ATV

Author: B G

  • Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën me demokratët në krye të Kongresit?

    Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën me demokratët në krye të Kongresit?

    Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ndryshuan raportin e forcave në Kongres, një zhvillim që mund të ndikojë edhe në politikën e jashtme amerikane. Por, çfarë konkretisht mund të ndryshojë në politikën e Uashingtonit ndaj Kosovës tani që demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave – Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve?

    Ekspertë amerikanë thonë për Radion Evropa e Lirë se kjo përbërje e re mund të sjellë një angazhim më të madh të Kongresit në Ballkanin Perëndimor, por insistojnë se pritshmëritë nuk duhet të jenë shumë të larta.

    Robin Brooks, ish-drejtoreshë për Evropën Qendrore dhe Ballkanin në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, thotë se edhe pse Kosova nuk është në fokusin e përditshëm të shumicës së ligjvënësve amerikanë, ajo mbetet aleate e rëndësishme e Uashingtonit.

    Sipas saj, Kongresi i ri, që nis punën në janar të vitit të ardhshëm, fillimisht do të përqendrohet në çështjet e brendshme, si çmimet e larta, kostoja e barnave dhe karburanteve. Por, vendimet e administratës në politikën e jashtme mund të bëhen gjithashtu objekt shqyrtimi.

    Ajo shpjegon se Kongresi do të mund ta mbajë administratën përgjegjëse nëse veprimet e saj bien ndesh me “ligjet, vlerat dhe normat amerikane”. Kjo, thotë Brooks, mund ta përfshijë edhe mënyrën se si Uashingtoni u kërkon vendeve të tjera, si Kosovës, për bashkëpunim në çështje si dëbimi i personave nga SHBA-ja.

    Edhe pse politika e jashtme mund të zërë pak vend në agjendën e Kongresit, ai mund të ndikojë më drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Si mund të ndikojë ndryshimi në Kongres në raportet Kosovë-Serbi?

    Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins, pret që Kongresi i kontrolluar nga demokratët do të ushtrojë më shumë presion për shqyrtimin e politikës së administratës Trump ndaj Serbisë.

    Sipas Josephit, zhvillimet politike në Serbi mund ta shtojnë këtë vëmendje dhe ta shtyjnë Uashingtonin të kërkojë një angazhim më të madh për stabilizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Në Serbi, fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit i dha fund 14 vjetëve të qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

    Për të përfituar nga këto rrethana, Joseph i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që ta ndryshojë qasjen ndaj komunitetit serb në vend.

    “Kurti ka një mundësi të rrallë për të marrë iniciativën dhe për të propozuar politika të reja që do të përmirësonin marrëdhëniet si me serbët e Kosovës, ashtu edhe me Serbinë. Nga ana tjetër, nëse vazhdon me qasjen aktuale, Kosova do të përballet me presion dhe kritika më të mëdha”, thotë Joseph për REL-in.

    Ndër vite, Kurti është kritikuar vazhdimisht nga SHBA-ja dhe BE-ja për “veprime të njëanshme” në veri, të marra pa koordinim me aleatët perëndimorë, të cilat, sipas tyre, kanë rritur tensionet dhe pasigurinë te serbët e Kosovës.

    Edhe Daniel Fried, ish-ambasador amerikan dhe ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, sheh në njëfarë mase mundësi për “diplomaci më kreative” në rajon, pas ndryshimit të pushtetit në Serbi dhe humbjes së kontrollit republikan në Kongresin amerikan.

    “Nuk do të prisja një nismë të madhe së shpejti”, thotë ai për REL-in, duke shtuar se, megjithatë, mund të ketë bashkëpunim më të ngushtë të SHBA-së me Evropën për ta orientuar Serbinë drejt integrimit evropian.

    Sipas tij, Kosova mund të përpiqet të mos shihet vetëm përmes mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe të forcojë marrëdhëniet e veta me Uashingtonin, por për këtë kërkohet iniciativë nga vetë Kosova.

    “Kosova duhet të mbështetet edhe më shumë te parimet e saj themeluese: demokracia, sundimi i ligjit dhe flamuri i saj (i mrekullueshëm), që e përfaqëson Kosovën si shtet për të gjithë ata që jetojnë në të”, thotë Fried.

    Brooks, ndërkaq, argumenton se Kosova nuk duhet ta lidhë politikën e saj të jashtme vetëm me administratën aktuale amerikane.

