ATV

Author: ATVLive

  • Bajrami i reagon Kurtit: Numrat kurrqysh s’po qojnë të ”lulëzimi i punësimit” siç paske deklaru sot

    Bajrami i reagon Kurtit: Numrat kurrqysh s’po qojnë të ”lulëzimi i punësimit” siç paske deklaru sot

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti se punësimi është rritur në Kosovë, duke shkruar se “numrat kurrqysh s’po qojnë të ‘lulëzimi i punësimit”.

    Përmes një postimi në Facebook, Bajrami, ka pyetur kryeministrin se si është e mundur të ketë “lulëzim të punësimit”, kur Kosova pati deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro këtë vit dhe investimet kapitale gjatë mandatit të Kurtit janë vetëm 11% e buxhetit.

    Postimi i plotë:

    Kryeminister Kurti,

    E di që e ke ushqim për militanta, por nuk u durova pa reagu. Gjithashtu e di që pak merr vesh nga ekonomia, por edhe këtu kemi të bëjmë më numra, e numrat kurqysh s’po qojnë të ”lulëzimi i punësimit” siç paske deklaru sot.

    Kyreminister, pyeti ekonomistat që i ke në Kabinet se cila teori apo praktikë të qon të krijimi enorm i vendeve të punës kur rritjen ekonomike e ke vetëm 4.3% (2022); 3.3% (2023) dhe pret me pasë rritje max 3.9 (2024)?

    Qysh ka mundësi me lulëzu punësimi Kryeministër kur eksporti në vitin 2023 ka qënë vetëm 819 milionë euro ndërsa importi ka qënë 5.7 milardë euro, dmth. deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro?

    Qysh po u krijojkan vende punë Kryeminister kur investimet kapitale gjatë mandatit tënd janë vetëm 11% buxhetit dhe investimet private i ke në rënie?

    Të dhanat e ATK-së mundesh me i përdorë për propagandë, por ato nuk paraqesin punësim real sepse në ATK-ja të punësuar ta qet edhe atë që punon dy ditë në muaj dhe ta llogaritë si të punësuar dy, tri herë secilin që i ka dy, respektivisht tri puna.

    Të dhënat e sakta të punësimit janë ato në Trust-it, të punësuar janë ata që për 12 muaj paguajnë kontribute dhe sipas Trust-it, raporti vjetor për vitin 2023 në Kosovë janë kriju:

    2020 – 10 179 vende pune (pandemi),

    2021 – 16 877 vende pune,

    2022 -15 833 vende pune,

    2023 – 12 551 vende pune,

    Dhe ky nuk është kurrëfarë lulëzimi sepse s’ka pasë punësim as për ata që për herë të parë kanë hy në treg të punës.

    Dhe në fund Kryeminster, është e vërtetë se papunësia është ulë, por jo pse ka lulëzu ekonomia, por sepse fuqia punëtore ka ikë nga Kosova dhe kjo do të këtë pasoja për ekonominë edhe në vitet në vazhdim.

  • U kërcënua se do t’i publikohen videot intime, arrestohen dy të dyshuar

    U kërcënua se do t’i publikohen videot intime, arrestohen dy të dyshuar

    Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, i cili u zhvillua pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të dyshuar janë duke kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes internetit.

    Në këtë operacion janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mashkull dhe një femër me inicialet T.B., dhe dhe F.B.

    Ndërkaq, në cilësi të provave janë sekuestruar: Një veturë, dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare, dy telefona mobil, dy revole, tetë copë municion dhe një maskë.

    Sipas policisë, i dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme për të gjetur dhe joshur viktimat. Motivi kryesor i joshjes ka qenë lidhje dashurie. Gjatë komunikimit viktima ka shkëmbyer me të dyshuarin, përveç tjerash, edhe fotografi dhe video intime, transmeton Klankosova.tv.

