ATV

Author: B G

  • Presidentja Shiroka-Pula pranon Raportin e Progresit nga ambasadori i BE’së, zotohet për avancim të reformave

    Presidentja Shiroka-Pula pranon Raportin e Progresit nga ambasadori i BE’së, zotohet për avancim të reformave

    Presidentja Justina Shiroka-Pula ka pranuar Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Kosovën nga ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Dirk Schuebel, të cilin e priti në takim.

    Në njoftim Presidenca tha se Shiroka-Pula theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e reformave.

    “Ajo theksoi se Kosova është vend proeuropian dhe se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet synim strategjik i Republikës së Kosovës dhe se institucionet e vendit janë të përkushtuara për avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve dhe përmbushjen e standardeve europiane”, thuhet në njoftim.

    Presidenca tha se ambasadori Schuebel e përgëzoi Presidenten Shiroka-Pula për qasjen e saj “konstruktive dhe përpjekjet për të kontribuar për frymën e bashkëpunimit dhe unitetit në skenën politike të Kosovës”.

    Shiroka-Pula vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Europian për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me BE-në në avancimin e agjendës europiane të vendit.

  • Kos: BE-ja po dialogon me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Specialen

    Kos: BE-ja po dialogon me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Specialen

    Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se janë në dialog me Qeverinë e Kosovës sa i përket amendamenteve për Ligjin për Gjykatën Speciale.

    Derisa ka folur për përparimin e vendit në reforma, ka thënë se ky proces mund të minohet për shkak të këtyre amendamenteve.

    “Tash me qeverinë e re, shpresoj që shteti ta ketë mundësinë të ecë para. Amendamentet në Ligjin për Specialen rrezikojnë ta minojnë çdo përparim, por tashmë jemi në dialog sa i përket këtyre amendamenteve me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo.

    Duke folur për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, ajo ka thënë se hapi i radhës është që 27 shtetet anëtare të pajtohen që t’i kërkojnë Komisionit Evropian të përgatisin opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim. 

    “Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Por për t’i bindur shtetet anëtare, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme, siç i ka tash, dhe përparim në reforma dhe sa më i fortë përparimi në reforma edhe më i fuqishëm do të jetë rasti i Kosovë për të ecur përpara”, ka thënë ajo.

  • Kuvendi mblidhet të enjten, në shqyrtim tri projektligje

    Kuvendi mblidhet të enjten, në shqyrtim tri projektligje

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 5 nëntor, duke filluar nga ora 12:00.

    Në rendin e ditës janë paraparë disa pika, përfshirë shqyrtimin e parë të tri projektligjeve që lidhen me menaxhimin e emergjencave, regjistrimin e bujqësisë dhe inspektoratin e bujqësisë, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe pylltarisë.

    Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të komisioneve për Legjislaturën XI.

    Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

    Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

  • Eksperti i sigurisë: S’duhet të diskutohen uniformat në vitin 2026 – duhen paga të dinjitetshme për policët

    Eksperti i sigurisë: S’duhet të diskutohen uniformat në vitin 2026 – duhen paga të dinjitetshme për policët

    Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se policëve të Kosovës u nevojiten paga të dinjitetshme, që të mos jenë të detyruar të shikojnë për një punë të dytë, për ta mbajtur familjen.

    Ai në një intervistë në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se nuk do të duhej që në vitin 2026 të diskutohet për veshje, uniforma e pajisje të policisë.

  • Ish hetuesi: Ka raste që policët s’kanë uniformë për stinë të caktuar, i ngjyrosin me buxhet personal

    Ish hetuesi: Ka raste që policët s’kanë uniformë për stinë të caktuar, i ngjyrosin me buxhet personal

    Ish hetuesi policor, avokati Halit Shaljani, ka folur për kushtet në Policinë e Kosovës, teksa së fundi pati mungesë të kapelave për çka u shty dhe diplomimi i gjeneratës së 63-të.

    Ai në një intervistë në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se ka raste kur policët nuk kanë uniforma për stinë të caktuar dhe detyrohen t’i ngjyrosin ato, me buxhet personal.

  • Kandidat shqiptar për asamblenë e New Yorkut: Besoj që do të dalim fitues

    Kandidat shqiptar për asamblenë e New Yorkut: Besoj që do të dalim fitues

    Kandidat shqiptar për asamblenë ë New Yorkut, Shpëtim Qorraj, ka thënë se presin që të ndalin fitues në zgjedhjet që po mbahen në SHBA.

    Ai në një intervistë në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se po prijnë, teksa tregoi angazhimet e tij që pritet t’i ketë në favor të shqiptarëve.

    Po ashtu, ai foli edhe për kundërkandidatin e tij shqiptar, teksa tha se janë vëllezër.

  • Shiroka-Pula në Darkën e Lamës: Le ta mbajmë gjallë traditën dhe vlerat që ajo përfaqëson

    Shiroka-Pula në Darkën e Lamës: Le ta mbajmë gjallë traditën dhe vlerat që ajo përfaqëson

    Nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është mbajtur festa tradicionale “Darka e Lamës”, ku është vënë në pah rëndësia e ruajtjes së kësaj tradite dhe vlerave që ajo përfaqëson.