    “Përpjekja për t’i bërë qejfin administratës Trump ishte gabim që nga fillimi”, thotë ajo.

    Sipas Brooks, kjo qasje e ka futur Kosovën në iniciativa që nuk i kanë sjellë domosdoshmërisht përfitime afatgjata, si Bordi i Paqes.

    “Kosova duhet të kërkojë të ardhmen e saj evropiane dhe të angazhohet me të dyja partitë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat”, thotë ajo.

    Një prej çështjeve ku ligjvënësit amerikanë mund të ndihmojnë, sipas saj, është bindja e pesë vendeve të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Rumania, Qipro, Sllovakia – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë.

    Se çfarë mund të ndryshojë për Kosovën varet edhe nga hapat që ndërmerr vetë Prishtina, si në marrëdhëniet me serbët e Kosovës, ashtu edhe në afrimin me ligjvënësit e të dyja partive në Uashington.

  • Mbahet akademi përkujtimore në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Kurti: Ende nuk e dimë emrin e vrasësit

    Mbahet akademi përkujtimore në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Kurti: Ende nuk e dimë emrin e vrasësit

    Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, është mbajtur akademi përkujtimore, ku është kujtuar jeta dhe veprimtaria e tij, ndërsa është kërkuar zbardhja e plotë e rrethanave të vdekjes dhe vendosja e drejtësisë.

    Në akademinë përkujtimore ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalën e tij ka rikujtuar rrethanat e arrestimit dhe vdekjes së Deharit, duke theksuar se edhe dhjetë vjet pas rastit nuk ka asnjë person të akuzuar, arrestuar apo dënuar.

    Kurti, në fillim të fjalimit, iu drejtua nënës së Astritit, Xhemile Dehari, dhe babait të tij, Avni Dehari, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e familjes dhe kërkesën e saj të vazhdueshme për drejtësi.

    “Ne ju drejtohemi me nënë, sepse ju jeni nëna e bashkë-aktivistëve tanë më të ndritur e më shembullorë, Astritit dhe Arbnorit. Për ju ne jemi siç ishin ata, me po atë ndjenjë dashurie dhe respekti. Forca juaj e mrekullueshme është simboli i nënës shqiptare nëpër histori. Ju jeni shembulli i gjallë i nënës që mbajti gjallë kombin. Urtësia dhe trimëria juaj veç vlerën e emancipimit ka për krahasim. E ju sot kërkoni vetëm drejtësi. Kjo është vlera e re që duhet ndërtuar”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri tha se Astrit Dehari ishte mbajtur në paraburgim për 68 ditë pa aktakuzë, pa gjykim dhe pa dënim, ndërsa gjatë kësaj periudhe, sipas tij, nuk ishte marrë asnjëherë në pyetje.

    “Astrit Dehari ishte i paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim dhe për 68 ditë në burg nuk u mor fare në pyetje. Megjithëkëto, në qelinë A-3 të burgut të Prizrenit, e mbytën. Mbi Astritin është kryer krim prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur e vranë, këtu e 10 vjet më parë”, tha Kurti.

    Ai rikujtoi se Dehari ishte arrestuar më 29 gusht 2016, duke thënë se arrestimi, mbajtja në paraburgim dhe më pas vdekja e tij kishin shkaktuar tronditje të madhe.

    “Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin më 29 gusht të vitit 2016. Jemi tronditur të gjithë kur e akuzonin pa aktakuzë, kur e mbanin në burg pa e intervistuar, dhe, jemi tronditur shumë, jemi tronditur tepër shumë, kur na thanë se nuk do ta shohim më”, u shpreh ai.

    Kurti kritikoi mënyrën se si ishte trajtuar paraburgimi i Deharit, duke vënë në pah se, sipas tij, mbajtja e një qytetari për 68 ditë në burg pa u intervistuar nuk mund të konsiderohet përpjekje për zbardhjen e së vërtetës.

    “Nëse Astriti do të lihej në liri, ose me detyrim të paraqitej në Polici, atëherë do të mund të mos ngutej prokurori që ta merrte në pyetje. Mirëpo, të mbahet në paraburgim një qytetar i Republikës për 68 ditë pa u intervistuar asnjëherë, e të mos i ngutet fare prokurorit, atëherë kjo është së paku tendencë për izolim, e kurrsesi përpjekje për të vërtetën ose drejtësinë”, deklaroi Kurti.