    “Me qëllim të zhvatjes financiare të viktimës, i dyshuari kryesor ka përdorur arsyetime të ndryshme duke u thirrur në atë se të hollat i duhen për shërim të anëtarëve të ngushtë të familjes të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, pastaj për të dërguar trupin e pajetë të familjarit të ngushtë në Kosovë si dhe arsyetime tjera të ngjashme. Të dyshuarit kanë arritur të mashtrojnë viktimën e cila i ka dërguar të dyshuarit para përmes unioneve financiare”.

    Në momentin që viktima ka kuptuar se është mashtruar, i dyshuari e ka shantazhuar por edhe kanosur se nëse raporton rastin në polici do t’ia publikoj fotografitë dhe videot intime.

    “Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën shtetase e huaj (por e nacionalitetit shqiptar) me ç ‘rast dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 80 mijë dollar amerikanë”.

    Dyshohet se numri i viktimave në këtë rast, shtetase të huaja (por të nacionalitetit shqiptar), është më shumë se një.

    Pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dërgohen në mbajtje prej 48 orëve.

  • ​Çeku: Paraatleti Bytyqi, inspirim për sportistët tjerë

    ​Çeku: Paraatleti Bytyqi, inspirim për sportistët tjerë

    Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Paralimpike në Paris është një hap hisotrik, derisa paraatletin Grevist Bytyqi, i cili po e përfaqëson Kosovën në këto lojëra e ka cilësuar si “inspirim për sportistët tjerë të Kosovës”.

    “Kosova për herë të parë pjesë e Lojërave Paralimpike. Në Paris 🇫🇷 vendin tonë po e përfaqëson paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në atletikë. Jemi krenarë që Grevisti po merr pjesë në një prej ngjarjeve më të mëdha të sportit global për persona me aftësi të kufizuara, ndërsa po bëhet inspirim për sportistët tjerë të vendit. I urojmë shumë suksese në garë”. Ka shkruar Çeku në ‘Facebook’.

    Ndryshe, Grevist Bytyqi do të marrë pjesë në sportin e atletikës në disiplinën deri në 1500 metra.

  • Strategjia e Millosheviqit “Nuk ka kufomë, nuk ka krim” po vazhdohet edhe sot, thotë Kurti në Ditën e të Zhdukurve

    Strategjia e Millosheviqit “Nuk ka kufomë, nuk ka krim” po vazhdohet edhe sot, thotë Kurti në Ditën e të Zhdukurve

    Kryeministri Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë, si dhe mbështetjen ndërkombëtare për këtë, raporton EO.

    Ai ka cituar thënien e Sllobodan Millosheviqit ‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, strategji e cila, siç tha Kurti, po vazhdohet ende nga trashëgimtarët e tij politikë, të cilët refuzojnë hapjen e arkivave serbe.

    Tutje, Kurti ka theksuar se Qeveria është e përkushtuar në gjetjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës e se përgatitjet për gërmime në disa lokacione të Serbisë kanë nisur.

    “Sivjet janë bërë 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Forcat e Serbisë kryen mijëra masakra dhe zhdukje me dhunë të popullit të Kosovës. ‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e serbëve për krimet e kryera në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të Millosheviqit në Beograd”.

    “Kanë filluar përgatitjet përgatitjen për gërmime në Gozhle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi dhe shpresojmë që kjo nuk është një përpjeke e re e shtetit serb për ta evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shenjëuara në Serbisë. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhëna nga arkivat për këtë lokacion andaj edhe sot e përsërisim kërkesën tonë për hapjen e arkivave tonë. Në bazë të marrëveshjes sonë në Bruksel me 2 maj të vitit 2023, tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës të Brigadës 37 të moterizuar në ushtrisë jugosllave përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë e sidomos në rajonin e Drenicës”.

    “Këtë javë kanë filluar përgatitjet për gërmime në disa lokacione në Serbi. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Edhe sot e përsërisim kërkesën tonë, për hapjen e arkivave, siç jemi dakorduar edhe në Bruksel”.

