ATV

Author: ATVLive

  • Emisari Sarrazin takon presidenten Osmani

    Emisari Sarrazin takon presidenten Osmani

    I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka përfunduar takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Diplomati gjerman pas takimit me të parën e vendit pritet të zhvillojë takime edhe me krerë të tjerë institucional, derisa është takuar edhe me liderë të partive opozitare.

    Pas përfundimit të takimeve, Sarrazin pritet të mbajë konferencë për medie.

  • Del sondazhi i ri i “Reuters”-it, rritet dallimi në përkrahje mes Harrisit dhe Trumpit

    Del sondazhi i ri i “Reuters”-it, rritet dallimi në përkrahje mes Harrisit dhe Trumpit

    Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tashmë ka 4 për qind më shumë mbështetje – 45 me 41 për qind – se rivali i saj republikan, Donald Trump, sipas një ankete të publikuar të enjten nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”-i, që tregon se nënpresidentja e tanishme është duke nxitur entuziazëm te votuesit dhe duke e tundur garën para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

    Epërsia prej 4 për qind në mesin e votuesve të regjistruar ishte më e lartë se epërsia prej 1 për qind që zonja Harris e kishte ndaj ish-presidentit Trump në një anketë të kryer nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”-i në fund të korrikut, raporton kjo agjenci.

    Anketa e re, e cila u zhvillua për një periudhë 8-ditore të përfunduar të mërkurën dhe ka 2 për qind margjinë gabimi, tregon se Harrisi po siguron mbështetje nga gratë dhe njerëzit hispanikë (me prejardhje nga shtetet spanjishtfolëse).

    Harrisi pati epërsi prej 49 me 36 për qind ndaj Trumpit – 13 për qind dallim – në mesin e votuesve gra dhe votuesve hispanikë. Në anketën e korrikut, Harrisi kishte 9 për qind epërsi ndaj Trumpit në mesin e grave, ndërsa 6 për qind në mesin e votuesve hispanikë.

    Trumpi pati epërsi në mesin e burrave dhe votuesve të bardhë, me margjina të ngjashme si në korrik, edhe pse epërsia e tij në mesin e votuesve pa diplomë universitare u tkurr në 7 për qind në anketën e re, nga 14 për qind sa ishte në korrik.

    Këto rezultate tregojnë se si gara për Shtëpinë e Bardhë është tundur gjatë verës. Presidenti Joe Biden i dha fund fushatës më 21 korrik pas një performance të dobët në debatin me Trumpin, që kishte nxitur thirrje për t’u tërhequr nga gara.

    Nga ajo kohë, Harrisi ka fituar terren kundër Trumpit në anketa kombëtare si dhe në ato që janë zhvilluar në shtete kyçe për garën.

    Rreth 73 për qind e votuesve të regjistruar demokratë në anketë thanë se ishin më të ngazëllyer për të votuar në nëntor pas hyrjes së Harrisit në garë./Nacionale

  • Formati i ri pa grupe dhe me më shumë skuadra/ Shorti i Ligës së Kampionëve për sezonin 24/25, ja si do të funksionojë

    Formati i ri pa grupe dhe me më shumë skuadra/ Shorti i Ligës së Kampionëve për sezonin 24/25, ja si do të funksionojë

    Champions League hedh sot në orën 18:00 shortin për sezonin 24/25, në një format krejt të ri, që ndryshon nga faza me grupe në një kampionat të vetë, që kualifikon 24 skuadra nga 36 pjesëmarrëse.

    UEFA ka sjellë një revolucion në kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë, ku do të ketë më shumë ndeshje dhe do të sjellë më shumë emocione për fansat, duke nisur nga faza kualifikuese, formati, shorti, kalendari i ndeshjeve dhe oraret.

    Nga sezoni 2024/25, 36 klube do të marrin pjesë në fazën e Ligës së Kampionëve (ish-faza e grupeve), duke i dhënë mundësinë katër skuadrave të tjera të konkurrojnë kundër klubeve më të mira në Evropë. Këto 36 klube do të marrin pjesë në një garë të vetme lige në të cilën të 36 klubet konkurruese renditen së bashku.

