ATV

Author: ATVLive

  • Përplasje “Pro et Contra” rreth votimit të mbyllur

    Përplasje “Pro et Contra” rreth votimit të mbyllur

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshim të mënyrës së votimit për kryetaren e Kuvendit, në tentimin e shtatë, partitë tjera e cilësuan të padrejtë e anti-kushtetues.

    Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, përsëriti qëndrimin dhe bindjen se kandidatja e LVV-së nuk i merr votat e mjaftueshme, në asnjë formë.

    “Nuk guxon me u keqpërdor në këtë formë kuvendi, është e turpshme, e pahijshme është fyese ndaj qytetarëve. Nuk kalon Albulena Haxhiu këtë e di zoti Kurti dhe e dinë secili deputet i kuvendit e çdo qytetar. Nëse se din, që po ua them, nuk kalon Albulena Haxhiu”, tha Krasniqi.

    Ndërsa sipas Lidhjes Demokratike, këmbëngulja vetëm tek Haxhiu për kryeparlamentare, ka një tjetër qëllim.

    “Ata i kanë reduktu problemet e të gjithë qytetarëve në emër të Albulena haxhiut, dhe nëse shkojmë në zgjedhje shkojmë jo për shkak se nuk po kemi mundësi ti zgjedhim problemet e qytetarëve, por shkojmë në zgjedhje sepse VV-ja po dëshiron ta bëjë znj.Haxhiu kryetare të kuvendit”, tha Hykmete Bajrami, shefe e GP të LDK-së.

    Zgjidhje s’bëjnë e as nuk duan, thanë nga Aleanca për partinë e parë, megjithëse votë do të kishte edhe në mënyrë të hapur, nëse kandidat do ishte dikush tjetër.

    “Kosova po mbahet peng për një kandidat, Aleanca ka propozuar dy emra të cilët vetë LV-ja nuk i ka pranuar”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

    Ndërrimin e mënyrës së votimit, Vetëvendosje e arsyetoi si ofrim të një zgjidhjeje për ta kaluar ngërçin.

    “Propozimi jonë është në kuadër të kësaj kornize, të zhbllokohet procesi dhe të gjejmë mënyra si të lëvizim përpara”, tha deputeti i LV-së, Hekuran Murati.

    E mos pranimi i një mënyrë të tillë nga partitë tjetra, sipas koalicionit fitues, qe i planifikuar.

    Me gjithë kritikat e mospajtimet, të zgjedhurit e popullit do të mblidhen sërish, në tentimin e dhjetë për konsituimin e Kuvendit, pa treguar nëse do të vazhdohet me votim të hapur, apo do të propozohet sërish votimi i mbyllur.

  • Punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, S’kanë bazë ligjore

    Punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, S’kanë bazë ligjore

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Në ditën e punëtorëve, nuk u punua as në sheshin “Xhorxh Bush”, në kryeqytet.

    Pas ndalimit të punimeve për të tretën herë, edhe të enjten kryetari Përparim Rama reagoi duke kërkuar përgjegjësi.

    Sipas tij, nuk ka perimetër të shpallur në Geoportal e as në regjistrim në Kadastër, sic po pretendohet nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

    Vendimi i këtij inspektorati, sipas drejtorit të Rrjetit të OJQ-ve, AVONET, Kenan Gashi, duhet të respektohet derisa gjykata të nxjerrë vendimin se ai ka qenë i kundërligjshëm.

    “Nëse komuna nuk ka një vendim të lejes ndërtimorë dhe nëse nuk i ka plotësuar normat bazuara administrative për këtë projekt atëherë inspektoriati ka të drejtë. Pavarësisht kësaj inspektoriati ëshë organi më i lartë se një inspektorit apo një organ më i lartë i komunës, këtë rast i Komunës së Prishtinës”, tha Gashi.

    Derisa, Bekim Salihu nga instituti GAP, thotë se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, nuk ka dhënë opinion të qartë për formën e rrezikut ndaj monumenteve përreth.

    “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore nuk ka paraqitur deri sot ne opinion se në çfarë forme cenohet ose rrezikohen objektet e trashëgimisë në këtë zonë përmes këtij investimi. Kjo mungesë përveç që krijon paqartësi, lejon edhe interpretime të ndryshme për qëllimet reale të këtyre veprimeve”, tha Salihu.