    “Janë 1 mijë e 585 persona të zhdukur gjatë luftës. Për adresim të personave të zhdukur kemi rritur kapacitetet tona, kemi ngritur numrin në 41 hetues. Kemi nevojë për drejtësi që ekzekutorët të vendosen prapa grilave. Kemi nevojë edhe për mbështetje ndërkombëtare por edhe për mobilizim kombëtar. Kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësi sepse këto krime nuk harrohen e as nuk falen”.

    “Qeveria është e përkushtuar në trajtimin e çdo informate në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur. Janë rreth 13 lokacione të vlerësuara në gërmime për personat e zhdukur në Kosovë. Në do të vazhdojmë mbështetjen edhe për shoqatat e personave të zhdukur”, ka thënë Kurti, raporton EO.

  • Te Drita premtojnë ndeshje të madhe ndaj Legias

    Te Drita premtojnë ndeshje të madhe ndaj Legias

    Futbollistët e Dritës e kanë parasysh se kalimi në fazën grupore të Ligës së Konferencës do t’iu hapte shumë dyer për të ardhmen. Por e dinë gjithashtu se pa angazhim nuk mund ta kalojnë pengesën e fundit drejt paraqitjes së parë në grupet e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.
    Për të siguruar kalimin tutje, Dritës i duhet ndeshje e madhe përballë Legias së Varshavës, që fitoi 2:0 si nikoqire.

    Ndeshja e dytë e plejofit të Ligës së Konferencës mes Dritës dhe Legias polake zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Ndeshja zhvillohet nga ora 20:00.

    Portieri i Dritës, Faton Maloku, u lavdërua pas paraqitjes ndaj Legias javën e kaluar. Ai thotë se do të mundohet ta ndihmojë ekipin e tij edhe në ndeshjen në Prishtinë.

    “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por besojmë në ekipin tonë. Qëndrojmë pozitivë dhe nuk jemi dorëzuar. Me pak fat dhe me shumë angazhim mendojmë se mund ta arrijmë kalimin tutje”, ka thënë Maloku.

    Maloku pret përkrahje masive nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.

    “Mbështetja e shikuesve është e mirëseardhur për ne. Përkrahja e tyre në këtë moment na duhet si kurrë më parë. Prandaj uroj që ta kemi stadiumin të mbushur dhe në fund të festojmë së bashku”, është shprehur Maloku.

    Rreth 7 mijë bileta janë shitur deri tash për ndeshjen ndaj Legias.

    Përkrahje nga tribunat pret edhe mbrojtësi me përvojë, Egzon Bejtullai. Megjithatë, ai thotë se për të kaluar tutje u duhet ndeshje gati e përkryer ndaj ekipit polak.

    “Sigurisht se përkrahja e tifozëve gjithmonë na jep motiv edhe më të madh, sepse tifozëria gjithnjë është lojtari i 12-të i ekipit. Shpresoj të vijnë në numër sa më të madh për të na përkrahur dhe do Zoti që në fund t’i gëzojmë, sepse e meritojnë gjithnjë”, ka thënë Bejtullai.

    Ai pranon se pa angazhim, kalimi në grupet e Ligës së Konferencës mbetet vetëm ëndërr.

    “Mendoj se nuk ka rastësi në futboll, duke ditur se Drita ka një ekip shumë të mirë. Edhe në ndeshjet që kemi zhvilluar kemi treguar futboll të mirë. Futbolli është i bukur dhe gjithnjë ka befasi. Do të japim gjithçka nga vetja për të arritur rezultat pozitiv dhe të kalojmë tutje”, ka theksuar Bejtullai.

    Drita, nga Legia e Varshavës ishte eliminuar edhe në edicionin 2020/21, por në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Atëbotë për shkak të situatës me koronavirus ishte zhvilluar vetëm një ndeshje.

    Skuadra gjilanase ka bërë përvojë në garat evropiane. Është pjesëmarrëse prej edicionit 2018/19, kurse me plot sukses është përballur edhe me skuadra të mëdha si Viktoria Plzen, Antwerp, Feyenoord e Malmo. Megjithatë, është eliminuar nga të gjitha këto skuadra.