    Në fjalën e saj para të pranishmëve, Shiroka-Pula ka thënë se Darka e Lamës është një traditë që lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun.

    Ajo ka rikujtuar se në traditën shqiptare, përfundimi i të korrave dhe mbledhja e bereqetit shënonin një moment të veçantë, kur familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës.

    “Darka e Lamës është një traditë që lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun. Pas muajve të punës në ara, familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës”, ka thënë ajo.

    Presidentja ka theksuar se bereqeti nuk përfaqëson vetëm frytet e tokës dhe mundin e bujkut, por edhe solidaritetin ndërmjet njerëzve.

    “Bereqeti nuk është vetëm fryt i tokës dhe i mundit të bujkut, ai është edhe solidariteti ndërmjet njerëzve dhe zemra e hapur e shtëpisë”, ka deklaruar Shiroka-Pula.

    Ajo ka folur edhe për rëndësinë e mikpritjes në traditën shqiptare, duke thënë se tryeza e shtruar dhe buka e ndarë me të tjerët janë shprehje e respektit dhe besimit.

    “Në traditën shqiptare, shtëpia e të zotit është edhe shtëpia e mikut. Prandaj, tryeza e shtruar është shprehje e mikpritjes, ndërsa buka e ndarë me të tjerët dëshmon respektin dhe besimin ndaj njeriut. Pikërisht këtë vlerë e ruan Darka e Lamës”, ka thënë ajo.

    Shiroka-Pula ka përmendur edhe vitin 2002, kur presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova e kishte shndërruar këtë traditë në nivel institucional.

    Sipas saj, Darka e Lamës është simbol i falënderimit për tokën e Kosovës dhe njerëzit e saj.

    Presidentja ka bërë thirrje për ruajtjen dhe vazhdimin e kësaj tradite.

    “Le ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson: mirënjohjen, solidaritetin, mikpritjen dhe respektin për punën e njerëzve tanë”, shtoi Shiroka-Pula.

  • OVL-UÇK thërret për nesër konferencë për media, s’dihet arsyeja

    OVL-UÇK thërret për nesër konferencë për media, s’dihet arsyeja

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thirrur një konferencë për media, e cila do të mbahet nesër.

    Kjo konferencë është paralajmëruar të mbahet nga ora 12:00.

    Në njoftimin e kësaj organizate, nuk është bërë e ditur arsyeja e mbajtjes së kësaj konference.

    “Të nderuar përfaqësues të mediave, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ju fton në një konferencë për media, që do të mbahet nesër (e mërkurë) me datë 04.11.2026 në ora 12:00, në zyret e OVL UÇK-së. Me respekt, OVL UÇK”,

  • Rama ironizon VV-në: Hajde ta bëjmë Sallën Koncertale, projekti është gati

    Rama ironizon VV-në: Hajde ta bëjmë Sallën Koncertale, projekti është gati

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse Ministria e Kulturës, e drejtuar nga kjo parti, është e gatshme ta nënshkruajë projektin për Sallën Koncertale.

    “Vetëvendosje paska thanë se ka dashni për Prishtinën! Mirë! Hajde ta bojmë SALLËN KONCERTALE. Projekti është gati. UNDP-ja është e gatshme me na ndihmu! Ka mbetë veç një nënshkrim, ai i ministres së Kulturës. Hajde t’ua japim artistëve një skenë të dinjitetshme në zemër të Prishtinës. Urdhnoni”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Aleanca: Mbi 1 miliard euro të qytetarëve kanë shkuar për import të rrymës, duhet hetim urgjent për mafinë energjetike

    Aleanca: Mbi 1 miliard euro të qytetarëve kanë shkuar për import të rrymës, duhet hetim urgjent për mafinë energjetike

    Aleanca ka publikuar një video-grafikë për të shpjeguar, siç thonë “pasqyrën e dështimit dhe keqmenaxhimit të skajshëm” të sektorit të energjisë elektrike.

    “Mbi 1 MILIARD EURO të qytetarëve të Kosovës kanë shkuar për import të energjisë elektrike!”, shkruan partia opozitare në një postim në Facebook.

    “Kjo është pasqyra më e qartë e dështimit dhe keqmenaxhimit të skajshëm të këtij sektori. Në vend të rritjes së kapaciteteve prodhuese vendore, kemi parë vetëm rritje të varësisë nga importi dhe rritje të enorme të çmimeve të faturave mbi supet e familjeve tona”, thuhet në postim.

    Aleanca tha se paratë e qytetarëve “po avullohen në import”, ndaj kërkoi hetim urgjent. Shtoi se për këtë arsye Aleanca ka thirrur edhe interpelancë në Kuvend.

    “Paratë tona po avullohen në import, prandaj duhet të hetohet urgjentisht çdo cent që është keqpërdorur nga mafia energjetike. Kjo është arsyeja pse Aleanca ka ftuar interpelancë në Kuvend. Duhet të zbardhet kjo skemë e organizuar dhe të ndalet ky degradim!”, thuhet në postim.