    Megjithatë, Insistimin e kryetarit, për t’i realizuar projektet, njohësi i pushtetit lokal, Kenan Gashi, i lidhë me zgjedhjet e vjeshtës.

    “Kryetari i komunës së Prishtinës, zotri Rama që sa vite nuk ka krijuar mundësi për ta zhvilluar një projekt të tillë, pra në fund të mandatit të tij fillon një projekt i cili për shumë qytetarë ka qenë shqetësim siç është bllokuar kjo rrugë si alternativë e mirë për funksionimit të kryeqytetit”, tha Gashi.

    Të mërkurën, Kryetari Rama, ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike, në zgjedhjet e tetorit.

  • Dështimi i radhës, edhe pas propozimit për votim të fshehtë

    Dështimi i radhës, edhe pas propozimit për votim të fshehtë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    As ardhja e Nezir Krakit në seancë, pas mungesës së dy ditëve më parë, nuk i mjaftoi Lëvizjes Vetëvendosje ta arrijë maksimumin e deritashëm prej 57 votave, në tentimet për konstituim të Kuvendit.

    Madje këto vota, gjithësesi të pamjaftueshme, nuk qenë fare për Albulena Haxhiu, kandidaten e vetme të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

    Të enjten u tentua ndryshimi i mënyrës së shprehjes së vullnetit të të zgjedhurve të popullit, nga ngritja e dorës, në votim të mbyllur. Për këtë duhej të zgjidhej fillimisht një komision.

    Propozimit iu përgjigj Lëvizja Vetëvendosje dhe komunitetet pakicë joserbe.

    Por jo edhe partitë tjera që, megjithëse nuk lejohet debat në seancën konstituive, përdorën foltoren për mesazhe politike.

    Kundërshtoi edhe Lista Serbe, që i bëri deputetët e Vetëvendosjes të reagojnë edhe ndaj partive shqiptare për bashkërendim. Por Time Kadrijaj e Aleancës pati përgjigje.

    Seanca u shty për të shtunën e 3 prillit, e që tashmë ka numër dyshifror të përpjejkes për konstituim, e dhjeta me radhë.

  • Takimi Kurti Krasniqi, pa ndonjë marrëveshje

    Takimi Kurti Krasniqi, pa ndonjë marrëveshje

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me nguti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ngjiti shkallët e kuvendit, pasi në katin e dytë kishte të organizuar një takim, mëngjesin e së enjtes.

    Në sallën N-204, u ulë përballë me kryetarin e Partisë Demokratike, Memli Krasniqin. Ky iu përgjigj ftesës së Kurtit, për dallim nga Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike, që e refuzoi atë, një ditë më parë.

    Të dy, sy më sy, qëndruan e biseduan për afro një orë, rreth mundësive për zgjidhje të ngërçit në Kuvend. Por as kaq kohë nuk mjaftoi për të arritur ndonjë marrëveshje.

    “I kërkova me ndrru kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Nuk mora sinjale që do ta bëjë. Nuk mund të interpretoj diçka që nuk mora”, tha Krasniqi.

    Meqenëse për kryetaren e kuvendit nuk u morën vesh, Krasniqi tha se me Kurtin folën fare shkurt edhe për çështjen e zgjedhjeve eventuale.

    Për Krasniqin kjo nuk është hera e parë që i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit. Me të ishte takuar edhe në maj të vitit 2024, për të diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por që shpërndarja e Kuvendit nuk ishte përkrahur nga partitë tjera.

  • ​Ndryshimi i parë i madh në rrethin e brendshëm Trump, largohen Mike Waltz e zëvendësi i tij

    ​Ndryshimi i parë i madh në rrethin e brendshëm Trump, largohen Mike Waltz e zëvendësi i tij

    Këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Mike Waltz dhe zëvendësi i tij Alex Wong do të largohen nga postet e tyre, thanë sot burime të njohura me këtë çështje, në ndryshimin e parë të madh në rrethin e brendshëm të Trump që nga marrja e detyrës në janar.

    Waltz, një ish-përfaqësues republikan 51-vjeçar nga Florida, ka qenë objektiv i kritikave në Shtëpinë e Bardhë pasi u kap në një skandal në muajin mars që përfshinte një bisedë në grup në aplikacionin Signal midis ndihmësve të lartë të Trump për sigurinë kombëtare.

