ATV

Author: ATVLive

  • Rëndësia e shëndetit mendor në vendin e punës dhe si duhet ta ruajmë atë?

    Rëndësia e shëndetit mendor në vendin e punës dhe si duhet ta ruajmë atë?

    Shëndeti mendor në vendin e punës konsiderohet një aspekt i rëndësishëm i mirëqenies së punëtorëve pasi ndikon direkt në produktivitetin dhe atmosferën e punës.

    Në një botë gjithnjë e më dinamike dhe të mbingarkuar me ritme të shpejta pune, rëndësia e ruajtjes së shëndetit mendor është shumë e rëndësishme.

    Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se shtypja e emocioneve, mungesa e empatisë dhe mbingarkesa me përgjegjësi, ngarkesat emocionale dhe mendore, që shpesh burojnë nga jeta personale, përzihen me sfidat profesionale, duke ndikuar në performancën, motivimin dhe mirëqenien e individit.

    Psikologu Kristian Halilaj thotë për KosovaPress, se ruajtja e marrëdhënieve të shëndetshme ndër-njerëzore dhe kujdesi për shëndetin mendor janë thelbësore, pasi mungesa e këtij kujdesi sjell pakënaqësi, rënie të produktivitetit dhe nevojë për pushim nga puna.

    Halilaj thekson se njeriu është i ndërlidhur ngushtë me emocionet, ndjenjat dhe mendimet, dhe nëse nuk arrin t’i kontrollojë, kjo çon në mungesa produktiviteti.

    Ndërsa një aspekt tjetër me rëndësi për shëndetin mendor, psikologu Yll Avdijaj thekson limitet dhe kufijtë personal që individi duhet t’ia vendosë vetes sidomos në raport me familjen dhe profesionin.

    Avdijaj thotë se produktiviteti në punë varet nga ambienti, kolegët dhe natyra e punës, por edhe dëshira.

    Ndryshe, OBSH thotë se shëndeti mendor është një gjendje e mirëqenies mendore që u mundëson njerëzve të përballen me streset e jetës, të realizojnë aftësitë e tyre, të mësojnë mirë dhe të punojnë mirë dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre.

    Në çdo kohë, një grup i ndryshëm faktorësh individualë, familjarë, komuniteti dhe strukturorë mund të kombinohen për të mbrojtur ose dëmtuar shëndetin mendor.

    Megjithëse shumica e njerëzve janë elastikë, njerëzit që janë të ekspozuar ndaj rrethanave të pafavorshme – duke përfshirë varfërinë, dhunën, paaftësinë dhe pabarazinë – janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar një gjendje të shëndetit mendor, paralajmëron OBSH.

    Shumë kushte të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive me kosto relativisht të ulët, megjithatë sistemet shëndetësore mbeten në mënyrë të konsiderueshme të pamjaftueshme dhe boshllëqet e trajtimit janë të gjera në të gjithë botën.

    Kujdesi për shëndetin mendor shpesh është i dobët në cilësi kur ofrohet. Njerëzit me probleme të shëndetit mendor shpesh përjetojnë gjithashtu stigmë, diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

  • ‘Revansh Shqiptar’, kompania ruse shpall falimentimin pas një viti pasi pengoi biznesmenin Ramadani në Portin e Tivarit

    ‘Revansh Shqiptar’, kompania ruse shpall falimentimin pas një viti pasi pengoi biznesmenin Ramadani në Portin e Tivarit

    Një nga zhvillimet më të bujshme të botës së biznesit në Ballkan ka marrë një kthesë dramatike. Kompania ruse, e cila vetëm vitin e kaluar kishte penguar ngarkimin e mbi 60 kontejnerëve të mallrave të biznesmenit Bledian Ramadani në një nga portet kryesore të rajonit, ka shpallur falimentimin dhe është tërhequr përfundimisht nga tregjet ballkanike.

    Pikërisht një vit më parë, kjo kompani kishte ndërmarrë një veprim të paprecedent – duke përdorur ndikimin në portin ku operonte, ajo pengoi ngarkimin e mallrave të kompanisë së Ramadanit, duke bllokuar mbi 60 kontejnerë për disa ditë dhe duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme.

