ATV

Author: B G

  • Bastisje në Gjakovë, ja çka gjeti policia në banesën e një 22-vjeçari

    Bastisje në Gjakovë, ja çka gjeti policia në banesën e një 22-vjeçari

    Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi një kilogram substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, një sasi marihuane dhe një armë automatike gjatë një bastisjeje në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar më 27 tetor 2026 nga hetuesit policorë të Sektorit Rajonal për Trafikim me Narkotikë, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë.

    Gjatë bastisjes, në cilësi të provave janë gjetur dhe konfiskuar rreth 1,009.35 gramë kokainë dhe 4.14 gramë marihuanë, si dhe një armë automatike, transmeton Klankosova.tv.

    Policia ka sekuestruar gjithashtu një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm, dy karikatorë me 20 fishekë të kalibrit PPU 32, para të gatshme në valuta të ndryshme, dy telefona të markës iPhone, njëri prej tyre i dëmtuar, një peshore elektrike dhe një fletore me shënime të ndryshme.

    Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin policor të të dyshuarit për 48 orë.

    I dyshuari, mashkull kosovar i lindur në vitin 2004, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare.

  • “Do ta vazhdoni faqebardhë”, Jahjaga i ofron mbështetje presidentes Shiroka-Pula

    “Do ta vazhdoni faqebardhë”, Jahjaga i ofron mbështetje presidentes Shiroka-Pula

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar presidenten Justina Shiroka-Pula, së cilës i ka uruar sukses në detyrën e re.

    Në takim, Jahjaga ishte bashkë me ekipin e Fondacionit Jahjaga.

    Jahjaga ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar presidentes mbështetje personale dhe institucionale në të mirë të përgjithshme.

    “Presidentes Shiroka-Pula i urova për pozitën e re në krye të shtetit, duke u zotuar në mbështetjen time personale por edhe atë institucionale në të mirë të përgjithshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Ish-presidentja e ka cilësuar kënaqësi të veçantë faktin që Presidenca drejtohet sërish nga një grua. Shiroka-Pulën e ka përshkruar si një zonjë me unitet dhe qëndrim për të mirën e vendit.

    “Presidente Shiroka-Pula, ju priftë e mbara në këtë detyrë të shenjtë, jam e bindur që ashtu siç keni hyrë edhe do ta vazhdoni faqebardhë!”, ka shkruar Jahjaga.

  • Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Ambasada Gjermane bën thirrje për veprime konkrete

    Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Ambasada Gjermane bën thirrje për veprime konkrete

    Ambasada Gjermane në Kosovë ka shprehur pikëllimin për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

    Në një deklaratë, ambasada ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e viktimës, duke theksuar se femicidi nuk është një rast i izoluar, por një sfidë serioze shoqërore.

    “Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna, dhe kjo e drejtë duhet të mbrohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.

    Ambasada ka vlerësuar se vrasja e Zekajt është një kujtesë e dhimbshme se femicidi përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave dhe kërkon reagim të vazhdueshëm e të koordinuar.

    “Sigurimi i sigurisë dhe mbrojtjes për gratë në rrezik duhet të mbetet një prioritet i përbashkët, i mbështetur nga masat efektive parandaluese, veprimet institucionale në kohë dhe shërbimet e qasshme të mbështetjes”, thuhet më tej në reagim.

    Ambasada ka rikujtuar se Kosova është palë e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

    Mes tjerash, Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe krijimin e një kulture ku dhuna nuk tolerohet dhe as nuk injorohet.

  • Një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt

    Një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt

    Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.

    Mediat janë lejuar të qëndrojnë në sallën e gjyqit vetëm për pak minuta, ndërsa seanca më pas është mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit, pasi seancat dëgjimore nuk janë të hapura për publikun.

    Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtarja e Procedurës Paraprake, Selvije Morina Zejnaj, e cila ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e kësaj mase.

    Paraburgimi është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga 25 tetori 2026, në orën 20:00, deri më 24 nëntor 2026, në orën 20:00.

    I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, e paraparë me nenin 393, paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas Prokurorisë, Sylaj dyshohet se më 25 tetor, disa orë para vrasjes së Zekajt, nuk e ka respektuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor, i cili e obligonte të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj saj, të mos e pengonte lëvizjen dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte.

    Në kërkesën për paraburgim thuhet se ai dyshohet se e ka kërcënuar Zekajn dhe ia ka marrë rrobat nga rrobalarësja, duke i hedhur në oborrin e shtëpisë.

    Sylaj ishte ndaluar nga Policia pak orë para se Arlinda Zekaj të gjendej pa shenja jete.

    Për vrasjen e saj, i dyshuar është ish-kunati i saj, i cili është në kërkim nga Policia.

