ATV

Author: ATVLive

  • KQZ ndan mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025

    KQZ ndan mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar rekomandimin e Zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, ndwrsa ndarja e mjeteve për Listën Serbe u kundërshtua nga VV-ja, raporton EO.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, njoftoi se ndarja e mjeteve financiare për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor 2025 është paraparë të jetë në vlerë prej 3,670,800 eurosh. Këto fonde ndahen për 15 subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, është paraparë ndarja e mjeteve shtesë për mbështetjen e punës së deputetëve, në vlerë prej 106,898.31 eurosh, bazuar në rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

    Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, shprehu kundërshtimin e tij për ndarjen e fondeve për Listën Serbe.

    “Unë i votoj këto ndarje. Votoj kundër për Listën Serbe në çdo rast,” tha Kurteshi.

  • Autoriteti i Konkurrencës vihet në veprim pas paralajmërimeve për shtrenjtim të produkteve bazë

    Autoriteti i Konkurrencës vihet në veprim pas paralajmërimeve për shtrenjtim të produkteve bazë

    Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.

    “Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën.

    Në të njëjtën kohë, sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut.

    Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës .

  • 11 vjet burgim dhe 8 mijë euro gjobë ndaj dy ish-hetuesve të akuzuar për korrupsion

    11 vjet burgim dhe 8 mijë euro gjobë ndaj dy ish-hetuesve të akuzuar për korrupsion

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish-policëve Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani, duke i dënuar me dënim unik (së bashku) me 11 vjet burgim dhe 8 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për korrupsion.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Sulltane Hoti.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Osmani për veprën penale në bashkëkryerje “Marrje ryshfeti” u dënua me 4 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Kurse, për pikat 3 dhe 4 u dënua me 3 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik me burg 6 vite dhe gjobë 4 mijë euro.

    Edhe, Menxhiqi për veprën e parë u dënua me 4 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Kurse, për pikat e tjera për këtë të akuzuar, gjatë shpalljes, nuk u theksua dënimi i shqiptuar.

    Ndaj Menxhiqit, u shpall dënim unik prej 5 vite burgim dhe 4 mijë euro gjobë.

    Në dënimin e shqiptuar, dy të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Në rast se nuk e paguajnë gjobën, e njëjta iu zëvendësohet me burg, ku një ditë burg llogaritet në 20 euro gjobë.

    Dy të akuzuarve iu ndalohet edhe ushtrimi i funksioneve publike në administratë publike apo shërbim publik në kohëzgjatje prej 5 vite.

    Të njëjtit obligohen t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë nga 50 euro për paushall gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

    I dëmtuari udhëzohet në konstest të rregullt juridiko-civil.

    Po ashtu, sipas aktgjykimit, konfiskohen paratë-nga Lufti Menxhiqi shuma prej 9 mijë euro, kurse nga Lavdim Osmani 1 mijë e 300 euro. Sekuestrohen edhe armët e gjetura nga Menxhiqi gjatë bastisjes.

    Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt të vitit 2022, kishte shpallur fajtorë Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 maj 2023, ka marrë vendim, përmes të cilit ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Menxhiqit dhe Osmanit.

    Vendimi i Apelit për këtë çështje erdhi pas mbajtjes së seancës në këtë Gjykatë më 5 prill 2023, ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, për Lavdim Osmanin- avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin- avokati Skender Musa.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, akuzohenshin se në fillim të muajit nëntor 2019, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet nga Driton Berisha dhe D.H, në mënyrë që mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.. /BetimipërDrejtësi

  • Krasniqi: Qeveria po i trajton qytetarët si të dorës së dytë

    Krasniqi: Qeveria po i trajton qytetarët si të dorës së dytë

    Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj politikave të qeverisë, duke theksuar se qytetarët po përballen me padrejtësi të hapura dhe vështirësi ekonomike për shkak të vendimeve të saj.

    “Çmimet e artikujve bazë dhe të energjisë elektrike janë rritur kudo, por për veriun, që qeveria e quan të ‘çliruar’, nuk ka asnjë rritje të çmimeve të rrymës. Kjo është një ndarje e hapur mes qytetarëve dhe një padrejtësi e pastër”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ajo ka akuzuar qeverinë për veprime të pasinqerta dhe për një politikë ndëshkuese që po rëndon jetesën e qytetarëve.