    Trump vlerësoi ministrin e Mbrojtjes dhe bashkëpunëtorët e tjerë, por nuk përmendi Waltz.

    “Pete Hegseth po bën një punë fantastike”, tha Trump sot në një deklaratë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

    Ai vlerësoi gjithashtu sekretarin e tij të Mbrojtjes, si dhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë të administratës, duke përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

    Lavdërimet pasuan raportimet e mediave se Mike Waltz po largohej nga posti i tij si këshilltar i Trump për sigurinë kombëtare.

    Waltz kohët e fundit mori përgjegjësinë për shtimin aksidental të një gazetari në një grup shumë të ndjeshëm në aplikacionin Signal në fillim të këtij viti.

    Ai grup përfshinte Hegseth, i cili ndante oraret e sulmeve ajrore amerikane – të cilat, nëse zbuloheshin, mund të kishin rrezikuar personelin ushtarak amerikan.

    Më vete, Hegseth përdori Signal për t’i dërguar mesazhe rreth sulmeve ushtarake gruas dhe vëllait të tij. Megjithatë, Trump duket se ende qëndron i palëkundur me sekretarin e tij të mbrojtjes, raporton KosovaPress.

    Edhe pse Mike Waltz kaloi 102 ditë në detyrë, disa zyrtarë nga fazat e mëparshme të administratës Trump nuk zgjatën as deri në javën e dytë. Anthony Scaramucci u shkarkua pas vetëm 10 ditësh si drejtor i komunikimit gjatë mandatit të parë Trump.

    Trump vendosi të shkarkojë Scaramucci pasi ai e përshkroi shefin e atëhershëm të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus si një “skizofrenik” në një intervistë për revistën New Yorker.

    Kujtojmë, Waltz u shfaq në televizionin amerikan këtë mëngjes në rolin e këshilltarit për sigurinë kombëtare, duke folur për Ukrainën dhe duke thënë se është koha për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave.

    Çfarë ndodhi në aferën Signalgate?

    Waltz ishte pjesë e ekipit amerikan që negocioi një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë dhe ishte në bisedimet që parashtruan një propozim për një armëpushim 30-ditor në Arabinë Saudite në mars.

    Megjithëse rrethanat e largimit të tij janë të paqarta për momentin, Waltz tha se ai pranoi “përgjegjësinë e plotë” për “çështjen Signalgate”.

    Skandali shpërtheu pasi redaktori i Atlantic, Jeffrey Goldberg, u shtua në një bisedë grupore në platformën e mesazheve Signal, i cili përfshinte një numër zyrtarësh të tjerë të lartë të administratës, duke përfshirë Hegseth, zëvendëspresidentin JD Vance, drejtorin e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe të tjerë. Në grupin e quajtur “grupi i vogël i PC Houthi”, zyrtarët diskutuan detajet e një sulmi të ardhshëm ushtarak ndaj Houthis.

    Waltz, me pranimin e tij, ishte ai që shtoi Goldberg në një bisedë në grup në aplikacionin e mesazheve të koduara dhe që publikoi përmbajtjen e mesazheve konfidenciale në mars në një artikull për gazetën e tij, duke shkaktuar një bujë në administratën Trump.

    Nuk dihet ende se kush do ta marrë postin nga Waltz, por i dërguari special Steve Witkoff, i ngarkuar me diplomacinë me Rusinë dhe Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, po përmendet si një opsion.

  • Kurti dënon sulmin ndaj U.D të drejtorit të QKUK-së

    Kurti dënon sulmin ndaj U.D të drejtorit të QKUK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka dënuar ashpër sulmin ndaj U.D. të drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, i cili ndodhi gjatë ditës së djeshme.

    Nëpërmjet një postimi, Kurti u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe kryesit e këtij akti kriminal të sillen para përgjegjësisë.

    “Në çdo institucion publik kemi ndërmarrë reforma të thella që në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik e shërbime më të mira për qytetarët. Këto reforma kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona”, shkruan Kurti në Facebook.

  • “Armatoset Evropa”, më shumë se gjysma e vendeve të BE-së rrisin shpenzimet ushtarake

    “Armatoset Evropa”, më shumë se gjysma e vendeve të BE-së rrisin shpenzimet ushtarake

    Më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të BE-së synojnë të përdorin një përjashtim që i lejon ata të tejkalojnë kufijtë buxhetorë për të rritur shpenzimet ushtarake, ka njoftuar këshilli i bllokut.

