ATV

Author: B G

  • Ligji për Specialen, Mustafa: Për herë të parë, Kuvendi është ngritur në këmbë nën thirrjen e UÇK-së

    Ligji për Specialen, Mustafa: Për herë të parë, Kuvendi është ngritur në këmbë nën thirrjen e UÇK-së

    Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka thënë se me Ligjin për Specialen, për herë të parë Kuvendi i Kosovës u ngrit në këmbë nën thirrjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai në emisionin Context me Leart Hoxhën, tha se për të efektet e ligjit kanë përfunduar atë natë.

    Po ashtu, ai shtoi se se strategjia për apelin në UÇK ka ardhur në bashkëpunim me VV-në.

  • Çitaku: Grupi Punues dëshmon unitet dhe vendosmëri për mbrojtjen e UÇK-së, çlirimtarët do ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit në apel

    Çitaku: Grupi Punues dëshmon unitet dhe vendosmëri për mbrojtjen e UÇK-së, çlirimtarët do ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit në apel

    Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Çitaku, e cila është edhe anëtare e këtij grupi, ka thënë se pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare dëshmon një vetëdije të përbashkët politike, qytetare, shtetërore dhe kombëtare për rëndësinë e kësaj çështjeje.

    Sipas saj, në frymën e Deklaratës së Kuvendit të 28 shtatorit, në mbledhje janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.

    “Qëllimi ynë është që çlirimtarët tanë ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo ka bërë të ditur se, krahas hartimit të strategjisë, po vazhdon edhe angazhimi për ligjin që synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve të UÇK-së.

    Duke theksuar se “UÇK-ja na bashkon”, Çitaku ka vlerësuar se mbrojtja e së vërtetës së luftës çlirimtare, e vlerave dhe e trashëgimisë së UÇK-së është përgjegjësi që tejkalon dallimet partiake.

    Ajo ka theksuar nevojën për angazhim të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, të cilin e ka cilësuar të padrejtë, dhe për t’u siguruar çlirimtarëve të gjitha mjetet dhe garancitë juridike në procesin e apelit.

    “Në asnjë ditë dhe në asnjë moment, çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm!”, ka përfunduar Çitaku.

  • Aleanca i bashkohet thirrjes për dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës

    Aleanca i bashkohet thirrjes për dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës

    Aleanca ka njoftuar se u është bashkuar thirrjeve për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Këto thirrje janë përsëritur vazhdimisht sonte gjatë protestës në Prishtinë, në të cilën është kërkuar drejtësi për rastin e Arlinda Zekajt.

    Aleanca e ka cilësuar si të dështuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

    Dhe, sipas kësaj partie, adresa e dështimit të kësaj strategjie është Ministria e Drejtësisë.

    “Aleanca i bashkohet kërkesës së grave të Kosovës për dorëheqjen e ministres Gërvalla. Aleanca po ashtu kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për menaxhim fatal të rastit të Arlinda Zekaj. Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave duhet të ndryshohet me urgjencë dhe në tërësi. Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Përgjegjësia nuk mund të përfundojë vetëm te zyrtarët e nivelit të ulët në polici apo prokurori. Është e papranueshme që të shkarkohen vetëm vartësit, ndërsa përgjegjësit politikë të vazhdojnë të bëjnë sehir, duke mbrojtur një strategji që ka dështuar. Përgjegjësia duhet të nisë nga lart.”, thuhet në njoftimin e Aleancës. 

  • Një muaj paraburgim ndaj Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Një muaj paraburgim ndaj Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar një muaj paraburgim Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt.

    Sylaj dyshohet se e vrau me sëpatë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn.

    “Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharrahaxhiu, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj të pandehurit A.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, në përputhje me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).

    Masa e paraburgimit llogaritet nga data 27.10.2026, në ora 23:40, deri me 27.11.2026”, thuhet në njoftim.

    Ai u arrestua të martën mbrëma në Deçan, ndërsa sot është mbajtur seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

  • “Arlinda u vra me dorën e shtetit”, Haxhiu: Duhen dorëheqje nga qeveria e policia

    “Arlinda u vra me dorën e shtetit”, Haxhiu: Duhen dorëheqje nga qeveria e policia

    Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka thënë se Arlinda Zekaj u vra me dorën e shtetit.

    Ajo në një intervistë në emisionin Compass më Ilir Berishën, tha se ultimatumi i Kurtit për ministrat është një lojë fjalësh.

    Haxhiu bëri thirrje që të ketë dorëheqje nga të gjitha instancat që janë të përfshira në rast, polici, prokurori por edhe në qeveri.

    Sipas saj, çdo vonesë është vrasje për së dyti e Arlindës.

  • Hasani: Rikthimi i ligjit në Kuvend e ka stërkeq rolin e Kosovës si shtet sovran

    Hasani: Rikthimi i ligjit në Kuvend e ka stërkeq rolin e Kosovës si shtet sovran

    Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar kthimin e Ligjit për Specialen sërish në Kuvend.

    Ai në një intervistë për emisionin Context me Leart Hoxhën, ka thënë se kthimi i ligjit e ka stërkequr rolin e Kosovës si shtet sovran.