    Lojtarët e Dritës vlerësojnë se në shumë raste ua ka kthyer edhe fati shpinën, sidomos në ndeshjet evropiane. Fati nuk ishte në anën e tyre as javën e kaluar në Varshavë. Drita, e cila e humbi 2:0 ndeshjen në Varshavë, nga minuta e 31-të luajti me një lojtar më pak në fushë.

    Kapiteni Rron Broja uron ta kenë në anën e tyre fatin të enjten mbrëma në Prishtinë.

    “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Por ne jemi optimistë. Duhet të japim maksimumin për të kthyer rezultatin në favorin tonë. Në këtë ndeshje na duhet fati dhe një ndeshje e përkryer për t’u kualifikuar. Tifozët do të jenë motiv shtesë për ne”, ka thënë Broja.

    Skuadrat e tjera kosovare tashmë janë eliminuar nga Evropa.

  • Kurti përmend “rritjen enorme” të punësimit, Mustafa: Tendencë për mashtrim të publikut

    Kurti përmend “rritjen enorme” të punësimit, Mustafa: Tendencë për mashtrim të publikut

    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për “rritje enorme” të punësimit gjatë këtyre katër viteve.

    Sipas Mustafës, ky deklarim i Mustafës është tendencë për mashtrim të publikut. Ai ka thënë se për këto katër vite ka pasur rënie të investimeve private, ndërsa investimet publike kanë qenë më të ulëta.

    “Kryeministri Kurti paska deklaru se Kosova ka shënuar rritje enorme të punësimit gjatë këtyre 4 viteve. Kjo nuk është gjë tjetër përveç se një tendencë për mashtrim të publikut. Se çka mund të ketë ndodhë me punësimin gjatë këtyre viteve, më së miri tregon figura e mëposhtme e cila shpërfaqë stagnimin e ekonomisë”.

    “Me rritjen ekonomike nën 4%, investimet private në rënie të vazhdueshme, investimet publike më të ulëtat dhe deficitin tregtar më të lartin në histori nuk mund të ketë lulëzim të ekonomisë e as të punësimit! Punësimet e përkohshme nga 6 muaj me para të shtetit nuk flasin për punësim, po vetëm për një mekanizëm të transferit të përkohshëm të një shume të parave te qytetarët. Nuk ka rritje të punësimit me këtë aktivitet të ulët ekonomik”, ka shkruar Mustafa.

  • Arrestohen tre persona në Pejë, njëri për vrasje në tentativë

    Arrestohen tre persona në Pejë, njëri për vrasje në tentativë

    Drejtoria Rajonale e Policisё në Pejё ka arrestuar tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjykatave, për veprat penale:

    Vrasje nё tentativë i dënuar me tri vite burg;

    Vjedhje e rёndё i dënuar me katёr muaj burg;

    Vjedhje i dënuar me gjashtë muaj burg.

    “Personat e arrestuar, janë dërguar nё vuajtje tё dënimit. Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, do tё vazhdojë me realizimin e urdhёresave tё lёshuara nga Gjykatat kompetente”, thuhet në njoftim.

  • Komunat një hap përpara planifikimeve të hershme buxhetore

    Komunat një hap përpara planifikimeve të hershme buxhetore

    Instituti GAP dhe Helvetas/projekti DEMOS, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, kanë mbajtur të enjten tryezë diskutimi ku është prezantuar analiza “Planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2025”, ku sipas kësaj analize buxheti në secilin rast për vitin e ardhshëm do të jetë me i lartë, rreth 2 për qind deri në 11 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë proces janë analizuar 15 komuna të Kosovës, duke u fokusuar në trendet buxhetore të komunave, sipas kategorisë së të hyrave dhe shpenzimeve, si dhe duke parë potencialin që ofron buxheti për përmirësimin ose krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe social të secilës komunë përkatëse.

    Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP, ka thënë se të gjeturat tregojnë se planifikimi i hershëm buxhetor nuk bëhet duke i marrë për bazë rreziqet dhe sfidat qe i kanë komunat.

