërsi të tij është gjetur edhe motoçikleta e dëmtuar.

    Ekipi i Emergjencës, pas ekzaminimit mjekësor, ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima është identifikuar me inicialet A.H.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

  • Ndërpritet mbledhja për vrasjen e Arlinda Zekajt, LVV refuzoi përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në dëshmi

    Ndërpritet mbledhja për vrasjen e Arlinda Zekajt, LVV refuzoi përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në dëshmi

    Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt u ndërpre të premten, pas mospajtimeve për përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve nga të cilat komisioni do të kërkojë dokumente dhe dëshmi. Kryetari i komisionit, Burim Ramadani nga AAK-ja, tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtuan përfshirjen e ZKM-së edhe pas një pauze pesëminutëshe.

    “Për këtë arsye, e ndërpreva mbledhjen. Përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim të vazhdohej mbledhja”, deklaroi Ramadani. Ai bëri të ditur se mbledhja e radhës do të mbahet të hënën dhe i bëri thirrje LVV-së ta rishikojë qëndrimin.

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, tha se Zyra e Kryeministrit nuk ia ka dorëzuar komisionit dy raportet e kërkuara për rastin. Ai kërkoi që komisioni të mund të marrë dokumente dhe prova nga çdo institucion që mund të kontribuojë në zbardhjen e rastit.

    “U bëj thirrje deputetëve të shumicës parlamentare të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë në zbardhjen e të gjithë zinxhirit të dështimeve institucionale që përfundoi me vrasjen e një gruaje”, deklaroi Rrahmani.

    Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, shprehu shqetësim se ndasitë politike po pengojnë punën e komisionit. Ajo tha se plani i veprimit që ka propozuar parasheh shqyrtimin e përgjegjësive nga zyrtarët që e kanë trajtuar rastin deri te drejtuesit institucionalë dhe niveli politik.

    “Është shumë e rëndësishme që Komisioni hetimor i tillë të funksionojë, nuk duhet të politizohet. Një ministër mund të jetë i shkëlqyeshëm në performancë, por nëse ndodh një rast tragjik, nëse nuk ka përgjegjësi penale e ka përgjegjësi morale”, tha Kabashi-Ramaj.

    Në mbledhje, ajo ngriti edhe çështjen e raporteve që komisioni i kishte kërkuar deri të mërkurën, më 4 nëntor, dhe që, sipas saj, ende nuk ishin dorëzuar. Kabashi-Ramaj kërkoi që komisioni të evidentojë zyrtarisht institucionet që nuk kanë raportuar, t’u kërkojë sqarime me shkrim dhe të caktojë një afat të ri, të shkurtër, për dorëzimin e dokumenteve.

  • Alija: Grupi Punues s’do të ketë asnjë efekt në Apel – Ligji për Specialen nuk i liron ish krerët e UÇK-së

    Alija: Grupi Punues s’do të ketë asnjë efekt në Apel – Ligji për Specialen nuk i liron ish krerët e UÇK-së

    Avokati Amer Alija ka thënë se Grupi Punues s’do të ketë asnjë efekt në vendimin në Apel.

    Po ashtu, në emision Compass me Ilir Berishën, ai ka thënë se populli mendon se me Ligjin për Specialen ish krerët e UÇK-së do të lirohen, por që kjo nuk do të ndodhë përmes atij ligji.

    Ai ka theksuar se ligji mund të shpallet antikushtetues nga dhoma kushtetuese në gjykatën speciale.

  • Sopi kritika për Ligjin për Specialen: Është bërë hajgare, jemi në mjegull çka do të bëhet me të

    Sopi kritika për Ligjin për Specialen: Është bërë hajgare, jemi në mjegull çka do të bëhet me të

    Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL e UÇK-së, ka thënë se janë në mjegull sa i përket Ligjit për Specialen, i cili është kthyer në Kuvend me kërkesë të PDK-së.

    Ai ka thënë se nuk kanë asnjë informatë se çka do të bëhet tutje me të.

    Po ashtu, ai theksoi se është bërë hajgare me këtë ligj.

  • Komuna e Prishtinës arrin marrëveshje me punëtorët teknikë, greva pritet të përfundojë javën e ardhshme

    Komuna e Prishtinës arrin marrëveshje me punëtorët teknikë, greva pritet të përfundojë javën e ardhshme

    Kryeqyteti ka arritur marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve teknikë që kanë qenë në grevë, ndërsa rikthimi i tyre në punë pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.

    Përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe prindërve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se veprimet e nevojshme administrative janë ndërmarrë dhe se pagesat e para për punëtorët janë realizuar të enjten.

    “Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën”, thuhet në njoftimin e Komunës.

    Ndërkohë, deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohet nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

    “Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja ‘Pastrimi’”, thuhet në njoftim.

    Komuna ka bërë të ditur se Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Po ashtu, në njoftim theksohet se shqetësimet e prindërve për higjienën në shkolla janë edhe shqetësime të institucioneve komunale.

    “Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.

    Në fund, Komuna ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate.