ATV

Author: ATVLive

  • Osmani për të zhdukurit: Serbia po e përsëritë krimin

    Osmani për të zhdukurit: Serbia po e përsëritë krimin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë, ka shkruar mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.

    Osmani ka shkruar në Facebook se synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit dhe të ardhmes sonë.

    “Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, ka shkruar ajo.

  • Mbyllet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive, kjo është arsyeja

    Mbyllet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive, kjo është arsyeja

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka njoftuar se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, vetëm katër ditë pas hapjes.

    Kjo është bërë e ditur, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.

    Në njoftim thuhet se mbyllja e parakohshme është si rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve.

    “Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”. Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve në vlerë prej 4,998,871.79€, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve dhe kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, thuhet në njoftim.

    FKEE, ka bërë të ditur se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre.

    “Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre dhe së shpejti fillon shpërndarja e letrave të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument (para-aprovimin), duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. Pra, punimet duhet të fillojnë vetëm pas para-aprovimit nga FKEE dhe ato duhet të përfundojnë më së largu me datën 31.12.2024, dhe pas kësaj date nuk mund të trajtohet asnjë kërkesë për disbursim të mjeteve.”, thuhet më tutje në njoftim.
    Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka lansuar thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, më 26 gusht. Ndërsa, qëllimi i kësaj thirrje ishte të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve sa i përket efiçencës së energjisë elektrike dhe ulja e faturave të energjisë elektrike.

  • Macroni nga Beogradi: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’bëhet pa kompromis

    Macroni nga Beogradi: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’bëhet pa kompromis

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dje nisi një vizitë zyrtare dyditore në Serbi, ku pati një takim me presidentin e këtij vendi, Alleksandar Vuçiq.

    Pas takimit, dyshja doli para gazetarëve për t’iu dhënë përgjigje një sërë temash me interes.

    Mes tyre ishte padyshim edhe çështja e Kosovës.

    Macroni tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është pjesë përbërëse e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian.

    “Kjo çështje nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje. Në këtë kuptim, dëshiroj të përgëzoj autoritetet kompetente serbe për vendimet e marra në fund të vitit të kaluar për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ne kemi ndarë me partnerët tanë evropianë se sa të shqetësuar jemi për lëvizjet e fundit të njëanshme të Kosovës, të cilat nuk dërgojnë sinjal të mirë. Të jeni të sigurt se Franca do të vazhdojë të monitorojë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë me vëmendje të veçantë dhe në këtë kontekst ne jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Macron, raporton Klankosova.tv.

    Ai theksoi se mesazhi i tij sot është mbi të gjitha mesazh vendosmërie dhe besimi.

    “Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e investuara në ndërmjetësimin evropian për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që është e një rëndësie kyçe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen. Do të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, tha Macron.

  • Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë

    Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë

    Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të enjten ka qëndruar në Kosovë, e një ditë më parë edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Nga të dyja vendet ai ka përsëritur angazhimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajonin “me rëndësi strategjike për Aleancën”.

    Goffus ka përmendur rritjen e numrit të trupave në Kosovë nga viti i kaluar pas tensioneve në veri, por ka deklaruar se kjo nuk është zgjidhje për stabilitet afatgjatë.

    “Gjatë vitit të kaluar, kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të menaxhonim, për fat të keq, një mjedis më sfidues të sigurisë dhe tensione të vazhdueshme. Kjo tregon, edhe një herë, përkushtimin e palëkundur politik të aleatëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në gjithë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Edhe pse fatkeqësisht është e nevojshme për momentin, më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë”, ka thënë Goffus, njoftoi NATO përmes një deklarate për media të premten.

    Më tej, ka shtuar se zgjidhja për situatën është politike, duke përmendur këtu dialogun Kosovë-Serbi. Ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese.

    “Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, që minon sigurinë e njerëzve në Kosovë dhe rrit rrezikun me të cilin përballen trupat e KFOR-it. Kjo rrit shqetësimin e aleatëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre”, ka theksuar ai.

    Goffus e ka quajtur “jetike” koordinimin në kohë dhe efektiv me NATO-n e komunitetin ndërkombëtar – ndërsa ka përmendur këtu çështjen e Urës së Ibrit.

    Ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për ngjarjet e dhunshme në Zveçan e Banjskë të vitit të kaluar, ai ka thënë se “veprimet e pakoordinuara bashkë me retorikën përçarëse, nxisin tensione që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.

    “Ekziston një mundësi dhe një nevojë për të ndërmarrë hapa pozitivë drejt depërshkallëzimit dhe uljes së presionit, përmes dialogut konstruktiv për zgjidhje të qëndrueshme”, ka deklaruar Goffus.

  • Kryeministri Rama do të operohet, zbulohet problemi shëndetësor

    Kryeministri Rama do të operohet, zbulohet problemi shëndetësor

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor.

    Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale, shkruan A2.

    “Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që… i kam mësuar edhe emrin… Se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbollit, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.

  • S’ka pritje të gjata nëpër librari – Prindërit vazhdojnë me blerjen e teksteve shkollore

    S’ka pritje të gjata nëpër librari – Prindërit vazhdojnë me blerjen e teksteve shkollore

    Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, më 2 shtator, prindërit kanë vazhduar me blerjen e librave e mjeteve shkollore. Disa të intervistuar nga Ekonomia Online, u shprehën të kënaqur me procesin e blerjes së librave.

    Prindërit po shprehen të kënaqur me procesin e blerjes së librave shkollorë, duke theksuar se këtë vit gjithçka po shkon në rregull dhe librat janë në sasi të mjaftueshme.

    Qytetari, Halit Shahini, tha për Ekonomia Online se procesi i blerjes së teksteve ka shkuar mirë, ndonëse e pranon se mënyra e vjetër ka qenë më e mirë dhe e lehtë.

    “Procesi i blerjes po shkon mirë, librat ishin të gjitha në sasi të mjaftueshme. Ne jemi në këtë librari sepse shkolla ‘Faik Konica’ e ka tërëditor mësimin, pra mirë. Përpara ka qenë më mirë në shkollë të shpërndaheshin, por edhe tash është mirë”, tha ai

    E kënaqur me këtë proces është edhe Refie Sinani.

    “Blerja po shkon shumë mirë, faleminderit nga të gjithë. Edhe më përpara ka qenë mirë”, u shpreh ajo.

    Ndërsa prindi, Hazir Mehmeti, konsideron gjithçka ka shkuar në rregull, ndërsa për sasinë e librave thekson se është e mjaftueshme.

    “Aplikimi ka qenë shumë i thjeshtë. Për mua është me rëndësi të sigurohen librat për të gjithë”, tha ai.

    Ndërkohë, Musli Rexhepi vlerëson që librat nuk janë të shtrenjtë dhe se ka pasur sasi të mjaftueshme.

    “Unë si blerës jam shumë i kënaqur me shërbimin. Librat nuk janë të shtrenjtë dhe kishte sasi të mjaftueshme të librave. Mendoj se është më mirë të shërbehen vetë, sepse në shkolla nuk kanë llogari”.

  • Shkallët e reja tatimore aplikohen nga gushti. Në shtator dalin nga 6.8 euro më shumë

    Shkallët e reja tatimore aplikohen nga gushti. Në shtator dalin nga 6.8 euro më shumë

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale do të fillojë nga periudha e muajit gusht. Kjo nënkupton se për shkak të tatimit të ndryshuar, në pagat e shtatorit do të dalin 6.8 euro më shumë për të gjithë të punësuarit.

    Ditë më parë, hyri në fuqi Ligji për pagën minimale prej 250 eurosh, para se ajo të rritej në 350 me vendim të Qeverisë të mërkurën. Deri tash, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe të ardhurat rrjedhimisht do të rriten.

    Në një njoftim të enjten në mbrëmje, ATK-ja ka bërë të ditur se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhura do të nisë nga periudha e gushtit. “Pra, deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-142”, thuhet në njoftim.

    Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore ishte miratuar në korrik të vitit të shkuar, por ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të opozitës. Në qershor, Kushtetuesja konstatoi që ky Ligj nuk e shkelë aktin më të lartë juridik të vendit, e të premten u publikua në Gazetën Zyrtare kur edhe hyri në fuqi menjëherë.

    Ligji parasheh që në fund të çdo viti, Këshilli Ekonomiko-Social i propozon Qeverisë lartësinë e pagës minimale, të cilin e miraton më pas ekzekutivi.

    Paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. Pak ditë pasi hyri në fuqi ligji që e ngriti në 250 euro pagën minimale, Qeveria të mërkurën vendosi ta ngritë në 350 euro.

    Edhe pas kësaj rritje, Kosova është vendi me pagën minimale më të ulët në Evropë.

  • Sot, Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

    Sot, Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

    Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve të Kosovës.

    Kjo datë, 30 gushti, është ditë që përkujtohet fati i njerëzve që me dhunë e pa vullnet u larguan nga vendi i tyre, ku ende nuk dihet asgjë për ta.

    E lidhur me këtë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës mbajnë homazhe.

    Po ashtu, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut do të zhvillojë një aksion simbolik, nga ora 18:00, në sheshin “Skënderbeu”, ata nisin aksionin “Dera e Pritjes”.

  • Në Merdarë, pritjet deri në dy orë

    Në Merdarë, pritjet deri në dy orë

    Pritjet për të dalë nga Kosova po vijojnë deri në dy orë.

    Kjo sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Deri në dy orë po pritet në Merdarë, ndërsa në pikën kufitare te Dheu i Bardhë deri në një orë.

    25 minuta po pritet në Jarinje.

  • Maqedonci pret në takim homologun e tij nga Shqipëria

    Maqedonci pret në takim homologun e tij nga Shqipëria

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci sot do të zhvillojë takim me homologun e tij nga Shqipëria, Pirro Vengon.

    Takimi do të mbahet nga ora 10:00.

    Kjo mikpritje zhvillohet në objektin e ministrisë së Mbrojtjes.