    Komisioni Evropian propozoi në fillim të këtij viti që anëtarët mund të përdorin një klauzolë emergjente për të shpenzuar deri në 1.5% të GDP-së së tyre në investimet e mbrojtjes gjatë katër viteve të ardhshme pa shkelur rregullat për deficitin publik dhe borxhin.

    Bëhet e ditur se masa vjen pasi administrata Trump sugjeroi që Evropa duhet të paguajë më shumë për të mbrojtur veten – dhe mes shqetësimeve të sigurisë për luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

    “Gjermania dhe Polonia janë duke udhëhequr grupin e vendeve që kanë treguar se duan ta bëjnë këtë”, tha BE në një deklaratë të mërkurën.

    Hungaria dhe Sllovakia, qeveritë e të cilave konsiderohen të jenë miqësore me Moskën, janë gjithashtu të listuara, shkruan euronews.

    Pjesa tjetër e vendeve anëtare të BE-së që kanë vendosur të kërkojnë aktivizimin e të ashtuquajturës “klauzola e arratisjes” përfshijnë Belgjikën, Danimarkën, Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Greqinë, Portugalinë, Slloveninë, Republikën Çeke, Kroacinë dhe Bullgarinë.

    “Ne mbetemi të hapur ndaj kërkesave të mëtejshme”, shtoi Komisioneri Ekonomik i BE-së Valdis Dombrovskis.

    Raportohet se klauzola mund të lejojë që qindra miliarda euro të shpenzohen për riarmatosjen e kontinentit deri në vitin 2030.

    Megjithëse shpenzimet ushtarake janë rritur brenda BE-së me 31% që nga viti 2021, shumë shtete anëtare janë të prirura të rrisin më tej shpenzimet e mbrojtjes.

    Kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz ka thënë se Evropa duhet të veprojë shpejt për hir të sigurisë së saj.

    “Duke pasur parasysh kërcënimet ndaj lirisë dhe paqes sonë në kontinentin tonë, rregulli për mbrojtjen tonë tani duhet të jetë çfarëdo që duhet”, tha ai.

    Ndryshe, duke shpallur një paketë mbrojtëse të BE-së në mars, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen foli qartë për rreziqet në të cilat u gjend Evropa.

    “Ne jemi në një epokë riarmatimi. Dhe Evropa është gati të rrisë masivisht shpenzimet e saj të mbrojtjes”, tha ajo.

    “Si për t’iu përgjigjur urgjencës afatshkurtër për të vepruar dhe për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të adresuar nevojën afatgjatë për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë evropiane”.

  • ​Protestat e punëtorëve në Greqi: Fitimet e tyre ose jetët tona

    ​Protestat e punëtorëve në Greqi: Fitimet e tyre ose jetët tona

    Mijëra njerëz po protestojnë sot në Athinë për të shënuar festën e 1 Majit, ndërsa trafiku i qytetit dhe detar është ndërprerë nga greva.

    Tragetet që lidhin Greqinë kontinentale me ishujt në detin Egje dhe Jon mbetën të ankoruar të enjten, ndërsa metroja, autobusët dhe trolejbusët në Athinë pësuan ndërprerje.

    Konfederata e Përgjithshme e Punonjësve Privatë GSEE, bëri thirrje në një deklaratë për “politika aktive kundër kostos së lartë të jetesës dhe krizës së strehimit”, ndërsa shumë grekë marrin paga të ulëta.

    Sindikata PAME u zotua gjithashtu të intensifikojë “luftën për rritje pagash, marrëveshje kolektive, shërbime publike dhe shkolla e spitale që janë në përputhje me përparimin shkencor”, ndër të tjera.

    Në Selanik, qyteti i dytë më i madh i vendit, rreth 7 mijë njerëz u mblodhën, sipas policisë lokale, me pankarta “Le të paguajnë të pasurit, le të fitojnë njerëzit” dhe “Fitimet e tyre ose jetët tona”.

    “Ne kërkojmë një rritje pagash që të mund të jetojmë, marrëveshje kolektive që do të na mbrojnë, punë dhe një jetë me të drejta,” tha përfaqësuesi i sindikatave Haris Kyprianidis.

    Sindikatat kritikojnë pagat e ulëta në një vend ku, me gjithë rigjallërimin e rritjes, pabarazitë sociale janë gjithnjë e më të dukshme, raporton KosovaPress.