    Burime të afërta me industrinë konfirmojnë se kjo kompani, që për vite me radhë kishte kontroll të fuqishëm mbi importin e xhamit dhe materialeve ndërtimore nga Rusia drejt Evropës Juglindore, Dje ajo ka dorëzuar dokumentet për falimentim në të paktën tre shtete të Ballkanit.

    Kjo ndodh vetëm pak muaj pasi ajo humbi një sërë kontratash strategjike dhe ndikimi i saj u zbeh ndjeshëm në rajon. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar me shpejtësi. Burime të ndryshme tregojnë se Ramadani ka reaguar me vendosmëri dhe ka ndërmarrë një ofensivë të heshtur ekonomike, duke shfrytëzuar rrjetin e tij të fuqishëm të furnizuesve dhe partnerëve në Evropë dhe Azi.

    Në disa raste, është raportuar se ai ka siguruar kontrata të reja me çmime agresive, çka ka bërë që kompania ruse të humbë pozicionet e saj. Në një deklaratë të fundit për media lokale në Rusi, përfaqësues të kompanisë së falimentuar kanë pohuar: “Kjo është hakmarrje shqiptare drejtpërdrejtë e klanit të Ramadanit ndaj nesh. Ata e shijuan ëmbël poshtërimin në port vitin e kaluar dhe sot na e kthyen keq.”

    Deklarata u pasua nga akuza të paqarta për presion ekonomik dhe politik nga qarqe të lidhura me Ramadanin në disa vende të rajonit. Analistët shohin këtë zhvillim si një prej shembujve më të qartë të zhvendosjes së fuqisë ekonomike në Ballkan – nga duart e aktorëve të huaj drejt atyre lokalë, të mirëorganizuar dhe me lidhje të fuqishme rajonale.

    Ramadani, tashmë i njohur për investimet në energji, logjistikë dhe xham, pritet të zgjerojë edhe më tej rrjetin e tij, pas kësaj fitoreje të heshtur. Një gjë është e sigurt: beteja në port ishte vetëm fillimi. Tani, loja është në duart e tij, bënë të ditur Bledian Ramadani.

  • Husiq: Kosova të ndjekë shembullin e Bosnjës për statusin e viktimave të dhunës

    Husiq: Kosova të ndjekë shembullin e Bosnjës për statusin e viktimave të dhunës

    Qeveria në Kosovë duhet të mendojë për shembullin e Bosnje dhe Hercegovinës që të mos ketë kufizim kohor për aplikim për statusin e viktimës së dhunës seksuale, thotë Sabiha Husiq, drejtoreshë e organizatës “Medica Zenica”.

    Ajo e konsideron thelbësore një gjë të tillë, meqë thotë se nuk dihet asnjëherë se kur është gati një e mbijetuar që të aplikojë për pension.

    Në një intervistë për KosovaPress, Husiq flet për drejtësi dhe rëndësinë e ndëshkimit të këtij krimi, për çka thotë se duhet të krijohet atmosferë e mirë që viktimat e dhunës seksuale të dëshmojnë atë që iu ka ndodhur.

    Sabiha Husiq, e cila udhëheq organizatën më të vjetër të grave në Bosnje, thotë se të mbijetuarit e dhunës seksuale në BeH vazhdojnë të mbajnë të heshtur ngjarjen traumatike.

    Ajo thekson se shumë të mbijetuar kanë vendosur pas tri dekadave që të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale.

    Në intervistën për KosovaPress, ajo thotë se të mbijetuarit e dhunës seksuale duhet të rrëfejnë pa turp për ngjarjen traumatike.
    Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, siç thotë ajo, janë dhunuar seksualisht rreth 50 mijë gra e vajza të reja.

    Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë. Historitë e tyre nuk dihen pasi të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit dhe vazhdojnë të zgjedhin heshtjen.