    “Sanksione, shtrejtime, mosnjohje dhe mosanëtarësime – për këto veprime do të mbaheni në mend. Mjaft më me këtë qasje, sepse qytetarët nuk janë fajtorë për paaftësinë tuaj”, përfundoi Krasniqi, duke kërkuar përgjegjësi nga qeveria për gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale në vend.

  • Guvernatori Ismaili takohet me Presidentin e Bankës Botërore, z. Ajay Banga për të forcuar bashkëpunimin strategjik

    Guvernatori Ismaili takohet me Presidentin e Bankës Botërore, z. Ajay Banga për të forcuar bashkëpunimin strategjik

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, pati kënaqësinë të zhvillojë një takim me Presidentin e Grupit të Bankës Botërore, z. Ajay Banga, në kuadër të Takimeve Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

    Gjatë diskutimit, Guvernatori Ismaili dhe Presidenti Banga vlerësuan lartë partneritetin e shkëlqyeshëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore, duke u përqendruar në progresin e projekteve në vijim që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

    Guvernatori Ismaili mirëpriti vazhdimin e bashkëpunimit me Bankën Botërore, duke theksuar rëndësinë e asistencës teknike dhe mbështetjes strategjike në funksion të avancimit të kapaciteteve institucionale të BQK-së. Ai shprehu mirënjohje të thellë për rolin e Bankës Botërore në avancimin e reformave kyçe dhe iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve që janë në përputhje me objektivat afatgjata të institucionit.

    Një moment i rëndësishëm ishte edhe arritja e statusit të ri të Kosovës si kontribuues në Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) – një arritje e rëndësishme që pasqyron rolin gjithnjë më aktiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe përkushtimin e saj ndaj zhvillimit global.

    Guvernatori Ismaili shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe rikonfirmoi përkushtimin e institucionit për të thelluar më tej bashkëpunimin në vitet në vijim.

  • Seancë dëgjimore publike në Kushtetuese, kontest pronësor për një parcelë në qendër të kryeqytetit

    Seancë dëgjimore publike në Kushtetuese, kontest pronësor për një parcelë në qendër të kryeqytetit

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbajtur seancë dëgjimore publike lidhur me një kontest pronësor që ka të bëjë me një parcelë në qendër të kryeqytetit, raporton EO.

    Rasti ka të bëjë me kërkesën e parashtruar nga trashëgimtaret e një objekti të shkatërruar gjatë luftës dhe më vonë të rrënuar nga Komuna e Prishtinës, me pretendime për shkelje të të drejtës në pronë dhe diskriminim.

    Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, tha se objekti i shqyrtimit është kushtetutshmëria e aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vlerësimi i pretendimeve të parashtruara nga kërkueset.

    Sipas tij, thelbi i çështjes është nëse refuzimi për regjistrim të pronës në regjistrin kadastral përbën shkelje të së drejtës pronësore dhe të neneve 7, 23, 24 dhe 27 të Kushtetutës së Kosovës.

    “Objekti i kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të gjykatës supreme dhe pretendimeve të parashtruara të parashtrueseve të kërkesës. Parashtrueset e kërkesës pretendojnë se atyre u janë cenuar të drejtat pronësore për shkak të refuzimit që kërkesa e tyre të regjistrohet në regjistrin publik kadastral, në parcelën ku ka ekzistuar objekti kontestues. Objekti i banimit në fjalë ka qenë i vendosur në Prishtinë. Sipas parashtruesve të kërkesës, objekti është dëmtuar rëndë dhe djegur si pasojë e luftës dhe më pas i njëjti është rrënuar nga Komuna e Prishtinës dhe, sipas pretendimeve të tyre, parashtruesit kanë pasur të drejtën e pronësisë në bazë të Komisionit Kosovar të Pronës. Kërkesa ka të bëjë me vlerësimin nëse refuzimi i kërkesës nga autoriteti përkatës për regjistrim përbën shkelje të së drejtës në pronë, si dhe pretendimet për shkelje të neneve 7, 23, 24 dhe 27 të Kushtetutës së Kosovës,” tha ai.

    Kërkesa është parashtruar nga Afërdita Nura–Lama, Eufrozina Nura, Dijana Nura–Sahatçiu dhe Servete Nura, të cilat pretendojnë se u është mohuar e drejta e pronësisë dhe janë diskriminuar si gra trashëgimtare.

