ATV

Author: B G

  • Nata e shtatë e protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    Nata e shtatë e protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    Për të shtatën ditë po vazhdon protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt. Protestuesit kanë nisur protestën fillimisht para objektit të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, raporton Ekonomia Online.

    Pas qëndrimit para Qeverisë, protesta pritet të vazhdojë drejt institucioneve të tjera, me kërkesë për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

    Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi paralajmëroi me letër institucionet se jeta e saj është në rrezik. Vrasja ndodhi pasi u kthye nga Policia ku e paraqiti ish-bashkëshortin për kanosje.

    Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve.

    Protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave të trajtohet si çështje urgjente kombëtare. Ata kanë kërkuar ndjekje penale të prokurorëve e gjyqtarëve që janë marrë me rastin e saj.

    Kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi refuzuan dorëheqjen. E dorëheqje i është kërkuar edhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

  • Familja e Adem Ademit: Babai ynë do të prehet në paqe me nderimin dhe dinjitetin që i takon

    Familja e Adem Ademit: Babai ynë do të prehet në paqe me nderimin dhe dinjitetin që i takon

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka informuar se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

    Me këtë rast, familjarët e Dr. Adem Ademit thanë se ky lajm shënon një moment shumë të rëndësishëm për ta, pas 27 vitesh pritjeje.

    “Pas 27 vitesh pritjeje, sot morëm lajmin që familja jonë e priste me aq shumë shpresë. Sot, nga institucionet tona, u informuam se nga laboratori në Hagë kanë ardhur rezultatet e analizave të ADN-së, përmes të cilave është bërë identifikimi i babait tonë, familjarit tonë të dashur, Dr. Adem Ademi”.

    “Ky lajm, pas gati tri dekadash pasigurie, pritjeje dhe kërkimi të së vërtetës, shënon një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për familjen tonë. Ai përbën një hap drejt përmbylljës së një pritjeje të gjatë dhe mundësisë që babit tonë t’i japim lamtumirën dhe nderimin që meriton”, u shpreh Erblin Ademi, i biri i Adem Ademit.

    Me këtë rast, Erblini shprehu mirënjohje e thellë “për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për secilin zyrtar, hetues, ekspert të mjekësisë ligjore dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite dhe se fundi për punën në zbardhjen e fatit të babait tonë”.

    “Dr. Adem Ademi do të përcillet dhe do të prehet në paqe me nderimin dhe dinjitetin që i takon, për jetën që jetoi, përkushtimin e tij si mjek dhe kirurg, për jetët që shpëtoi dhe për kontributin që dha për njerëzit dhe shoqërinë”, tha i biri i Adem Ademit, në emër të familjes.

    Për datën dhe kohën e varrimit, si dhe për hapjen e të pames, Erblin Ademi tha se opinioni do të njoftohet me kohë, në ditët në vijim.

    Në fund, ai falënderoi “nga zemra të gjithë ju që na keni qëndruar pranë, që keni shprehur solidaritet dhe mbështetje për familjen tonë në këto ditë të rëndësishme dhe të vështira”.

  • Zhvarrimet në Kalludër e Jabukë, raporte të reja vijnë nga Haga, identifikohen Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti

    Zhvarrimet në Kalludër e Jabukë, raporte të reja vijnë nga Haga, identifikohen Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar përmes analizave të ADN-së edhe tre anëtarë të Grupit të Intelektualëve, Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti, të cilët u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe u zhdukën me dhunë.

    Kurti njofton se Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare.

    Postimi i plotë:

    Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

    Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

    Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyllë dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit.

  • Ish kryetari i Gjykatës së Apelit: Sveçla e Gërvalla, ose do të japin dorëheqje, ose do të shkarkohen

    Ish kryetari i Gjykatës së Apelit: Sveçla e Gërvalla, ose do të japin dorëheqje, ose do të shkarkohen

    Ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se ministrat Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla kanë përgjegjësi penale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, ka thënë se ata ose do të japin dorëheqje, ose do të shkarkohen nga kryeministri Kurti.

  • Ekipi Medial i Hashim Thaçit rikthen publikimet në profilet zyrtare në Facebook dhe X

    Ekipi Medial i Hashim Thaçit rikthen publikimet në profilet zyrtare në Facebook dhe X

    Ekipi Medial i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se nga sot do të rifillojë publikimet në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale Facebook dhe X.

    Përmes këtyre platformave do të publikohet material arkivor që dokumenton veprimtarinë politike dhe institucionale të Hashim Thaçit gjatë rrugëtimit të tij politik, ushtrimit të funksioneve si Kryeministër, President i Republikës së Kosovës, deri në përfundim të mandatit presidencial në vitin 2020.

    Postimet do të përmbajnë fotografi, video, dokumente dhe materiale të tjera historike, që pasqyrojnë aktivitetet zyrtare, takimet shtetërore dhe ndërkombëtare, fjalimet, deklaratat, vizitat, nismat institucionale dhe momentet e rëndësishme të kësaj periudhe.

    Sipas njoftimit të Ekipit Medial, publikimet do të përqendrohen kryesisht në veprimtarinë e Hashim Thaçit, pa përfshirë komente, interpretime apo qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale politike.

    Profilet zyrtare në Facebook dhe X do të administrohen nga Ekipi Medial i Presidentit Hashim Thaçi, i cili do të jetë përgjegjës për përzgjedhjen, përgatitjen dhe publikimin e materialeve.

    Në njoftim thuhet se këto platforma synojnë të shërbejnë si një arkiv publik për dokumentimin dhe ruajtjen e materialeve që lidhen me një periudhë të rëndësishme të historisë politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës.