  • Paditet ZRRE-ja për mospërfshirjen e katër komunave veriore në tarifat e reja

    Paditet ZRRE-ja për mospërfshirjen e katër komunave veriore në tarifat e reja

    Mospërfshirja e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 për qind ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik. Madje kjo po konsiderohet nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) se është diskriminim flagrant dhe shkelje e të drejtave të njeriut, raporton KosovaPress.

    Përveç kësaj, përjashtimi i këtyre katër komunave nga rritja e çmimit të rrymës po cilësohet edhe si pabarazi sociale dhe ekonomike në vend.

    Ndërkaq, më 2 maj grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke kërkuar anulimin e vendimit për rritjen tarifave të energjisë.

    Avokati i angazhuar në këtë çështje, Ardian Bajraktari thotë se në padi është përfshirë edhe përjashtim i katër komunave veriore nga tarifat e reja me rritje prej 16.1 për qind.

    Sipas tij, mospërfshirja e komunave veriore në vendimin e ri të ZRRE-së për rritje të tarifave, është diskriminuese.
    Në një prononcim për KosovaPress, Bajraktari shprehet se pas dorëzimit të padisë, pret që gjykata ta shqyrtojë çështjen mbi bazën e provave të ofruara, duke anuluar vendimin e ZRRE-së.

    KosovaPress raportoi ditë më parë se tarifa e reja nuk zbatohen në atë pjesë të territorit, për shkak se Elektrosever operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme, duke iu referuar një përgjigje të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

    Pas këtij lajmi të publikuar në KosovaPress dhe reagimeve të shumta në opinion, ZRRE ndërroi qëndrim, duke thënë se tarifat e reja do të vlejnë për gjithë territorin e Kosovës.

    Por, menjëherë reagoi edhe kompania Elektrosever e cila operon në veri të Kosovës, e cila tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind nga 1 maji nuk vlen për katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

    Pas kësaj, sërish ZRRE i është përgjigjur KosovaPress-it se “Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së”.

    Lidhur me këtë, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala thotë për KosovaPress se ZRRE-ja nuk mund të krijojë çmime në baza etnike, sepse është diskriminim flagrant.

    Ai potencon se ky vendim nuk është i drejtë dhe se sipas tij ZRrE-ja po i mashtron qytetarët.

    Në anën tjetër, ZRRE-ja tregon se Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, por ndryshe nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal).
    Në përgjigjen e ZRRE-së potencohet se tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së.

    “Sa i përket konsumatorëve në katër komunat veriore (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe pjesë të Mitrovicës Veriore), ata furnizohen nga kompania “Elektrosever”. Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, por ndryshe nga KESCO, nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal). Për këtë arsye, Elektrosever ka përgjegjësi që të paguajë tarifat për përdorimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes, të cilat përcaktohen nga vendimi i Bordit të ZRRE-së. Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së”, thonë nga ZRrE-ja.

    Tutje në një përgjigje për KosovaPress, ZRrE-ja thotë se vendimi i 16 prillit ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës.

    “Vendimi i 16 prillit i ZRRE-së ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për KosovaPress.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë thotë se vendimi i 16 prillit që tarifat e energjisë elektrike të rriten për 16.1 për qind, përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO, në territorin e Kosovës.

    “Vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i datës 16 prill 2025, që parasheh rritjen e tarifave të energjisë elektrike, zbatohet për furnizuesin me shërbim universal në Kosovë, i cili është KESCO. Ky vendim përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO, në territorin e Kosovës”, thuhet aty, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, Institucioni Avokatit të Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

    Po ashtu Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë” të premten, ka dorëzuar zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

    ZRRE më 16 prill ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës nga data 1 maj, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe ka nxitur edhe një valë të re të inflacionit, pra shtrenjtimin e disa produkteve tjera esenciale. /KP

  • Osmani ftohet nga Sulltani i Bruneit për vizitë zyrtare, do të pritet me nderime shtetërore

    Osmani ftohet nga Sulltani i Bruneit për vizitë zyrtare, do të pritet me nderime shtetërore

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, kanë udhëtuar për Brunei, të ftuar nga Madhëria e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, Sulltan i Bruneit, për vizitë shtetërore, duke shënuar vizitën e parë ndonjëherë të kreut të shtetit të Kosovës në këtë shtet të Azisë Juglindore.