    Afërdita Nura–Lama, gjatë fjalës së saj para gjykatës, tha se pasuria e tyre është zvarritur në institucione për shkak se të gjitha trashëgimtaret janë gra.

    Ajo theksoi se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit nuk dhanë arsye të qarta në aktgjykimet e tyre, ndërsa në mënyrë të njëanshme është lejuar rindërtimi vetëm i shtëpisë së Melihate Nura.

    “Gjatë luftës shtëpia u dëmtua rëndë. Besim Nura, djali i vetëm në Mitrovicë, pas vitit 1999 njihet e drejta e pronës nga gjykata komunale, por nuk arrihet të regjistrohet. Me dashje apo pa dashje, por me veprimet, një pas një shkelet e drejta e Melihate Nura për pronësi të gjithë shtëpisë. Provat janë rinovuar dhe rindërtuar vetëm për shtëpinë e Melihate Nura. Neni 24 i Kushtetutës është i thyer. Kryetari i Komunës vjen me vendim, por tani është bërë pa njoftim. Komisioni i kërkesave grupore vjen me vendim… me sugjerim të Komunës pa informim të pronarëve, Komuna bën rrënimin e objektit. Gjykata Themelore nuk e përmendi arsyet dhe pa prezencën e të paditurës janë të pabazuara. Gjykata e Apelit më 13.03.2023 dhe Supreme në 2023 refuzuan si të pabazuara ankesat e parashtrueses. Pa informim, Komuna ka bërë rrënimin e objektit. Pronares iu mohua e drejta e paraparë për pronësi. Melihate Deva Nura iu cenua dinjiteti, diskriminimi ndër vite ia cenoi dinjitetin. A ju kujton gjithë kjo zvarritje kohën e sulltanatit?”,

    Rina Govori, zyrtare e lartë ligjore nga Komuna e Prishtinës, tha se vendimi për rrënim ishte marrë për shkak të rrezikshmërisë që objekti paraqiste për qytetarët. “Komuna ka njoftuar palën paditëse se objekti nuk ekziston dhe nuk mund të identifikohej njësia për regjistrim”, tha ajo.

    Nadir Shyqeriu nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dha sqarim për mosregjistrimin e pronës dhe mungesën e mundësisë për ta identifikuar objektin në terren, duke theksuar se objekti ishte i rrënuar në vitin 2018.

    “Regjistrimi i objekteve fillimisht bëhet përmes identifikimit në terren. Nga terreni është identifikuar se ajo njësi nuk ekziston. Kërkesa kryesore e ligjit është që të bëhet identifikimi. Kjo nuk ka qenë e mundur të bëhet për shkak se objekti ka qenë i rrënuar në atë kohë, po flasim për vitin 2018. Mbi këtë bazë kemi refuzuar kërkesën e palës sepse nuk mund të identifikohet një objekt inekzistent”, tha ai.

    Veton Demi nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës tha se ishte vendosur që Melihate Nura të njihej si pronare.

    “Për pronën, më 2007 është pranuar kërkesa për të drejtën e pronësisë. Pas pranimit të kërkesës, zyrtarët e kanë vizituar pronën, por në pronë nuk është gjetur askush dhe prona është gjetur si banesë e dëmtuar. Pas shqyrtimit, komisioni merr vendimin të aprovohet dhe Melihate Nura është pronare dhe gjithashtu ishte pronare në ditën e rrënimit”, tha ai.

    Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vazhduar me pyetjet e tyre për palët.

    Nga gjykata u bë e ditur që vendimi për këtë çështje do të bëhet me shkrim për palët.

  • Vendoset gurthemeli i Kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social me gjithsej 65 banesa

    Vendoset gurthemeli i Kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social me gjithsej 65 banesa

    ryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Feratin, vendosën gurthemelin e kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social.

    Ky kompleks, që do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9,120 m², do të ketë gjithsej 65 banesa, prej tyre 52 për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social. Kohëzgjatja e punimeve parashihet të jetë tri vjet, kurse vlera e projekt është 4.9 milionë euro. Kompleksi do të ketë katër tipe të banesave: Tipi A me 53 m² ; Tipi B me 66 m²; Tipi C me 77 m² dhe Tipi D me 87 m².