    Ai theksoi se duhet bërë dallimi ndërmjet vdekjes së një personi që është duke vuajtur dënimin dhe vdekjes së një personi që ndodhet në paraburgim, duke rikujtuar se Astrit Dehari nuk kishte aktakuzë dhe nuk ishte dënuar.

    “Astriti nuk ishte thjesht në burg, Astriti ishte i paraburgosur. Pra, as dënim, as aktakuzë. Është situatë tjetër atëherë kur vdes në burg një person i dënuar e në vuajtje të dënimit. Dhe, është diçka krejtësisht ndryshe atëherë kur vdes dikush në paraburgim. Sepse Astriti në paraburgim jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm”, tha ai.

    Duke folur për ecurinë e rastit, Kurti tha se edhe pas dhjetë vjetësh nuk është zbuluar përgjegjësi për vdekjen e Deharit. Ai përmendi edhe ndërrimin e pesë prokurorëve që janë marrë me rastin, si dhe deklaratat e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë të bëra në orët e para pas vdekjes.

    “Sot, dhjetë vjet më vonë ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit, ndërkohë që pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij u patën nxituar institucionet e sigurisë e drejtësisë të japin konstatime para hetimeve. Sot e asaj dite askush nuk është akuzuar, arrestuar, gjykuar e dënuar për rastin e Astrit Deharit”, deklaroi Kurti.

    Ai rikujtoi deklaratat e atëhershme të kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

    “Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i pari pati thënë që Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet”, tha ai.

    Në fjalën e tij, Kurti iu referua edhe raportit të autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i cili, sipas tij, kishte përcaktuar si shkak të vdekjes asfiksinë mekanike.

    “Në anën tjetër, raporti i autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Prishtinë tha se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, pra bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë, një shishe e plastikës”, theksoi Kurti.

    Ai përmendi edhe testimet për substanca narkotike, kohën që Dehari kishte qëndruar në qeli pasi ishte gjetur i shtrirë dhe raportet e ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Kosova dhe Zvicra.

    “Për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv. Atë ditë, pra më 5 nëntor 2016, Astriti ngelet mbi katër minuta e gjysmë në qeli pasi që e gjejnë të shtrirë aty. Për katër minuta njeriu vdes katër herë! Raporti i autopsisë së ekspertëve të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, si dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, përjashtojnë si mundësi vetëvrasjen e Astritit”, u shpreh ai.

    Kurti tha se rasti përmban, sipas tij, shumë fakte që kërkojnë hetim të mëtejshëm, duke përmendur edhe rrethanat e vdekjes së Naser Makollit, i cili ishte bashkëshort në qelinë me Deharin dhe personi që e kishte gjetur atë pas vdekjes.

    “Pra, sikur mbrojtja e Astritit të mos mjaftonte, shoku i tij i dhomës, i cili e gjeti i pari Astritin, më datën 4 prill të vitit pasues 2017, gjendet i vdekur në qelinë D7 të burgut të Lipjanit. Ai është ankuar për dhembje lukthi, ka humbur shumë në peshë, por në fund ka vdekur nga pëlcitja e aortës. Rrethanat e vdekjes së Naser Makollit, të njeriut i cili tha që ia ka dhënë i pari ndihmën e parë, por më pas dha edhe deklarata kontradiktore se është frikësuar nga marrja në pyetje e policisë, duhet të jenë pjesë e këtij hetimi të pavarur e profesional që drejtësia të vihet në vend”, tha Kurti.

    Në pjesën tjetër të fjalimit, kryeministri foli për rëndësinë e drejtësisë përtej aspektit juridik, duke e cilësuar atë si vlerë themelore për funksionimin e shoqërisë.

    “Drejtësia nuk është vetëm koncept juridik, por vlerë që duhet të mirëmbajë njeriun dhe mbarë shoqërinë. Sepse e kundërta e drejtësisë, padrejtësia, nuk prek vetëm një pjesë të njeriut e as një njeri të vetëm, por ajo prek thelbin tonë si shoqëri”, deklaroi Kurti.

    Ai e përshkroi Astrit Deharin si bir të një familjeje punëtore dhe patriotike, student të shkëlqyer të mjekësisë dhe aktivist të përkushtuar.