    Gjatë vizitës shtetërore në Brunei Darussalam, Presidentja Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore dhe do të zhvillojë takime me Madhërinë e Tij, Sulltan Bolkiah, në rezidencën zyrtare Istana Nurul Iman.

    Gjatë kësaj vizite shtetërore, Madhëria e tij Sulltani i Bruneit dhe bashkëshortja e tij, Madhëria e saj Raja Isteri Pengiran Anak Hajah Saleha, do të shtrojnë banket shtetëror në nder të vizitës së Presidentes dhe Zotërisë së Parë.

    Gjatë kësaj vizite, në Universitetin e Brunei Darussalam, Presidentja Osmani do të flasë para korit diplomatik, studentëve dhe stafit akademik. Në Brunei Darussalam, Presidentja Osmani do të takohet dhe me anëtarë të tjerë të familjes mbretërore dhe të kabinetit qeveritar, si dhe do të vizitojë edhe disa nga monumentet më të njohura kulturore të këtij shteti.

  • Theri me thikë një person, arrestohet i dyshuari në Podujevë

    Theri me thikë një person, arrestohet i dyshuari në Podujevë

    Një person është arrestuar në Podujevë pasi e ka therë me thikë një person tjetër.

    Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa i dyshuari në mbajtje.

    “Rr. Ilir Konushefci, Podujevë 03.05.2025 – 12:13.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka therë me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Cristiano Ronaldos pritet ta blejë një klub europian

    Cristiano Ronaldos pritet ta blejë një klub europian

    Ylli portugez Cristiano Ronaldo, i cili vazhdon të shkëlqejë në fushë me Al Nassr në Arabinë Saudite, ka hedhur sytë drejt një tjetër sfide të madhe jashtë saj: blerjen e një klubi të njohur evropian.

    Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo” dhe “Mirror”, Ronaldo është i interesuar për një blerje të mundshme të klubit spanjoll Valencia CF, një skuadër me histori të madhe por që prej vitesh ka rënë në harresë dhe është në krizë të thellë, si sportive ashtu edhe menaxheriale.

    Plani i Ronaldos është të bashkëpunojë me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF) – i njëjti që ka marrë nën kontroll edhe klubin e tij aktual, Al Nassr – për të bërë një ofertë serioze për blerjen e Valencias.

    Megjithëse pronari aktual Peter Lim ka mohuar çdo interes për ta shitur klubin, rritja e pakënaqësisë së tifozëve dhe rënia e vazhdueshme e performancës së klubit mund ta detyrojnë të rishikojë qëndrimin e tij.

    Fitorja 3-2 ndaj Las Palmas të shtunën praktikisht siguroi mbijetesën e Valencias në La Liga – një kusht thelbësor për Ronaldon, që sipas burimeve është i interesuar vetëm nëse skuadra mbetet në elitë.

    Ronaldo, i cili zotëron tashmë hotele, marka veshjesh dhe qendra fitnesi, e ka bërë të qartë se ambicia e radhës është pronësia e një klubi futbolli. Valencia, me historinë dhe kapacitetin e saj – përkundër krizës aktuale – shihet si një platformë ideale për këtë hap të madh të ikonës portugeze.

    A do të rikthehet Ronaldo në La Liga në një rol krejtësisht të ri, këtë herë si pronari i një klubi të madh? Tifozët e futbollit po ndjekin me interes të madh zhvillimet.

  • 103 milionë euro humbje në Trust për vetëm katër muaj, OEK kërkon investim të mjeteve në Kosovë përmes një ligji të ri

    103 milionë euro humbje në Trust për vetëm katër muaj, OEK kërkon investim të mjeteve në Kosovë përmes një ligji të ri

    Vetëm për katër muaj, mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trustit) kanë shënuar një rënie drastike mbi 103 milionë euro, duke ngjallur shqetësime për mënyrën se si menaxhohen fondet e pensionistëve të ardhshëm.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në intervistë për Ekonomia Online, shprehu shqetësim për këto ecuri , por tha se humbjet nuk varen vetëm nga menaxhimi i brendshëm i Trustit.