    Paga minimale në Greqi u rrit më 1 prill 6.02 për qind në 880 euro bruto (743 euro neto).

  • SHBA investon gjysmë miliardë dollarë në zhvillimin e vaksinave universale

    SHBA investon gjysmë miliardë dollarë në zhvillimin e vaksinave universale

    Shtetet e Bashkuara po investojnë 500 milionë dollarë në një projekt vaksinash, me qëllim të zhvillimit të vaksinave “universale” që mbrojnë kundër llojeve të shumta të virusit në të njëjtën kohë, raportoi sot Wall Street Journal.

    Projekti përfshin prodhimin e vaksinave nga viruse të plota të inaktivizuara kimikisht, që të kujton mënyrën se si u zhvilluan vaksinat e gripit dekada më parë.

    Lëvizja është pjesë e asaj që Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) e quan “Generation Gold Standard”, një teknologji universale e vaksinës që përfaqëson një zhvendosje në financim nga projektet COVID-19 në studimet e viruseve të shumta.

    Projekti përfshin gjithashtu kërkime për një vaksinë të dytë universale të gripit dhe vaksinat universale të koronavirusit, sipas një deklarate nga HHS për WSJ.

    Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Junior do të kërkojë që të gjitha vaksinat e reja t’i nënshtrohen testimit të placebos, raportoi Washington Post të mërkurën vonë.

    Kennedy, një ish-avokat mjedisor, njihet si skeptik i vaksinave dhe themeloi grupin antivakser, Children’s Health Defense, i cili ka ngritur padi në gjykatat shtetërore dhe federale mbi vaksinimet e zakonshme, përfshirë fruthin, raporton KosovaPress.

  • ​Zbulohet lidhja mes sëmundjeve të zemrës dhe sendeve plastike shtëpiake

    ​Zbulohet lidhja mes sëmundjeve të zemrës dhe sendeve plastike shtëpiake

    Kimikatet e përdorura për sende të zakonshme plastike shtëpiake janë cilësuar si shkak i mundshëm i sëmundjeve të zemrës dhe qindra-mijëra vdekjeve.

    Kimikatet e quajtura ftalate gjenden në tuba dhe kozmetikë, sprej, detergjent dhe tretës, dhe mund të gëlltiten pasi ato shpërbëhen në grimca mikroskopike si pjesë e përdorimit të përditshëm të artikujve në të cilët gjenden.

    Sipas një ekipi shkencëtarësh pranë Universitetit të Nju Jorkut (NYU), “ekspozimi ditor” ndaj këtyre artikujve “mund të lidhet me mbi 356 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës në botë më 2018”, ku shumica e vdekjeve ndodhin në Indi, Kinë dhe Indonezi.

    “Duke theksuar lidhjen midis ftalateve dhe një shkaku kryesor të vdekjes në mbarë botën, gjetjet tona i shtohen numrit në rritje të provave që këto kimikate paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut,” tha Sara Hyman nga Shkolla e Mjekësisë Grossman e Universitetit të Nju Jorkut.

    Sipas ekipit të NYU, studimet e mëparshme i kanë lidhur këto kimikate “me një rrezik në rritje të kushteve që variojnë nga obeziteti dhe diabeti te problemet e fertilitetit dhe kanceri”.

    “Studime të tjera kanë treguar se ekspozimi nxit një përgjigje imune tepër aktive (inflamacion) në arteriet e zemrës, e cila lidhet me kalimin e kohës me një rrezik në rritje të sulmit në zemër ose goditje në tru,” tha ekipi në një studim të botuar në eBiomedicine, një botim i drejtuar nga Lancet, një botues mjekësor britanik.

    “Plastika përbën një rrezik të konsiderueshëm për rritjen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, duke prekur në mënyrë disproporcionale rajonet që kanë sektorë të prodhimit të plastikës në zhvillim”, tha ekipi në punimin e tyre.

    Ndotja nga plastika dhe përhapja e grimcave në trupin e njeriut është e lidhur me probleme të shumta shëndetësore, dhe hulumtimet e fundit tregojnë se të ashtuquajturat mikroplastikë dhe nanoplastikë gjejnë rrugën e tyre në gjak, tru, placentë, organet gjenitale dhe transmetohen nga nëna tek fëmija i pa lindur gjatë shtatzënisë, raporton KosovaPress.