    “Sot jemi për përkujtimin e Astritit. Bir i një familjeje punëtore patriotike, bir i një babai që e ka punuar historinë për fëmijët në një shqipe të kulluar e nëpër figura të larta të historisë shqiptare. Astriti u kthye i brymosur me ndjenjën e lirisë së pafundme për vendin e vet, me zellin e përsosmërisë, dhe si i tillë u bë student i shkëlqyer i mjekësisë. Ai u kthye i brymosur me virtytin e thjeshtësisë, dhe si i tillë nuk kishte për të hierarki punësh. Ai ishte aktivisti i plotë”, tha Kurti.

    Sipas tij, humbja e Deharit nuk duhet parë vetëm si një ngjarje e së kaluarës, por si mungesë e përditshme e një njeriu që do të mund të kontribuonte në shoqëri.

    “Drejtësia nuk është vetëm zbulimi i padrejtësisë. Drejtësia, ajo e thella, kërkon me e mat me tërë mendimin dhe ndjenjën mungesën nëpër vite të mjekut vetëmohues që do të ishte Astriti. Largimi i Astritit nuk është një çast, por mungesa e ditëpërditshme e tij mes nesh. Padrejtësia nuk godet vetëm në të tashmen, por në të gjithë të ardhmen që mund të ndërtojnë njerëzit e lartësisë dhe thjeshtësisë së Astrit Deharit”, u shpreh kryeministri.

    Ai shtoi se vendosja e drejtësisë për Astritin do të përbënte edhe një përpjekje për të korrigjuar humbjet që, sipas tij, shoqëria shqiptare ka përjetuar ndër dekada.

    “Nëse ne ia mbërrijmë ta vendosim drejtësinë për Astritin, ne do të kemi korrigjuar shumë humbje që ka pësuar populli ynë nëpër dekada, humbje në njerëzit më të mirë. Vonesa jonë si shoqëri e komb vjen nga fakti se më të mirët janë flijuar për ne, meqë në çdo formë cinike regjimi ka goditur në më të mirën”, deklaroi Kurti.

    Në fund të fjalimit, kryeministri përmendi edhe vajzën e Astrit Deharit, Arsën, e cila nuk pati mundësi ta takonte babanë e saj, ndërsa tha se ajo kishte shkruar një poezi për të.

    “Astriti ka lënë pas një vajzë të mrekullueshme që është sot këtu me ne. Ata nuk e panë njëri-tjetrin, por imagjinata e mrekullueshme e Arsës ka krijuar një poezi mbi imagjinatën e saj për babën e vet, Astritin. Më lejoni ta lexoj”, shtoi Kurti.

    Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, derisa ndodhej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, familja Dehari dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe vendosjen e drejtësisë.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e drejtorit të prokurimit të Policisë së Kosovës

    IPK-ja rekomandon suspendimin e drejtorit të prokurimit të Policisë së Kosovës

    Në njoftim shtohet se, hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar një hetim paraprak ndaj zyrtarit në fjalë  me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.

    ‘’Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    IPK rekomandon suspendimin e Drejtorit të prokurimit  të Policisë së Kosovës

    Prishtinë, 05 nëntor 2026;

    Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të  Drejtorit të prokurimit  të Policisë së Kosovës.

    Hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar një hetim paraprak ndaj zyrtarit në fjalë  me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.

    Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.

    Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të zyrtarit në fjalë deri në përfundimin e hetimit penal.

    IPK në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtyre dyshimeve.

    Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit ligjor, duke trajtuar me prioritet çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, cenim të integritetit institucional dhe shkelje të ligjit nga zyrtarët policorë, pavarësisht pozitës apo funksionit që ushtrojnë.

    Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, IPK në këtë fazë të hetimit nuk mund të ofrojë detaje të tjera lidhur me këtë rast.

  • Pse humbi Trump dhe a do të ndryshojë qëndrimi i tij karshi Evropës? – Flet Akri Çipa

    Pse humbi Trump dhe a do të ndryshojë qëndrimi i tij karshi Evropës? – Flet Akri Çipa

    Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka folur për zgjedhjet e masmandatit në SHBA, teksa tha se rezultati ishte i papritur.

    Ai në një lidhje direkte nga New Yorku, në emisionin Compass me Ilir Berishën, renditi arsyet se pse Trumpi pësoi humbje në Kongres dhe në Senat.

    Po ashtu, ai foli dhe për qëndrimet e Trump ndaj Evropës, që tha se nuk pret se do të ndryshojnë.