  • Maloku kritikon PDK-në e Qeverinë: Ligji për Specialen u shfrytëzua politikisht

    Maloku kritikon PDK-në e Qeverinë: Ligji për Specialen u shfrytëzua politikisht

    Politologu Albinot Maloku, ka thënë se Ligji për Specialen u shfrytëzua politikisht.

    Ai në emisionin Compass të ATV-së, kritikoi edhe PDK-në por edhe Qeverinë për Ligjin për Specialen, derisa ky Ligji është kthyer në Kuvend për rishqyrtim.

    Ai foli për procesin që ligji u bë shumë shpejt dhe nën presion.

  • Ligji për Specialen do të plotësohet apo kthehet në pikën zero? – Juristi tregon hapat

    Ligji për Specialen do të plotësohet apo kthehet në pikën zero? – Juristi tregon hapat

    Juristi Anton Nrecaj ka folur për kthimin në Kuvend nga presidentja të Ligjit për Specialen.

    Ai në emisionin Compass të ATV-së, tha se janë dy mundësi se si të veprohet me këtë ligj.

    Sipas tij, Ligji mund të kthehet në pikën zero, ose të votohet sërish i njëjtë në Kuvend, me 61 vota.

  • Shiroka Pula bashkohet me liderët evropianë në ceremoninë për Revolucionin hungarez

    Shiroka Pula bashkohet me liderët evropianë në ceremoninë për Revolucionin hungarez

    Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në seancën solemne të Parlamentit të Hungarisë, të organizuar me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit hungarez të vitit 1956.

    Siç bën të ditur Presidenca, në ceremoninë solemne morën pjesë udhëheqës shtetërorë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane e ndërkombëtare, të cilët nderuan kujtimin e kryengritjes së popullit hungarez kundër regjimit komunist dhe ndërhyrjes sovjetike.

    Gjatë kësaj ngjarjeje u përkujtuan sakrifica dhe qëndresa e qytetarëve hungarezë, të cilët u ngritën në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të tyre.

    Në fjalimet e mbajtura në seancën solemne, presidenti i Hungarisë, András Baka, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, si dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nderuan sakrificën e popullit hungarez dhe theksuan rëndësinë e vlerave evropiane, demokracisë dhe solidaritetit.

  • Bashkimi Evropian: Mirëpresim vendimin e presidentes për të kthyer në rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Bashkimi Evropian: Mirëpresim vendimin e presidentes për të kthyer në rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Bashkimi Evropian ka deklaruar se e mirëpret vendimin e presidentes, Justina Shiroka Pula, për ta kthyer në rishqyrtim ligjin, për ndryshimin dhe plotësimin Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    “BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj të thellë në lidhje me iniciativën për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si para ashtu edhe pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor 2026. Në frymën e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentit të Kosovës, i cili përcakton modalitetet për konsultimin me BE-në para ndryshimit të legjislacionit, ne presim që Bashkimi Evropian të konsultohet nëse diskutimet rifillojnë në Asamble. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, duke përfshirë ato të viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi të madhe” thuhet në komunikatë.

    Sipas BE-së, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, bazuar në një Marrëveshje të Posaçme me BE-në, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe që është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës.

    “Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa rezerva.

    BE-ja qëndron në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e prekura nga mizoritë e kohës së luftës” thuhet në deklaratën zyrtare të Bashkimit Evropian.

  • Ndahet nga jeta në moshë të re artistja Rinesancë

    Ndahet nga jeta në moshë të re artistja Rinesancë

    Artistja kosovare Rinesancë është ndarë nga jeta në moshë të re.

    Lajmin e kanë bërë të ditur sot familjarët e saj.

  • Çitaku: Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë, PDK nuk është tërhequr

    Çitaku: Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë, PDK nuk është tërhequr

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Ligji për Gjykatën Speciale do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh, duke u zotuar se do të punohet për hyrjen e tij në fuqi brenda afateve të parashikuara.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka deklaruar se kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk nënkupton tërheqje nga nisma dhe as ndryshim të qëndrimit të partisë.

    “Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë!”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo ka bërë të ditur se katër javët shtesë janë dhënë me qëllim të adresimit të pikëpyetjeve të ngritura, forcimit të bazës juridike të ligjit dhe sigurimit të zbatimit të tij në praktikë.

    “Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam”, ka shkruar ajo.

    Çitaku ka theksuar se PDK-ja është e bashkuar dhe e vendosur për jetësimin e ligjit, ndërsa u është drejtuar edhe qytetarëve që protestuan dhe mbështetësve të kësaj nisme.

    “Zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka përfunduar Çitaku në postimin e saj.