    Sipas formatit të ri, skuadrat do të luajnë tetë ndeshje në fazën e re të ligës (ish-faza e grupeve). Ato nuk do të luajnë më tre kundërshtarë dy herë (në shtëpi dhe jashtë), por do të përballen me ndeshje kundër tetë skuadrave të ndryshme, duke luajtur gjysmën e atyre ndeshjeve në shtëpi dhe gjysmën e tyre jashtë. Për të përcaktuar tetë kundërshtarët e ndryshëm, skuadrat fillimisht do të renditen në katër vazo. Çdo skuadër më pas do të hidhet në short për të luajtur me dy kundërshtarë nga secila prej këtyre vazove, duke luajtur një ndeshje kundër një ekipi nga secila vazo në shtëpi dhe një jashtë.

    Kjo u jep mundësinë klubeve të testojnë veten kundër një game më të gjerë kundërshtarësh dhe rrit mundësinë për tifozët që të shohin skuadrat më të mira të shkojnë ballë për ballë më shpesh dhe më herët në garë. Do të rezultojë gjithashtu në ndeshje më konkurruese për çdo klub në të gjithë bordin.

    Si do të arrijnë skuadrat në fazën eliminatore të Champions League dhe a do të ndryshojë formati për fazën eliminatore?

    Rezultatet e çdo ndeshje do të vendosin renditjen e përgjithshme në ligën e re, me tre pikë për fitore dhe një për barazim.

    Tetë skuadrat më të mira në ligë do të kualifikohen automatikisht në raundin e 16-të, ndërsa skuadrat që përfundojnë në vendin e 9-të deri në vendin e 24-të do të garojnë në një fazë play-off me dy ndeshje për të siguruar rrugën e tyre për në 16-shen e fundit të kompeticionit. Skuadrat që përfundojnë në vendin e 25-të ose më poshtë do të eliminohen, pa akses në UEFA Europa League.

    Në fazën eliminatore, skuadrat që përfundojnë në vendin e 9-të dhe të 16-të do të vendosen në shortin e play-off-it të fazës eliminatore, që do të thotë se do të përballen me një ekip të renditur nga vendi i 17-të deri në 24, në parim, ndeshjen e kthimit në shtëpi. Tetë skuadrat që mbizotërojnë në play-off-et e fazës eliminatore do të kalojnë më pas në raundin e 16-të, ku secili do të përballet me një nga tetë finalistët.

    Nga raundi i 16-të e tutje, gara do të vazhdojë të ndjekë formatin e saj ekzistues të raundeve me eliminim direkt që çon në finalen e zhvilluar në një vend neutral të përzgjedhur nga UEFA.

    Të gjitha ndeshjet para finales do të vazhdojnë të luhen në mesjavë, duke njohur rëndësinë e kalendarit vendas të lojërave në të gjithë Europën, ndërsa finalja do të luhet të shtunën.

    A do të ndryshojnë edhe formatet e Europa League dhe Europa Conference League nga 2024/25?

    Po. Ndryshime të ngjashme të formatit do të aplikohen edhe në UEFA Europa League (tetë ndeshje dhe për rrjedhojë tetë kundërshtarë të ndryshëm në fazën e ligës) dhe UEFA Europa Conference League, e cila do të quhet Liga e Konferencave UEFA që nga viti 2024/25 (gjashtë ndeshje dhe për rrjedhojë gjashtë kundërshtarë të ndryshëm në fazën e ligës), me të dyja garat me 36 ekipe në fazën e ligës.

    Si do të duket kalendari për formatin e ri të tre kompeticioneve?

    Ndeshjet e Champions League dhe Europa League do të luhen midis shtatorit dhe janarit, ndërsa ndeshjet e Europa Conference League do të luhen midis shtatorit dhe dhjetorit. Secila nga tre kompeticionet e klubeve të UEFA-s do të ketë një javë ndeshje ekskluzive, ndërsa dy garat e tjera nuk do të planifikohen në këtë javë.

    Në javët standarde, ndeshjet e Champions League do të luhen të martën dhe të mërkurën, ndërsa ndeshjet e Europa League dhe Europa Conference League do të luhen të enjten. Në javën ekskluzive të Champions League, ndeshjet e Champions League do të luhen të martën, të mërkurën dhe të enjten. Në javën ekskluzive të Europa League, ndeshjet e Europa League do të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten. Në javën ekskluzive të Europa Conference League, ndeshjet e Europa Conference League do të zhvillohen të enjten.