    “Dërgimi në Kuvend e ka rikthyer në zero debatin, e ka stërkequr debatin për rolin e Kosovës si shtet sovran në ridefinimin e kompetencave, në kontrollimin, përmirësimin e cilësisë së gjykimit që është sot në Hagë dhe në të ardhmen”, ka thënë Hasani.

  • Aksident në Gjakovë, pesë të lënduar – një grua dhe një fëmijë në gjendje të rëndë

    Aksident në Gjakovë, pesë të lënduar – një grua dhe një fëmijë në gjendje të rëndë

    Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në fshatin Zhur të Gjakovës.

    Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, të lënduarit janë paraqitur në Emergjencën e spitalit rreth orës 17:30.

    Dy prej tyre, një grua dhe një fëmijë, kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

    Ndërkaq, tre personat e tjerë janë duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës. Dy prej tyre janë pranuar në Repartin e Ortopedisë, ndërsa një në Repartin e Kirurgjisë.

    Sipas spitalit, gjendja e përgjithshme e tre pacientëve që po trajtohen në Gjakovë është stabile.

  • Kurti mbledh ministrat nesër me mëngjes

    Kurti mbledh ministrat nesër me mëngjes

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se nesër do të mbahet mbledhja e radhës e kabinetit qeveritar.

    Në një njoftim për media, ZKM ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti me ministra do të mblidhen nga ora 08:00, transmeton Klankosova.tv

     Akoma nuk dihet se çka do të shqyrtohet në këtë mbledhje.

    Kujtojmë se ditëve të fundit ka pasur shumë kërkesa për dorëheqje të dy ministrave, atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvallës, që udhëheq dikasterin e Drejtësisë, pas dyshimeve për dështim në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj.

  • AIP kërkon mbrojtjen e fëmijës së Arlindës: Mjegulloni fytyrën dhe rishikoni pamjet e publikuara

    AIP kërkon mbrojtjen e fëmijës së Arlindës: Mjegulloni fytyrën dhe rishikoni pamjet e publikuara

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe platformave online që, gjatë raportimit për rastin e vrasjes së ditëve të fundit, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fëmijës së mitur të viktimës.

    “Agjencia ka vërejtur se disa media kanë publikuar pamje nga varrimi i të ndjerës, në të cilat fëmija shihet qartë dhe mund të identifikohet. Fytyra e një personi është e dhënë personale, ndërsa kur bëhet fjalë për fëmijë, ajo gëzon mbrojtje të shtuar sipas ligjit. Agjencia fton mediat që të zbatojnë parimin e minimizimit të të dhënave, duke mjegulluar fytyrën e fëmijës dhe duke mos publikuar detaje që mund të çojnë në identifikimin e tij, si dhe t’i rishikojnë materialet e publikuara tashmë” – kanë shkruar ata.

    Gjithashtu, Agjencia u ka kujtuar mediave detyrimin për respektimin e Kodit të Etikës të KMShK-së dhe Kodit të Sjelljes të KPM-së, të cilët kërkojnë kujdes të veçantë në raportimin për fëmijët dhe viktimat e dhunës.

    Gjithashtu, ata vlerësuan rolin e mediave në informimin e publikut dhe në ngritjen e vetëdijes për dhunën në familje.

    Megjithatë, liria e shprehjes dhe e drejta e publikut për t’u informuar duhet të ushtrohen pa i cenuar të drejtat e fëmijëve, të cilët janë ndër më të prekurit në rastet e tilla dhe thanë se Agjencia e Informimit do të vazhdojë ta përcjellë raportimin për këtë rast dhe, sipas nevojës, do të veprojë në kuadër të kompetencave të saj ligjore.

  • Gjini njofton themelimin e shkollës politike të Aleancës

    Gjini njofton themelimin e shkollës politike të Aleancës

    Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka njoftuar se kjo parti ka themeluar shkollën politike, për të cilën tha se do të jetë nga nga nismat e subjektit politik që do t’i fuqizojë duke krijuar një hapësirë për edukimin politik të gjeneratave të reja dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm.

    Kjo shkollë politike do të udhëhiqet nga nënkryetari i parë i Aleancës, Besnik Tahiri.

     “Sa i përket zhvillimeve të fundit politike në vend, analizuam me kujdes situatën aktuale dhe ritheksuam se do të vazhdojmë të jemi opozitë qendrore për këtë pushtet, duke mbrojtur me ngulm interesat e qytetarëve dhe shtetit tonë”.

    “Në këtë kuadër, përsëritëm shqetësimin tonë të thellë për gjendjen e rënduar energjetike në vend, ku vetëm gjatë muajit shtator Kosova ka importuar 27 milionë euro rrymë, duke kapur një shifër alarmante prej mbi 1 miliard eurosh të shpenzuara për import për më pak se gjashtë vjet. Për të kërkuar llogari direkte për këtë keqmenaxhim, Grupi Parlamentar i Aleancës do të thërrasë interpelancë në Kuvend”, ka shkruar Gjini në Facebook.