    “Nga të gjeturat e analizës vihet në pah se asnjë komunë në planifikimet buxhetore nuk u referohet planeve ose strategjive lokale ose nacionale qe janë hartuar me qëllim të orientimit strategjik, jo vetëm buxhetor, por edhe social e shoqëror. Të gjeturat e analizës tregojnë po ashtu se planifikimi i hershëm buxhetor nuk bëhet duke i marrë për bazë rreziqet dhe sfidat qe i kanë komunat. Asnjë nga dokumentet buxhetore të shqyrtuara nuk ka rezultuar të ofroj informata se sa kanë komunat obligime kontingjente, kontestimore, gjyqësore ose përmbarimore”.

    “Nga 15 komunat e Kosovës të përfshira në këtë analizë, buxheti në secilin rast për vitin e ardhshëm do të jetë me i lartë, diku 2 për qind e diku deri ne 11 për qind. Komuna e Ferizajt ka rritjen më të lartë në buxhet me rreth 11.7%, pasuar nga Graçanica me rreth 10.8% dhe Klina me rreth 10.4%. Ndërsa, shkallën më të ulët të rritjes së buxhetit e ka Komuna e Obiliqit me një rritje vjetore prej 1.88%. Pjesa më e madhe e komunave që janë pjesë e këtij raporti shpenzojnë gjysmën e buxhetit të tyre rreth 50% në paga dhe mëditje, ku shpenzimet më të mëdha për këtë kategori vërehen te Komuna e Junikut dhe ajo e Kamenicës, përkatësisht me 66% dhe 59%. Në anën tjetër, investimet kapitale paraqesin kategorinë e dytë më të rëndësishme për shumicën e komunave”, ka thënë Salihu.

    Salihu ka thënë se nga 15 komunat e analizuara në këtë raport kanë planifikuar të realizojnë 670 projekte kapitale.

    “Në anën tjetër, investimet kapitale paraqesin kategorinë e dytë më të rëndësishme për shumicën e komunave. Të gjitha 15 komunat e analizuara në këtë raport kanë planifikuar të realizojnë 670 projekte kapitale, për të cilat do të ndahet buxhet prej 88 milionë euro. Nga to, vetëm 17 milionë (afro 20%) do të shkojnë në projekte të reja, ndërsa 71 milionë euro (apo 80%) do të përdoren për projekte që janë vazhdimësi nga viti 2024. Apo shikuar numerikisht janë gjetur se 500 projekte do të barten nga viti 2024, ndërsa 170 projekte janë planifikuar nga këto komuna si projekte të reja”.

    Drilon Shala, përfaqësues i projektit DEMOS, ka thënë se ka mbështetur komunat në themelimin e grupeve për organizim të dëgjimeve buxhetore.

    “Projekti DEMOS ka mbështetur Komunat për një kohë të gjatë në përmirësimin e kapaciteteve të tyre për planifikimin buxhetor, përmirësimin e qasjes në informacione publike dhe angazhimin e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Këto përpjekje kanë synuar veçanërisht përfshirjen dhe integrimin e kërkesave të qytetarëve, e posaçërisht grupeve të margjinalizuara, në planifikimin buxhetor komunal. Në vitin 2023, DEMOS-i mbështeti disa komuna në themelimin e grupeve punuese për organizimin e dëgjimeve buxhetore, duke ofruar trajnime për anëtarët e grupeve mbi planifikimin, organizimin, lehtësimin dhe dokumentimin e këtyre dëgjimeve”, u shpreh Shala.

    “Në vitin 2024, DEMOS ka vazhduar mbështetjen në këtë drejtim, me fokus të veçantë në planifikimin e hershëm të buxhetit komunal në 15 komuna. Kjo mbështetje ka përfshirë, shqyrtimin e përfitimeve të organizimit të dëgjimeve buxhetore të hershme, duke tejkaluar afatet kohore tradicionale, dhe përpilimin e një manuali që përcakton këto afate, i shoqëruar me një analizë të implikimeve dhe sfidave të këtij planifikimi të hershëm. Përmirësimin e informacionit rreth buxhetit, duke e bërë atë më të qartë, transparent dhe të kuptueshëm për qytetarët. Zhvillimin e një udhëzuesi praktik për planifikimin, organizimin, lehtësimin dhe dokumentimin jo vetëm të dëgjimeve buxhetore por edhe të procesit të planifikimit të hershëm buxhetor në tërësi”.