    Për ndeshjet e fundit të secilës prej fazave të ligës së garave, të gjitha ndeshjet do të luhen njëkohësisht. /Top Channel

  • ​Krasniqi takon Sarrazin: Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar tejet i rëndësishëm

    ​Krasniqi takon Sarrazin: Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar tejet i rëndësishëm

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka pritur sot në takim përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Krasniqi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë.

    “Bashkë me Bedriun dhe Vlorën, në selinë e PDK-së, e pritëm Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë. Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.

    Sipas të parit të PDK-së, Memli Krasniqi bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar është tejet i rëndësishëm.

    “Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm. Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

  • Për herë të parë, KQZ cakton në 22 shtete ambasadat dhe konsullatat për votimin e diasporës

    Për herë të parë, KQZ cakton në 22 shtete ambasadat dhe konsullatat për votimin e diasporës

    Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar përfaqësitë diplomatike (ambasadat dhe konsullatat) ku do të mund të votojnë të gjithë shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Gjithashtu, KQZ ka caktuar edhe numrin e votuesve që do të lejohet të regjistrohen për të votuar në përfaqësitë diplomatike, i cili në total është rreth 50 mijë votues.

    Sipas vendimit të KQZ-së do të votohet në 22 shtete, respektivisht në ambientet e 35 ambasadave/konsullatave me gjithsej 47 vendvotime.

    Vendimi është marrë në mbledhjen e KQZ-së dhe lista do të publikohet së shpejti nga KQZ.

    Përveç regjistrimit për votim në përfaqësi diplomatike, votuesit mund të kërkojnë të regjistrohen për të dërguar pakon me fletëvotim në fah postar të KQZ-së në Kosovë apo në fah postar të KQZ-së jashtë Kosovës.

  • Fyeu e shau UÇK-në dhe nënat shqiptare, i akuzuari pranon fajësinë

    Fyeu e shau UÇK-në dhe nënat shqiptare, i akuzuari pranon fajësinë

    Të enjten, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sasha Zllatkoviq ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.

    “Ndihem fajtor dhe unë e kam pranuar menjëherë fajin tim, nuk ka qenë e qëllimshme nuk është dashur të ndodh kështu, por ka dalë qysh ka dalë dhe në fund pendohem për këtë që ka ndodhur”, tha i akuzuari Zllatkoviq.

    Një deklarim të tillë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk u kundërshtua nga prokurorja Krasniqi-Fejzullahu e as nga mbrojtësi i tij, avokati Shyqri Syla, të cilët i propozuan gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë.

    Gjykatësi i rastit Kushtrim Shyti mori aktvendim me të cilin u aprovua pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tij janë përmbushur kushtet ligjore për një pranim të tillë.

    Lidhur me shqiptimin e sanksionit penal, avokati Syla kërkoi nga gjykata që me rastin e matjes dhe llojit të dënimit të merren parasysh edhe një mori rrethanash lehtësuese, duke propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim me gjobë ose dënim me burgim të cilin do ta zëvendësojë me gjobë, e me të cilin sipas tij do të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit.

    Si rrethana lehtësuese, avokati Syla përmendi faktin se i mbrojturi i tij është i moshës së re, është hera e parë që i njëjti është ndeshur me ligjin, pendimin e tij dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të përsërisë veprime të tilla.

    Gjithashtu ai i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit duke konsideruar se kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë.

    Në anën tjetër, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu tha se përveç rrethanave lehtësuese që sipas saj në këtë rast ekzistojnë, ajo kërkoi nga gjykata që të merret parasysh edhe rrethana rënduese, duke theksuar se fatkeqësisht lloji i kësaj vepre penale është shndërruar edhe në dukuri për faktin se këto veprime ndikojnë edhe në acarimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Sasha Zllatkoviq, i cili akuzohet se me dashje ka nxitë, përhapë publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim në mes grupeve kombëtare.

    Sipas aktakuzës, këto veprime i njëjti i ka bërë më 26 korrik 2024, në Deçan, derisa ai ishte duke lëvizur me veturën e tij të markës “Polo” dhe nga vetura e tij ka realizuar një video-incizim me telefon një veturë para tij e tipit “Golf 3”, e cila prapa kishte të vendosur emblemën e UÇK-së, e më pas i njëjti iu kishte drejtuar me fjalët në gjuhën serbe (përkthyer shqip: “Shikoni se si terroristët e UÇK-së vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q*** nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla e godet dikush nga mbrapa”.