    Me rastin e vendosjes së gurthemelit, kryeministri tha se, qysh në fillim të mandatit të qeverisë patëm miratuar Agjendën Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social, që synon qasjen në banim të denjë, të përballueshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët bazuar në tri parime themelore: gjithëpërfshirje, mos-segregim dhe diversitet.

    “Banimi është e drejtë themelore e njeriut”, tha ai, teksa falënderoi ministrin Aliun, zëvendësministrin Jeton Rakën, kryetarin Feratin dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë projekt dhe uroi punime të mbara e të shpejta.

    Ministri Aliu theksoi se përpos studimeve të fizibilitetit për banimin social dhe banimin e përballueshëm, është bërë edhe ndryshimi i ligjit, i cili i ka hapur rrugën këtij projekti. Duke dhënë detaje rreth projektit, ai tha se banimi i përballueshëm do të jetë i kombinuar me banimin social. Banimi social do të jetë në pronësi dhe menaxhim të komunave. Kurse, në banimin e përballueshëm, në fund, pronarë do të jenë ata që kanë aplikuar dhe përfituar nga ky program.

    “Kombinimi i banimit social me atë të përballueshëm bën që të kemi diversitet brenda komplekseve të banimit. Ne synojmë politika, ku banesat sociale të jenë të përfshira edhe në zonat e reja zhvillimore, në mënyrë që mos të kemi getoizim të rasteve sociale, siç kemi pasur në të kaluarën”, u shpreh ministri Aliu.

    Ai uroi që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë ashtu që çiftet e reja, punëtorët e administratës të mund te përfitojnë nga programi i ynë për banim të përballueshëm.

    Ndërkaq, kryetari Ferati u shpreh se është shumë i gëzuar që Komuna e Istogut është e para që po fillon me këtë projekt, që përpos se për qeverinë, sigurisht që edhe për komunën që drejton ai ka qenë me interes jetik, marrë parasysh që ka numër të konsiderueshëm të rasteve që kërkojnë nga komuna që të ofrojnë zgjidhje sa i përket banimit.

    Ky projekt është një bashkëinvestim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave përfituese, ku komunat kontribuojnë me lokacionin dhe infrastrukturën e nevojshme përcjellëse, ndërsa ministria realizon investimet kapitale, përkatësisht projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin.

    Përfitues nga ky program janë çiftet e reja dhe familjet që përbëhen nga prindi vetushqyes, bazuar në kriteret në vijim: nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit dhe mosha e njërit nga çiftet të jetë nën moshën tridhjetë e shtatë (37) vjeçare.

    Në janar të vitit 2024, ministria shpalli Thirrjen e Parë Publike për Komunat, duke ftuar bashkëpunimin institucional në kuadër të programit. Si rezultat, 13 komuna, përkatësisht Peja, Podujeva, Gjilani, Istogu, Kamenica, Rahoveci, Gllogoci, Lipjani, Malisheva, Obiliqi, Vushtrria, Shtimja dhe Ferizaj, dorëzuan aplikime, të cilat u shqyrtuan përmes vlerësimeve analitike dhe vizitave në terren. Në mars 2024, u themelua gjithashtu Ekipi i Profesionistëve pranë ministrisë për të mbështetur procesin e zbatimit të projektit në nivel lokal.

    Ndër komunat që përmbushën kriteret për zhvillimin e projekteve, Komuna e Istogut është një nga pesë komunat, së bashku me Pejën, Podujevën, Gjilanin dhe Kamenicën, për të cilat janë hartuar projektet ideore dhe kryesore. Projektet në këto komuna janë pajisur me Kushte Ndërtimore, ndërsa për tri prej tyre, përfshirë Istogun, janë lëshuar edhe Lejet Ndërtimore. Deri tani janë nënshkruar katër kontrata me operatorët ekonomikë në shtatë llote në Komunat e Istogut, Gjilanit, Pejës dhe Podujevës, me vlerë totale prej 32,257,752.81 euro.

  • Protestë nesër në Prishtinë, “Për 1 Maj të mos festojmë, por të protestojmë”

    Protestë nesër në Prishtinë, “Për 1 Maj të mos festojmë, por të protestojmë”

    Kosova nesër do të protestojë në Ditën Ndërkombëtare të Punës. Protestën me rastin e 1 Majit, këtë të enjte prej orës 12.00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizojnë bashkërisht disa organizata dhe sindikata, raporton EO.