  • Hoti: Ndryshimi i Ligjit për Specialen, mund të jetë gur në rrugën drejt integrimit në BE

    Hoti: Ndryshimi i Ligjit për Specialen, mund të jetë gur në rrugën drejt integrimit në BE

    Profesori i shkencave politike, Afrim Hoti, ka dhënë dy vërejtje ndaj institucioneve të Kosovës për procesin në Hagë, për çka ka thënë se kjo do të na hakmerret në aspektin politik.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, ka thënë se ndryshimi i Ligjit për Specialen, mund të jetë gur në rrugën drejt integrimit në BE, siç edhe më herët për vizat na janë vendosur kushte që është dashur të plotësohen.

    “Ne duhet t’i kryejmë detyrat që na përkasin, por ne nuk i kemi kryer dhe po e citoj prapë profesor Stavilecin që thoshte se ‘po sillemi në rreth’”, është shprehur ai.

  • Inspektorati ndalon punimet në dy objekte ndërtimi në Prishtinë dhe Viti

    Inspektorati ndalon punimet në dy objekte ndërtimi në Prishtinë dhe Viti

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy objekte ndërtimi, një në Prishtinë dhe një në Viti, pas konstatimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP).

    Sipas njoftimit, punimet në të dy objektet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.

    Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të garantojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës.

  • Realizohen dy ekstradime, njëri nga Kosova e tjetri për në Kosovë

    Realizohen dy ekstradime, njëri nga Kosova e tjetri për në Kosovë

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses dy ekstradime të dy personave të cilët përmes INTERPOL-it ishin në kërkim ndërkombëtar. 

    Sipas njoftimit nga Policia gjatë ditës së sotme është ekstraduar nga Kosova për në Gjermani, shtetasi i Gjermanisë, D.J.,  pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë Gjermane, i përfshirë në veprat penale të trafikimit me narkotik.

    Po të njëjtën ditë, është ekstraduar nga Italia për në Kosovë, shtetasi i Kosovës B.B.,  pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës,  i përfshirë në veprën penale: Fajde dhe Detyrim.

    Ekstradimet u realizuan falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere.

  • Dialogu në ngërç: Çfarë kartash ka ende BE-ja?

    Dialogu në ngërç: Çfarë kartash ka ende BE-ja?

    Marrëveshje të pazbatuara, dialog i bllokuar politik dhe kritika të reja nga Bashkimi Evropian.

    Në raportet e sivjetme të progresit, Komisioni Evropian kritikon Kosovën dhe Serbinë për mospërmbushjen e obligimeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

    Por, edhe vetë dialogu që ndërmjetëson Brukseli nuk ka shënuar përparim të dukshëm politik prej më shumë se tre vjetësh.

    Takimi i fundit i nivelit të lartë u zhvillua në shtator të vitit 2023.

    Që atëherë, bisedimet kanë vazhduar në nivel kryenegociatorësh, por pa i afruar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.

    Prishtina e kushtëzon rikthimin në takimet e nivelit të lartë me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, ish-politikanit serb të Kosovës që mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

    Beogradi, ndërkaq, këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Njohës të procesit vlerësojnë se BE-ja ka ende instrumente politike dhe financiare për t’i nxitur palët drejt normalizimit.

    Por, mospajtimet brenda bllokut dhe mungesa e një strategjie të qartë, sipas tyre, e kanë kufizuar ndikimin e saj.

    Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se Brukseli mund të përdorë më shumë stimuj për të dyja vendet, krahas masave ndëshkuese.

    Për Kosovën, ajo përmend avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe mbështetjen financiare e politike për integrim.

    Për Serbinë, mundësitë lidhen kryesisht me negociatat e anëtarësimit.

    “Hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, qasja në fondet evropiane, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe avancimi i përgjithshëm në procesin e integrimit mund të kushtëzohen shumë më qartë me përparimin në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

    Edhe Toby Vogel, nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, vlerëson se BE-ja ka hapësirë për të vepruar, por kërkon një angazhim të mirëfilltë të Serbisë në dialog dhe një perspektivë reale për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.

    Paralelisht, sipas tij, Brukseli duhet ta avancojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, i cili ka mbetur pa u shqyrtuar që nga dhjetori i vitit 2022.

    “Është e tmerrshme që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE gjendet prej vitesh në sirtarët e Brukselit dhe Komisioni nuk e adreson. Askush nuk mund të më bindë se, me vullnetin e duhur politik, nuk mund të gjendet një zgjidhje kreative që t’i lejojë një shteti, të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare, të paktën ta nisë procesin e anëtarësimit”, thotë Vogel.