    E këtë video-incizim, aktakuza thotë se e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social “Tik-Tok”.

    Me këto veprime, Zllatkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

  • Rritja e pagës minimale, Rukiqi: Vendim i vonshëm, puro për përfitime elektorale

    Rritja e pagës minimale, Rukiqi: Vendim i vonshëm, puro për përfitime elektorale

    Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi, e ka publikuar një tabelë me çmimet esenciale dhe pagën minimale të vitit 2021 dhe atë vitit 2024, e cila është rritur nga qeveria dje në një vendim.

    Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se vendimi i ekzekutivit për pagën minimale është i vonshëm.

    “Këto të dhëna janë treguesi më i saktë, për efektin real të vendimeve të Qeverisë në raport me pagën minimale, të cilat po kthehen në vendime pa efekt për mirëqenien e qytetarëve, pasi që janë të vonshme dhe bëhen shkel e shko, puro për përfitime elektorale të partisë në pushtet”, ka thënë Rukiqi.

    Më poshtë e keni listën që e ka publikuar Rukiqi:

  • I përkasin fesë islame, lojtari shqiptar dhe ai francez nuk respektojnë birrën e Bayern Munchenit

    I përkasin fesë islame, lojtari shqiptar dhe ai francez nuk respektojnë birrën e Bayern Munchenit

    Skuadra e Bayern Munchen ka publikuar foton e edicionit 2024/25 dhe si gjithmonë e pranishme është edhe sponsori gjeneral, birra “Paulaner”.

    Ajo që bie në sytë e të gjithëve është mos respektimi i birrës nga dy lojtarët, Arijon Ibrahimovic dhe Sacha Boye, shkruan Indeksonline

    Dy lojtarët i përkasin fesë islame, prandaj nuk pranuan të dalin me birrë në duar.

    Kjo ka ndodhur edhe më parë te skuadra e Bayern Munchen. I fundit që e bëri një gjë të tillë ishte Sadio Mane, i cili poashtu është musliman.

  • Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës shefin e misionit të OSBE-së

    Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës shefin e misionit të OSBE-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.

    Në takim, Presidentja Osmani ka vlerësuar angazhimin e ambasadorit Davenport në krye të OSBE-së në mbështetje të përpjekjeve për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, për të cilat Kosova po tregon progres të vazhdueshëm.

    Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja e falënderoi ambasadorin për punën e deritanishme në Kosovë dhe në të njëjtën kohë i ka uruar sukses në angazhimet e tij të mëtejshme.

  • Kosova debuton në lojërat Paralimpike “Paris 2024”

    Kosova debuton në lojërat Paralimpike “Paris 2024”

    Kosova ka shënuar njër ndër momentet më të rëndësishme në historinë e sportit të saj. Në mesin e mbi 50 mijë shikuesve nga mbarë bota, për herë të parë, flamuri i Kosovës ka valuar në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”.

    Ceremonia hapëse u zhvillua në sheshin Place de la Concorde dhe Champs-Elysées në Paris, me fillim nga ora 20:00, e ku defiluan gjithsej 166 shtete nga mbarë bota. Ky moment njëherësh shënon edhe debutimin e Kosovës në lojërat më prestigjioze të para sportit botëror, synim i kahershëm i parasportit kosovar.

    Në këtë ngjarje madhështore të parasportit, vendi ynë përfaqësohet nga paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në sportin e atletikës, në kategorinë T46, në disiplinën 1500 metra. Në këtë rrugëtim sfidues, Grevisti është i shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, trajneri Adrian Mazreku dhe shefja e misionit, Arjeta Gashi.

    Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra u mundësua falë anëtarësimit të vendit tonë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar, moment që i hapi rrugën përfshirjes së parasportistëve tanë në këtë ngjarje madhore, e cila simbolizon përfshirjen, barazinë dhe fuqinë e sportit për të kaluar çdo pengesë.

    Në lojërat e sivjetme botërore të parasportit, të cilat zgjasin 11 ditë, do të marrin pjesë 4,400 paraatletë në gjithsej 22 parasporte.