  • Ndalohen dy persona në Pejë, dyshohen se grabitën një shtetase të huaj

    Ndalohen dy persona në Pejë, dyshohen se grabitën një shtetase të huaj

    Organet e hetuesisë ndaluan të hënën dy persona në Pejë, nën dyshimin se kryen veprën penale të grabitjes.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Dy persona janë ndaluar me urdhër të u.d Kryeprokurores për veprën penale ‘Grabitja’. Të njëjtit dyshohen se mbrëmë kanë grabitur një shtetase të huaj”, tha ai.

  • Rasti tragjik në Gjilan: 1 muaj paraburgim për kryefamiljarin, gjykata zbulon si ndodhi gjithçka

    Rasti tragjik në Gjilan: 1 muaj paraburgim për kryefamiljarin, gjykata zbulon si ndodhi gjithçka

    Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji të pandehurit B. D. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi të armës. 

    Në kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit është pretenduar se i pandehuri B. D. me datë 1 nëntor 2026, në periudhën kohore pas orës 00:27 e deri në orët e mëngjesit, në shtëpinë e tij në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, pas një konflikti  fizik me djalin e tij e privon nga jeta A. D., ndërsa më parë edhe fëmija D. D., është gjetur e pa jetë dhe me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit A. D., ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj tani i ndjeri A., ashtu që nga veprimet e të njëjtëve janë privuar nga jeta dy anëtar të familjes së tyre. 

    Më këto veprime i pandehuri B. D. dyshohet të ketë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, se po të lihej i lirë, i pandehuri, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit pasojave për veprimet e ndërmarra, do të mund të ndikojë në dëshmitarët e tjerë.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

  • Bajrami: Nga viti 2021 deri më sot, çmimet janë rritur rreth 34 për qind

    Bajrami: Nga viti 2021 deri më sot, çmimet janë rritur rreth 34 për qind

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se çmimet në Kosovë janë rritur rreth 34 për qind nga viti 2021 deri më sot, duke theksuar se rritja nominale e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor nuk pasqyron domosdoshmërisht përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

    Përmes një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Bajrami ka thënë se qytetarët sot mund të marrin më shumë euro, por me to blejnë më pak sesa në vitin 2021.

    “Rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e tregojnë realitetin ekonomik. Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo ka theksuar se rritja e shifrave në letër nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të mirëqenies së qytetarëve.

    “Rritja e shifrave në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e mirëqenies së qytetarëve. Fundja, sikur të kishte mirëqenie, nuk e kishin lëshuar vendin rreth 250 mijë qytetarë nga viti 2021”, ka deklaruar Bajrami.

  • Buxheti 2027, investimet kapitale për herë të parë shënojnë rritje mbi 1 miliard euro

    Buxheti 2027, investimet kapitale për herë të parë shënojnë rritje mbi 1 miliard euro

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se investimet kapitale për vitin e ardhshëm do të arrijnë një miliard e shtatëdhjetë milionë euro.

    Ai këto komente i bëri sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në të cilin u miratua projektbuxheti për vitin 2027 në vlerë 4.27 miliardë eurosh, ku prej tyre 908 milionë do të ndahen për komunat.

    “Investimet kapitale për herë të parë do të shënojnë rritje mbi 1 miliardë euro në buxhet, konkretisht 1 miliardë e 70 milionë euro që përbën një rritje prej 7.2 për qind apo 8 për qind e bruto produktit vendor”, tha Murati.

    Murati theksoi se prioritet i qeverisë në buxhetin për vitin 2027 janë sektori i shëndetësisë, sigurisë, infrastrukturës dhe i të bërit biznes.

    “Në përgjithësi, përveç aktiviteteve të rregullta, prioritet në buxhetim ishin sektorët në mbrojtjen e sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës por edhe klimës së të bërit biznes. Sa i përket deficitit buxhetor për vitin 2027, pritet të jetë 622 milionë euro në përputhje me rregullën fiskale”, tha Murati.

    Ndryshe, projektbuxheti 2027 është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për 2026 dhe 300 milionë më i lartë se sa buxheti bazë i vitit 2026. Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat, teksa shtesat për fëmijë do të rriten 25 për qind, ndërsa bruto produkti pritet të arrijë në 13.4 milionë euro.

    Pas miratimit, projektligji duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

  • “Dh’unuesit e grave në burg”, vazhdon protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt

    “Dh’unuesit e grave në burg”, vazhdon protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Për të gjashtën ditë me radhë por protestohet në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

    Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me kërkesën për drejtësi për gratë e vrara dhe siguri për gratë që vazhdojnë të përballen me dhunë.

    Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë përsëritur thirrjet kundër dhunës ndaj grave dhe institucioneve që, sipas tyre, nuk po arrij

     “Drejtësi për gratë e vrara, siguri për gratë e gjalla” dhe “Dhunuesit e grave në burg”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës së sotme.

    Në duar, protestuesit kanë mbajtur edhe pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta për institucionet, si “Poshtë sistemi patriarkal”, “Me Arlindën përfundon” dhe “Sytë e saj do t’ju ndjekin, lotët e saj do t’ju djegin!”.

    Më pas protestuesit kanë protestuar edhe objektit të Qeverisë teksa kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn.

    Këto protesta janë vazhdim i mobilizimit qytetar që nisi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

    Që nga ajo kohë, protestuesit kanë dalë çdo ditë në rrugë, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës në familje dhe denoncimet e grave që kërkojnë mbrojtje.