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua Bashkimit Evropian me pyetje për instrumentet që ka në dispozicion për ta zhbllokuar dialogun, mundësinë e përdorimit të tyre dhe planet për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk mori përgjigje.

    A mjaftojnë stimujt financiarë?

    Për Eminin, vetëm premtimi për fonde dhe asistencë financiare nuk mjafton për t’i bindur palët të angazhohen seriozisht.

    BE-ja tashmë ka Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh mbështetje financiare në këmbim të reformave.

    Angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë.

    Por, sipas Eminit, përvoja e vitit 2013 dëshmon se stimujt politikë mund të kenë ndikim më të madh.

    Pas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Serbisë iu hap rruga drejt negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova përparoi drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

    “Mendoj se kjo logjikë duhet të rikthehet, por në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më substanciale: përparimi real në integrimin evropian duhet të shoqërohet me angazhim real në dialog dhe zbatim të marrëveshjeve”, vlerëson ajo.

    Emini kërkon përfshirje më aktive të shteteve kryesore të BE-së dhe një strategji që përcakton qartë se çfarë përfiton secila palë nëse i përmbush obligimet dhe me çfarë pasojash përballet nëse nuk i zbaton ato.

    Vogel, megjithatë, e vë në pikëpyetje nëse marrëveshjet ekzistuese mund ta çojnë procesin drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

    “Më duket se BE-ja i ka humbur levat e ndikimit gjatë viteve të fundit”, thotë ai.

    “Edhe nëse këto marrëveshje zbatohen nesër, a na sjellin vërtet më afër marrëveshjes përfundimtare? Nuk jam i sigurt”.

    A ka nevojë BE-ja për një qasje të re?

    Kritikat ndaj Brukselit nuk lidhen vetëm me efektivitetin e instrumenteve të tij, por edhe me mënyrën se si i ka trajtuar palët në dialog.

    Në vitin 2023, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri dhe veprimeve të Qeverisë që i cilësoi si të njëanshme. Masat kufizuan bashkëpunimin politik dhe një pjesë të mbështetjes financiare.

    Sipas raportit të progresit për vitin 2026, ato u hoqën pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal në veri, pas zgjedhjeve të vitit 2025.

    Autoritetet kosovare e kanë kritikuar BE-në për standarde të dyfishta, duke theksuar mungesën e masave ndaj Serbisë pas sulmit në Banjskë – pretendim që BE-ja e ka hedhur poshtë.

    Edhe Vogel vlerëson se Brukseli ka ushtruar më shumë presion ndaj Prishtinës sesa Beogradit.

    Sipas tij, dialogu është larguar nga synimi për një marrëveshje përfundimtare dhe është përqendruar kryesisht në menaxhimin e krizave.

    “BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen, të ndryshojë mënyrën se si sillet me të dyja palët dhe të heqë dorë nga ideja se duhet t’i japim diçka Serbisë që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, sepse ky nuk është një lëshim, por pranim i realitetit”, thotë Vogel.

    Emini, ndërkaq, ia atribuon ngecjen mungesës së vullnetit politik të palëve, bllokadave institucionale në Kosovë dhe qasjes së Brukselit.

    “Në njëfarë mënyre, është krijuar përshtypja se Brukseli është kënaqur me vazhdimin e komunikimit në nivel teknik, ndërkohë që dialogu politik është shtyrë vazhdimisht, për shkak të rrethanave të brendshme në të dyja vendet”, thotë ajo.

    A mund të sjellin zhvillimet politike një fillim të ri për dialogun?

    Zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Serbi mund të ndikojnë në të ardhmen e dialogut, por nuk pritet ta zhbllokojnë menjëherë atë.

    Kosova ka tashmë një Qeveri me mandat të plotë katërvjeçar, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në shtator, pas një periudhe të gjatë bllokadash institucionale.

    Në Serbi, zgjedhjet e tetorit sollën ndryshimin e pushtetit.

    Lista Studentore, e dalë nga protestat kundër qeverisjes, i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit.

    Ndërsa Serbia është në procesin e formimit të institucioneve të reja, as Emini dhe as Vogel nuk presin takim të nivelit të lartë gjatë pjesës së mbetur të vitit.

    Vogel vlerëson se Brukseli duhet të vendosë kontakte me udhëheqjen e re serbe, pa ushtruar menjëherë presion mbi të.