    “Këto aktivitete synojnë të arrijnë rritjen e kapaciteteve të komunave dhe përfshirjen më të madhe të qytetarëve në proceset vendimmarrëse, duke e bërë buxhetimin më transparent dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të komunitetit. Rezultatet e deritanishme kanë treguar se ky proces është sfidues, veçanërisht për shkak se komunat kanë funksionuar sipas praktikave tradicionale për një kohë të gjatë, dhe ndryshimi i këtyre praktikave kërkon kohë. Megjithatë, është arritur progres në disa fusha kyçe, përfshirë përmirësimin e qasjes në informacione publike, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në planifikimin buxhetor dhe krijimin e praktikave më të avancuara për planifikim, organizim, lehtësim e dokumentim të dëgjimeve buxhetore”.

    Durim Halilaj, Kryesues i Kolegjiumit për Financa, Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka përmendur sfidat që i kanë komunat. Përmend telashet me kontratën kolektive dhe ankesat e kompanive në OShP.

    “Sfida e para është qarkorja e parë buxhetore dhe qarkorja e dytë buxhetore. Sfidat e planifikimit të hershem dhe planifikimit i kisha veçuar këtë sfidat që komunat kanë, neve si komuna kemi edhe telashen me kontrata kolektive. Pjesë tjetër është edhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Tek pjesëmarrja e dëgjimeve buxhetore jam i lumtur që komunat kanë vazhduar një trend tjetër të pjesëmarrjes është buxhetimi me pjesëmarrje dhe komunat në këtë pikë kanë avancuar, ku vetë banorët i përcaktojnë projekte me anë të votës apo pjesëmarrjes”, ka thënë ai.

  • Tahiri: Macron nuk përmendi njohjen e Kosovës nga Serbia, një tjetër dështim i diplomacisë së Kosovës

    Tahiri: Macron nuk përmendi njohjen e Kosovës nga Serbia, një tjetër dështim i diplomacisë së Kosovës

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas letrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, drejtuar Serbisë.

    Tahiri ka thënë se Macron në këtë letër nuk përmend askund njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sipas saj, kjo njëashmëri është dështim i Qeverisë në diplomaci.

    Më tej, ajo ka thënë se që nga fillimi i dialogut Kurti-Vuçiq ndërkombëtarët flasin vetëm për obligimet zbatuese të Kosovës dhe jo të Serbisë.

    “Macron ne letren e tij para vizites ne Serbi permend asociacionin por nuk e permend njohjen e Kosoves nga Serbia – ky fjalor i nje anshem i gjithe vendeve te Quintit eshte deshtim i diplomacise se Kosoves – pra qyshse ka filluar dialogu mes Kurtit dhe Vuciqit te gjithe nderkombetaret flasin per obligimet zbatuese te Kosoves dhe jo te Serbise – po ky kori i militanteve te VV-s pse e ka mbyllur gojen per kete ceshtje..?” – ka shkruar ajo në Facebook.

  • Humb jetën 18-vjeçari shqiptar në Greqi, u aksidentua me motor

    Humb jetën 18-vjeçari shqiptar në Greqi, u aksidentua me motor

    Një aksident në Kretë të Greqisë, i mori jetën një 18-vjeçari shqiptar.

    Motori në të cilin po udhëtonin dy të rinj, doli nga rruga dhe u përplas me një stacion autobusi, raportojnë mediat e huaja.

    Si pasojë e ngjarjes u plagos rëndë dhe humbi jetën pasagjeri i mjetit, shtetas shqiptar 18 vjeç.

    Në vendngjarje mbeti i lënduar lehtë edhe drejtuesi i mjetit, i cili po merr mjekim në Spitalin e Hanias dhe ndodhet në gjendje shoku.