    Ai përmendi ndikimin e zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht politikave të ndërmarra në SHBA.

    “Është shqetësuese, nuk është diçka që varet vetëm prej Trustit. Këto janë edhe bursa të huaja, janë edhe investime nëpër organizata të ndryshme që ato kanë qenë të afektuara për shkak të politikave që kanë ardhur së pari nga Shtëpia e Bardhë, politikave të Trumpit. Kështu që nuk është afektuar vetëm Kosova apo vetëm Trusti, por janë afektuar edhe vendet e tjera me shpresë që do të stabilizohet. Pritet për t’u parë”, tha ai.

    Rafuna sugjeroi që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë me një qasje strategjike ndaj mjeteve të Trustit, duke kërkuar një ligj të veçantë për orientimin e këtyre fondeve drejt investimeve të brendshme zhvillimore, në vend të mbështetjes te tregjet e jashtme.

    Ai përmendi si shembull ndërtimin e një termocentrali me gaz, duke e cilësuar atë si projekt për vendin.

    “Te Trusti kur jemi, Qeveria e Kosovës duhet ta mendojë një plan, një ligj që këto mjete të Trustit me normën e njëjtë me sigurinë e plotë juridike, nëpërmjet një ligji të kaluar në Kuvendin e Kosovës, mund t’i marrë këto mjete edhe t’i kthejë në investime për projekte konkrete zhvillimore dhe të mos i lejojë që këto të investohen në tregjet e huaja dhe të jenë të varura nga ndryshimet që ndodhin në bursa. Në qoftë se do t’i kishim investuar në projekte, për shembull kishte me qenë një prej projekteve kapitale që ka Kosova nevojë urgjente, kishte me qenë për shembull ndërtimi i një termocentrali me gaz, në kuptimin e kthimit të qymyrit në gaz dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve mund të merren. Përveç borxhit publik mund të merren edhe prej Trustit dhe të investohen”, tha ai.

    Rafuna tha se duhet garantuar siguria e mjeteve të qytetarëve, pasi ato janë investime private dhe çdo model i ri duhet të garantojë kthimin e fitimit.

    “Trustit ose qytetarëve të Kosovës t’u sigurohet, se këto janë investime private dhe nëpërmjet një ligji që investimi i tyre të kthehet në fitim në Trust, siç ndodh investimi nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha ai për EO.

    Në evidencën e Trustit për datën 31 dhjetor 2024, figuronin 3.181.841.318 euro, ndërsa më 16 prill 2025, kjo shumë kishte rënë në 3.077.975.659 euro.

  • Udhëtarja goditet me gurë në kokë derisa ishte në trenin Prishtinë – Pejë

    Udhëtarja goditet me gurë në kokë derisa ishte në trenin Prishtinë – Pejë

    Një grua ka raportuar se derisa ka qenë duke udhëtuar me tren dikush ka hedhur gurë në drejtim të trenit dhe viktima është qëlluar në kokë.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Fsh. Grabovc, Obiliq 03.05.2025 – 17:51. Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se derisa ka qenë duke udhëtuar në tren (drejtimi Prishtinë–Pejë), dikush ka hedhur një guri në drejtim të trenit, ku ankuesja është qëlluar në kokë. Viktima pas pranimit të trajtimit mjekësor është liruar. Rasti në hetime.”

  • Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, kryeqyteti mban aktivitete

    Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, kryeqyteti mban aktivitete

    Në Ditën Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, Komuna e Prishtinës do të mbajë aktivitete nga ora 09:00 deri në 14:00.

    “09:00- 14:00-Komuna e Prishtinës mban aktivitet për shënimin e “Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve”. Në orën 11:00, aktivitetit do t’i bashkohet edhe kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama. (Sheshi Zahir Pajaziti)”