    “Do të ishte e çuditshme, në aspektin politik, t’u bësh presion njerëzve që janë më shumë në anën tuaj dhe shumë më konstruktivë – ose të paktën kështu mendojmë se janë – sesa kishim vullnet t’i bënim presion Vuçiqit”, thotë ai.

    Megjithatë, sipas tij, do të duhen muaj për të kuptuar orientimin e pushtetit të ri, pasi Lista Studentore përfshin si elemente properëndimore, ashtu edhe proruse e nacionaliste.

    Edhe Emini është e rezervuar ndaj pritjeve për ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Kosovës.

    “Është shumë herët të themi nëse ky ndryshim do të jetë pozitiv apo negativ për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thotë ajo.

    Lista Studentore, ashtu si pushteti i deritanishëm në Serbi, e konsideron Kosovën pjesë të territorit serb, ndonëse ajo ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

    Bartësi i saj, Ilija Srdanoviq, i ka thënë më herët REL-it se vazhdimi i dialogut për “çështjen e Kosovës dhe Metohisë” është pjesë e planit të saj.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pritjen që udhëheqja e re në Beograd ta ndryshojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

    Megjithatë, mbetet e paqartë nëse stabilizimi institucional në Kosovë dhe ndryshimi i pushtetit në Serbi do të sjellin edhe përparim në dialog.

    Për BE-në, kjo do të jetë një tjetër provë e aftësisë për t’i kthyer angazhimet politike në zbatim të marrëveshjeve.

  • Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur

    Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur

    Kryeministri, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim dhe të nisë sa më shpejt procesi i negociatave.

    Në konferencën për media pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Kurti tha se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik dhe afatgjatë i vendit, duke theksuar se ky proces gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe konsensus ndërpartiak.

    Ai vlerësoi se pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur, pasi vendi vazhdon të jetë i vetmi në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.

    “Integrimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik dhe afatgjatë, siç edhe nënvizohet në raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë dhe gëzon konsensus të gjerë ndërpartiak. Megjithatë, pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë… Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Pas një muaji bëhen katër vjet që nga koha kur kemi dorëzuar aplikimin. Pavarësisht kësaj, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, tha ai.

    Duke komentuar gjetjet e raportit, kryeministri Kurti tha se bllokada institucionale ka ndikuar në ngadalësimin e reformave. Ai tha se kjo situatë ka vonuar ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe ka lënë një numër ligjesh në pritje të miratimit.

    Sipas Kurtit, në disa fusha progresi gjatë këtij viti ka qenë më i ngadalshëm se në vitin paraprak, por kjo nuk nënkupton regres.

    Ai theksoi se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë.

    “Në raportin e këtij viti, niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë. Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë sesa vitin e kaluar në reformën e administratës publike, drejtësi, liri dhe siguri, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistika, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes. Gjatë periudhës raportuese, këta 12 muajt e fundit, i kemi mbajtur tri palë zgjedhje: komunale në tetor të vitit 2025, parlamentare në dhjetor të vitit 2025 dhe në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë… Ky vit i raportimit ka qenë sfidues, sepse bllokada e Kuvendit e ngadalësoi ritmin e reformave, siç thuhet edhe nga vetë Komisioni. Për shkak të kësaj, u vonua ratifikimi i marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe shumë ligje mbetën në pritje. Në disa fusha progresi i këtij viti është më i ngadalshëm sesa i vitit të kaluar. Nuk kemi rënë në nivel, por kemi ecur më ngadalë, pasi Kuvendi u mbajt i bllokuar”, tha ai.

  • Schuebel: Mandati i Gjykatës Speciale duhet të respektohet

    Schuebel: Mandati i Gjykatës Speciale duhet të respektohet

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka theksuar se mandati aktual i Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohet, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të vendit.

    Schuebel, në konferencën për media pas dorëzimit të raportit për Kosovën nënvizoi se respektimi i mandatit të Gjykatës Speciale duhet të shoqërohet me respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe parimeve të sundimit të ligjit.

    “Mandati aktual në fuqi i Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohet, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe me respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, tha ai.

    Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale u ndërmor nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), më 21 shtator 2026, pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim.

    Nisma synon rishikimin e mandatit dhe kompetencave të Speciales, kufizimin e dënimeve deri në 15 vjet dhe mundësinë e vuajtjes së tyre në Kosovë.

     Ligji u miratua në Kuvend me 88 vota, por më 22 tetor Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu për rishqyrtim. Aktualisht, çështja mbetet në procedurë parlamentare.