    Në konferencën e përbashkët për media, organizatorët i bënë thirrje të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve që në protestën e nesërme të shfaqin pakënaqësinë e tyre kundër nëpërkëmbjes të të drejtave të punëtorëve.

    “Punëtorët vdesin nga sëmundjet profesionale, por nuk u paguhet rrezikshmëria në punë dhe pagat e tyre janë të ulëta krahasuar me punën që e bëjnë. Punëtorët e kanë paditur KEK-un. Kërkojmë që të bëhet Gjykata e Punës. Do të kërkojmë respektimin e të drejtave të punëtorëve, ngritjen e pagave si dhe do të shtrojmë çështje të tjera jetike për punëtorët. Do të protestojmë edhe kundër shtrenjtimeve. Nesër në orën 12.00 të mos festojmë, por të protestojmë”, tha kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

    Për kushte pune shprehu pakënaqësiedhe Ibrahim Jonuzi, nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve.

    “Ta shënojmë 1 Majin duke shprehur pakënaqësitë tona dhe të bëjmë thirrje për të drejtat tona. Për minatorët e Trepçës, për të gjithë ata të cilët mendojmë se në mungesë të kushteve elementare të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe për të gjitha padrejtësitë që u bëhen, ta shënojmë Ditën e 1 Majit duke i shprehur pakënaqësitë tona. Duke bërë thirrje për të drejta më të mëdha për të gjithë punëtorët”, tha ai.

    Auron Doli, nga grupi “Asnjë cent më shumë” po ashtu bëri thirrje që kësaj proteste ti bashkohen të gjithë.

    “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, studentëve, që të na bashkohen. Varfërimi i klasës punëtore ka ecur paralelisht me rritjen e inflacionit dhe çmimit të energjisë elektrike. Edhe ne bëjmë thirrje që të na bashkohen të gjithë qytetarët”, tha ai.

    Më parë, Sindikata e Re e Korporatës së Energjisë së Kosovës në njoftimin për organizimin e protestës më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bëri të ditur se do të kërkohen paga më dinjitoze dhe kushte më të mira pune për punëtorët e sektorit energjetik.

    Kjo Sindikatë po ashtu theksoi se puna e tyre përmban lodhje ekstreme, rrezik të përhershëm dhe sakrificë të përditshme, duke theksuar se “kjo punë nuk ka para që mund ta paguajë”.

    Për të ilustruar realitetin e vështirë, sindikata ka shpërndarë edhe një fotografi të një punëtori me fytyrë të mbuluar nga pluhuri i zi, simbol i kushteve të rënda, në të cilat punojnë minatorët dhe teknikët e KEK-ut.

    “Protestojmë për një pagë dinjitoze dhe respekt për punën tonë”, thuhet në thirrjen publike, ku organizatorët ftojnë qytetarët dhe përfaqësuesit sindikalë të solidarizohen me kërkesat e tyre.

    Në protestën e nesërme, siç thuhet në një njoftim për media, do të merr pjesë edhe Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja”, organizata të tjera, iniciativa Një cent më shumë , aktiviste dhe aktivistë të pavarur në koordinim me sindikatat e punëtorëve.

  • Ministri në detyrë Vitia viziton QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit

    Ministri në detyrë Vitia viziton QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit

    Ministri në detyrë Vitia viziton QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia vizitoi QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit të këtij institucioni, që ndodhi sot orës 10:00, raporton Ekonomia Online.

    Automjeti i tij ishte i parkuar në hapësirat zyrtare të administratës në momentin e ngjarjes.

    Ndërsa, në vendin e ngjarjes tashmë ka arritur edhe njësiti për deminimin e mjeteve shpërthyese nga Policia e Kosovës. Policia e Kosovës njoftoi se nuk ka pasur të lënduar.

  • Flet Kurti: Një herë Kuvendi, pastaj qeveria

    Flet Kurti: Një herë Kuvendi, pastaj qeveria

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se një herë duhet konstituar Kuvendi e më pas të flitet për formimin e qeverisë.

    Ai u prononcua për “Istogu Channel” pasi vendosi gurthemelin e projektit të banimit të përballueshëm dhe social në Istog, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

    “Një herë Kuvendi, pastaj qeveria”, u shpreh Kurti.

    Nesër do të jetë vazhdimi i nëntë i seancës konstituuive të Kuvendit të Kosovës.